Paragjykimet janë të urryera për faktin se ato reflektojnë gjithnjë qëndrime të gabuara. Ato, në vend të ndërtimit të urave të komunikimit, i shkatërrojnë ato. Paragjykimet janë sinonim i hendeqeve të pakapërcyeshme. Ato janë adresa e fajit pse në botë ende ka intolerancë, konflikte dhe luftëra.
Paragjykimet janë fajtore edhe për intolerancën fetare në botë. Ato janë shkak i propagandave të ndyra të njerëzve me qëllime të ulëta, të njerëzve me vizion të izoluar, të miopëve, të atyre që vuajnë nga zemërngushtësia dhe verbëria mendore e shpirtërore. Këta njerëz nuk reshtin së shpifuri dhe akuzuari, nuk kursehen aspak nga shtrembërimi i të vërtetave dhe deformimi i fakteve, çka për pasojë bën që njerëzit krijojnë një frikë të panevojshme dhe të paarsyeshme ndaj një gjëje të caktuar.
Kështu ka ndodhur dhe po ndodhë edhe sot me Islamin. Shumë jomyslimanë, jo vetëm që nuk e pranojnë Islamin, por, për shkak të këtyre propagandave, kanë formuar një bindje se Islami është sinonim i të keqes, dhunës, shtypjes, padrejtësisë. Thënë të drejtën, kjo praktikë e shtrembërimit të të vërtetave islame nuk është e re. Mund të jenë disa forma dhe mënyra, porse si metodë, njihet shumë moti. Do tua rrëfej një rast shumë interesant nga koha e Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] për të dëshmuar këtë që po them. Ibni Kethiri[1] përmend rrëfimin se si Tufejl ibn Amr ed-Dusi pranoi Islamin. Ishte njeri me pozitë në fisin e tij. Kishte ardhur në Mekke ndërsa Kurejshët ishin tubuar rreth tij dhe e paralajmëronin për Muhammedin [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] që të mos takohej me të dhe të mos dëgjonte fjalët e tij. I bënë presion aq shumë dhe e frikësuan prej tij saqë Tufejli mbushi veshët pambuk në mënyrë që të mos e dëgjonte asnjë fjalë. Kur shkoi në Qabe, pa Muhammedin [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] tek falej dhe, megjithëse kishte veshët e mbyllur, fjalët kura’nore depërtuan tek ai. I dëgjoi. Duke qenë se ishte poet dhe dinte ta dallonte të vërtetën nga e shpifura, tha: Do ta dëgjoj; nëse është e mirë, e pranoj, ndryshe, e refuzoj. Qëndrova derisa e mbaroi i Dërguari i Allahut [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] namazin, e pastaj i shkova pas. Hyra në shtëpinë e tij dhe i thashë: O Muhammed, vërtetë populli yt më thanë për ty kështu e kështu dhe më frikësuan aq shumë nga fjalët që më thanë aq sa mbusha veshët me pambuk që të të mos dëgjoja fare, por, Allahu deshi që unë ta dëgjoj fjalën tënde, andaj ma prezanto çështjen tënde. I Dërguari i Allahut [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ia prezantoi Islamin dhe ia lexoi disa ajete kur’anore. Pasha Allahu! –betohet Tufejli- kurrë nuk kam dëgjuar diç më të mirë dhe më të drejtë se ai, kështu që e pranova Islamin dhe e deklarova dëshminë e së vërtetës...
E shihni, propaganda për t’i frikësuar njerëzit nga Islami ka qenë metodë e pabesimtarëve që atëherë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shumë njerëz nga e mbarë bota, për shkak të njoftimit me Islamin vetëm nga ajo që jomuslimanët kanë thënë për të, kanë krijuar bindje të gabuara dhe armiqësi të panevojshme ndaj tij. Ata janë viktimë të mediave, të cilat nuk hezitojnë ta paraqesin Islamin si të vrazhdë, si shkaktar kryesor në botë të dhunës dhe, rrjedhimisht, edhe përgjegjësin kryesor; mediat dhe mentorët e tyre janë ata që, siç shprehej Eduard Saidi[2], “kërcënimin Islam” duan ta mbajnë gjithnjë në rend të ditës. Ata, edhe në qoftë se ndodhë një rast i rrallë tek muslimanët, që në rrethet dhe ambientet e tyre është i përditshëm, nuk do të kursehen ta publikojnë si rrezik ndaj njerëzimit. Më konkretisht, në rast se një mysliman do të martohej me një grua të dytë, do ta zmadhonin atë, do ta paraqisnin si rrezik për gruan, si shkelje e dinjitetit të saj, derisa tradhtitë bashkëshortore dhe shthurja seksuale në perëndim janë përditshmëri. Madje, ndonjëherë këto tradhti janë aq të rënda saqë truri do të ndalej, por ja që në asnjë rast ato nuk publikohen më shumë se një lajm ose kronikë e rëndomtë. Një grua 36 vjeçare nga Zelanda e Re ka ngelë shtatzënë dhe ka lindur një fëmijë nga dashuria e paligjshme që ka çuar me shokun e djalit të saj, një njëmbëdhjetë vjeçar. Paramendoni sikur ky rast të kishte ndodhur në ndonjë vend islam, sa rrëmuja do të shkaktohej, si reagimet do të pasonin, sa sulmet dhe etiketimet do të bëheshin...
Disa nga akuzat më të shpeshta ndaj Islamit
Xhihadi si kob për njerëzimin
Xhihadi është një term islam i keqinterpretuar. Është një term, domethënien esenciale të të cilit e kanë përmbysur. Xhihadin e sjellin në formën e një lufte fetare, e cila kundërmon vetëm tym dhe gjak. Asnjëherë nuk i japin kuptimin themelor dhe thelbësor që ka. Xhihadi nënkupton luftën, por gjithnjë në kontekst pozitiv. Nënkupton luftën me nefsin, me të keqen që na cyt për punë të këqija, sikur që nënkupton luftë kundër tiranisë, kundër padrejtësisë, kundër atyre që kanë shpallur veten për Zot ndërsa i kanë robëruar dhe njerëzimin. Kjo botë është e Zotit, sikur që janë edhe njerëzit krijesa të Tij, andaj askush nuk guxon t’i bëjë dhunë askujt në emër të asnjë superlativiteti. Islami ka një moto, që njëherësh është mision i tij: “Ne kemi ardhur për të nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve.” Dhe kjo në asnjë rast a mënyrë nuk nënkupton imponimin. Allahu ka thënë shumë qartë: Në fe nuk ka dhunë...“ (el-Bekare, 256)
Pra, janë shpifje dhe akuza të pandershme ato që Islamin e paraqesin si të imponuar. Do tua marr një shembull nga realiteti ynë. Nëse Islami paska futur me dhunë njerëzit në fe, atëherë përse sot kur fuqia ushtarake nuk është në anën e tij ai vazhdon të jetë feja me rritjen më të madhe në botë?[3] Për çfarë lloj imponimi bëhet fjalë?
Intoleranca me fetë tjera
Për Islamin kanë thënë se është fe intolerante, fe, që nuk pranon të tjerët, fe që mohon Jezusin – Isnaë [alejhiselam]. Janë akuza të pakripa. Kushdo që ka lexuar Kur’anin dhe ka njohuri bazike për Muhammedin [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] do ta kupton lehtë se këto janë shpifje dhe trillime. Islami është një fe, e cila detyrimisht kërkon besimin në të gjithë profetët dhe respektin maksimal për ta. Allahu e ka kushtëzuar këtë gjë në Kur’an. “I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij…“ (el-Bekare, 285)
Se për çfarë raporti bëhet fjalë ndërmjet profetëve, këtë në formë shumë brilante dhe ekstremisht të bukur na e sjell Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]. “Unë më së shumti kam të drejtë në Isanë, të birin e Merjemes, në këtë dhe botën tjetër. Profetët janë (sikur) vëllezër nga babai: nënat i kanë të ndryshme por fenë e kanë një.”[4]
Si mund të thuhet kjo për Islamin kur Allahu në Kur’an kërkon prej nesh që tua prezantojmë islamin në formën më të mirë. “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri...“ (el-Ankebut, 46)
Ajo në çka i thërrasim dhe ua kemi lënë këtë ofertë të hapur është: ”Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut"! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: "Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)"!“ (Ali Imran, 64)
Tirania ndaj femrës
Një nga pikat në të cilat e kanë sulmuar islamin dhe janë munduar ta njollosin para syve të botës është edhe qëndrimi i tij për femrën. Shumë padrejtësisht e kanë paraqitur Islamin si dhunues, si shkelës të të drejtave, si abuziv me femrën. Por, a qëndron puna në të vërtetë kështu? Në rast se do ta lexonin Kur’anin dhe thëniet e Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] a do të kishin këto bindje? Unë do të doja tua paraqes atë që në formë të përgjithshme e ka përmendur një dijetar yni, Halid Ebu Bekër: “Nuk kam parë që dikush të ketë mirësi më të madhe se femra, e fut në Xhennet babanë e saj sa është fëmijë, e plotëson gjysmën e fesë së burrit të saj sa është në rini, ndërsa nën këmbët e saj qëndron xheneti sa është nënë në pleqëri.”
Po femra në shoqëritë e tyre si qëndron?
A ka shumë të drejta aq sa të na akuzojnë neve për shkelje të tyre?
Sa bukur ka thënë Omer Abdul Kafi: “E drejta e femrës në Perëndim nënkupton të drejtën e arritjes tek femra.” Nëse doni të bindni për këtë, shihni se industria që merret me femrën është më profitabilja në botë.
Prapambetja shkencore
Islamin e kanë akuzuar si fe të prapambeturisë. Çudi e shkuar çudisë. Si mund të akuzohet kjo fe kësisoj kur, përveç tjerash, ka dy elemente që do t’i mjaftonin çdo njeriu ta vlerësoj si të shpifur këtë thënie:
E para, ajeti i parë i shpallur thërret drejtpërdrejtë për dituri. Pra, edhe para besimit, dhe
E dyta, kërcënimi për ata që nuk meditojnë. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ka thënë[5]: Mjerë për ata që lexojnë dy ajetet 191-192 nga kaptina Ali Imran e nuk i meditojnë ato. Fjala është për ajetet: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. 191. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”
Islami ka një thesar të madh të dijeve dhe shkencave, që besoj se vetëm një injorant i mllefosur dhe një armik i përbetuar nuk i pranojnë. Madje koha po vërteton se janë pikërisht myslimanët ata që vunë bazat dhe themelet e shumë shkencave. Koha do të vërtetojë edhe padrejtësinë që i është bërë shkencave të muslimanëve. Respektivisht, e ardhmja e afërt do të dëshmojë se prapa shumë shkencave që sot i detyrohen emrave të caktuar nga shkencat perëndimore, në të vërtetë qëndrojnë muslimanët.
Përfundim
Çfarë duhet të bëjmë për të larguar paragjykimet dhe bindjet e gabuara të jomyslimanëve për Islamin dhe muslimanët? Sigurisht, ka një liste të gjatë, por unë do ta reduktoj në maksimum. Ajo që ne duhet të bëjmë është që t’ia japim Islamit fjalën të flet për vetveten. Tufejlin e frikësuan dhe ia mbushën mendjen se Islami është fe e keqe por kur u njoh me të për së afërmi, e pranoi. Ne duhet tua prezantojmë Islamin të huajve. Konsideroj se nismat e ndërmarra në Perëndim nga disa shoqata myslimane për t’i njohur ata me Kur’anin, me Muhammedin [sal-laAlalhu alejhis ve sel-leme] dhe me Islamin e vërtetë janë një imazh bashkëkohor i suksesit të kësaj metode. Vet numri i muslimanëve që janë shtuar pas 11 shtatorit e dëshmon këtë.
Po kështu, ne muslimanët duhet të merremi edhe me veten tonë. duhet ta jetësojmë Islamin në praktikë, në mënyrë që islami dhe ne të mos jemi të huaj për njëri tjetrin. Si do t’iu flasim të huajve për rëndësinë e adhurimit kur shumë pak e prakiktojmë atë?! Si do t’i bindim për të agjëruar kur shumë prej nesh e neglizhojnë atë?! Si do t’i thërrasim për sjellje të mira kur ne po i pasojmë ata?!
Pra, duhet ta përmirësojmë veten tonë, që t’i bindim të huajt me veprat tona para se t’i bindim me fjalët tona.
[1] Shih: Ibni Kethir: El-bidaje ve-n-nihaje. 3/97.
[2] Për më shumë, shih librin e autorit: ‘Shtrembërimi i Islamit’ botuar nga Logos-A, Shkup, 2011.
[4] E transmeton Buhariu në Sahihun e tij.
[5] Albani e përmend si hadith xhejjid në Silsilsetu-s-sahihah, nr. 68.