Këshillimi me vdekjen
Vdekja është ligj prej ligjeve të Allahut, që përshkon çdo krijesë. Çdo i krijuar do të vdes ndërsa do të mbetet vetëm Allahu, i Cili nuk ka fillim dhe as mbarim. Vdekja është shpjeguar gjerësisht, si në Kur’an, po ashtu edhe në Sunnet. Janë të shumta ajetet dhe hadithet që nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme trajtojnë vdekjen. Vdekja është fund dhe fillim: fund, për të punuar vepra, fillim për tu pyetur për to. Bazuar në këtë, feja vdekjen, si ligj hyjnor, e ka përdorur edhe si një metodë edukimi. Islami në fushën e edukimit ka aplikuar dy metoda: inkurajuese, ku për punët e mira janë premtuar shpërblime të mëdha, dhe frikësuese, ku për punë të këqija parashihen ndëshkim të rënda. Në kuadër të kësaj të dytës, e ka përdorur edhe vdekjen. Vdekja është këshillë[1]. Për të mos u mashtruar me pasurinë dhe pushtetin, për të mos u dhënë pas lukseve dhe për të mos ushtruar padrejtësi ndaj njerëzve, feja porosit që të këshillohemi me vdekjen. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Shpeshtojeni përkujtimin e shkatërruesit të kënaqësive!”[2]
Ka thënë Tejmiu: “Dy gjëra kanë ndërprerë kënaqësinë e kësaj bote: përkujtimi i vdekjes dhe përkujtimi i të qëndruarit para Allahut!” Ndërsa Dekkaku ka thënë: “Kush e shpeshton përkujtimin e vdekjes, Allahu do ta nderojë me tri gjëra: me përshpejtim të pendimit, me kënaqësi shpirtërore dhe me gjallëri adhuruese (do të ketë vullnet për adhurim).”[3]
Vdekja është fund i çdokujt. Të gjithë ata që kanë lindur, kanë për të vdekur. Allahu ka thënë: “Secili njeri do të shijojë vdekjen...“ (Ali Imran, 185)[4]
Vdekja, për shkak të këtij funksionit që ka, pra shkëputjen nga mundësia e bërjes së veprave të mira, pendimit, përmirësimit të gabimeve, etj, është parë e padëshirueshme. Madje vet Allahu e ka quajtur fatkeqësi (musibet)[5]. E ka quajtur kështu ngase besimtari i mirë do të donte të bënte vepra edhe më shumë ndërsa ai mëkatari të pendohej dhe të përmirësonte gabimet. Por, mundësia e rikthimit prapë në këtë botë nuk eksiton. “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, 100. Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.“ (el-Mu’minune, 99-100)
Ndonëse koha e ndodhjes së vdekjes është e panjohur, megjithatë shenjat e saja dihen. Allahu ka thënë: “... Po a nuk u dhamë juve jetë aq saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar.“ (Fatir, 37)
Ibni Ababsi thotë se lajmëtari është zbardhja e flokëve ose të thinjurit. Madje, ekziston një hadith autentik, të cilin Buhariu e transmeton nga Ebu Hurejre, në të cilin njeriut, që për një jetë të gjatë nuk ka marrë mësim dhe nuk është këshilluar me vdekjen, i mohohet mundësia e pendimit. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Allahu nuk i ka dhënë arsye një njeriu, vdekjen e të cilit e ka shtyrë derisa ka mbërritur edhe gjashtëdhjetë vite!”
Hadithi, siç qëndron unanimisht si parim tek dijetarët, nuk mohon mundësinë e pranimit të pendimit, porse njeriut ia mohon arsyetimet se kinse nuk e kam ditur, nuk kam qenë i vëmendshëm, etj.
Fakte rreth vdekjes
Por, ajo që mbetet interesante tek ky hadith është trajtimi i një –nëse mund ta quaj- ‘dukurie shoqërore’ përkitazi me neglizhimin dhe harrimin e vdekjes. Shkencëtarë që moti merren me trajtimin e saj por, për shkak të mohimit të shpjegimit fetar, ata vetëm sa kanë trishtuar njerëzit. Nuk kanë arritur kurrë tua shpjegojnë të vërtetën. Në ndërkohë, të tjerë, që kanë bashkuar fenë dhe shkencën, kanë arritur të sjellin botëkuptimet e vërteta dhe domethëniet e qarta të saj. Ne, në vazhdim, do të sjellim para jush dhjetë të vërteta kura’nore dhe profetike përkitazi me vdekjen[6], të cilat janë vërtetuar edhe nga shkenca, e të cilat janë dhe si plotësim i rëndësishëm i temës.
1) Vdekja është e caktuar
Në brendësi të çdo qelize të trupit tonë është ora biologjike, e cila funksionin sipas një programi perfekt. Ajo menaxhon me të gjitha proceset vitale, duke filluar nga lindja e deri në vdekje. Shkencëtarët kanë nënvizuar se ky program që gjendet në qeliza funksionin për mrekulli. Ai nuk i shmanget këtij rregulli kurrë. Madje, ai ka të paracaktuar edhe shifrën e rrahjeve, që nënkupton se nuk rrah as më shumë dhe as më pak. Pas rrahjes së fundit, vjen vdekja, e cila nuk shtyn as edhe për një çast. A nuk është për tu mahnitur nga bukuria e shpjegimit hyjnor në ajetin i cili na e përshkruan momentin e vdekjes: “...e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngutin.“ (en-Nahl, 61)
2) Vdekja është e krijuar
Pas studimeve të shumta dhe të gjata, shkencëtarë kanë vërtetuar se programi i vdekjes së qelizës është krijuar me vet qelizën. Sikur të mos ishte ky program, jeta nuk do të vazhdonte në tokë. Shkencëtarët kanë vërtetuar se vdekja është e krijuar tamam sikur jeta, dhe, sikur të mos ekzistonte ajo, nuk do të ekzistonte as jeta. Sikur vdekja është bazë. Këtë gjë, qartë dhe thuktë, e gjejmë në Kur’an. Allahu ka thënë: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.“ (el-Mulk, 2)
Pra, vdekja është e krijuar. Këtë po e thotë edhe shkenca. Pyetja që duhet tani të bëjmë është: Në qoftë se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] nuk është i Dërguar prej Allahut, atëherë prej nga i mori këto dituri?!
3) Pleqëria nuk ka shërim
Shumica e dijetarëve vërtetojnë se pleqëria është mënyra më e mirë e përfundimit natyral të jetës. Çdo përpjekje për të zgjatur jetën jashtë kufijve të caktuar do të ketë pasoja, më e vogla e të cilave do të jetë kanceri. Shkencëtarët thonë: “Çdo përpjekje për të arritur përjetshmërinë, nënkupton veprim të kundërt me natyrën.” Shkencëtarët kanë pranuar se përkundër shpenzimit të miliarda dollarëve për të kuruar pleqërinë, rezultatet kanë munguar ndërsa eksperimentet kanë dështuar. Se pleqëria nuk shërohet na ka mësuar edhe i Dërguari i Allahut. Imam Ahmedi transmeton se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kurohuni, o ju robër të Allahut, ngase Allahu nuk ka lënë sëmundje pa i caktuar edhe shërimin, më përjashtim të njërës: pleqërisë.”
Ja kështu shkenca vjen me fakte dhe të vërteta, të panjohura më parë, për të forcuar edhe më pozitën e fesë, e cila ka shekuj që ka vërtetuar këto gjëra.
4) Infarkti
Kardiologët kanë vërtetuar se ‘vdekja e befasishme’ është në shtim e sipër. Përkundër avancimit të mjekësisë, numri i atyre që vdesin befasisht është në rritje e sipër. Statistikat e Kombeve të Bashkuara vërtetojnë po kështu këtë, duke shtuar se si dukuri, vdekja e befasishme është shfaqur rishtazi dhe se me gjithë ndërmarrjen e hapave për parandalimin e saj, kjo gjë është e pamundur. Vdekja e befasishme sa vjen e shtohet. Këtë gjë e ka paralajmëruar Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Në një hadith të transmetuar nga Taberaniu qëndron: “Prej shenjave të Kiametit është (edhe) shfaqja e vdekjes së befasishme.”[7]
A nuk dëshmon kjo mrekulli se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] është i Dërguar prej Allahut?! A nuk është kjo një thirrje për tu penduar tek Allahu që të mos na sprovojë më këto lloj vdekje?!
5) Vdekja është e programuar
Shkencëtarë kanë vërtetuar se vdekja krijohet në brendësi të pikës së ujit (spermës) ndërsa zhvillohet në qeliza që nga koha kur njeriu është në barkun e nënës së tij. Shkencëtarët thonë: “Në brendësi të çdo qelize krijohen pjesë të cilat janë sikur valvule sigurie, të cilat kanë në kontroll jetën e qelizave. Pas çdo ndarje, forma e këtyre pjesëve pëson ndryshime dhe, sa herë që madhësia e saj zvogëlohet, ajo i afrohet vdekjes. Ndërsa, kur të merr një formë të caktuar madhësie, qeliza ndalet nga funksioni (shumimi) dhe vdes.“ këtë të vërtetë na e ka mësuar edhe Kur’ani. Allahu ka thënë: “Ne e kemi caktuar (dhe barazuar) ndërmjet jush vdekjen dhe Ne nuk ka kush që mund të na pengojë.” (el-Vakiah, 60)
Pra, Allahu ka vënë një program të caktuar për procedurën e vdekjes. Kjo është ajo që shkencëtarët e kanë emërtuar me termin ‘Vdekja e programuar e qelizës.’ Së këndejmi, ajeti kur’anor dhe kjo e dhënë shkencore përputhen ndërmjet vete, duke reflektuar kështu edhe vërtetësinë e Librit të Allahut.
6) Simptomat e pleqërisë
Në të gjitha qelizat e trupit pas një periudhe të caktuar jetese ndodhë ajo që shkencëtarët i quajnë ‘akte degjeneruese.’ Më konkretisht, qeliza zhvillohet, rritet dhe fillon aktivitetin e saj, por, pas një periudhe të caktuar të jetës, fillojnë veprimet ose aktet degjeneruese brenda qelizave. Shkencëtarët nënvizojnë se është e pamundur të ndalet ky veprim, madje ndalimi –sipas tyre- nënkupton vdekjen. Më qartë, kjo nënkupton se vdekja është e programuar dhe se kjo qelizë patjetër se do të ndalet. Kështu, sado që të përpiqemi për të ndalë këtë procedurë, qeliza do të vdes[8]. Këtu vjen në shprehje fjala e Allahut: “E atij që i japim të jetojë gjatë, e kthejmë prapa në krijimin e tij. A nuk janë duke menduar?“ (Jasin, 68)
Fjala “nunekkis’hu” (shq. ... e kthejmë prapa në krijimin e tij...) i përgjigjet tamam këtyre akteve degjeneruese në qelizat e trurit, mëlçive dhe zemrës. Në të vërtetë, në të gjitha qelizat e trupit ka akte te tilla të cilat përherë mbarojnë me vdekje. I madhëruar qofsh o Allah!
7) Vdekja është procedura natyrore e mbarimit të krijesave
Ekziston një program i caktuar të cilin Allahu e ka vënë në çdo qelizë të trupit dhe i cili është përgjegjës për zhvillimin e qelizës, ndarjen e saj dhe raportet me qelizat tjera. Kur shkencëtarët kanë provuar zgjatjen e jetës së qelizës, kanë vënë re se ajo është shndërruar në kanceroze dhe ka shpërthyer. Shkencëtarë janë bindur se vdekja është fundi natyral i të gjitha krijesave. Këtë e ka vërtetuar edhe Kur’ani. Allahu ka thënë: “Kudo që të jeni vdekja do t'ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara...” (en-Nisa, 78)
8) Vdekja si provë e ekzistimit të Allahut
Prej mëshirës së Allahut është se ka caktuar që vdekja të jetë fund i natyrshëm për çdo krijesë. “Veç All-llahut mos adhuro ndonjë zot tjetër, s'ka të adhuruar tjetër veç Tij. اdo send zhduket e Ai jo. Vetëm Atij i takon gjykimi dhe te Ai do të ktheheni!“ (el-Kasas, 88)
Por, çfarë thotë shkenca moderne? Shkencëtarët thanë se jeta nuk është më shumë e rëndësishme se vdekja. Ata kanë vërtetuar se në çdo qelizë është ora biologjike përkatëse. Paramendoni një krijesë sikur njeriu që punon njëqindtrilion orë, kush është ai që organizon këtë punë dhe funksion, kush është ai që ruan ato nga defektet dhe parregullsitë, kush mbikëqyrë dhe menaxhon me to, kush pajis me fuqi për punë? A mund ta bëjë këtë ndonjë njeri?! Është Allahu Ai që e bënë këtë. “Vetëm Ai është mbizotërues ndaj robërve të vet. Ndaj juve dërgon rojë (cakton engjëj) derisa kur t'i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit tanë (të tjerë) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi.“ (el-En’amë, 61)
9) Forma e vdekjes, po kështu e caktuar
Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, çdo vit kryejnë vetëvrasje rreth 700000 njerëz, qindra mijëra të tjerë humbin jetën nga aksidentet me fatalitet derisa të tjerë vdesin nga sëmundjet e zemrës. Është interesante se këto përqindja, ndonëse rriten nga viti në vit, megjithatë, ngelin të përafërta. Kjo nënkupton se ato janë të caktuara. Në këtë aludon edhe Kur’ani. “Ne e kemi caktuar (dhe barazuar) ndërmjet jush vdekjen dhe Ne nuk ka kush që mund të na pengojë.” (el-Vakiah, 60)
I madhëruar qofsh, o Allah!
10) Vdekja nuk mund të ndalet
Zgjatja e jetës së njeriut i ka shtyrë shkencëtarët që të merren edhe me shiritin gjenetik (DNA). Kanë bërë eksperimente me mizën, respektivisht zgjatjen e jetës së qelizave, por kanë parë se ato janë shndërruar në qeliza kanceroze. Jo vetëm që nuk e kanë ndalë vdekjen, porse e kanë vështirësuar edhe formën e ndodhjes së saj. Eksperimentet kanë dështuar edhe me qelizat e njeriut. Ato janë kthyer në qeliza vrasëse. Shkencëtarë janë dorëzuar para të vërtetës se vdekja nuk mund të ndalet. Allahu ka thënë: “Secili njeri do të shijojë vdekjen...“ (Ali Imran, 185)
Kjo e vërtetë kur’anore përputhet me shkencën dhe vërteton se Kur’ani është fjalë e Allahut të madhëruar!
Përfundim
Siç po vërejmë, vdekja është e pashmangshme. Atë nuk mund ta ndalë asgjë, andaj, derisa puna është kështu, le të përgatitemi për vdekjen. Le të punojmë për atë ditë, pas të cilës nuk ka kthim prapa!
[1] Sa për dije, hadithi që tekstualisht e thotë këtë: “Mjafton me vdekjen si këshillë...”, është i dobët. Shih: Albani, Muhammed Nasiruddin. Silsiletu-l-ehadith ed-daifeh ve-l-meuduah ve etheruha es-sejjië fi-l-ummeh. 2/1.
[2] Hadithin e transmetojnë Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se është autentik. Shih: Mishkatu-l-mesabih, 1/504.
[4] Shih edhe: “Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. 27. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!“ (err-Rrahman, 26-27); “Çdo send zhduket e Ai jo...“ (el-Kasas, 88)
[5] Shih ajetin 106 nga kaptina el-Maide: “…dhe ju gjen telashja e vdekjes…”.
[7] Albani thotë se hadithi është i mirë –hasen. Shih: Sahihu-l-xhamii, hadithi nr. 5899.
[8] Madje, në një studim të kryer së voni, thuhet se as ushtrimet fizike, megjithëse ndihmojnë fizikun e njeriut, megjithatë plakjen nuk mund ta ndalin. Shih: Gazeta Express, “USHTRIMET NUK NDALIN PLEQËRINË”, 24 mars 2013. Shënim yni.