Vdekjen e Mikhail Kallashnikovit, atij që zbuloi pushkën automatike AK47, e publikuan medie të shumta anekënd botës. Vdiq njeriu që projektoi armën më të përhapur në botë dhe që njëkohësisht, ka marrë më së shumti jetë njerëzish. Për çudi, përmbajtja nga kritikat nuk i pengoi shumë nga këto medie që të thurnin vargje lavdie për të. Gati sa nuk e graduan me ndonjë urdhër të lartë nderi. Sikur dëshironin të na bindin se bota i ka borxh atij. Por, për çfarë? Pse nuk ka zbuluar dhe një armë tjetër, e cila do të shfaroste edhe më shumë njerëz? Shumë më kanë penguar arsyetimet se ajo armë ka shërbyer edhe për liri të shumë popujve, në mesin e të cilëve edhe të popullit tonë. Sa të dhimbshëm e zemërgjerë që jemi! Sa shpejtë na rrjedhin këta lot! Sikur i tërë populli jemi artistë.
Do të doja ta imagjinoj Kallashnikovin si mysliman! Sa fyerjet e sharjet do të bëheshin sot. Tituj si: “Sot vdiq themeluesi i së keqes”, “Flaka e ferrit u shua”, “Krimineli vdiq”, “Vdiq shkaktari i miliona vdekjeve”, do të ishin në ballina gazetash dhe portalesh. Sinqerisht, jam shumë kureshtar të shihja se çfarë do të pillte imagjinata përplot inat e mëri e disa medieve tona. Vrer! Flakë! Do të ulërinin sikur dragonj. Do të thoshin se këta i ka mësuar feja kështu. Këta e duan vetëm gjakun. Por, për çudi, edhe pse Kallashnikovi nuk është perëndimor, nuk e shanë. Nuk është mysliman. Mjafton.
Nuk do të doja që dikush që lexon këtë artikull të më gjykojë me nxitim. Nuk dua të dëgjoj fjalët: “Armatimi na mundëson ta ruajmë shtetin nga agresorët!” Këto janë gjepura. Ne nuk jemi duke e trajtuar problemin nga ky këndvështrim. Justifikimi i armatimit me këtë logjikë solli edhe bombën atomike, pasojat e së cilës (ndonëse është përdorur para më shumë se një gjysmë shekulli) ende janë evidente. Ndërsa sot, për shkak të garave të superfuqive, ne jetojmë nën tmerrin e frikës. Shoqëria njerëzore kurrë nuk ka qenë më e rrezikuar. Shembulli ynë i ngjan shumë rrëfimit të atij mbretit, i cili kërkoi nga një këshilltar i tij të ushqente delet mirë e më mirë për një vit mirëpo në fund ato të mos shtonin aspak në peshë. E vetmja zgjidhje që kishte këshilltari ishte që sa herë që i ushqente delet, ua vendoste lëkurën e ujkut përpara. Delet hanin mirë, por nuk shtonin peshë. Kështu është bërë njerëzimi. Luks sa të duash por dhe një frikë, e cila na ka bërë me shije të të sëmurit. As sheqerit nuk ia dimë shijen e ëmbël!
Çështjen e Kallashnikovit do të doja ta trajtojë nga një thënie të mendimtarit të njohur mysliman Gazaliut, të cilën sa herë që e kujtoj më mbërthen me një frikë të madhe: “Ka njeri që vdes ndërsa bashkë me të vdesin të mirat e tij por jo edhe të këqijat.” Këta “zbulues” athua kanë qenë të vetëdijshëm se “zbulimi” i tyre do të vazhdojë të shërbejë për shuarje jetësh, edhe pasi të kenë vdekur?! A kanë menduar ndonjëherë për këtë të keqe që kanë lënë pas?! Ka qenë me vend fjala e Gazaliut për shkak se e keqja që vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes së ideatorit të saj, i sjell dëme. Madje, këtë njeriu as që e mendon fare. Kushdo që ndalet dhe analizon fjalët e Gazaliut, do të mbetet pa gjumë nga frika. Sa veprat i bëjmë shkel e shko ndërsa nuk çajmë kokën se ato mund të na sjellin dëme edhe pas vdekjes.
Ata që shpikën këto armë, veçanërisht armët e shkatërrimit në masë, ndoshta kanë simpatinë e gjakpirësve, por jo edhe të Krijuesit. Ata sot marrin lëvdata, nesër mund t’iu ngrihen buste, e një ditë ndoshta edhe të shenjtërohen, por tek Krijuesi do të jenë të mallkuar dhe do të kenë dënim të rëndë!