Të nderuar vëllezër besimtarë!
Jemi dëshmitarë të rritjes gjithnjë e më të madhe të dukurisë së vrasjes në shoqërinë tonë. E vërtetë, vrasja, si dukuri, për çdo shoqëri është shqetësuese, por, për ne dhe rrethanat tona, ajo është gjithsesi më shqetësuese. Kjo, për faktin se ne, me shumicë absolute jemi myslimanë, ndërsa Islami është feja më rigoroze përkitazi me vrasjen, si dhe jemi një shoqëri e sapo dalë nga lufta, e cila për të fituar respektin, duhet të dëshmojë sundim ligji. Fatkeqësisht, kjo e fundit mungon më së shumti. Kjo ka bërë që në epokën e informacionit, Kosova të shënojë regres duke rikthyer ligjin e xhunglës në skenë. Protesta e familjes Kelmendi në Pejë me kufomën e birit të tyre të vrarë para organeve të rendit është vetëm një nga imazhet e kësaj tabloje ogurzezë për shoqërinë. Siguria, si kërkesë fetare, por edhe si kërkesë integrimi, nuk ekziston.
Duke qenë se si dukuri ka marrë përmasa vërtetë shqetësuese, atëherë të gjithë jemi të thirrur ta luftojmë atë. Të gjithë në një apo formë tjetër, duhet të kontribuojmë që vrasjet të mos jenë njollë e shoqërisë sonë. Këtë duhet ta bëjmë veçanërisht ne muslimanët, pasi që feja jonë ndalon rreptësishtë nga vrasja. Hutbeja e sodit i kushtohet ekskluzivisht trajtimit islam për dukurinë e vrasjes.
Vrasja, krimi i parë në tokë
Krimi i parë që ka shënuar historia e njeriut në tokë është vrasja. Në Kur’an, në kaptinën El-Maide, ajetet 27-31, Allahu na ka rrëfyer rastin e bijve të Ademit [alejhiselam], me të cilët edhe fillon historia e këtij krimi monstruoz në mesin e njerëzimit. Duke qenë se është mëkati i parë i bërë në tokë, atëherë është edhe mëkati i parë që llogaritet në Ditën e Kiametit. Ka thënë Profeti Muhammed [alejhis salatu ves selam]: “Gjëja e parë që gjykohet ndërmjet njerëzve është në gjaqe.”[1]
Rreziku dhe pasojat e këtij krimi
Se përse vrasja do të jetë gjëja e parë që gjykohet, do të mundohemi ta kuptojmë nëpërmjet shpalosjes së disa rreziqeve të saja për kryesin e saj, autorin.
1) Ndër mëkatet më të mëdha
Jeta është dhurata më e çmuar pas besimit që i është dhënë njeriut. Ajo është ekskluzive. Atë e dhuron vetëm krijuesin dhe vetëm Ai e ka të drejtën e marrjes së saj. Kështu, çdokush që tenton ta vret dikë ose veç e vret, le ta di se ai krahas atij krimi makabër, ka sfiduar edhe pushtetin e të Gjithëfuqishmit. Nga këtu, vrasja llogaritet ndër mëkatet më të mëdha. Thotë Allahu: “Thuaj: "Ejani t'ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë.” (El-En’amë: 151)
Ndërsa Profeti Muhammed [alejhis salatu ves selam] duke folur për shtatë mëkatet më të mëdha, përmend edhe vrasjen në mesin e tyre, gjegjësisht si mëkatin e tretë më të madh.[2]
2) Pesha e krimit të vrasjes
Se çfarë mëkati është vrasja do të mundohem ta zbërthej në tri imazhe kur’anore dhe profetike të sjella enkas për të:
- As shkatërrimi i Qabesë nuk është mëkat më i madh. Abdullah Ibni Omeri [radijAllahu anhuma] rrëfen ta ketë parë Profetin Muhammed [alejhis salatu ves selam] duke bërë tavafin (rrotullimin) rreth Qabesë dhe duke thënë: “Sa e bukur që je! Sa aromë të këndshme që ke! Sa madhështore që je dhe sa madhështore është shenjtëria jote! Por, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, shenjtëria e besimtarit është më e madhe se shenjtëria jote tek Allahu...”[3]
- Sikur të ketë mbytur tërë njerëzimin. Ka thënë Allahu i madhëruar: “…se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit…“ (El-Maide, 32)
- Sikur të ketë shkatërruar tërë dynjanë. Ka thënë profeti Muhammed [alejhis salatu ves selam]: “Tek Allahu shkatërrimi i dynjasë është më i lehtë (krim më i vogël) se sa vrasja pa të drejtë e besimtarit.”[4]
Pendimi, gati i pamundur për vrasësin
Se çfarë mëkati i madh është vrasja mund të mësojmë edhe nga një mori tekstesh fetare, të cilat, sipërfaqësisht, flasin për mohimin e mundësisë së vrasësit për tu penduar. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është Xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.“ (En-Nisa: 93)
Në ajet ndëshkimi për vrasësin është degëzuar në këto katër gjëra:
- Dënimi me futje në Xhehennem
- Me qëndrim të përhershëm në Xhehennem
- Hidhërimi i Allahut ndaj vrasësit
- Mallkimi i Allahut ndaj vrasësit.
Këto katër gjëra pothuajse nuk janë bërë bashkë për asnjë mëkat, andaj edhe kjo ka bërë që disa dijetarët të kenë mëdyshje për mundësinë e pendimit të vrasësit.
Ibni Omeri [radijAllahu anhuma] transmeton se Profeti Muhammed [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Besimtari do të vazhdojë së qëndruari në fenë e tij lirshëm derisa nuk derdh gjak të ndaluar.”[5]
Si ta luftojmë dukurinë e vrasjes?
Në ndarje nga kjo hutbe, do të doja tua përkujtoj se forma më e mirë e luftimit të kësaj dukurie është rikthimi tek vlerat fetare. Një besimtar i devotshëm nuk vret. Në mesin e tipareve më të theksuara dhe më të çmuara të besimtarëve të sinqertë, ose ‘robërve të të Mëshirshmit’ –siç janë quajtur në Kur’an, është edhe largimi nga vrasja. Thotë Allahu i Madhëruar: “Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin.“ (El-Furkan: 68)
Pra, le të angazhohemi që feja të luan rolin e vet në këtë shoqëri, ndryshe, pasojat e kësaj dhe dukurive tjera që po kundërmojnë, do të na përfshijnë dhe neve.
[1] Hadithin e transmeton Buhariu.
[2] Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] Hadithin e transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e vlerëson ‘sahih li gajrihi.’
[4] Hadithin e transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e vlerëson autentik.
[5] Hadithin e transmeton Buhariu.