Buhariu dhe Muslimi transmetojnë në Sahihët e tyre nga Ebu Musa el-Esh’ariu, se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikur shembulli i qitros, e cila ka aromë të këndshme dhe shije të mirë, ndërsa shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i hurmës, e cila nuk ka aromë të këndshme po ka shije të ëmbël. Kurse shembulli i hipokritit, i cili e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i borzilokut, që ka aromë të këndshme po shije të hidhur, kurse shembulli i hipokritit që nuk e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë po dhe shijen e ka të hidhur”.
1. Besimtari sikur qitroja
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë në Sahihët e tyre nga Ebu Musa el-Esh’ariu, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin, është sikur shembulli i qitros, e cila ka aromë të këndshme dhe shije të mirë, ndërsa shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i hurmës, e cila nuk ka aromë të këndshme po ka shije të ëmbël. Kurse shembulli i hipokritit, i cili e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i borzilokut, që ka aromë të këndshme po shije të hidhur, kurse shembulli i hipokritit që nuk e lexon Kur’anin, është sikur shembulli i kungullit të egër, që nuk ka aromë po dhe shijen e ka të hidhur”. Hadithin e transmetojnë edhe autorët e Suneneve (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxheh), ku, përveç sahabiut të nderuar Ebu Musa el-Esh’ariu, transmetues është edhe Enes ibni Maliku. Në versionet e tjera, duke përfshirë këtu edhe versione të Buhariut, ka disa dallime në shprehje(1), ndonjëherë ka ndryshim të rendit të fjalëve: diku janë vënë para e diku mbrapa(2), sikurse ka dhe shtesa të tjera(3), që nuk janë të përmendura fare në versionet e tjera.
Klasifikimi profetik i njerëzve në raport me adhurimin
Në këtë hadith, ne vërejmë se si Muhamedi a.s. bën një kategorizim të njerëzve në lidhje me adhurimin, respektivisht me leximin e Kur’anit, si një prej formave të shumta të adhurimit. Fjala është për dy kategori me dy nënkategori të tjera: Besimtari dhe Hipokriti. Besimtari, pastaj ka dhe këtë nënndarje: Besimtari që rregullisht praktikon këtë adhurim, dhe besimtari që e praktikon këtë adhurim më pak. Ndërkaq në rastin e hipokritit, nënndarja është: Hipokriti që adhuron, dhe hipokriti që nuk adhuron. Është me rëndësi të kuptohet se klasifikime të këtilla na bie shpesh të shohim në hadithet e Muhamedit a.s..
P.sh. Tirmidhiu transmeton në Sunenin e tij se Muhamedi a.s. ka thënë: “Vërtet, raporti i njerëzve me dynjanë është sikur raporti i këtyre katër vetave:
1) Një robi, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe dije e ai ia ka frikën Zotit të vet, mban lidhjet familjare si dhe ia njeh të drejtën Zotit për pasurinë. Ky është në pozitën më të mirë;
2) robit, të cilit Allahu i ka dhënë dije po nuk i ka dhënë pasuri. Ai ka qëllim të sinqertë. Thotë: Sikur të kisha pasuri, do të veproja sikur filani. Ai vlerësohet sipas nijetit – qëllimit dhe shpërblimin e kanë të njëjtë;
3) robit, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri po nuk i ka dhënë dije. Ai vepron me të pa dije, nuk ia ka frikën Zotit të vet, nuk mban lidhjet familjare si dhe nuk njeh të drejtën e Allahut për të. Ky është në pozitën më të keqe.
4) robit, të cilit Allahu i Madhëruar nuk i ka dhënë as pasuri dhe as dije, po thotë që, po të kisha pasuri, do të veproja sikur filani.(4)
Esenca e klasifikimit të besimtarëve
Ndarja e besimtarëve nuk është për të dalluar të mirin nga i keqi, po më të mirin nga të mirët. Ai që e lexon Kur’anin, i ngjan qitros, e cila ka shijen e mirë dhe aromën e këndshme, kurse ai që nuk e lexon Kur’anin vazhdimisht, është sikur hurma, e cila, ndonëse nuk ka aromë, megjithatë shijen e ka të ëmbël dhe është e dobishme për shëndetin. Besimtari nuk mund të konsiderohet si i dëmshëm në asnjë rast. Ai mund të jetë i mirë dhe shumë i mirë, i dobishëm dhe shumë i dobishëm. Kështu e përshkruan Pejgamberi besimtarin në disa raste.
Pejgamberi ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, por në të dy ka të mira (që të dy janë të mirë)...”.(Muslimi)
Këtë e hasim edhe në një hadith tjetër. Fjala është për hadithin ku përshkruhen qëndrimet e njerëzve në raport me pranimin/refuzimin e fesë.
Muhamedi ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe diturisë, me të cilat më ka dërguar Allahu, është sikur shembulli i shiut, i cili ka rënë në tokë e një pjesë e saj, që ishte e pastër, e thithi atë dhe e gjelbëroi e mbiu shumë bar. Një pjesë
tjetër ishte e thatë, e mbajti ujin, kështu që Allahu me të u bëri dobi njerëzve: pinë ujë për vete, ujitën dhe mbollën. Ndërsa një pjesë tjetër ishte greminë, nuk e mbajti ujin po as nuk mbiu bar në të... “.(Buhariu dhe Muslimi)
Pra, nënndarja në raport me besimtarin nuk kupton asnjëherë dallimin në baza të së mirës dhe së keqes, po vetëm të superioritetit në të mirën.
Përse ngjasimi me këto pemë?
Marrja e shembujve është pjesë e metodologjisë profetike në kumtimin e fesë. Qëllimi është që njerëzve t’u përafrohen kuptimet e fesë nëpërmjet shembujve me gjërat që i kanë të njohura. Për të treguar madhështinë e besimtarit të devotshëm, Pejgamberi sjell shembull qitron.
Dijetarët kanë hulumtuar përse Pejgamberi mori shembull pikërisht këtë pemë? Ata kanë vënë re ngjashmërinë ndërmjet besimtarit, në sinqeritet, sjellje dhe edukatë, me këtë pemë, për shijen dhe pamjen. Më konkretisht, kanë thënë se qitroja ka këto cilësi:
1) Është pema me e dashur dhe më e shtrenjtë për arabët,
2) Sjell dobi të shumta,
3) Ka veçori dhe karakteristika që nuk i kanë, pemët tjera si: shije të mirë, aromë të këndshme, pamje të bukur (ngjyrë tërheqëse), e butë për ta prekur, në raport me të bashkëveprojnë katër shqisa: të parit, shija, nuhatja dhe prekja.
Një portret i besimit – imanit
Në këtë hadith flitet shumë për brendësinë shpirtërore si gjëja më e rëndësishme. Veprat, sikurse nuk mund ta shtrembërojnë imazhin e besimtarit,që lexon më pak Kur’an, e zemra e tij është e pastër, po kështu nuk mund lartësojnë hipokritin, pikërisht për shkak të zemrës, apo prishjes së saj. Ky hadith, në njëfarë forme, sjell edhe konceptin islam për besimin. Besimi i ka
rrënjët në zemër, shprehet me gojë e demonstrohet me gjymtyrë.
Sinqeriteti si kusht i pranimit të veprës
Hadithi flet për pastërtinë shpirtërore të besimtarit. Ai adhuron Allahun duke synuar kënaqësinë e Tij. Ibni Haxheri citon Ibni Bettalin të ketë thënë: “Domethënia e këtij kreu është se leximi i vepër prishurit dhe mynafikut nuk ngrihet tek Allahu dhe nuk shumëfishohet shpërblimi, për shkak se kjo vlen vetëm për ata që lexojnë dhe synim kanë kënaqësinë e Allahut dhe afrimin tek Ai.
Sinqeritet dhe shumëfishimi i shpërblimit
Sinqeriteti është shkak për shumëfishim të veprave. Në vija të trasha, këtë mund ta kuptojmë nga hadithi i katër personave dhe shembulli i tyre në raport me dynjanë, ndërsa në kontekst të temës, fjala është për shumëfishimin e leximit. Pejgamberi ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, do të shpërblehet për të me dhjetë të mira. Nuk po them se elif-lam-mim është një germë, por elif germë, lam germë dhe mim germë”.(5)
Prestigji i besimtarit
Besimtari është i mirë. Të mirë e bëjnë veprat dhe edukata e tij. Qëllimi me këtë hadith është shpjegimi i vlerës së besimtarit dhe veprave të tij. Besimi i tij dhe lidhja me Kur’anin e ruajnë atë jo vetëm nga devijimi, po dhe nga djalli. Qitroja është nga pemët që, nëse është në shtëpinë e besimtarit, atëherë djalli nuk hyn në të. Kështu, kush e lexon Kur’anin, është i mbrojtur nga djalli. Vetë djalli ka shprehur dobësinë e tij para besimtarëve. Këtë na e rrëfen Allahu i Madhëruar në Kur’an: (Shih:El Hixhr, 39-40)
Raporti i besimtarëve me Kur’anin
Leximi fjalë për fjalë i hadithit mund të krijojë përshtypjen se leximi i Kur’anit qenka vetëm vepër e mirë dhe jo qenësore, për shkak se edhe besimtari që nuk lexuaka Kur’an, qenka i mirë. Ky është kuptim i gabuar i hadithit. Në radhë të parë, dallimi ndërmjet besimtarëve është në kuptim të asaj që shpjeguam më parë: i mirë dhe më i mirë, pastaj nuk është thënë tekstualisht fjalë për fjalë ajo që synohet. Dallimi ndërmjet besimtarëve është vetëm në kuptim të asaj që njëri e ka bërë shprehi leximin e Kur’anit, jeton me të, është shumë i lidhur me të, kurse tjetri e lexon më pak po gjithsesi jeton dhe vepron sipas tij. Duke u bazuar në këtë domethënie të hadithit, Imam Neveviu ka nxjerrë – përfituar një mësim për vlerën e atij që e mëson përmendsh Kur’anin. Po, sikur dihet, braktisja e Kur’anit nuk është tipar i besimtarit. Kur kanë folur për format e braktisjes së Kur’anit, dijetarët kanë përmendur edhe mosleximin e tij si formë. Ibnul Kajimi numëron pesë forma të braktisjes së Kur’anit:
1) Braktisja e dëgjimit, besimit dhe përkushtimit ndaj tij.
2) Braktisja e veprimit sipas tij.
3) Braktisja e gjykimit sipas tij
4) Braktisja e meditimit të tij.
5) Braktisja e shërimit shpirtëror me të.
Ndikimi i Kur’anit në jetën e besimtarit Kur’ani ka një ndikim tejet të madh në jetën e besimtarit. Është ai që i sjell lumturinë. E shihni, Kur’ani e ka bërë besimtarin të rrezojë mirësi. Kjo është ajo qetësia shpirtërore që duam. Me këtë na bëhet e qartë se asgjë tjetër përveç fesë nuk mund ta mbushë zemrën me kënaqësi. Allahu i Madhëruar ka thënë: (Shih:Err-Rra’d, 28). Kur’ani është udhërrëfyesi më i mirë. Ai tregon më së miri atë që duhet bërë dhe atë që nuk duhet bërë. Për këtë shkak, Kur’ani ishte trupëzuar në karakterin e Muhamedit. Për këtë shkak, Aisheja thoshte për të: “Morali i tij ishte Kur’ani”!
Të mos të mashtrojë pamja
Paragjykimi i njerëzve është gabim. Se kjo nuk vlen, Pejgamberi na sjell këtu shembull hurmën, pamja e së cilës mund të mos duket impresionuese nga jashtë, po brendësinë e ka të ëmbël. I këtillë është edhe besimtari ndonjëherë. Mund ta paragjykosh nga jashtë, por në brendësi mund të jetë shumë i madh dhe shumë me vlerë.
Fundi i keq i hipokrizisë
Hadithi bën një ngjasim interesant në mes besimtarëve dhe hipokritëve. Besimtarët i përshkruan/krahason me pemë, që janë të qëndrueshme dhe të larta, kurse hipokritët me perime, që janë të shtrira përtokë dhe që kanë qëndrueshmëri më të shkurtër. I përshkruan si njerëz formalistë, të cilët mund të duken nga jashtë si të lumtur, po realisht nuk e shijojnë lumturinë. Zemrat e tyre nuk përjetojnë asgjë të mirë. Ata janë të dërrmuar. Zemrat e atyre, në të cilat nuk ka depërtuar Kur’ani, janë sikur gërmadha. Allahu i Madhëruar ka kërcënuar se zemrat e tilla do të përjetojnë vetëm dëshpërimin. Thotë Allahu: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër”. (Taha, 124)
________________
1) Në versionin tjetër të Buhariut në vend të ‘hipokritit’ (ar. el-munafik) qëndron‘vepërprishuri’ (ar. el-faxhir)
2) Në versionin tjetër të Buhariut,përfundimi i hadithit bëhet: ‘ka shije të hidhur e aromë nuk ka fare.’
3)Sikurse qëndron në Sunenin e Ebu Davudit nga transmetimi i sahabiut të nderuar, Enesit, ku është përmendur edhe shembulli i shokut të mirë.
4)Albani thotë se hadithi është autentik.
5)Albani thotë se është autentik.