Praktika islame e agjërimit është forma më e mirë që mund të ndiqet në kuadër të aplikimit të agjërimit në shëndetësi.
Të shohim se çfarë thonë mjekët bashkëkohorë.
Në një raport shkencor të publikuar në www.dw.de nënvizohet nevoja e madhe e pastrimit të organit të tretjes, fitimit të energjive të reja dhe kurimit të dhembjeve të kokës dhe reumës, dhe këtë në mënyrë periodike. Shumë mjekë porosisin aplikimin e praktikës së ‘agjërimit shërues’, i cili përbëhet nga tri etapa ndërsa mbështetet në konsumim të sasive të mëdha të pijeve dhe abstenimit nga ushqimet e yndyrshme.
Për shkak të rëndësisë që ka, sidomos në humbjen e peshës së shtuar, rregullimin e tensionit të gjakut dhe kolesterolit, agjërimi është bërë mënyrë shërimi në shumë vende perëndimore. Madje, krahas këtyre sëmundjeve që përmendëm, agjërimi po aplikohet si praktikë shëruese edhe në rastet e çrregullimit të organit tretës, astmës dhe disa llojeve të kancerit.
Praktika gjermane e agjërimit
Kjo praktikë përbëhet nga tri periudha:
- ‘Periudha e shkarkimit’, e cila zgjat rëndom tetë ditë. Pacienti duhet të konsumojë vetëm perime, fruta dhe oriz. Kjo bëhet për ta shkarkuar trupin nga mbetjet e ushqimeve dhe pijeve brenda trupit.
- Periudha e dytë zgjat së paku pesë ditë ndërsa pacienti duhet të konsumojë vetëm lëngje.
- Në periudhën e tretë pacienti fillon në mënyrë graduale me konsumimin e ushqimeve normale.
Praktika islame e agjërimit
Me gjithë idetë dhe format e shumta të ofruara, ato deri më tani kanë rezultuar me suksese simbolike. Praktika islame vazhdon të jetë më efektivja dhe më e lehta, njëkohësisht. Abstenimi total nga ushqimi dhe pija trupit i jep shansin e ruajtjes së organit tretës shumë më mirë. Nëse ne do ta aplikonim traditën fetare të agjërimit, agjërimin dy ditor gjatë javës (të hënave dhe të enjteve), atëherë ne nuk do të kishim nevojë të aplikojmë regjime tjera, për shkak se edhe ashtu është e pamundur gjatë tërë jetës të aplikosh ato. Ka thënë i Dërguari i Allahut [Paqja dhe mëshira qofshin mbi të!]:
“Agjëro, për shkak se nuk ka të ngjashëm me agjërimin!” ([1])
“Allahu i Lartëmadhëruar thotë: Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe për të cilin Unë shpërblej. Agjërimi është mburojë. Kur ndonjëri prej jush të agjërojë, le të mos bëjë gjëra të turpshme dhe le të mos bërtet, ndërsa po e provokoi dikush: e shanë apo ngacmon, le t’i thotë: unë jam agjërues! Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahut se sa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: kur të bën iftar, gëzohet, dhe, i gëzohet agjërimit po kështu, kur ta takon Zotin e tij!” ([2])
“Agjërimi është mburojë nga zjarri (i Xhehennemit), sikur mburoja e ndonjërit prej jush në fushëbeteja...” ([3])
Pra, agjërimi është mburojë nga mëkatet dhe nga zjarri i Xhehennemit, por është mburojë po kështu edhe nga sëmundjet.
A nuk sheh se si i Dërguari i Allahut [Paqja dhe mëshira qofshin mbi të!] nxiste për agjërim duke iu thënë besimtarëve:
“Kush agjëron një ditë në rrugën e Allahut, Allahu ka për ta larguar atë nga zjarri për shtatëdhjetë vjeshta (vite).” ([4])
“Kush agjëron tre ditë nga muaji, është sikur të ketë agjëruar gjatë gjithë kohës.”
Nëse do të bënim një kalkulim nga ky hadithi i fundit, atëherë i bie që, bazuar në kriterin e shpërblimit të së mirës dhjetëfish, të kemi agjëruar tridhjetë ditë (3x10=30).
Falënderimi i takon Allahut, i Cili na nderoi me adhurimin e agjërimit! Ekzistojnë mënyra të ndryshme të ushtrimit të këtij adhurimi: agjërimi i dy ditëve gjatë javës, agjërimi i tri ditëve gjatë muajit, apo edhe agjërimi i çdo të dytës ditë, agjërim ky që njihet si agjërimit i Davudit [alejhiselam].
Duke praktikuar këtë lloj agjërimit dhe duke u kujdesur për ushqimet e konsumuara, ne mund t’i garantojmë vetes një shëndet stabil.
Titulli në origjinal: Bernamixh es-sijami-l-ilaxhijj
Përshtati: Sedat Islami
[1] Transmeton Nesaiu. Albani thotë se hadithi është autentik.
[2] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se është autentik.
[4] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.