Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Reflektime të mëshirës hyjnore

(Ligjërata e Fitër Bajramit)
Hyrje
Të nderuar vëllezër muslimanë!
Sapo jemi ndarë nga muaji i madhërishëm i Ramazanit, muaj në të cilin, përveç tjerash kemi mësuar edhe për mëshirën e madhe të Allahut të Madhëruar me robërit e Tij. Pamë se si la në dispozicion rrugë të shumta për t’i falur robërit, ndër të cilat do të veçoja:
1) Agjërimin:
Thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
2) Namazin e teravive:
Thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Buhariu.)
3) Natën e Kadrit:
Thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Kush falet Natën e Kadrit me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
4) Paralajmërimet për shpërblime të mëdha, ndër të cilat:
a. Gëzimin e besimtarit për agjërimin e tij kur ta takon Allahun e Madhëruar, siç thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “…agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: kur të bëjë iftar, gëzohet, si dhe gëzohet me agjërimin e tij kur ta takon Allahun e Madhëruar.” (Transmetim unanim.)
b. Hyrja në Xhennet nëpërmjet erës Rejjan, derë kjo e veçantë vetëm për agjëruesit. Thotë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Vërtetë, në Xhennet është një derë, e cila quhet Rejjan, e nëpër të cilën hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër!” (Transmetim unanim.)
Kësisoj, të nderuar vëllezër, sot, në këtë ditë feste, në këtë ditë gëzimi, ajo me të cilën duam ta gëzojmë veten edhe më shumë ka të bëjë me sqarimin e mëshirës së Allahut të Madhëruar, që të na shtohet dashuria më shumë për Të dhe, rrjedhimisht, edhe për adhurimin e Tij.
Mëshira e Allahut është aq madhështore dhe aq tërheqëse saqë, edhe mëkatarin më të madh, njeriun që ka kryer mëkate nga më të mëdhatë dhe më të shëmtuarat, e nxisin për tu penduar. Ajo reflekton madhështinë e kësaj feje, e cila nuk ua mbyll njerëzve derën e Allahut, të cilën Ai e ka hapur për ta. Të shohim më konkretisht se për ç’madhështi bëhet fjalë.
5.1 Allahu ka caktuar që të jetë më shumë Mëshirues se Ndëshkues
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Allahu, kur krijoi krijesat, e shkroi në Librin e Tij, i cili gjendet mbi Arsh: Vërtetë, mëshira Ime mund hidhërimin Tim!”
Në fakt, mëshira e Tij në botën tjetër, atje kur jeta nuk do të ketë të sosur dhe shpërblimi apo ndëshkimi do të jenë përjetë, është edhe më e madhe. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Allahu caktoi që mëshira të jetë njëqind pjesëshe, nëntëdhjetenëntë sosh prej të cilave i ndali tek Ai ndërsa një e zbriti në tokë. Nga kjo pjesë mëshirë (e cila është aq e madhe saqë) mëshirohen (ndërmjet vete të gjitha) krijesat, saqë kafsha, nga frika se mos po e lëndon pjellën e vet, nuk e ngrit thundrën mbi të.”
E shihni, vetëm 1/100 pjesë e kësaj mëshire çfarë efektesh ka, po aplikimi i tërësishëm i saj?!
5.2 Dashuria e Allahut për pendimin dhe të penduarit
Thotë Allahu: “…All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.“ (el-Bekare, 222)
5.2.1 Pendimi i njeriut për Zotin më i dashur se jeta për njeriun
Prej mëshirës së Allahut të Madhëruar është edhe gëzimi i Tij me pendimin e mëkatarit. Ajo që mendoj se duhet t’i kushtojmë rëndësi këtu është një element shumë me rëndësi: Allahu, lëre më që nuk e diskuton pranimin e pendimit, porse shfaq edhe dashurinë e madhe për robin e penduar, madje edhe më të madhe se njeriu që mund ta ketë për shpëtimin e vetvetes. Ja në ç’formë ilustrative na e sjell i Dërguari i Tij [alejhis salatu ves selam] këtë aspekt të mëshirës së Allahut: “Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Tij besimtar, se sa që gëzohet njeriu, i cili ka marrë udhëtim nëpër një tokë, e cila është shkretëtirë e thatë dhe e rrezikshme tej mase, ndërsa me vete ka kafshën, e cila ia bart ushqimin dhe pijen. Ai ndalet për të pushuar por kur të zgjohet sheh se kafsha ka ikur. E kërkon derisa ta kap etja, e pastaj, (duke qenë se nuk e gjen dhe nuk sheh ndonjë shpresë për ta gjetur), thotë: (Sikur) të kthehem tek vendi im dhe të fle derisa të vdes. (Kthehet dhe) E vendos kokën mbi parakrahun e tij për të vdekur, por kur të zgjohet sheh se kafshën e ka pranë ndërsa mbi të është ushqimi dhe pija e tij. Allahu gëzohet më shumë me pendimin e robit mysliman se ky njeri me kafshën dhe pajisjet (ushqimin) e tij!”
5.2.2 Allahu më i mëshirshëm për njeriun se e ëma e tij
Një shembull tjetër të kësaj mëshire e hasim edhe në hadithin e Omerit [Allahu qoftë i kënaqur me të], i cili transmeton se:
“I sollën robërit e luftës tek i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam], pjesë e të cilëve ishte edhe një grua, të cilës i kishte humbur foshnja ndërsa e kërkonte në mesin e robërve. Kur e gjeti e mori dhe e shtrëngoi për trupi si dhe i dha gji. (Në këto momente na) Tha i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam]: A mendoni se kjo grua do ta hedh foshnjën e saj në zjarr?! Jo, për Zotin, përderisa mund të mos e bëjë atë – i thamë. Allahu është më i mëshirshëm se kjo me fëmijën e saj – tha i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam].”
Ajo që mund të vërejmë këtu është krahasimi me rastet më ekstreme të mëshirës njerëzore, atëherë kur ndoshta do të shkeleshin edhe parimet e rregullat, për shkak të dhembshurisë që ndiejnë njerëzit ndërmjet, sikur nëna me të birin në këtë rast. Jo rastësisht është shkoqitur ky insert nga ky rast, pra gjidhënia, për shkak se, siç nënvizojnë ekspert të lëmive përkatëse, mëshira e nënës me fëmijën e saj në këtë periudhë të gjidhënies është më e madhe se kurdoherë më parë, aq sa madje atë e nxjerr edhe nga natyra e saj femërore. Nëna në këtë periudhë është e përgatitur nga vet natyra e saj që të ketë më shumë mëshirë dhe të përballon më shumë vuajtjet. I përgjigjet instinktivisht të qarave të fëmijës, madje edhe gjiri i saj shtohet instinktivisht nga të qarat e tij, aq sa në disa raste edhe rrjedh qumështi ende pa e vënë fëmijën gojën në gji . Këto ndjenja Kur’ani na i përshkruan edhe për rastin e nënës së Musait [alejhiselam], e cila u urdhërua ta hidhte Musanë [alejhiselam] në det ndërsa ai ishte foshnjë i posalindur. Thotë Allahu: “Ne nënën e Musait e inspiruam: t’i japë atij gji, e kur të keshë frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë atë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit. 8. E atë e gjeti familja faraonit, ashtu që në fund ai t’u bëhet atyre armik e dëshpërim. Vërtet, faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin kundërshtarë (gabonin me qëllim). 9. E gruaja e faraonit tha: “Shpresë gëzimi për mua dhe për ty, mos e mbytni atë, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta adoptojmë si fëmijë”. Pra ata nuk e dinin rrjedhimin. 10. E zemra e nënës së Musait agoi e zbrazët (kur kuptoi se ka rënë në duar të faraonit) dhe gati ta zbulojë atë (fëmijën), sikur të mos ia forconim Ne zemrën asaj që të bëhet e bindur (në premtimin e All-llahut).“ (el-Kasas, 7-10)
Dijetarët kanë përmendur një rast të shfaqjes së mëshirës amënore ndaj fëmijës. Flasin për në grua, e cila hidhërohet shumë me fëmijën e saj, aq sa vendos ta përzë. Fëmija endet poshtë e përpjetë por nënë nuk mund të gjen askund. I uritur dhe i molisur kthehet tek shtëpia, por, meqenëse gjen derën e mbyllur, ulet në prag ku edhe e zë gjumi. Kur nëna del jashtë dhe e sheh fëmijën e saj në atë gjendje, i hidhet sipër duke qarë dhe duke i thënë: Përse po më detyron të bëjë atë që nuk është natyrë e imja .
Pra, Allahu është edhe më i mëshirshëm me robin e Tij se nëna me foshnjën e saj.
5.2.3 Afrohet të afrohet më shumë se që i afrohesh
Mëshira e Allahut nënkupton lehtësimin e madh që i bëhet besimtarit për tu kthyer tek Allahu. Mjafton që ai të kthehet ndërsa Allahun do ta gjen ndihmëtarin më të mirë. Ja se si e përshkruan Muhammedi [alejhis salatu ves selam] këtë aspekt të mëshirës së Allahut. “…kush më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një kut, e kush më afrohet një kut, i afrohet një pash, e kush më drejtohet duke ecur, i drejtohem duke vrapuar… ”
5.2.4 Nuk përjashton askënd nga mëshira e Tij
Mëshira e Allahut nuk është selektive, që do të nënkuptonte se vlen për dikë dhe jo për të tjerët. Ajo, ndonëse është më e theksuar për besimtarët, dhe në këtë nuk ka asgjë për tu çuditur ngase miku duhet dhe mëshirohet, megjithëkëtë, përfshin edhe të tjerët, të paktën si mundësi për tu kthyer tek Allahu dhe për të arritur këtë pozitë që kanë besimtarët, pra miqtë dhe të dashurit e Tij. thotë Allahu: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (ez-Zumer, 53)
Kë apo cilat grupe njerëzish (mëkatarësh) i përfshin ky ajet?
Përfshin të gjithë ata që kanë bërë mëkate nga më të ndryshmet dhe pavarësisht se sa kanë bërë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Sikur të gabonit aq (shumë) sa mëkatet tuaja të arrinin edhe qiellin, e pastaj të pendoheshit, Allahu do tua pranonte pendimin.”
Këtë mëshirë të Allahut, në formë figurative, sigurisht për të qenë sa më e efektshme dhe më e ngulitur në kokat e sahabeve [Allahu qoftë i kënaqur me ta] na e sjelle dhe një hadith i Muhammedit [alejhis salatu ves selam], e të cilin Tirmidhiu e regjistroi në Sunenin e tij: “Vërtetë, kah ana perëndimore është një derë të cilën Allahu e hapir për pendim që nga dita kur krijoi qiejt dhe tokën, derë gjerësia e së cilës është sa distanca kohore prej dyzetvjetësh, e të cilën nuk e mbyll derisa dielli të mos lind nga perëndimi. ”
Ky hadith nuk i lë vend apo arsye njeriut që të mos pendohet. Paramendoje veten sa i madh do të dukeshe me të gjitha ato mëkate që ke bërë, pastaj shiko se kjo derë, gjerësia e së cilës është distancë kohore 70 vjet, të zë apo jo?
5.2.5 Lënia e pendimit në dispozicion për mëkatarët
Prej mëshirës së Allahut me robërit e Tij është edhe hapësira e madhe e lënë në dispozicion për pendim. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar e shtrin dorën e Tij gjatë natës, që të fal mëkatarin e ditës, dhe e shtrin dorën e Tij gjatë ditës që të fal mëkatarin e natës.. Kështu vepron derisa të lind dielli nga perëndimi (të mbyllet afati i pranimit të pendimit).”
Pra, falje njëzetekatërorëshe. Në një hadith tjetër, përshkruhet dhe një insert i kësaj mëshire: “Meleku, i cili shënon veprat e këqija e ngrit lapsin e tij gjashte ore nga gabimtari besimtar; nëse ndien keqardhje për mëkat dhe kërkon falje për mëkat, atëherë ai e hedh lapsin (dhe nuk e shkruan mëkatin), në të kundërtën, i shkruhet një mëkat.”
Paramendo, sikur të mos ishte pendimi si afatizim, çfarë do të ndodhte! Ja çfarë na thotë Allahu: “Sikur All-llahu t’i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngutin.“ (en-Nahl, 61)
5.2.6 Shembuj nga mëkatarë të mëdhenj që ka falur Allahu
Buhariu dhe Muslimi [Allahu i pastë mëshiruar] transmetojnë nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të] se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Një njeri që nuk ka bërë mirë asnjëherë të vetme iu la porosi familjes se kur të vdiste ta digjnin ndërsa hirin e tij ta hidhnin, gjysmën në tokë dhe gjysmën në det, për shkak se nëse Allahu ka mundësi do ta ndëshkon ashtu siç nuk ka bërë me askënd tjetër më parë. Kur vdiq njeriu, familja ia çoi amanetin në vend ndërsa Allahu urdhëroi tokën dhe detin të bashkonin pjesët e tij, e pastaj (pasi u ringjall) i tha: Përse e bërë këtë? Nga frika prej Teje o Zoti im ndërsa Ti e di këtë! Allahu e fali atë!“
Ky njeri, sigurisht se ka qenë besimtar, por mëkatar. Nuk ka qenë në radhët e femohuesve, për shkak, siç thonë dijetarët, të frikës së tij prej Allahut. Ndërsa thënien e këtyre fjalëve të pakontrolluara, e të cilat bien ndesh me besimin, e kanë komentuar me një gjendje jonormale në të cilën ka rënë nga frika e mëkateve. Ndërsa të tjerë, kanë thënë se shprehja ‘kadere’ nuk e ka kuptimin e ‘mundësisë’ por të ‘caktimit’, pra ‘nëse Allahu ka caktuar të më dënojë…’
Zoti e di më së miri!
Një rast tjetër, është edhe ai i personit që vrau 99 veta. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Nga ata që kanë qenë para jush, ka qenë një njeri që i ka mbytur 99 veta. Pastaj e kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Ata e drejtuan te një prift të cilit i shkoi dhe e pyeti: Një njeri që ka mbytur 99 veta a ka teube (pendim) për të? Ai iu përgjigj: Jo, e ky edhe këtë e vrau dhe i plotësoi njëqind. Pastaj prapë kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Atë e drejtuan te një njëri i ditur dhe e pyeti: Një njëri që i ka mbytur 100 veta, a ka teube (pendim) për të? Ai iu përgjigj:Po, e kush mund ta ndajë atë nga teubja (pendimi)?! Pastaj vazhdoi: Shko në filan vendin që në të ka njerëz që i bëjnë ibadet Allahut dhe adhuro Allahun së bashku me ta, e mos u kthe në vendin tënd se ai është vend i fesatit. Morri rrugën dhe pasi që e kaloj gjysmën e rrugës i erdhi vdekja. Atëherë ranë në dilemë melekët. Melekët e rahmetit thanë:Ai u pendua dhe u drejtua me zemrën e tij kah Allahu. Melekët e dënimit thanë: Ai kurrë një punë të mirë s’e ka bërë. Atëherë ju erdhi një melek në formë të njeriut dhe e bënë ndërmjetësues të tyre. Ai u tha: Mateni largësinë mes dy vendeve, dhe te cili është më afër, atij i takon. Kur e matën e panë se është më afër se ku ka dashur të shkoj dhe e morën atë melekët e rahmetit (Xhennetit).” (Teksti është i Imam Muslimit.)
Të nderuar!
Ajo që si përmbyllje dua ta them është: nëse Allahu është i mëshirshëm me ju kësisoj, çfarë keni ju që nuk jeni të mëshirshëm me robërit e Tij?!


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013