Pasuria, kjo gjëja që aq shumë e do njeriu, mund të deponohet edhe në botën tjetër. Për shkak të natyrës krejtësisht tjetër të botës tjetër, atëherë dhe koncepti për deponimin e saj atje është i ndryshëm nga ky në këtë botë. Nëse këtu depononim nënkupton ruajtjen e pasurisë dhe mos shpenzimin e saj, atëherë në botën tjetër është pikërisht e kundërta. Deponimi i pasurisë bëhet duke e shpenzuar atë në gjërat që krijuesi kërkon prej nesh. Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] kësisoj ia interpretoi deponimin e pasurisë në botën tjetër Aishes.
Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të!], siç transmeton Tirmidhiu në Sunen, rrëfen se kishin therur një dele ndërsa Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] pasi që kishte urdhëruar të shpërndahej lëmoshë për hire të Allahut, e kishte pyetur Aishen:
“Cfarë ka mbetur prej saj? Asgjë, me përjashtim të një krahu – iu përgjigj Aisheja. Paska mbetur e tëra, me përjashtim të atij krahu – ia ktheu ai.” (Albani thotë se hadithi është sahih – autentik.)
Abdullah in Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], siç shënon Buhariu [Allahu e mëshiroftë!] në Sahihun e tij, transmeton se Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ka thënë:
“Cili prej jush e ka më të dashur pasurinë e trashëgimtarit të vet se sa pasurinë personale? O i Dërguari i Allahut, nuk ka njeri që të mos e dojë pasurinë e vet më shumë – iu përgjigjën. Atëherë, pasuria e tij është ajo që e jep ndërsa pasuria e trashëgimtarit është pasuria që e lë -tha.”
Por, deponimi mund të bëhet dhe në një formë tjetër, vetëm se kësaj radhe, për shkak të konfliktit të koncepteve, mund të jetë me pasoja të rënda. Në rast se pasuria, për shkak të koprracisë, nuk jepet për Allahun e Madhëruar, atëherë ajo ruhet por për ta ndëshkuar njeriun. Ja çfarë thotë Allahu i Madhëruar:
O ju që besuat, vërtet një shumicë e parisë fetare e jehudive dhe e të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e All-llahut. Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroi për një dënim të dhembshëm. 35. Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e xhehennemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e depozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!“ (et-Teube, 34-35)
Buhariu dhe Muslimi [Allahu i mëshiroftë!] transmetojnë nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ka thënë:
“ Kujt i jep Allahu pasuri dhe nuk e jep zekatin e saj, do t’i shndërrohet në Ditën e Gjykimit në një gjarpër tullac, me dy pika të zeza mbi sy, i cili do ta shtrëngojë rreth qafës, pastaj do ta kap për fulqinj dhe do t’i thotë: Unë jam kapitali yt! Unë jam pasuria jote! Pastaj –thotë transmetuesi: Pejgamberi sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] -lexoi këtë ajet: ”Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë më atë që veproni.” (Ali Imran, 180).“