Ajo që më bën kureshtar përherë për historinë e Sahabeve [radijAllahu anhum] është vullneti i madh për të punuar shumë dhe për të folur pak. Ndonjëherë, madje edhe tek sahabet e mëdhenj, si Ebu Bekri dhe Omeri [radijAllahu anhuma] e ke të vështirë të përmbledhësh fjalët e tyre në pak fletë përderisa për veprat mund të shkruash vëllime të tëra.
E koha ecën ndërsa rrota e saj bën një ndalesë tek ne për tu mahnitur nga bukuria e fjalëve, nga elokuenca dhe retorika rrjedhëse, nga përzgjedhja e mrekullueshme e parathënieve, nga ligjërimet artistike të së premteve, nga bukuria e shkresave dhe fletushkave, nga cilësia e lartë teknike e punimeve të masterit dhe doktoratës...Por, në tërë këtë, shumë pak mund të gjesh diç që bën punë, diç që praktikisht mund t’i kontribuojë ndonjë të mire, diç që mund t’i shërbejë rigjallërimit islamik në botë. Arsyetimet për mospjesëmarrje në projekte konkrete do të jenë zhurmat që do të shurdhojnë. Nëse do të bindesh, tento të realizosh një projekt të caktuar e pastaj do të shohësh se kjo që po them është e vërtetë.
Kriza e veprave është bërë shqetësuese përderisa artin e fjalës po e zotërojnë dhe fëmijët. Historia edhe sot turpërohet nga të bëmat e Sahabeve të vegjël, ishin vepra madhështore, vetëmohuese dhe sublime, por sot është e trishtuar nga mungesa e tyre madje edhe tek ata që i shohim për emra të mëdhenj në fushën e shkencës dhe thirrjes islame.
Ai që vështron realitetin e muslimanëve e ka lehtë të bindet se periudha vijuese është periudhë e punës dhe prodhimit, periudhë e vendosjes së bazamenteve të islamit, dhe këtë nëpërmjet projekteve të mëdha. E, nëse do të kalonim në një etapë të errët të historisë së njerëzimit, do të shihnim misionarizmin (e krishterë) tek endej nëpër botë për të na bindur se kinse Kisha di të përzgjedhë aktivistët dhe aktivistet durimtarë/e për t’i shërbyer kishës. Nëse i bën një vështrim kësaj do të gjesh vepra të cilat, madje as si ekip, një pjesë e myslimanëve nuk do të mund t’i kryenin.
Ja disa nga këto vepra: ndërtimi i shkollave, spitaleve, ushqimi i të varfërve, dhe krejt këto për t’i futur në krishterim. Pra, ata punojnë dhe nuk flasin sikur që bën një pjesë e jona, në mesin e të cilëve edhe të atillë që njihen për shkencë e dije.
Kritika e hapur, veçanërisht ndaj dijetarëve dhe thirrësve është bërë shumë e rëndë, për shkak se jemi mësuar vetëm t’iu themi fjalë të mira, lëvdata, falë miradije. Për pasojë, këshillimi ka përfudnuar si diç e urryer.
Për fund, hulumto ndonjë fushë të re veprimi, ndoshta veprat flasin për ty!
Përshtati: Sedat ISLAMI