Hyrje
Ngjarjet e fundit në Tunizi që detyruan presidentin famëkeq të jap dorëheqjen dhe ta lëshojë vendin, dhe protestat që me gjasë do të kenë një epilog të ngjashëm zhvillimi edhe në Egjipt, janë dëshmi se “zullumi këputet nga trashësia” siç thotë populli. Ato disi simbolizojnë atë dritën që shihet në fund të tunelit, e që jep shpresë se errësira mbaron së shpejti. E keqja sado që të zgjat fundin e ka tragjik. Ky është një rregull të cilin historia e ka dëshmuar në vazhdimësi. Ata që ngrenë kryet lart dhe tregohen kryeneç e mendjemëdhenj ndaj krijesave të Allahut të Madhëruar, e sidomos ndaj besimtarëve, kanë fund të hidhur.
Të shpresojmë se ky është vetëm fillimi i fundit të këtyre kriminelëve që si shushunja kanë thithur gjakun e muslimanëve për kohë të gjatë.
Islami ndalon dhunën
Islami është fe që për moto ka çlirimin e njeriut nga robëria e njeriut. Të gjithë njerëzit janë njësoj dhe askush nuk ka të drejtë që tjetrit t’ia mohojë lirinë. Kushëriri i Pejgamberit, alejhi’s selam, Xhaferi, kështu e përshkroi Islamin para Nexhashiut, mbretit të Etiopisë së asaj kohe. Rrëfimi për Musanë dhe Faraonin, që është ndër rrëfimet më të gjata në Kur’an dhe më i detajuari, saqë për shkak të përmendjes së shumtë disa prej dijetarëve kanë thënë se “Kur’ani gati sa nuk është bërë i tëri: Musa! Musa!”, është një dëshmi tjetër se askush nuk guxon të robërojë njerëzit, e aq më parë besimtarët e sinqertë të Allahut të Madhëruar. Madje Allahu si Krijues i tërë njerëzimit ka caktuar me urtësinë dhe diturinë e Tij që askujt mos t’i bëjë padrejtësi.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“????? ?????? ??? ???????? ????????? ???????
S'ka dyshim se All-llahu nuk bën pa drejtë as sa grimca…” en-Nisa, 40.
“…All-llahu nuk u bëri zullum atyre, por ata ishin që i benë të padrejtë vetes së vet.” Ali Imran, 117.
Nga këtu, përderisa Ai si Krijues nuk bën padrejtësi, këtë gjë ua ka ndaluar edhe krijesave ndërmjet vete. Në një hadith kudsijj, të regjistruar në koleksionin e Imam Muslimit, Pejgamberi, alejhi’s selam citon Allahun e Madhëruar të ketë thënë:
“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar vetes Sime padrejtësinë dhe rrjedhimisht e kam ndaluar edhe në mesin tuaj, andaj mos iu bëni njëri tjetrit padrejtësi...”
Pozitat janë përgjegjësi e jo privilegje
Allahu i Madhëruar ka caktuar që njerëzit të jenë të ndryshëm; të ndryshëm në ngjyrë e gjuhë, në profesione e dituri, në pasuri e shkathtësi, dhe këtë, jo për ta nënçmuar a përbuzur njeri tjetrin, por për ta plotësuar njëri tjetrin. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“...Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime...” ez-Zuhruf, 32.
Paramendoni si do të funksiononte bota sikur tërë njerëzit të kishin vetëm një profesion?! E paimagjinuar...
E ata që drejtësisht ushtrojnë këtë dhunti janë të përshkruar në këtë ajet në vijim:
“(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. All-llahut i takon përfundimi i çështjeve.” el-Haxh, 41.
Fundi i zullumqarëve
Është çudi me të padrejtit, Allahu ua dha mundësinë e shpëtimit ndërsa ata vet zgjodhën shkatërrimin. Të parin që Allahu e përmendi si të shpëtuar nga tmerri i Ditës së Kiametit është pikërisht udhëheqësi i drejtë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut atë ditë kur hije tjetër nuk ka: Prijësi i drejtë...” Transmetim unanim.
Allahu vërteton se zullumi ka qenë shkak i shkatërrimit të popujve dhe njerëzve përgjatë gjithë historisë së njerëzimit:
“Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta.” el-Kehf, 59.
Allahu përkujton zullumqarët se fund të tmerrshëm patën edhe ata që kishin fuqi edhe më shume se këta, andaj duhet patur kujdes shumë.
“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si ishte përfundimi i atyre që ishin para tyre, ndonëse ata ishin edhe më të fuqishëm. All-llahu nuk është i tillë që ndonjë send në qiej e as në tokë të mund ta bëjë të paaftë Atë; Ai është i dijshëm, i fuqishëm.” Fatir, 44.
Madje, Allahu i Madhëruar në Kur’an nënvizon dy gjëra nga të cilat i privon zullumqarët:
a. Udhëzimi, siç thotë:
“Unë do t'i zmbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë...” el-A’rafë, 146.
b. Pendimi në çastet e fundit, siç iu mohua Faraonit:
“...derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: "Besova se nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!"” Junus, 90.
E, nëse duam ta dimë përse iu mohuan këto, kjo ngase ata edhe po të ktheheshin prapë në këtë botë zakonet e vjetra nuk do t’i harronin. Allahu thotë:
“Jo, (s'është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata, do ta përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s'ka dyshim, ata janë gënjeshtarë.” el-En’amë, 28.
Ndërsa fundin e tyre në ahiret, e paraqet i Madhi Allahu në forma shumë të vrazhda. Ata kanë dënimet më të mëdha dhe as që kanë ndonjë ndihmës. Allahu sjell detaje nga dënimi i tyre:
“...Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” el-Kehf, 29.
Historia vazhdon të dëshmojë...
Allahu i Madhëruar regjistroi në Kur’an shkatërrimin e shumë popujve dhe njerëzve që bënë padrejtësi. Faraonin, atë që shpalli veten për Zot, Allahu e shkatërroi, e madje edhe e la mësim për njerëz.
“Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzish që nuk hulumtojnë argumentet Tona.” Junus, 92.
Faraonin e la të tillë ndërsa të tjerëve pas tij iu hakmor në forma të ndryshme. Një student, që sfidoi kolegët e tij për ekzistimin e Zotit, e dënoi ashpër.
Ky i mjerë kishte marrë orën në dorë dhe iu kishte drejtuar kolegëve: Nëse ekziston Zoti, atëherë le të më vdes mua pas 60 minutash. Kaluan 60 minuta ndërsa ai me krenari të një vetmashtruari ecte sikur kishte vërtetuar në mënyrë racionale se Zoti nuk ekziston. Shkoi në shtëpi ndërsa e ëma e tij vetëm sa kishte shtruar sofrën. E ftoi të birin për drekë kurse babai tashmë ishte ulur. Shkoi t’i pastronte duart, por u vonua pak. Pritjen e paksa zgjatur e theu zëri i një rrëmujë. Vrapuan kur ja biri ishte i shtrirë pa vetëdije. Në fakt, ai vdiq. Mjeku konstatoi se shkaku i vdekjes është depërtimi i ujit në vesh. Pra, ky meqë e mohoi Allahun, nuk vdiq ndershëm, siç vdesin njerëzit normal por vdiq si një gomar, i cili, shkencërisht, ngordh atëherë kur uji të depërtojë në veshin e tij .
Allahu i Madhëruar shpërblen për vepër nga lloji i saj. Një drejtor burgu, që në vazhdimësi ushtronte dhunë mbi një të burgosur musliman, madje duke e kërcënuar madje se edhe Zotin e tij, Allahun, Krijuesin e qiejve dhe tokës, po ta kishte do ta vendoste prapa grilave, dhe se asgjë nuk do t’i bënte dobi, e ndëshkoi pikërisht nga ky aspekt. Një ditë feste, kur ky i mjerë ngiste veturën, kishte qëlluar të jetë prapa një kamioni me hekur, në të cilin, për shkak të mos kujdesit, u aksidentuar.
A e dini se çfarë ndodhi?
Ato grilat dhe shufrat e hekurit, prapa të cilave, marrëzisht mendonte se do ta burgoste Allahun, qëlluan veturën e tij duke shkaktuar mbytjen e tij. Tentuan ta shpëtojnë por vonë. Madje më e keqja ishte se trupi nuk mund të nxirrej nga vetura assesi për shkak se një shufër i ishte ngulur në fyt, andaj u detyruan t’ia këpusin kokën nga trupi vetëm e vetëm që ta nxjerrin nga makina.
Kush kë e burgosi?
Hekur për hekur...
Kështu mbaroi ky i marrë !
“Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” Hud, 102.
Mësimet nga fundi i zullumqarëve
1. Faji nuk është jetim
Ajo me çka sprovohen besimtarët, duke mos përjashtuar për asnjë çast as sprovën me udhëheqës të padrejtë, është shkak i largimit të tyre nga rruga e drejtë e Allahut. Allahu ka thënë:
“Çfarëdo e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.” esh-Shura, 30.
“Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.” el-Enfalë, 25.
2. Fundi, i pashmangshëm
Me gjithë padrejtësitë e shumta që mund t’i bëjnë, zullumqarët prapë kanë fund, madje tragjik, siç cituam më lartë.
“... E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç'përfundimi i shkojnë (ç'dënim të ashpër ose ç'vendi në xhehennem do t'i nënshtrohen).” esh-Shuara, 227.
Madje thellimi në padrejtësi, atyre vetëm sa ua shton dënimin. Ata mund të mashtrohen me pushtetin e tyre por fundin e kanë shumë të dhembshëm. Buhariu transmeton nga Ebu Musai se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Allahu do t’i japë hapësirë të padrejtit në mënyrë që kur ta kapë nuk do t’i shpëtojë dot.
Pastaj lexoi ajetin:
“Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” Hud, 102”.
Mu për këtë, Allahu ua e tërheq vërejtjen atyre që mbase mund të pyesin se përse këta njerëz me këto krime makabre tolerohen nga Zoti:
“E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur).” Ibrahim, 42.
3. Ardhmëria sigurohet vetëm prej Allahut
Jo rrallë dëgjojmë për keqpërdoruesit e detyrave shtetërore tek thuhet se ata kanë siguruar madje edhe stërnipërit e tyre ndërsa harrojmë se sigurimi është vetëm prej Allahut. Sa plane kishin ata liderët zullumqarë e që iu mbetën pa realizuar? Sa pasuria iu doli prej dore! Sa prej tyre mbaruan pa mundësi përdorimi të asaj pasurie fare?!
4. Rëndësia e sigurisë dhe qetësisë
Njeriu vetëm kur të shikojë në trazira të tilla siç po shohim këto ditë në botën arabe mund të kuptojë sa i rëndësishëm është stabiliteti dhe siguria. Vetëm në raste të tilla mund të kuptohet shpirtërisht domethënia e hadithit të Resulullahut, alejhi’s selam:
“Kush gdhin prej jush në familjen e tij i sigurt, i shëndoshë në trup si dhe ka ushqimin për atë ditë është sikur t’i jetë dhënë e tërë dynjaja!” Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hasen.
P.S. Kjo temë është mbajtur si ligjëratë në Xhaminë e Madhe “Shejh Zaid” në Vushtrri, më 29.01.2010.