Një deklaratë e liderit të AAK-së për statusin e padefinuar të tij përkitazi me përkatësinë fetare, ose, thënë më mirë, pakënaqësinë e tij me Islamin si fe, e cilësuar më pas nga “interpretues” të partisë së tij si nxjerrje jashtë kontekstit dhe spekulim medial, bëri bujë në media ndërsa nuk do të duhej. U bë lajm pa nevojë. Një gjë për të cilën do të duhej “duartrokitur” Ramush Haradinajn është guximi i tij për të dalë haptazi, ndryshe nga hipokritët tjerë frikacakë, që ndajnë me të bindjen por jo edhe guximin. Por, edhe sikur të mos e kishte këtë guxim, ne do t’ia dinim për “nder”, për shkak se e dimë kush është ai. E dimë kush janë dhe të gjithë politikanët tjerë. Dimë për ta më shumë se profilet e tyre publike. U bënë 14 vite nga mbarimi i luftës ndërsa ne ndajmë çdo ditë bashkë me ta. Kurrë nuk i pamë në xhami. Nga e kaluara kemi mësuar se nuk kanë qenë fetarë. Në fillim kjo na shtyri të mendojmë se lehtë ia bëjmë me ta, pasi që janë injorant, nuk dinë, por, kur i pamë tek zënin safet e para në Kishë ndërsa në duar kishin librat e krishtera, atëherë kuptuam se, megjithatë, paskan në lloj feje. Jo të krishtere, por fe perëndimore. E, meqë paskësh qëlluar që perëndimorët të jenë të krishterë, atëherë edhe këta duhet të shtiren si ata, ose të paktën, të mos deklarohen si myslimanë. Neve na rrejtën për më shumë se një dekadë se në perëndim nuk po mundemi të shkojmë si myslimanë. Në fakt, nga Perëndimi na erdhën selame se atje nuk mund të shkojmë me xhipa dhe miliona, ndryshe, edhe për myslimanë ka vend. Madje, të drejtat e myslimanëve janë më të rregulluara se tek ne, këtu ku jemi mbi 90% të popullsisë, me apo edhe pa të papërcaktuarit sa i përket fesë.
Këto gjëra i dimë. Në të vërtetë, i kemi mësuar, por, jo nga qitapët tonë, por defterët e Perëndimit. Ata na kanë treguar për kapitullin e pengesave të integrimit të Kosovës. Është kapitulli që flet për të papërcaktuarit, as në qiell, as në tokë. Atyre iu atribuohen të gjitha të këqijat. Ata janë pengesa. Ata që nuk kanë kibël Mekkën, por as Vatikanin. Ata që i drejtohen dhe përulen parasë. Ata që tashmë janë regjiment. Kanë edhe logjistikën, ata që janë të ngarkuar me detyrën e mbajtjes së Islamit si problem ditor. Ata janë shumë “vigjilent“, po panë ndonjë politikanë tek shpreh qoftë edhe një respekt të thjeshtë për Islamin, do t’ia përmendin njëqind të zeza. Do të vënë sipër kokës lëkurën e qengjit për të na “këshilluar”se këta janë ateistë, afetarë, e madje, për të na bindur se nuk iu duan përnjëmend, do të mundohen të na i prezantojnë lakuriq politikanët.
Por, ata nuk na flasin për politikanët fetarë të krishterë, për shkak se këta na flasin vet. Këta ndihen të priveligjuarit ndërsa shfaqen edhe vet paksa si afetarë, për të ngushëlluar miqtë. “Por, ç’të bëjmë” –parafrazuar një politikan- “kur neve e diela na ka qëlluar ditë pushimi, kështu që edhe nëse shkojmë në meshë, nuk kemi bërë shkelje të pafesisë së shtetit. E xhumaja ka qëlluar të premten. Edhe neve kur na qëllojnë meshat në ditë pune nuk shkojmë.”
Edhe këta i njohim. Ua shohim dhëmbët e prehtë nën buzëqeshjet ironike. Ua dimë edhe frikën dhe mllefin që kanë. E dimë rolin e tyre destruktiv.
I dimë që të gjitha, por, faleminderit që popullit po ia tregoni. Le të shpresojmë se populli nuk do të tregohet i papërcaktuar!