Kam filluar të dyshoj se tërë ata që flasin për kombin janë hipokritë. Le të më falin ata që nga titulli dhe kjo fjali mund të më paragjykojnë. Nuk jam duke folur për ose kundër kombit por kundër atyre që kombin po e marrin mbulesë të turpeve dhe dështimeve të tyre. Në këtë drejtim, kombin e kanë shenjtëruar: ai (“dashuria, sakrifica” për të) iu shërben për shfajësim nga turpet, ndërsa në anën tjetër, e kanë rrjepur, aq sa, kam dyshimin, se nëse zgjat jeta e tyre, kombi do të vdes. Ata janë varrmihësit e tij. Ata kombin e kanë vetëm në gjuhë. E kanë për shantazhime. Ata janë në gjendje të djegin në emër të kombit por jo për kombin. E bëjnë për hesapet dhe llogaritë e tyre. Kombin e kanë karrem ngase tek shqiptarët e përvuajtur për shekuj toka ka rëndësi të madhe. E kanë gjetur këtë pikë të dobët të tyre dhe ja tash iu shfaqen në emër të tij. Mjafton ta përmendë kombin në ndonjë fjalim dhe ta shpallë veten si kinse i dëshmuar për të mirën e këtij vendi. Ore qyqarë, ore mjeranë, po ju jeni ata që e keni rraskapitur këtë komb. Ju jeni ata që tash edhe kur po i jepet mundësia të flet vet, po ia mbyllni gojën. Zërin e tij po e transmetoni të devijuar dhe të pakuptueshëm. Shkaku i “kombit” tuaj kombi po vuan. Po ia deshët kombit të mirën, lëreni të lirë.
Kombin ta lënë të lirë do t’i bëja thirrje edhe disa hoxhallarëve, që po e përdorin si karrem po kështu. Kombi ka vendin e vet, sikur që ka dhe feja. Nuk mund të dëshmohesh për të mirë, për më popullor, për më të afërt me xhematin nëse thua se je kombëtar. Feja dhe kombi fetarisht janë çështje e mbyllur ndërsa hapja bëhet vetëm për qëllime të caktuara individuale ose grupore. Le të dëshmohet puna jonë. Le të binden të tjerët nga veprat tona. Le të flasin këto të fundit për ne.