Dr. Sa’d el-UTEJBI
Disa muslimanë i qasen teksteve (fetare) duke mos kuptuar fare qëllimet e tyre apo duke i interpretuar në kundërshtim me domethëniet e vërteta të tyre. Belaja bëhet më e madhe kur për mbështetje dhe referencë kanë kontributin e disa orientalistëve, të cilët, për vendosjen (legjitimimin) e disa parimeve ndoqën rrugën e mashtrimit dhe dredhisë, dhe këtë duke shtrembëruar domethëniet e teksteve kur’anore dhe profetike, në mënyrë që parimet e tyre të zinin vend në mesin e muslimanëve pa ndonjë vështirësi të madhe ose pa kundërshtim. Si shembull konkret për këtë do të merrja shpjegimin e pabazë që i kanë bërë hadithit që flet për endëzimin (shartimin) e hurmave (pallmave), në të cilin Muhammedi [alejhis salatu ves selam] iu thotë disa prej shokëve të tij:
“أنتم أعلم بأمر دنياكم
Ju jeni më të ditur për punët tuaja të kësaj bote.”[1]
Disa orientalistë fjalën “dynja” (botë) e kanë shpjeguar nga perspektiva e tyre kishtare dhe nga ideja shekullare e ndarjes së fesë nga shteti, në mënyrë që kuptimi i hadithit të përputhet me perceptimin e tyre perëndimor shekullar. Ide të tilla nuk përqafuan vetëm pasuesit e tyre jomuslimanë, fatkeqësisht, pasues patën edhe nga radhët e muslimanëve, gjithsesi të paditur. Pretenduan se Islami nuk zotëron politikën, nuk e ka në pushtet atë. Si pasojë e kësaj erdhi deri tek termi ‘Islami politik’ dhe tentativat për të bindur njerëzit se kinse Islami, parimisht, nuk flet për politikën porse kjo është diç ë në të ka hyrë më vonë.
Shejhu Ahmed Shakir [Allahu e mëshiroftë] duke folur për hadithin në fjalë ka thënë: “Ky hadith është prej atyre haditheve me të cilat kanë gumëzhirë ateistët e Egjiptit dhe pjella evropiane në të, robër orientalistësh qofshin apo student misionarësh të krishterë, e të cilët e morëm si bazë për të argumentuar kundër sunnitëve dhe ithtarëve të tyre, (kundër) shërbyesve të sheriatit dhe ruajtësve të tij. Sa herë që kanë dashur ta mohojnë ndonjë hadith, apo ta injorojnë ndonjë fesë të fesë që ka të bëjë me raportet njerëzore dhe shoqërore, i janë referuar kësaj logjike se kinse kjo është prej çështjeve të kësaj bote (që nuk ka lidhje me fenë). Ata mbështeten në transmetimin e Enesit: “Ju jeni më të ditur për punët tuaja të kësaj bote.”ndërsa Zoti e di se ata nuk kuptojnë fare nga kjo fe…Hadithi është i qartë dhe i kuptueshëm. Ai nuk bie ndesh me asnjë tekst dhe as që dëshmon se me Sunnetin nuk argumentohet për të gjitha çështjet. Kjo për shkak se i Dërguari i Allahut nuk flet nga hamendja. Kësisoj, tërë atë që e sjell ai është fe dhe legjislacion: “…e nëse e respektoni, do të udhëzoheni…”[2] Ajo për të cilën diskutohet ka të bëjë me rrëfimin e endëzimit të pallmave, ku (Muhammedi [alejhis salatu ves selam]) iu ka thënë: “Nuk mendoj se kjo (formë e endëzimit) iu bën punë”. Ai (Muhammedi [alejhis salatu ves selam]) nuk urdhëroi e as nuk ndaloi, nuk tha se po thotë – rrëfen diç prej Allahut dhe as që vuri bazat e një tradite (sunneti), që orientalistët ta kenë si mbështetje për të shkatërruar bazën e fesë. E tëra që bëri ishte mendim (supozim) për të cilin kërkoi ndjesë “Mos më qortoni për shkak të këtij mendimi” E tash, ku është kjo në raport me atë me të cilën akuzohet?! Allahu na udhëzoftë neve dhe ata në rrugën e drejtë!” (Sherhu-l-Musned, 2/364-365)
Këto domethënie të shtrembëruara të mveshura këtij hadithi dijetarët muslimanë bashkëkohorë nga të gjitha trevat islame i kanë refuzuar duke sqaruar se shpjegimi i orientalistëve është qëllimkeq, i shtrembëruar, me prapavijë dhe se asnjëri nga dijetarë islam dhe nga komentuesit e haditheve nuk e ka thënë një gjë të tillë. Madje ky shpjegim i orientalistëve bie ndesh me tekstet e Kur’anit dhe Sunnetit që shpjegojnë dispozitat e Islamit dhe rregullat e tij të urta për të gjitha problemet e jetës.
Është më se ditur se, si pjesë e aprovuar e parimeve të fesë, është që: Teksti të mos komentohet si i izoluar nga tekstet tjera dhe as nga rregulli i përgjithshëm se çdo gjë që vjen nga Muhammedi [alejhis salatu ves selam] është ligj (sheriat), me përjashtim të asaj që me argument vërtetohet se është përjashtim (nga rregulli).
Dijetarët kanë sqaruar se ndalimi i endëzimeve nuk ka qenë ndalesë fetare por mendim i tij personal dhe se hadithi ka të bëjë me çështjet e të mbjellave, shartimit të pemëve dhe gjërave tjera materiale nga ligjet e kësaj gjithësie dhe rregullat e saj, e të cilat vijnë si rezultat i zbulimit nëpërmjet ekspertizave në laboratorë shkencorë. Këto gjëra që në fakt i janë lënë profesionistëve të fushave përkatëse edhe pse, prapë, nga një këndvështrim tjetër, i nënshtrohen fesë. Fjala është për rregullin fetar të përgjithshëm: “Gjërat e dobishme parimisht janë të lejuara derisa të mos vërtetohet e kundërta (ndalesa).”
Allahu i shpërbleftë dijetarët tanë të sinqertë, të cilët me përkushtimin më të madh ruajtën këtë kredo dhe këtë fe, duke ruajtur kështu origjinalitetin e saj. Nuk ndodhë të shfaqet risi, madje edhe e kësaj natyre, e që të mos zhvleftësohet prej tyre. Kështu, parimet e fesë mbetën të qarta dhe të pastra, të nditshme, që ndriçojnë rrugën dhe udhëzojnë të hutuarit!
Burimi: http://www.al-madina.com/node/388397/risala
Përktheu: Sedat ISLAMI, 2012
——————————————————————————–
[1] Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. 2363. Përkthyesi.
[2] Pjesë e ajetit 54 nga kaptina en-Nur. Përkthyesi.