Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DITURIA, ROLI DHE EFEKTI I SAJ NË SHOQËRI

Hyrje
 
Islami është njëra ndër fetë qiellore që diturisë i kushton vëmendjen dhe rëndësinë më të madhe. Që në fillim, madje ende pa proklamuar moton e misionit të vet, Islami njerëzimit i prezantohet me urdhrin për dituri. “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” (El-Alek, 1)
Kjo, për shkak se objektivat themelore nuk do të mund të realizohen pa aprovimin paraprak të një kushti siç është dituria, sidomos kur kemi parasysh faktin se Islami nuk është traditë, diç që trashëgohet nga i ati tek i biri, nga brezi në brez, nga gjenerata në gjeneratë, por para së gjithash, është bindje që fitohet vetëm nga dituria. Kësisoj, në Kur’an, edhe besimi urdhërohet që të jetë rezultat i dijes. Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut…” (Muhammed, 19)
Pra, nuk është thënë ‘besoje’ por ‘dije’[1], ngase besimi pa dije shumë shpejt mund të devijojë apo edhe të humbasë fare.
Kështu, ne gjejmë Kur’anin, tek i kushton rëndësi diturisë më shumë se çdo gjëje tjetër dhe tek aprovon dhe mbështet çështjet më madhore të tij pikërisht me dije dhe në fakte konkrete. Në Kur’an, fjala dituri dhe njohje (ar. el-Ilm dhe el-ma’rifeh) me fjalët që derivojnë prej tyre janë përmendur hiç më pak se 811 herë[2], shifër kjo që e bën të jetë ndër shprehjet me më së shumti përdorim në Kur’an.
Ndoshta ky trajtim kaq i madh dhe kaq i thuktë bërë dijes ndikoi që pasuesit e kësaj feje për shekuj të tërë të jenë ikonë dhe simbol i saj. Salah Zaimeche në një artikull për ‘ndikimin e shkencës dhe dijes islame në Angli’[3], përveç tjerash citon Scott-in të ketë thënë se në kohën kur në Evropën mesjetare kishte vetëm disa tituj librash, e që ishin pronë e Kishës, apo në rastin më të mirë, Biblioteka Mbretërore e Francës ka pasur 900 vëllime, biblioteka Mustendira e sulltanit egjiptian, ka numëruar 80.000 vëllime, biblioteka e Tripolit numëronte 200.000 vëllime ndërsa vetëm në Spanjë ishin rreth 70 koleksione publike, prej të cilave vetëm biblioteka e madhe e El-Hakimit II kishte 600.000 vëllime, duke shtuar se koleksionet private të individëve ishin shumë të mëdha…
Në Spanjë, në kohën e sundimit të muslimanëve, ishte e vështirë për të gjetur edhe një fshatar musliman i cili nuk dinte shkrim-lexim, derisa në Evropë, në të njëjtën kohë, kjo nuk mund të thuhej as për shumë personalitete të mëdha. Për më tepër, në periudhën prej shekullit 9 deri në shekullin 13, muslimanët spanjollë kishin sistem arsimor i cili nuk ngecë pas sistemeve më të përparuara të kohës moderne. Astronominë e mësonin përmes globit dhe planisferës, matnin volumin e Tokës, studionin lëvizjen e planetëve, matnin dendësinë e atmosferës dhe u ishin të njohura kushtet natyrore dhe artificiale nën të cilat formoheshin avujt dhe gazrat.
Këto suksese, e pranuan të tjerët apo jo, në radhë të parë i detyrohen Islamit, i cili ka qenë mbase motivi më i fortë për shtytjen e muslimanëve për dije.
Mjerisht, historia e muslimanëve me dijen, pas kësaj kohe paraqet një shkëputje me pasoja shumë të mëdha, jo vetëm për muslimanët. Dija do të kalojë në anën e evropianëve, por me një trend të ri, që për pasojë do të ketë zhvillim të hovshëm teknologjik dhe degradim moral në vazhdimësi.
Konsideroj se Islami, që dijen dhe shkencën vesh edhe me sfond shpirtëror, ka ende ka çka t’i ofrojë dijes. Bota ka nevojë për një model dije që nuk ka rol përjashtues ndaj fesë, por që bashkëjeton dhe bashkëvepron me të, ndërsa idenë e organizimit të kësaj me këtë tematikë e shoh si një hap drejt këtij qëllimi, për çka i falënderoj shumë organizatorët.
 
Rëndësia e diturisë dhe nxitja për të
 
Se sa rëndësi ka dija për njeriun ndoshta më së miri flet fakti se Zoti i Madhëruar me të krijuar njeriun ia mësoi dijen[4] dhe, siç na mëson Muhammedi, alejhi’s selam, e bëri obligim për të gjithë.[5]
Madje jo vetëm kaq, diturinë e bëri si thesar të trashëgohet nga njerëzit më të zgjedhur të Tij, profetët. Muhammedi, alejhi’s selam, ka thënë: “…dijetarët janë trashëgimtarët të profetëve…” (Ebu Davudi)
Imam Gazaliu duke komentuar këtë hadith thotë: ‘Është e ditur se nuk ka gradë mbi gradën e pejgamberisë dhe rrjedhimisht nuk ka nderë mbi nderin e të qenit trashëgimtar i kësaj grade apo pozite.’[6]
Por, dituria nuk trashëgohet. “Njeriu nuk lind i ditur, dituria fitohet nga të mësuarit.” – thoshte Abdullah Ibn Mes’udi[7], kështu që nevoja për të mësuar është aq e madhe, saqë edhe në rrethana të jashtëzakonshme, në kohë lufte, nuk bie. Kështu na mëson Kur’ani[8] e kështu vepronte edhe Muhammedi, alejhi’s selam. Hakimi transmeton se kur Pejgamberi, alejhi’s selam kishte dalë për të zhvilluar betejën e Hunejnit, në Mekkë zëvendës kishte lënë Muadh Ibn Xhebelin, duke e urdhëruar që tua mësonte njerëzve Kur’anin dhe gjërat tjera fetare[9].
Nga këtu, nxitja për të mësuar, është bërë në forma e mënyra të shumta. Ndonjëherë është përshkruar ai shpërblimi i madh që njeriu merr nga dituria, Xhenneti[10], e ndonjëherë nxitja është bërë duke ngjallë ndjenjën për t’iu bërë mirë dhe dobi njerëzve. P.sh. Buhariu dhe Muslimi, dy koleksionistët më të saktë të haditheve, transmetojnë nga Ebu Musa, se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Vërtetë, shembulli i udhëzimit (veprave të mira) dhe dijes me të cilat më dërgoi Zoti, është sikur shembulli i një shiu të mirë, që mbuloi tokën, e prej së cilës kishte pjesë të pastër që e pranoi (thithi) ujin dhe bëri kullosë dhe barë të shumtë. Por, kishte pjesë që nuk mbinin por mbajtën ujin, kështu që njerëzit patën dobi: pinë, ujitën dhe mbollën. Por, shiu ra edhe në një pjesë tjetër, që nuk mbledh ujin dhe nuk mbin asgjë. Ky është shembulli i atij që e kupton fenë e Allahut, përfiton prej asaj që Allahu më ka dërguar, i bën dobi të tjerëve, mësoi për vete dhe i mësoi të tjerët, dhe shembulli i atij që nuk përfiton asgjë dhe nuk e pranon udhëzimin e Allahut, me të cilin jam dërguar.”
 
Pra, njerëzit janë sistemuar në tri grupe:
• Përfitues të diturisë për vete dhe të tjerët,
• Kumtues të saj, ani pse nuk janë vet prej dijetarëve, dhe
• Injorantë, që as nuk bëhen dijetarët por as që çajnë kokën për të kumtuar, të paktën.
 
Klasifikimi i diturisë
 
Megjithëkëtë, kjo nxitje nuk bën fjalë për çdo dituri – shkencë. Ose, cituar Selman Farisun[11], ‘Vërtetë, dituria është e gjerë ndërsa jeta e shkurtër, andaj merr prej diturisë atë që të duhet për fenë tënde dhe lëre atë tjetrën.’ Kështu, njeriu gjithherë duhet të insistojë që të zgjedh diturinë, prej së cilës ka dobi. Kjo nuk duhet të tingëllojë se Islami ka rol përjashtues ndaj shkencave. Shejhu Muhammed Salih el-Uthejmini, konsideronte se çdo shkencë që të ndihmon për realizimin e adhurimit dhe prej së cilës njerëzit kanë dobi, jo vetëm që është e lejuar por mund të jetë edhe e obliguar[12]. Ta zëmë shembull, sot është në trend mësimi i gjuhës angleze, për shkak se njerëzit, qoftë për punës studimi, qoftë për mundësi punësimi, i rreken asaj, dhe kjo nuk paraqet diç të keqe. Pejgamberi, alejhi’s selam, siç shënon Imam Ahmedi dhe të tjerët, kishte porositur Zejd Ibn Thabitin, që për punë zyrtare ta mësonte sirianishten[13].
 
Roli dhe objektivat e dijes
 
Dituria, referuar hadithit që përmendëm më parë, nuk është qëllim në vete. Ajo mëton, që në një apo formë tjetër, njerëzve t’iu sjellë dobi. Në radhë të parë, dituria synon:
1. Zhdukjen e injorancës, duke filluar nga vetja. Allahu i Madhëruar ka thënë: Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (En-Nahl, 78)
Për të arritur këtë qëllim, ne shohim se Islami porosit shumë për përhapjen e dijes, aq sa Muhammedi, alejhi’s selam, alejhi’s selam thotë: “Transmetoni prej meje qoftë edhe një fakt!” (Buhariu)
2. Përsosjen e moralit. Dituria ndihmon shumë në mishërimin me moral të lartë. Jo rastësisht, Allahu i Madhëruar këtë atribut e përkufizon vetëm në dijetarë. …Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës.” (Fatir, 28)
Ibni Mes’udi, siç citohet nga Shejhu Ahmed Feridi, ka thënë: “Mjafton që devotshmëria si dituri dhe injoranca si mashtrim!”[14]
Këtë mund ta vërejmë edhe në metodologjinë e Muhammedit, alejhi’s selam. Madje, moralit i kushtohej rëndësi më shumë se dijes, aq sa kriteret për përzgjedhjen e mësuesit bëheshin, në radhë të parë, në bazë të moralit. Ibni Asakiri rrëfen rastin e Tha’lebes[15], që kishte takuar Pejgamberin, alejhi’s selam dhe i kishte thënë: “Më udhëzo tek një njeri qe di të më mësojë! Pejgamberi, alejhi’s selam më dërgoi tek Ubejde b. Xherrahu dhe më tha: Të kam dërguar tek një njeri qe di të të mësojë dhe të edukojë!”
Kjo, ngase dituria pa edukatë, nuk vlen gjë. Në koment të ajetit: …Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri…” (el-Muxhadele, 11)
…Aid el-Karni[16], thotë: ‘Allahu i Madhëruar nuk ka mjaftuar vetëm me ‘kanë ditur’ por edhe ‘kanë besuar’ ngase dituria mund të jetë edhe dituri ateizmi…’
Ndërsa Sufjan Thevriu mësuesin e keq, me qëllime materialiste, e përshkruante si mjek të sëmurë që nuk mund të mjekojë të tjerët kur vet është i sëmurë.
3. Zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Ndoshta këtë më së miri do ta kuptonim nga hadithi[17] i personit që vrau 100 veta. Në fakt, kishte mbytur 99, por për shkak të këshillave të gabuara që mori nga një i “ditur” e vrau edhe atë. Kjo, sigurisht se dikton nevojën që nga skena të largohen pseudodijetarët. Ndalohet që në emër të diturisë të flasin injorantët.
M. S. Uthejmini ka thënë: Për këtë shkak ne kemi nevojë për dijetarë, jo vetëm që kanë njohuri të thella fetare, por kanë dhe urtësi në udhëzimin e njerëzve. Kjo ngase ka njerëz që për një problematikë të caktuar përvetësojnë njohuri teorike në bazë të të cilave edhe gjykojnë pa u interesuar fare paraprakisht për përmirësimin e njerëzve dhe edukimin e tyre… [18]
4. Ruajtjen e shoqërisë nga dukuritë dhe sjelljet devijante, të çfarëdo natyre qofshin[19]. P.sh. ndalohet që pjesëmarrja në tregje të bëhet nga injorantët, për shkak se ata mund të jenë shkak për mashtrim, inflacion, etj. Tirmidhiu transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Le të mos merr pjesë në tregjet tona askush përveç atyre që kanë njohuri fetare!” (Albani thotë se është Hasen)
Po kështu ndalohen edhe shfrytëzimi i egër i resurseve natyrore, keqpërdorimi i tyre. Kjo bëhet shëmbëllyer besimtarin pikërisht me natyrën. Pejgamberi, alejhi’s selam, siç rrëfen Ibni Omeri, ka thënë: “Është një pemë, gjethet e së cilës nuk bien; ajo i ngjan muslimanit…Ajo pemë është hurma.” (Buhariu)
5. Luftimin e ideologjive dhe bindjeve të gabuara. Islami ka pika referuese, të cilave duhet kthyer sa herë që njeriu has në ndonjë problem. Veprim kokë më vete është i papranueshëm. Pejgamberi, alejhi’s elam ka thënë: “Kush vepron diç në s’përputhje me traditën tonë, i refuzohet vepra!” (Muslimi)
Jo rrallë herë ndodhë që shkak i veprimeve të gabuara të disave të shtrembërohet edhe imazhi islam në publikun e gjerë. Hitabiu përmend ne librin e tij el-Uzleh se një njeri e kishte mbështjellë njërin sy me ngjitës duke thënë se nuk po dua të bëj mastraf (të jepem pas dunjasë) e ta shikoj atë me dy sytë, ndërsa Allahu i Madhëruar ka thënë: A nuk i dhamë Ne atij dy sy?” (el-Beled)
Ibnul Xhevzijj përmend në Teblisu Iblis se kishte parë një sofist që në namazin e drekës derisa ishte duke lexuar kotej – e merrte gjumi, e të cilin e kishte pyetur pse vepronte ashtu? I kishte thënë se kishte kaluar natën në adhurim fakultativ. Ibnul Xhevzijj e komenton këtë rast e thotë: Shihe sa i marrë që është. E fali nafilen (bëri adhurim fakultativ) ndërsa e humbi farzin (atë obligues).
Kështu u patëm mashtruar edhe ata që panë Karunin në rrobat e arit në Ditën e Stolisë, por Allahu i Madhëruar përmendi se dijetarët nuk u mashtruan: Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit. 78. Ai (Karuni) tha: “Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” Po a nuk e di ai se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë asish që ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten për fajet e tyre (meqë Allahu e di). 79. Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!” 80. E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!” 81. Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç Allahut nuk pati që ta mbrojë, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet. 82. E ata që dje lakmuan të ishin në vendin e tij, filluan të thonë: “A nuk shihni se Allahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur Allahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na sharronte në tokë edhe neve; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!” 83. Atë vend të përjetshëm (xhennetin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut.” (el-Kasas, 77-83)
Nga këtu, nuk ka çudi pse Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit (jo të ditur) është sikur vlera e hënës katërmbëdhjetëshe ndaj planetëve tjera.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët)
 
Përmbyllje
 
Për fund fare, si plotësim të temës në fjalë, konsideroj se këto objektiva nuk do të realizohen, pa përmbushur paraprakisht, edhe tri elemente shumë me rëndësi:
• Konsultimin me dijetarë[20]
• Eliminimin e pseudodijetarëve[21], dhe rrjedhimisht
• Që dijetarët të mos fshehin diturinë[22]
Zoti na dhëntë dituri të hajrit!
[1] El-Karni, Aid, Ikre bismi Rabbike, f. 6.
[2] Turki Ibn Hasen ed-Dehmani, et-Tikrar el-larfdhijj fi-l-Kur’an,
http://www.alfaseeh.com/vb/showthread.php?t=13044&s=fec6a838406cbf0e0c58a1c496a1475b.
[3] www.furkan.com.mk/ndikimi-shkences.html
[4] “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ato ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejtë (çka mendoni)?””el-Bekare, 31.
[5] “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman…” Albani e konsideron hasen.
[6] Gazali, Ebu Hamid, Ihjau Ulumi-d-din, v. 1, f. 41.
[7] El-Kandehlevi, Muhammed Jusuf, Hajatu-s-Sahabeh, v. 4, f. 7.
[8] “Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehet te ata, në mënyrë që ata të kuptojnë (e të ruhen).” et-Teube, 122.
[9] El-Kandehlevi, Muhammed Jusuf, Hajatu-s-Sahabeh, v. 4, f. 35.
[10] “Kush ndjek rrugën e kërkimit të diturisë, Allahu do ta shpie në rrugën e Xhennetit…” Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxheh, Ahemdi.
[11] El-Kandehlevi, Muhammed Jusuf, Hajatu-s-Sahabeh, v. 4, f. 21.
[12] El-Uthejmin, Muhammed Ibn Salih, Kitabu-l-Ilm, f. 14.
[13] Zejd in Thabitit i pati thënë Pejgamberi, alejhi’s elam: “A e zotëron sirianishten ngase po më vinë letra? Jo – i thashë. Atëherë mësoje më tha. Kështu, e mësova atë për 17 ditë.” Transmeton Ahmedi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[14] Ferid, Ahmed, El-Bahru-rr-rraik fi-z-zuhdi ve-rr-rrekaik, f. 33.
[15] El-Kandehlevi, Muhammed Jusuf, Hajatu-s-Sahabeh, v. 4, f. 42.
[16] El-Karni, Aid, Ikre bismi Rabbike, f. 67.
[17] Hadithin e transmeton Muslimi.
[18] El-Uthejmin, Muhammed Ibn Salih, Kitabu-l-Ilm, f. 21, 24.
[19] Russel, Bertrand, Etheru-l-Ilmi fi-l-muxhtemeë, f. 21.
[20] Në Kur’an shumë ajete na mësojnë se konsultimi me Pejgamberin, alejhi’s elam ishte bërë për pothuajse të gjitha punët. Shih: el-Bekare, 217, 219, 220, 222, 219, el-Enfalë, 111.
[21] Dëmet nga ata që flasin në emër të dijes ndërsa nuk janë kompetentë janë shumë të mëdha. Allahu ka ndaluar nga një gjë e tillë (el-Isra, 36) sepse kjo mund të jetë shkak i shtrembërimit të imazhit islam. Mu për këtë, metodologjia e Pejgamberit, alejhi’s selam në prezantimin e Islamit ka qenë e ndërtuar mbi baza diturie (Jusuf, 108).
[22] Fshehja e dijes është mëkat. Shih: el-Bekare, 159. Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush pyetet për diç që e di dhe nuk përgjigjet, në Ditën e Kiametit do t’i vendoset një fre zjarri në gojë.” Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është sahih.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013