Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Madhështia e Ezanit

Rezymeja e hutbes: 1. Domethënia e Ezanit; 2. Vështrime akaidologjike të Ezanit: a) Aspekti i kredos, b) Pasimi i Muhammedit, alejhi’s selam, c) Aspekti i adhurimit; 3. Vështrime moralo-edukative; 4. Vështrime shoqërore.
***
Besimtarë të nderuar!
E drejta fetare është e drejtë e garantuar, dhe atë jo vetëm në bindje, por edhe në demonstrim – praktikim të saj. Bazuar në Kartën e të Drejtave të Njeriut, njeriu gëzon lirinë e shprehjes së besimit të tij, për të cilën liri nuk guxon askush ta injorojë e aq më tepër ta persekutojë ose privojë nga rrjedhat e jetës normale.[1]
Nuk di a është faji tek përpiluesit e këtyre kartave dhe atyre deklaratave, të cilët kanë lënë “kode” të veçanta komentimesh që syri normal nuk mund t’i dallojë, dhe të cilat përjashtojnë muslimanët nga këto të drejta, apo ato nuk janë asgjë më tepër se letra të vjetra që vendin nuk e kanë në qendra vendimmarrëse por në muze e librari të harruara? Ndalimi i mbajtjes së Mbulesës (Hixhabit), karikaturat fyese për profetin Muhammed, alejhi’s selam, referendumi per ndalimin e minareve në Zvicër, janë vetëm disa fakte që provojnë (dëshmojnë) si false këto Karta dhe Deklarata, ndryshe, edhe muslimanët janë njerëz, dhe rrjedhimisht, edhe të drejtat e tyre do të duhej njohur e pranuar. 
Vëllezër besimtarë!
Hutbeja jonë sot do të trajtojë ndalimin e minareve, jo nga këndvështrimi politik, e as nga ai teknik, ngase xhamia funksionon edhe pa minare, por nga roli dhe rëndësia që paraqet minarja. Minarja nuk luftohet për stilin e saj oriental, e as për hapësirën që zë, por për misionin që kryen. Kështu ka qenë taktika e luftimit të muslimanëve çdoherë kur llojet tjera të luftës nuk janë treguar efikase. E ripërsëris, nëse votat dhe duart e tyre janë drejtuar kundër minareve, qëllimet dhe synimet i kanë tek Ezani, kurse “përse?”-në e kësaj do e mësojmë në vijim- inshaAllah! 
Besimtarë të nderuar!
Rëndësia e një gjëje vlerësohet nga botëkuptimet dhe domethëniet që rrezaton ajo. Kështu, kur jemi tek Ezani, ne, realisht, veten e gjejmë para një bote të tërë urtësish, përmbledhjen e të cilave do të doja ta paraprij me një sqarim përkitazi me Ezanin.
1. Domethënia e Ezanit
Ezani, gjuhësisht, nënkupton shpalljen, lajmërimin, thirrjen-ngritjen e zërit, kurse fetarisht nënkupton “fjalë të caktuara që janë ligjësuar për lajmërimin e njerëzve për hyrjen e kohës së namazit të obliguar.”
Besimtarë të nderuar!
1. Vështrime akaidologjike të Ezanit
T’i kthehemi Ezanit dhe sekreteve të tij. Përse Ezani gëzon kaq shumë nam në Islam? Cilat janë urtësitë e tij? Ç’ndërlidhje ka me besimin ai?
A) Aspekti i kredos
1. Ezani sjell Rububijjetin dhe Uluhijjetin paralel
Ezani, nga ky këndvështrim, sjell teorinë islame, e cila refuzon besimin parcial përkitazi me Allahun. Të besosh ekzistencën e Tij, e të mos e adhurosh vetëm Atë, është marrëzi. Allahu na përkujton në Kur’an se Rububijjetin e Tij (të qenit e Tij krijues, furnizues,...) e kanë besuar edhe idhujtarët[2] porse lajthitja nga Uluhijjeti (njëshmëria e Tij në adhurim) i ka shpjer ata në humnerë. Kur Muhammedi, alejhi’s selam i ftonte në La ilahe il-la Allah (adhurimin për Allahun pa i shoqëruar askënd), ata i përgjigjeshin:
أَجَعَلَ الْآلِهَةَ إِلَهاً وَاحِداً إِنَّ هَذَا لَشَيْءٌ عُجَابٌ
A mendon ai t'i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!”. Sad, 5.
2. Ezani dhe dy dëshmitë
Ashtu siç nuk vlen Rububijjeti pa Uluhijjetin, po kështu as njëra dëshmi pa tjetrën nuk vlejnë. Më qartë, të pretendosh besim në Allahun dhe ta mohosh Muhammedin, alejhi’s selam, kjo është e papranuar. Kontekstet ajetore që sjellin paralel njërën me tjetrën kanë shtyrë dijetarët që të mohojnë kategorikisht ndarjen ndërmjet tyre. Allahu thotë:
قُلْ أَطِيعُواْ اللّهَ وَالرَّسُولَ فإِن تَوَلَّوْاْ فَإِنَّ اللّهَ لاَ يُحِبُّ الْكَافِرِينَ
Thuaj: "Bindjuni All-llahut dhe të dërguarit, e nëse ata refuzojnë, atëherë All-llahu nuk i do pabesimtarët!” Ali Imran, 32.
Ezani nëpërmjet: Esh’hedu en la ilahe il-la Allahe dhe Esh’hedu enne Muhammeden Resulullah e vërteton këtë.
3. Besimin në botën e pastajme
Besimi në Allahun paraqet detyrimisht edhe besimin në kushtet tjera të Imanit, një prej të cilave është edhe besimi në botën e pastajme-Ahiretin. Për shkak të rëndësisë së madhe që ka, në Kur’an shpeshherë janë përmendur vetëm këto dy elemente: besimi në Allahun, si bazë për çdo gjë, dhe besimi në ahiret (llogari, Xhennet, Xhehennem) si frenim ndaj veprimeve të pakontrolluara. 
يُؤْمِنُونَ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ
I besojnë All-llahut dhe ditës së gjykimit ...” Ali Imran, 114.
Ezani këtë e shpreh nëpërmjet Hajje alel Felah – Eja në shpëtim, që zakonisht në fjalorin fetar nënkupton shpëtimin nga zjarri i Xhehennemit:
فَمَن زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ وَما الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلاَّ مَتَاعُ الْغُرُورِ
…e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”.  Ali Imran, 185.
Besimtarë të nderuar!
4. Përse djalli nuk i reziston dot dëgjimit të Ezanit?
Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Kur të thërret Ezani për namaz, djalli ik – largohet kurse, nga vështirësia e përballimit lëshon një erë (të ndytë) që të mos e dëgjojë Ezanin...”[3].
Arsyet se perse u largua, siç përmend Sujuti dhe dijetarë tjerë, Allahu i mëshiroftë dhe ruajt, qëndrojnë në pikat në vijim:
- Djalli ik ngase po e dëgjoj detyrohet që nesër në Ditën e Kiametit të dëshmojë për të, siç pamë në hadithet pak më lartë;
- Për shkak se Ezani përmban rregulla të fuqishme të Teuhidit – Njëjësisë së Allahut dhe shpall-lajmëron moton islame;
- Djalli ik për shkak të urrejtjes që ka ndaj triumfit të Islamit dhe të vërtetës mbi të kotën; etj[4].
B) Pasimi i Muhammedit, alejhi’s selam
Ezani, krahas dëshmisë për misionin dhe pejgamberinë e Muhamedit, alejhi’s selam, ai sjell para nesh edhe detaje tjera shumë interesante:
1. Njerëzinë e Muhammedit, alejhi’s selam, i cili me gjithë prestigjin e madh që gëzonte asnjëherë nuk lejoi që të trajtohej si i shenjtë, hyjnor, apo diç të ngjashme.
2. Zhduk dhe shpall të pavlefshme dhe të pabazuara akuzat e jomyslimanëve ndaj tij. Ai është profet, njeri i zgjedhur i Zotit, ndaj nuk ka mundësi të jetë ashtu siç e gjykojnë.
3. Shpreh dashurinë tonë për Muhammedin, alejhi’s selam dhe lidhjen tonë të fortë me të. Ligjësimi i duasë pas Ezanit e dëshmon këtë[5].
C) Ezani dhe adhurimi
Se sa është i rëndësishëm Ezani, vlerësohet edhe nga riti në të cilin thërret. Ezani thërret në namaz dhe shikoni se si është përshkruar lënia e namazit në këtë hadith. “Në mes njeriut dhe shirkut e kufrit është braktisja e namazit”[6].
Rëndësia bëhet edhe më e madhe kur të mësojmë për rolin që ka namazi, rol ky i përshkruar në këtë ajet:
وَأَقِمِ الصَّلَاةَ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاء وَالْمُنكَرِ
... fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të imituarat...”. el-Ankebut, 45.      
2. Vështrime moralo-edukative
Ezani nuk është këngë dhe as poezi. Ezani është pjesë e fesë, e cila i paraprin namazit, dhe në këtë aspekt, paraqet edhe një buqetë këshillash e porosish për moral dhe edukatë.
- Duke e njohur dhe pranuar në të njëjtën kohë natyrën e njeriut, e cila ndërron varësisht gjendjes dhe rrethanave, Ezani me paraqitjen e tij pesëherëshe gjatë ditës, njeriut ia “imponon” moralin e dhënies përparësi gjërave më të rëndësishme. Me thënien Allahu Ekber! njeriut ia përkujton se Allahu është mbi çdo arsye që mund ta thuash, është më i madh se çdo gjë, është më i nevojshëm se çdo gjë, është më shpërblyes se çdokush. Këtu edhe është sekreti i fillimit të Ezanit me këtë fjalë e jo me Subhanallah ose Elhamdulil-lah!
 - Ezani nëpërmjet prezantimit të madhërisë së Allahut, muslimanëve ua bën me dije se burimi i forcës së tyre është këtu, në fe, në zbatim të saj. Nëse kërkoni çelësin e fitores, atëherë këtu e keni.
3. Vështrime shoqërore
Ezani, sikurse edhe minarja, është ikonë e kulturës islame. Thirrja e tij dëshmon për përkatësinë fetare të atij vendi. Ka qenë traditë e Pejgamberit, alejhi’s selam, siç shënon Buhariu në Sahihun e tij, që kur ndërmerrte ndonjë ekspeditë, së pari priste në thirrej apo jo ezan në atë vend, e me pas sulmonte nëse nuk ishin muslimanë kurse nëse thirrej ezan i linte të lirë ata.
Ezani i kontribuon shumë shoqërisë edhe nëpërmjet thirrjes për bashkim që bën. Ardhja në xhami nuk bëhet vetëm për faljen e namazit por për faljen në kolektiv, për rregullimin e punëve në kolektiv, për jetesë në kolektiv...
Ndryshe, nëse nuk thirret Ezan, atëherë djalli ngadhënjen mbi atë shoqëri. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Nuk ndodhë të jenë tre veta (e sipër) në ndonjë vendbanim, urban apo rural, e pastaj në mesin e tyre të mos thirret ezani dhe të mos falet namazi kolektivisht, e të mos ketë mbizotëruar djalli mbi ta. Mbaju shumicës – kolektivit ngase ujku e han delen e vetmuar ”[7].
Nga këtu na bëhet edhe më e qartë pse djalli ik nga ezani...
 Përmbyllje
Vëllezër të dashur muslimanë!
Le të kënaq Ezani shpirtrat tanë para veshëve!
Le të jetë moto e vetëdijesimit tonë për vlerat e fesë sonë!
Le të jetë slogan i bashkimit dhe lidhjes sonë, lidhje kjo që do të na rikthen krenarinë e humbur!
 
Sedat ISLAMI
25.12.2009
 

[1] Neni 18-të i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

[2] El-Ankebut, 61.

[3] Buhariu dhe Muslimi.

[5] “O Zoti im, Zoti i kësaj thirrjeje të plotë dhe këtij namazi që po falet, dhuroja Muhammedit, alejhi’s selam Vesilen (pozitë e lartë) dhe Fadilen (gradë mbi të gjitha krijesat) dhe ringjalle - jepja pozitën e lëvduar të cilën ia premtove”. Buhariu dhe Muslimi.

[6] Muslimi.

[7] Transmeton  Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu ve daifu suneni Ebi Davud, 547, e ka cilësuar hasen.  


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013