Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ja ne veç arritëm në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, arritëm në etapën e tretë dhe të fundit të begative të këtij muajit të madhërishëm, arritëm në ato ditë, vlera e të cilave është mbi çdo vlere, madhështia e të cilave tejkalon çdo madhështi, arritëm tek momentet ku dhuntitë dhe mirësitë e Allahut të Madhëruar, falja dhe mëshira e Tij, janë në dispozicion për ne më shumë se kurrë…Mu për këtë,:
” كان رسول الله صلى الله عليه وسلم يجتهد في العشر الأواخر ما لا يجتهد في غيره
Pejgamberi alejhi’s selam angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse në ditët tjera (por shtonte dhe përpiqej më shume)” .
Megjithatë, jo të gjithë këto ditë i perceptojnë kështu. Jo të gjithë duan mëshirën e Allahut të Madhëruar. Jo të gjithë janë të interesuar për faljen e mëkateve.
Të dashur muslimanë!
Mbase mund të keni formuar përshtypjen se me këto fjalë apostrofojë ata që nuk agjërojnë, gjë që pjesërisht mund të thuhet se edhe është, por Hutbeja jonë sot i dedikohet “elitës” më të veçantë të atyre që nuk agjërojnë, përshkrim i të cilëve, përveç mos agjërimit, është edhe shprehja publike e këtij krimi. Ata nuk mjaftojnë me anashkalim të qëllimshëm të agjërimit por edhe dalin haptazi nëpër rrugë me cigare në gojë apo edhe nëpër ambiente lokalesh me kafe në dore. Ata nuk kanë fare respekt për urdhrat e Zotit, përkundrazi, edhe në ditët më të mëdha, edhe në kohët më të vlefshme, avazin e vjetër prej mëkataresh serik dhe shkelës të parezervë të parimeve fetare, nuk e ndalin dot. Këtyre nuk mund t’iu gjej përshkrim më adekuat se sa hadithin e Muhammedit, alejhi’s selam:
“كُلُّ أَمَّتِى مُعَافًى إِلاَّ الْمُجَاهِرِينَ
Tërë ummeti im janë të falur përveç atyre që bëjnë mëkate haptazi…” .
E shihni, ata që shfaqin kryelartësi ndaj Allahut të Madhëruar duke mos përfillur urdhrat e Tij, ata janë të pa falur, madje edhe në këtë kohë kur çmimi i faljes së mëkateve në tregun e Allahut të Madhëruar të quajtur Ramazan ka rënë qind për qind. Dhe jo vetëm kaq! Ata me “derset” e tyre mundohen të fitojnë simpatizantë, mundohen të jenë të mëshirshëm ndaj tyre kinse për mos mundim të trupit me uri dhe etje për të ardhur kështu deri tek përhapja e së keqes edhe në mesin e besimtarëve, për të cilën gjë Allahu i Madhëruar ka paraparë dënim të madh. Thotë Allahu i Madhëruar:
“إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَنْ تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَاللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ
Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini” .
Nëse ky dënim qenka për ata që duan t’i përhapin të këqijat, atëherë çfarë ua merr mendja se është dënimi për ata që i përhapin ato?!
Bërja e mëkateve haptazi është edhe dëshmi e zhdukjes së turpit nga personaliteti i njeriut e që për pasoje ka shkatërrimin e tij. Kjo për faktin se turpi është moto dhe imazh i kësaj feje. Muhammedi, alejhi’s selam thotë:
“إِنَّ لِكُلِّ دِينٍ خُلُقًا ، وَخُلُقُ الإِسْلاَمِ الْحَيَاءُ
Çdo fe ka moral te caktuar kurse morali i kësaj feje është turpi” .
Xhematlinjë te nderuar!
Meqë Ramazani është muaji i mëshirës, muaji i faljes së mëkateve, muaji i pendimit, le të jenë këto dhjetë ditë si një ftesë hyjnore për të gjithë ata që kanë prishur agjërimin, qoftë edhe me ngrënie e pirje haptazi, për tu rikthyer tek Allahu i Madhëruar, për tu penduar për mëkatet që kanë bërë dhe për të mos lëshuar Natën e Kadrit pa përfituar mirësitë e saj. Allahu i Madhëruar ka ofruar këtë ofertë:
“قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعاً إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” .
Le të jete si moto e ndërgjegjësimit tonë fjala e njërit prej të parëve tanë, i cili tha:
قد أصبح بنا من نعم الله ما لا نحصيه مع كثرة ما نعصيه, فلا ندري أيهما نشكر!! أجميل ما ينشر؟ أم قبيح ما يستر؟
Aq shumë na janë dhuruar mirësi prej Allahut të Madhëruar me gjithë ato mëkate të shumta që bëjmë saqë nuk dimë se a ta falënderojmë për të mirën që na dhuron apo për të keqen që na e mbulon!
Allahu na e pranoftë agjërimin!
Allahu na bekoftë për Natën e Kadrit!
Allahu na dhuroftë gëzimin në Ditën e Bajramit dhe në ditën kur do ta tajme Atë!
Sedat ISLAMI
Vushtrri, Kosovë