Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Agjërimi si nevojë socio-shpirtërore, jo si traditë

(Hutbe e mbajtur në Xhaminë ‘Haxhi Ejup’ në Vushtrri)
 
Rëndësia e adhurimeve në Islam dhe urtësitë e tyre janë gjithsesi më shumë se vetëm një traditë. Namazi, p.sh., në thelb, shërben për ta ofruar njeriun tek Krijuesi dhe për ta larguar nga mëkatet. Dhe, ç’është e rëndësishme, urtësitë e këtyre adhurimeve përtëriten sa herë që adhurimi kryhet. Sa herë që fal namaz, ringjallet ndjesia se je nën vëzhgimin e Allahut të Madhëruar dhe se duhet t’i kthehesh Atij, se je pjesë e shoqërisë (kur fal namazin me xhemat) dhe se ke obligime ndaj tyre, sikurse që ke të drejta. Rreziku i interpretimit të adhurimeve ndryshe, bën të ato të kuptohen vetëm si traditë, si një gjë që e kanë bërë të parët ndërsa ne po e vazhdojmë, dhe rrjedhimisht, të mos ketë efekt tek njerëzit, apo ata ta shpërfillin fare. Kësisoj, edhe kur jemi tek agjërimi, fokusi ynë duhet të jetë në urtësitë që reflekton ky adhurim, e të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me braktisjen e ushqimit dhe pijes. Zoti nuk ka nevojë që ne ta braktisim ushqimin dhe pijen për asgjë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“مَنْ لَمْ يَدَعْ قَوْلَ الزُّورِ وَالْعَمَلَ بِهِ وَالْجَهْلَ فَلَيْسَ لِلَّهِ حَاجَةٌ أَنْ يَدَعَ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ
Ai që nuk braktisë shpifjen, veprimin sipas saj dhe injorancën, (ai le të mos agjërojë fare) ngase Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijen e tij!” (Transmetojnë Buhariu dhe Ebu Davudi)
Abstenimi nga ushqimi dhe pija është një imazh i jashtëm i agjërimit, i cili nuk është objektivë apo qëllim thelbësor i tij. Ndryshe, nuk do të përjashtohej nga hadithi si qëllim. Ajo, që agjërimi synon duhet interpretuar si një nevojë e brendshme, si një kërkesë shpirtërore, si një boshllëk që ndoshta me ushqim dhe pije vetëm sa thellohet. Ajo që e mbush atë është një fuqi shpirtërore, e quajtur devotshmëri. Kjo është ajo që agjërimi synon. Allahu i Madhëruar ka thënë:
O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183)
Kësisoj, objektivat e agjërimit janë shumëdimensionale dhe, padyshim, skajshmërisht madhështore. Janë të atilla që tërheqin njeriun për praktikimin e këtij adhurimi, pavarësisht mundit dhe vështirësive. Tek e fundit, nuk ka nevojë të dëshmohet se për gjërat e mira duhet mund dhe angazhim i madh.
‘Demokracia’ e vërtetë
Nëse demokracia ka për qëllim edukimin e njerëzve për të respektuar ligjet, edhe nëse nuk vëzhgohen nga autoritetet, atëherë agjërimi këtë e bën gjithsesi më mirë. Madje qëllim primar e ka devotshmërinë, një prej kuptimeve të së cilës është dhe bërja e asaj që je urdhëruar dhe braktisja e asaj që të është ndaluar. Allahu i Madhëruar, siç cituam ajetin sipër, qëllimin final të agjërimit e përkufizon pikërisht në devotshmëri. Agjërimi, si avantazh ndaj demokracisë, lidhjen e njeriut e bën me Zotin; nuk është vetëm humanizmi ai që motivon besimtarin për këtë qytetari, ngase në disa raste humanizmi ka degradua në botëkuptime të pavlera, porse është besimi në Zotin, i Cili e vëzhgon në çdo gjë që bën, dhe i Cili, e shpërblen varësisht nga vepra që bën. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“يَتْرُكُ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ وَشَهْوَتَهُ مِنْ أَجْلِي
…e braktis ushqimin, pijen dhe epshin për hire Timin…” (Buhariu)
Pra, braktisja e këtyre gjërave bëhet vetëm për Allahun, duke aluduar në atë se lidhja e besimtarit duhet të jetë vetëm në këtë drejtim: nëse bën mirë. Bë se të sheh Allahu, nëse bën keq, frikësohu se të sheh Allahu. Një gjë të tillë e vërejmë edhe në hadithin e mirënjohur:
“من صام رمضان إيمانا واحتسابا ، غُفر له ما تقدم من ذنبه
Kush agjëron Ramazanin me besim (sinqeritet) dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme.”
Agjërimi është kushtëzuar me besim në Allahun dhe llogari – shpresë në shpërblimin e Tij, duke na bërë të kuptojmë se veprimi me përgjegjësi bëhet gjithnjë duke patur parasysh këtë element: të qenit nën vëzhgim të Allahut.
Hitabiu thotë: ‘Ihtisabi’ e ka kuptimin e vendosmërisë (ar. el-azimeh), e që nënkupton agjërimin duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke mos e perceptuar agjërimin si të rëndë apo duke mos i menduar ditët e tij si të pasosura.
Shmangia provokimeve
Agjërimi është një shtysë tjetër shpirtërore, duke e bërë besimtarin kësaj radhe, që karshi tjetrit, që mbase mund të jetë injorant, provokativ, konfliktuoz, të tregojë maturi dhe pjekuri në veprime. Nuk është trimëri të reagosh ndaj çdo sjelljeje të keqe, sidomos nëse ke të bësh me njerëz të ligë. Në këtë rast, trimëri është të lëshosh pe. Dhe ky është morali, të cilin Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] na e mëson nëpërmjet agjërimit:
“الصِّيَامُ جُنَّةٌ فَلَا يَرْفُثْ وَلَا يَجْهَلْ وَإِنْ امْرُؤٌ قَاتَلَهُ أَوْ شَاتَمَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّي صَائِمٌ مَرَّتَيْنِ
Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos shfaqë injorancë. E, nëse ndokush e provokon apo shan, le të thotë -dy herë-: unë jam agjërueshëm!… ” (Buhariu)
Mirënjohja dhe solidariteti
Ushqimi dhe pija nuk janë qëllim, por janë mjet. Përjetimi i shijes së hidhur të urisë dhe etjes, në përgjithësi, shkakton dy ndjenja të veçanta tek besimtari:
Falënderim Allahut për dhuntitë e dhëna, ngase ka njerëz për të cilët privimi nga ushqimi dhe pija zgjat me ditë, e jo me orë sikur në rastin tonë si agjërues.
Ndihma, ndaj këtyre të varfërve. Agjërimi e bën besimtarin më solidar, më human, më njerëzor, më pranë të varfrit. Mu për këtë, edhe shpërblimi për këtë vepër është goxha i madh. Hadithi i dyfishimit të shpërblimit të agjëruesit që ushqen besimtarët agjërues është dëshmi konkrete për këtë gjë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“من فطر صائما كان له مثل أجره دون أن ينقص من أجره شيئاً
Kush i jep ushqim një të agjëruesi, ai ka shpërblimin edhe sikur të tij, duke mos iu cunguar aspak agjërimi këtij të fundit.”(Tirmidhiu)
Krenaria dhe mburrja
Adhurimet kanë dhe një tjetër dimension: krenarinë. Besimtari, duke kryer një adhurim, gjithnjë duhet ta ketë parasysh, se, pavarësisht si e interpretojnë atë injorantët, ai është në të vërtetën. Shpesh njerëzit refuzojnë të kryejnë një adhurim për shkaqe shumë banale: refuzon të agjëron p.sh., ngase largimi nga ushqimi e dobëson, ia humb fizikun, i shkakton erë të pakëndshme në gojë. Ndërsa besimtari, duke e patur parasysh atë se është në adhurim për Krijuesin e tij, veten duhet ta ndien krenar. Allahu kështu i ka përshkruar besimtarët e sinqertë:
(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” (el-Furkan, 72)
Besimtarët nuk ndikohen nga e keqja dhe të këqijtë, përkundrazi, sidomos në rastin e agjërimit, kur argumentet për përkrahjen dhe forcimin e tyre shpirtëror janë të shumta. Ka thënë Resulullahi [alejhis salatu ves selam]:
“وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَخُلُوفُ فَمِ الصَّائِمِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللَّهِ تَعَالَى مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ
…Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, era e gojës së agjëruesit te Allahu është më e këndshme se era e miskut (parfumit).” (Buhariu)
Ata që duhet te turpërohen, janë ata që nuk agjërojnë, jo ne!
E lus Allahun të na fisnikërojë me moralin e Ramazanit dhe mirësitë e tij!


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013