Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SI TA KTHEJMË KRENARINË?

Të nderuar vëllezër!
Kjo hutbe shënon edhe fundin e këtij cikli përkitazi me premtimet hyjnore për ngadhënjimin e Islamit. Jemi munduar përgjatë gjithë javëve dhe muajve të kaluar të përshkruajmë elemente të ndryshme që flasin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për këtë të vërtetë. Kemi përmendur faktet nga Kur’ani, nga Sunneti, nga ligjet e Zotit që janë aplikuar për njerëzimin gjatë historisë, nga karakteristikat dhe veçoritë e Islamit si një fe që disponon me atë që, përjetësisht, pamundëson shuarjen e tij, pastaj kemi përmendur edhe disa specifika të Ummetit, për tu ndaluar më pas tek disa mjete, që na përforcojnë në fe. Filluam, dalëngadalë, të kalojmë nga një fazë, ku bënim më shumë shtjellime teorike, tek faza, e cila fillon të riformësojë personalitetin e besimtarit për të marrë përsipër realizimin e këtij ngadhënjimi, që me lejen e Allahut do të jetë i pashmangshëm.
Sot, në këtë hutbe, të fundit për këtë seri, do të bëjmë një përshkrim konkret të metodologjisë së rikthimit të krenarisë së humbur për një kohë të gjatë, të asaj që na ka bërë sundimtarët më të çmuar të botës, prijatarët më të zotë të dijes, heronjtë më të dalluar të luftës, bujarët dhe fisnikët më të mirë të paqes, asaj që njerëzimit ia ktheu dinjitetin…
1. Dëlirja dhe edukimi
Ummeti, për a rikthyer këtë krenari, në radhë të parë, duhet ta pastrojë besimin nga besëtytnitë dhe bindjet e kota, nga format dhe manifestimet politeiste, nga çdo gjë që zbeh madhështinë e tij. Kjo, siç kanë nënvizuar dijetarët, arrihet duke iu rikthyer bazave të fesë, Kur’anit dhe Sunnetit, dhe jo vetëm kaq. Them kështu ndërsa parasysh kam fjalën e kolosit të hadithit, Muhammed Nasiruddin Albanit, i cili sqaron se teoritë përderisa nuk jetësohen në praktikë dhe nuk shndërrohen në punë konkrete, atëherë ato nuk kanë ndonjë vlerë. “Nëse duam krenarinë prej Allahut të Lartësuar, nëse duam të na e heq këtë poshtërim dhe të na ndihmojë kundër armikut tonë, atëherë nuk mjafton vetëm përmirësimi i botëkuptimeve, në të cilat aluduam më parë, porse edhe duhet punuar…”-thoshte ai.
Në fakt, ajo që Shejh Albani e kërkon ka të bëjë me diturinë e saktë dhe edukimin e duhur. Përderisa këta dy komponentë nuk janë të këtillë, paralel me njërin tjetrin, atëherë vështirë se mund të arrijmë rimëkëmbje e lëre më fitore. Sa fjalë të bukur kanë thënë disa reformatorë myslimanë: “Ndërtojeni shtetin islam në zemrat tuaja, ndërtohet edhe në tokat tuaja!”
Duhet ta pastrojmë besimin tonë nga ato gjëra që janë të huaja për të, nga ato barishte të egra që ia kanë zënë frymën dhe nuk e lënë ta sheh diellin. Duhet të edukohemi në frymën e këtij besimi të pastër, të çiltër, të dëlirë, i cili, kurdo që të bëhet i tillë, do të na shfaq në brendësinë e tij urtësi dhe mësime shumë madhështore. Sa e sa herë kemi deklaruar dëshminë islame por nuk kemi arritur ta shijojmë atë. Nuk kemi arritur të kuptojmë se prej domethënieve të kësaj dëshmie është që përveç fesë së Zotit të mos marrim për program jete, sikur që nuk kemi arritur të kuptojmë se fjala e Zotit duhet të udhëheq me botën, se caktimet e Tij janë të pandryshueshme, se ne jashtë vullnetit të Tij nuk mund të dalim dhe se neve askush nuk mund të na shkaktojë asnjë të keqe, pa caktimin paraprak të Tij.
Duhet të kthehet ky besim me këto botëkuptime dhe kjo edukatë e fituar prej tij!
2. Nxjerrja e gjeneratave që sakrifikojnë për fe
Gjenerata e reja duhet edukuar në atë frymë që të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësitë e çuarjes së Ummetit përpara. Model, si në çdo gjë tjetër, duhet tua ofrojmë Muhammedin [alejhis salatu ves selam], i cili, së pari, fuqizoi lidhjet me Allahun e Madhëruar, në kuptim të thellimit të besimit në Të, për të kaluar më pas në provat praktike të besimit në jetën e përditshme.
Për të realizuar këtë qëllim, duhet të përdorim çdo mjet dhe metodë të mundshme legjitime, prej të cilave në, këtu, do të veçonim:
1) Këshilla
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.“ (en-Nahl, 125)
Këshilla, për të dhënë efektet e dëshiruara, duhet doemos të mos përkufizohet vetëm në fjalë; ajo, para së gjithash, duhet të reflektojë edhe në sjelljet dhe moralin e këshilluesit. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] korri suksesin e madh, për shkak se ‘Morali i tij ishte Kur’ani!’
2) Edukimi shpirtëror
Dështimin e lëvizjes islame në kohën tonë, dijetarët ia kanë faturuar papjekurisë së nevojshme në fushën e thirrjes islame. Për të realizuar pjekurinë e dëshiruar, prioritet të prioriteteve duhet ta kemi adhurimin për Zotin dhe përmendjen (dhikrin) e Tij. po kështu, paralel me adhurimin, edhe duhet të ftojmë në rrugën e Zotit, respektivisht të ndalojmë nga e keqja dhe të urdhërojmë për të mirë.
3) Entuziazmi
Islami nuk mund të përhapet me njerëz të ngurtë, të atillë që Bishr Harith el-Hafiu do t’i quante si njerëz të gjallë ama me pamjen e të cilëve zemra do të vdiste. Islami është jetë ndërsa jeta e besimtarit pa vullnetin, xhelozinë, entuziazmin, ritet dhe përcjelljen e mesazhit të fesë tek të tjerët nuk ka sens – kuptim. Entuziazmi vetvetiu nuk mjafton. Madje, pasojat në rast se nuk do të shoqërohej me dije dhe eksperiencë përkatëse, do të ishin të mëdha. Nga këtu, dijetarët kanë porositur që pjesë e agjendës sonë të jetë dhe:
4) Formimi dhe pjekuria profesionale
Këto janë gjëra esenciale dhe pothuajse të pazëvendësueshme në edukim. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.“ (Jusuf, 108)
E këtilla është rruga e besimtarëve: argumente dhe fakte të qarta, por, këto nuk trashëgohen. Ato janë produkt i të mësuarit dhe të studiuarit, andaj ta lexojmë Librin e Allahut, ta meditojmë atë, ta shfletojmë historinë, ta fitojmë përvojën e duhur, të konsultohemi me kompetentë fushash të ndryshme, ngase vetëm kështu mund të arrijmë tek qëllimi.
3. Rishikimi i metodologjisë
Sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet Ummeti kanë parashtruar edhe nevojën e rishikimit të metodologjisë, jo në kuptim të hulumtimet për modele tjera, por për mënyra të rezistimit të këtyre sfidave. Më konkretisht, Ummeti ka nevojë për profesionistë të fushave të islamistikës, mjekësisë, inxhinierisë, mbrojtjes, strategjive dhe planifikimit, ekonomisë, informimit. Duhet ta islamizojmë jetën me të gjitha çështjet e saja, në mënyrë që Islamin ta prezantojmë si alternativën e vetme për jetën dhe veprimtarinë tonë.
4. Veprimtaria kolektive
Individualizmi nuk duhet të jetë më imazh i shoqërisë islame. Ata që na luftojnë nuk janë individë, por formacione të rregulluara në shoqata dhe organizata me plane, strategji dhe organizime shumë precize. A nuk na ka treguar Allahu i Madhëruar se myslimanët duhet të veprojnë si një trup i vetëm?! A nuk lexuam vetëm pak më parë një nga ajetet më të drejtpërdrejta për këtë gjë!
“Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje…“ (Jusuf, 108)
5. Unifikimi islam
Për të realizuar suksesin, myslimanët duhet të bashkohen. Kritere për bashkim kanë:
1) Përkatësia vetëm ndaj Islamit
2) Unifikimi i burimit të udhëzimit, pra që referenca të kenë Kur’anin dhe Sunnetin
3) Unifikimi i kredos, respektivisht përvetësimi i besimit sipas metodologjisë së Ehli Sunnetit dhe Xhematit
4) Kur’anin dhe Sunnetin duhet bërë bosht studimesh dhe burim ligjesh
5) Duhet themeluar shtetin islam dhe duhet mëtuar rikthimin tek sundimi i drejtë ose el-hilafe err-rrashideh.
6. Thirrësit dhe sinqeriteti
Thirrësit, më shumë se kushdo tjetër, kanë nevojë që në punën e tyre të jenë të sinqertë. Ata duhet të jenë transparentë dhe përballë kritikave tolerant. Sinqeriteti na bën që sukseset e të tjerëve të na gëzojnë, ndryshe, siç shënon Muhammed Kutbi, na ndodhë çfarë në të vërtetë po na ndodhë sot . Hasan Basriu ka thënë se nuk do të jesh zahid (asket i kulluar) përderisa tjetrin nuk e vlerëson mbi veten tënde.
7. Nevoja e rikthimit tek dijetarët
Dhe për fund fare. Ajo që na duhet për ta rikthyer autoritetin tonë si Ummet është rikthimi paraprak tek dijetarët, për tu konsultuar me ta. Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve, andaj ata duhet të kenë fjalën e fundi dhe vendimin përfundimtar. Madje, siç thotë Xhuvejni në Gajjathul umem (f. 280), në rast se shteti do të mbetej pa udhëheqësi, atëherë dijetarët do të merrnin përsipër udhëheqjen e tij. njerëzit e kanë obligim t’iu drejtohen atyre de të veprojnë sipas këshillave të tyre.
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër!
Në ndarje nga kjo hutbe, e cila është njëherësh edhe e fundit për këtë cikël, do të doja të përkujtojmë se rikthimi i krenarisë islame nuk bëhet me fjalë, por me punë, me angazhime konkrete, me planifikime dhe strategji, me vizion dhe largpamësi. Këto janë gjëra pa të cilat Ummeti nuk mund të kthehet në pozitën që pati, dhe vonimi i tyre nuk nënkupton se do të gjendet ndonjë formë tjetër që Ummetin do ta kthejë në mënyrë magjike në këtë pozitë. Sado që të vonohemi, apo kurdo që të fillojmë, do të fillojmë nga këtu, andaj, le të përvjelim mëngët dhe t’i përvishemi punës.
Zoti na ndihmoftë!


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013