Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
METODOLOGJIA ISLAME NË EVITIMIN E DHUNËS NDAJ FEMRËS

Hyrje
Debatet për pozitën e femrës dhe mënyrën e trajtimit të saj datojnë që moti. Ato, sikur dhe sot, janë hapur për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj. Kur Islami u shpall si fe, femrën e gjeti në një pozitë të palakmueshme. Nuk ishin vetëm idhujtarët dhe injorantët ata që keqtrajtonin femrën, ishin, fatkeqësisht, edhe ata që thirreshin në dije dhe fe. Sokrati, një emër që shpesh lakohet në botën e dijes për urtësi dhe mençuri, “çuditërisht” ndante mendime shumë të këqija për gruan. Ai konsideronte se gruaja është burim i krizave dhe kolapseve në botë. Atë e ngjasonte me një pemë të helmuar, e cila nga jashtë mund të jetë joshëse me bukurinë e saj por nga e cila posa të hanë shpezët, ngordhin. Çifutët nuk ndanin mendime të mira për gruan. Të përmuajshmet e saj i merrnin shkas për ta izoluar. Të thirrur në atë që u thirrën më vonë edhe të krishterët, pra në fajësinë e Havvasë që Ademi [alejhimaselam] ngrëni nga pema e ndaluar, e mallkojnë. Kështu, Islami u shpall ndërsa qëndrimet për femrën ishin këto. Sigurisht, i luftoi. Solli koncepte, absolutisht të ndryshme nga konceptet me ngjyrë “dije” dhe “fetare”, dhe, siç konstatojnë edhe jomyslimanë, p.sh. orientalisti francez Gustav Lubon, jo vetëm që e ka ndalë dhunën, por ka qenë edhe model i respektimit të femrës. Islami shpalli se: Me të vërtetë, gratë janë motra të burrave.” ([1])
Pozita e femrës edhe në kohën bashkëkohore vazhdon të jetë për shqetësim. Dhuna ndaj gruas, me gjithë ndryshimet e mëdha të bëra në emër të të drejtave të saj, nuk është ndalur. Ajo edhe sot e kësaj dite vazhdon të keqtrajtohet. Shikuar nga perspektiva e trupit të saj, ajo ka pozitën e femrës në kohën e grekëve të vjetër, ku shitej dhe blihej në treg. Edhe pse  me këtë më shumë synojmë industrinë kinematografike që ka të bëjë me trupin e saj, megjithëkëtë, imazhet e shoqërisë së grekëve të vjetër vazhdojnë së ekzistuari ose kanë ekzistuar deri vonë. Muhammed Reshid Rida përmend në librin e tij ‘ Të drejtat e gruas në Islam’ (Hukuk en-nisa fi-l-Islam)([2]), se në shekullin e kaluar (XX), në disa zona rurale të Anglisë, gruaja shitej në treg.
Keqtrajtimi i femrës nuk është vetëm në këtë aspekt. Ajo nuk keqtrajtohet vetëm si grua, por edhe si vajzë dhe nënë. Jo rrallë shohim dhunën shumëdimensionale që ushtrohet ndaj vajzave, madje nga vet prindërit. Kjo dhunë fillon nga detyrimi për të ushtruar profesione të ndryshme e deri tek dhunimi seksual i tyre. Ndërsa për femrën si nënë, dhuna nuk ka vetëm dimensionin fizik, por edhe shpirtëror. Gratë e moshuara përjetojnë dhunë shpirtërore. Ato janë të braktisura. Shumicën e tyre vdekja i gjen të vetmuara ndërsa lajmi për vdekjen mësohet nga kundërmimi i erës së trupit që ka filluar të prishet.
Kësisoj, nevoja për të folur për dhunën ndaj femrës, vazhdon të jetë e madhe. Kjo, krahas gjendjes që mbretëron, edhe për shkak të teorive dhe qasjeve, shpesh joproduktive, për luftimin e dhunës.
Në këtë punim do të prezantojmë metodologjinë islame në luftimin e dhunës ndaj femrës dhe avancimin e pozitës së saj në shoqëri. Është metodologji që duhet të jetë model dhe për të këtillë edhe po e ofrojmë. Ajo përbëhet nga tri etapa, të cilat paraqesin formën se si duhet trajtuar problemi. Është një metodologji e përgjithshme, e cila aplikohet dhe në raste tjera.([3])
I. PREVENTIVA 
I.1. PËRMIRËSIMI I BOTËKUPTIMEVE PËR FEMRËN
Femra nuk është ajo krijesa e pashpirtë. Nuk është e ndyta dhe as fajtorja. Ajo është krijesë, e ngjashme me burrin, e krijuar prej llojit të tij, që ta plotësojë atë. Allahu kështu na thotë në Kur’an: "All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj...“ (en-Nahl, 72); "Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë)...“ (err-Rrum, 21): "…Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte...“ (esh-Shura, 11)
Gruaja nuk është burimi i të këqijave. Nuk është adresa e fajit. Në të vërtetë, ajo është adresa e lumturisë. Në ajetin 21 nga kaptina err-Rrum, qëndron: "Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.“
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], siç transmeton Imam Muslimi, ka thënë: Dynjaja është e tëra plaçkë ndërsa plaçka më e mirë e saj është gruaja e ndershme.”
Nga këtu, Kur’ani është përkujdesur që shpifjen “fetare” ndaj Havvasë për kinse fajtore të vetme, ta mohojë. Në kaptinën el-A’rafë, në ajetin 23, shpjegohet se që të dy, Ademi dhe Havvaja [alejhimaselam], kërkuan falje. "Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!
I.2. GJINIA, JO PËRCAKTUESE
Njerëzit janë të ndarë në gjini dhe kanë të ndarë edhe rolet në bazë të gjinisë, por kjo e fundit kurrë nuk është përcaktuese dhe kriter vlerësimi. Pra, mashkulli vetëm pse është mashkull nuk mund të jetë më i mirë se femra. Në Kur’an, ne gjejmë se ata, meshkujt dhe femrat, kanë merita të njëjta për punë shumë madhore dhe se asnjëra palë nuk privohet nga shpërblimi për shkak të këtij elementi. Allahu na tregon se njerëzimi nuk janë vetëm nga Ademi, pro edhe nga havaja, dhe për këtë duhet t’i jenë mirënjohëse femrës. " O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra...“ (en-Nisa, 1): "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre...“ (el-Huxhurat, 13)
Madje, këtë mirënjohje, për shkak të barrës së femrës, e sheh edhe më të madhe ndaj saj sesa ndaj mashkullit. Kur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] u pyet nga një besimtar për njeriun që meritonte më së shumti respektin e tij, iu përgjigj: Nëna jote! E pyeti për tri herë me radhë ndërsa ai vazhdimisht i përgjigjej: “Nëna jote!” vetëm në herën  katër iu përgjigj: “Babai yt!” ([4])
Në Kur’an, po kështu, është shpjeguar se gjinia nuk ka asnjë rëndësi në pranimin apo jo të veprës. " Zoti i tyre iu përgjegj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër...“ (Ali Imran, 195); "Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.“ (en-Nahl, 97)
Gjinia nuk është pengesë as për të qenit model për njëri tjetrin. Jo vetëm meshkujt janë heronj. Në Kur’an, femra është marrë model madje për gjëra shumë madhore dhe për sakrifica shumë sublime. Allahu përmend rastin e gruas së Faraonit, të cilën e sjell shembull për besimtarët, meshkuj e femra.
 
E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!"“ (et-Tahrim, 11)
I.3. PËRZGJEHDJEN E BASHKËSHORTIT
Prej hapave parandalues që ka ndërmarrë Islami është edhe zgjedhja e bashkëshortit jo të dhunshëm. Një myslimane, Fatime bint Kajs, siç transmeton Imam Muslimi, kishte kërkuar këshillë nga Profeti Muhammed [alejhis salatu ves selam] se si të vepronte ose cilin të zgjidhte nga dy burrat që kërkonin dorën e saj. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] nuk ia preferoi asnjërin. Për të parin, Ebu Xhehmin, ishte i vrazhdë dhe nuk e heq shkopin nga dora (e rrah gruan), ndërsa tjetri, Muaviu, është i varfër. Ia propozoi një emër tjetër, Usamen [Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!]. 
II. PËRMIRËSIMI
II.1. LIGJËSIMI I TË DREJTAVE TË TYRE
Islami ndërmori një hap të rëndësishëm për të avancuar me pozitën e femrës. Ligjësoi të drejtat e saj, prej të cilave qe privuar më parë. E drejta e jetës, para së gjithash, u garantua. Arabët, njerëzit tek të cilët u shfaq Islami, vrisnin foshnjat femra. Kështu, Islami garantoi të drejtën e jetës. Garantoi dhe të drejtën e trashëgimisë dhe pronësisë. Mbi të gjitha, u garantua nderi dhe morali i saj. Ajo nuk mund të nëpërkëmbej, të trajtohej si objekt i dëfrimit seksual, të çnjerëzohej. Për të treguar se sa seriozisht merret puna e grave në islam, jo vetëm që u shpjeguar në shumë kaptina, por, Allahu zgjodhi që edhe një nga kaptinat e Kur’anit të mbajë emrin e grave, kaptina en-Nisa.
II.2. THIRRJA PËR TË KALUAR JETË TË MIRË ME TO
Jeta bashkëshortore është jetë e cila, sikur që u përmend në ajetin 21 nga kaptina err-Rrum, ndërtohet mbi dashurinë dhe respektin ndërmjet bashkëshortëve. Pa këtë element ajo është e vështirë. Allahu ka thënë: "Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.“ (en-Nisa, 19)
Nga ajeti po kuptohet se bashkëshortët duhet të hulumtojnë tek njëri tjetri ‘të bardhat’, të mirat, gjërat që mund t’i mbajnë bashkë dhe të respektueshëm për njëri tjetrin. Këtë na e shpjegon hollësisht i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] kur thotë: "Myslimani nuk ndodhë ta urrejë myslimanen; nëse nuk i pëlqen një moral, i pëlqen morali tjetër i saj.” (hadithin e transmeton Imam Muslimi.)
 
III. EDUKIMI
III.1. NXITJA ME SHPËRBLIME
Islami ka luftuar dhunën edhe duke nxitur me shpërblime ata që realizojnë drejtësi dhe respekt për gruan. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka treguar se virtytet e burrërisë arrihen më së miri duke respektuar gruan([5]) ndërsa për përkujdesjen dhe edukimin e vajzave ka paraparë Xhennetin si shpërblim. Në një hadith, të cilin e transmeton Imam Muslimi nga sahabiu i nderuar, Enes ibn Malik [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: Kush përkujdeset për dy vajza (për ekonominë dhe edukimin e tyre), do të vjen në Ditën e Kiametit ndërsa unë me të do të jemi kështu –bashkoi gishtërinjtë.
III.2. KËRCËNIMI ME NDËSHKIME
Por, në rast të keqtrajtimit, atëherë nuk mund t’i shpëtohet –të paktën-llogarisë para Allahut.
Përfundim
Metodologjia islame është më efektivja, për faktin se ka bërë bashkë dy elemente: elementin material, në kuptim të ligjeve të aprovuara për trajtimin e duhur të femrës, elementin shpirtëror dhe edukativ, në kuptim të zhdukjes së botëkuptimeve të gabuara, në nxitjen e respektit me shpërblime, në luftimin e dhunës me kërcënim me ndëshkime, duke imponuar veten kështu si metodologjia më e suksesshme. Kjo, padyshim, se është dhe një thirrje për aplikim të kësaj metodologjie nëse veç duam ta luftojmë dhunën ndaj femrës.  

(KY PUNIM ËSHTË PUBLIKUAR NË REVISTËN DITURIA ISLAME, NR. 282 ME SHKURTESA)


[1] Hadithin e transmetojnë Imam Ahmedi dhe Ebu Davudi ndërsa Albani thotë se është autentik.

[2] F. 62.

[3] Këtë metodologji e përmend Dr. Abdul Melik Ahmadi në një artikull të botuar në revistën kuvajtiane ‘El-va’ju’, nr. 532, artikulli: “El-menhexh el-islamijj fi mualexheti el-ihtilalat et-terbevijjeh.” Shih faqen zyrtare të revistështtp://alwaei.com

[4] Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[5] Fjala është për hadithin të cilin e transmeton Tirmidhiu në Sunen ndërsa Albani e vlerëson për autentik: “ Më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij...”


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013