Sa shpejt nxitoi Artan Haraqija për të konstatuar nga fjalët e Churkinit se radikalët e Kosovës, jo vetëm që janë rrezik, porse ata tash po i japin material edhe Rusisë dhe Serbisë për atë që ai po thotë se nuk e kanë patur si argument deri më tash. Ishte një shkoqitje blic dhe e pamenduar mirë. Ishte, thjeshtë një huqje e Artanit, sikur huq edhe herëve tjera. Ishte kjo shkëputja djallëzore e teksteve nga ligjërata, prononcime, deklarata, ku, nga ajo që është folur më së paku, nxirret titulli më monstruoz. Sikur në Kombet e Bashkuara nuk paskësh patur bisedë tjetër veç radikalistëve shqiptarë muslimanë në Siri. Të them të vërtetën, nuk më shtyri të reagoj çështja e pjesëmarrësve në Siri, ngase është debatuar shumë, madje tash edhe ka një ligj përkatës, por ajo se si Artani e përshkroi –argument për rusët dhe serbët.
Athua vallë nga e dëgjoi Churkini këtë?
Kush ia tregoi?
A është aq problematike kjo çështje saqë të alarmohet dhe OKB-ja ndërsa Churkini të shfaqë frikën për të ardhmen e rajonit për shkak të tyre?
Unë kam bindjen se atyre ua keni rikujtuar ju, po, ua keni rikujtuar ngase edhe më parë serbët na kanë akuzuar për ekstremistë e radikalistë. Akuzat tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm se një përputhje mendimesh e idesh me serbët. Nuk po përgjithësoj të gjithë gazetarët por disa këtë urrejtje ndaj Islamit po e shfaqni edhe për shkaqe fetare/ideologjike. Ne jemi kundër politizimit të fesë. Jemi edhe kundër fshehjes së problemeve të vërteta. Në Ballkan problem është radikalizmi etnik, jo ai fetar. Në Ballkan problem është krimi i organizuar i orkestruar dhe sponzoruar nga pushtetet. Në Ballkan sfidë mbeten hasmëritë, inatet, provokimet ndërmjet etnive të ndryshme. Kështu, të dilet nga kjo vorbull e thellë problemesh dhe të vajtohet veç për radikalizmin islam nuk është tjetër vetëm se, siç ke potencuar, argument për rusët dhe serbët, por nga ju, Artan.