(Ligjëratë e mbajtur në QSNI për motrat myslimane, 22.11.2013)
Takimi ynë i sotëm në fokus ka një nga nënat e besimtarëve, Xhuvejrijjen [Allahu qoftë i kënaqur me të!]. Është një grua e veçantë. Jeta e saj është model për devotshmëri, adhurim të përkushtuar, përkushtim për mësim të fesë, ruajtje të nderit, maturi në fjalë dhe vepra, shembull për dorëdhënie dhe ndihmë...
Kush është Xhuvejrija [Allahu qoftë i kënaqur me të !]
Emri i saj është: Xhuvejrijje vajza e Harithit, të birit të Ibni Dirarit. Ka lindur 3 vjet para dërgimit të Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]. Para Islamit quhej Berr-rreh, siç transmeton Imam Muslimi, por Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], sikur edhe me rastin e Zejneb bint Xhahshit [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ia ndërroi emrin. Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me të dy!] transmeton:
“كَانَتْ جُوَيْرِيَةُ اسْمُهَا بَرَّةُ فَحَوَّلَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ اسْمَهَا جُوَيْرِيَةَ، وَكَانَ يَكْرَهُ أَنْ يُقَالَ: خَرَجَ مِنْ عِنْدَ بَرَّةَ
Xhuvejrija quhej Berreh (bamirëse, respektuese, e ndershme, e edukuar). I Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] ia ndryshoi emrin në Xhuvejrijjeh. Urrente që të thuhej (për të): Doli nga Berr-rreja!”
Armiqësia e fisit të saj ndaj Islamit
Me kalimin e muslimanëve në Medinë dhe funksionimin e tyre si shoqëri dhe shtet do të mundësohet, jo vetëm praktikimi i fesë, por edhe përhapja e saj. Kjo gjë sigurisht se do t’i pengoj jomyslimanët, sidomos ata që jetën dhe luftën e zhvillonin në baza të injorancës –xhahilijjetit. Fisi i Xhuvejrijjes, respektivisht Benu Mustalakët, që ishin pjesë e fisit të madh Huzaah, ishin të njohur për numër të madh të pjesëtarëve dhe për fuqi. Duke qenë se e urrenin Islamin, vendosën t’i shpallin luftë. Babai i Xhuvejrijjes, Harithi, vendosi ta sulmonte Medinën.
Beteja...
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] u informua për dredhinë e tyre. Kuptoi qëllimet e tyre andaj ua parapriu. Iu shkoi në shtëpitë e tyre. Pra, i sulmoi. Kjo betejë ndodhi në vitin V h. i mundi. Prej tyre shumë u zunë robër. Afër 700. Në mesin e tyre edhe vajza e Harithit (Xhuvejrijja) ndërsa vet ai ia doli disi të ikte.
Xhuvejrija [Allahu qoftë i kënaqur me të!] në mesin e robërve të luftës
Xhuvejrija ishte e martuar. Burri i saj mbeti i vrarë. Babai kishte ikur ndërsa Xhuvejrija mbeti robëreshë lufte. U ndanë robërit e luftës. Fati i Xhuvejrijjes ishte të binte në dorën e Thabit ibn Kajsit. Xhuvejrijja ishte grua me nam. Lidhi marrëveshje me Thabitin që ta lironte veten, por, nuk kishte para. Si ta lironte veten? Shkoi tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe këtu fillon pjesa më me rëndësi e jetës së saj...
Martesa me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]
Ekzistojnë dy versione që flasin për martesën me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]:
- Xhuvejrijja erdhi tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe kërkoi ndihmë që të lirohej. Aisheja e rrëfen këtë rast në detaje. Rrëfen se si Xhuvejrijja kishte qenë në pronësi të Thabitit e pastaj ka shkuar tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe ka kërkuar ndihmë për tu liruar. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i ofroi diç edhe më të mirë: lirimin dhe martesën me të. ajo pranoi.
- Babai i saj, siç shënon Dhehebiu në Sijer a’lami-n-nubela, kishte ardhur tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe i thoshte se vajza e tij ishte vajzë zotërie, kështu që duhet të lirohej. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i tha. Si thua ta lëmë atë të zgjedh? Ai pranoi. Xhuvejrijja erdhi dhe pranoi të ishte gruaja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
Me këtë lidhet edhe një rast, për saktësinë e të cilit nuk kam shumë informata. Thuhet se ajo kishte parë në ëndërr hënën, e cila kishte ardhur në prehrin e saj. Këtë e kishte shpjeguar me martesën me Muhammedin [alejhis salatu ves selam].
Grua e bereqetshme
Xhuvejrija mori këtë vendim. U martua me Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Kur sahabet mësuan për këtë, liruan të gjithë robërit. Miqtë e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] nuk duhej të ishin robër.
Ishte ky muaji Shaban i vitit V ose VI h. Ishte 20 vjeçare. Vet Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] kishte dhënë për të, si dhuratë, lirimin e 40 robërve. Kur disa prej grave, për shkak të xhelozisë, i folën diç për martesën, se nuk kishte dhuratë martesore, ajo iu ankua Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ndërsa ky i tha: A nuk kam liruar për ty dyzet robër?!
Me këtë, Xhuvejrija, llogaritet grua, të cilës ia kanë parë hairin tërë fisi.
Babai i saj, Harithi, e pranon Islamin
Harithi ia kishte arritur të shpëtonte disi. Kishte ikur. Kur mori vesh për fatin e fisit të tij, veçanërisht vajzës, u kthye. Solli 100 deve për lirimin e vajzës së tij, por rrugës seç e shtyu djalli t’i fsheh dy deve. Tha: janë shumë, nuk mund ta dinë se nuk janë tamam 100. I fshehu dy deve. Kur erdhi tek Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] dhe kërkoi lirimin e vajzës, tha se paguan 100 deve. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i tha: Po dy devetë tjera ku janë? Cilat deve?- e pyeti ai. Devetë që i ke fshehur. Atëherë Harithi pranoi Islamin ngase e dinte se këtë nuk mund ta dinte vetëm se një profet, të cilit i shpallet.
Martesa me Xhuvejrijjen – arsyet
Xhuvejrijja ishte e re dhe bukur. Ishte, siç e përshkruan edhe vet Aisheja, joshëse për nga pamja. Por, nuk ishte ky motivi i martesës. Forcimi i raporteve mes tij dhe disa fiseve, në mënyrë që kjo t’i kthehet Islamit si ndihmë dhe mjet për përhapjen e tij, ishte motiv i kësaj martese, ngase, siç dihet, miqësitë martesore e shtojnë dashurinë dhe vëllazërinë. Ishte motiv me karakter politik, siç e klasifikojnë disa.
Personaliteti i Xhuvejrijjes
1) Dashuria për Pejgamberin [alejhis salatu ves selam]
E donte dhe e respektonte shumë. Kur u sëmur dhe kërkoi leje të shtrihej në dhomën e Asjhes, Xhuvejrija vazhdimisht e vizitonte Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] që të sigurohej për shëndetin e tij.
2) Devotshmëria
- Falej dhe agjëronte shumë. Një ditë e fali namazin e sabahut me Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ndërsa ai doli më pas për punët e tij. U kthye dikur vonë ndërsa atë e gjeti ende në faltore. Pra, kishte qëndruar për disa orë duke e përkujtuar Allahun e Madhëruar.
- Agjëronte shumtë, madje ndonjëherë agjëronte edhe ditën e xhuma derisa Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ia ndaloi ta veçonte vetëm atë me agjërim.
- Jepte lëmoshë shumë. Ishte e njohur për këtë gjë. I ndihmonte të varfrit shumë.
3) Maturia
Në kohën e sprovave ndërmjet sahabeve, ajo ruajti një pozitë dhe tregoi një maturi të madhe. Nuk mbajti anën e akcilës palë. Përkundrazi. Thërriste sahabet për unitet.
4) Dituria
Ka transmetuar shtatë hadithe. Një në Sahihun e Buhariut, dy në Sahihun e Muslimit ndërsa hadithet tjera janë në libra tjerë.
Vdekja
Vdiq në muajin Rebiul Evvel v. 56 në Medinë. Namazin ia fali Mervan ibn Hakemi.
Mësimet
- Njeriun e shpëton vepra e jo prejardhja familjare. Xhuvejrijja [Allahu qoftë i kënaqur me të!], përkundër që ishte gruaja e njeriut më të dashur tek Allahu, Muhammedit [alejhis salatu ves selam!], ishte tejet e përkushtuar në adhurim. Tek Allahu do të ngrit puna dhe vepra e saj, e jo prejardhja apo përkatësia.
- Myslimania duhet të luajë një rol pozitiv në shoqëri. Ajo duhet të kontribuojë për të mirë. Këtë mbase më së lehti mund ta bëjë edhe me ndihmën që mund ta ofrojë në formë lëmoshe dhe sadakaje për të varfrit.
- Nxitja për kultivim të marrëdhënieve bashkëshortore. Gratë e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] janë gjithsesi modeli më i mirë në këtë drejtim.
- Trajtimi i robërisë në Islam. Robëria nuk kultivohet, kultivohen mënyrat e anulimit të saj.
- Profetësia e Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Harithi pranoi Islamin për shkak të bindjes se ai që e lajmëroi Muhammedin [alejhis salatu ves selam] nuk ka si të mos jetë melek. Pra, u bind se ai është i dërguar prej Allahut dhe jo mashtrues.
- Ndryshimi i emrave, dhe, jo vetëm emrave të këqij, por edhe atyre emrave që mund të tingëllojnë njëlloj shfajësimi dhe privilegji.
- Islami është më i vjetër se armiqësitë ndaj tij dhe, gjithsesi, edhe më i fuqishëm.