Islami është feja të cilën Allahu e zgjodhi për njerëzimin mbarë. Për këtë shkak edhe zgjodhi që të jetë fe e përsosur, në kuptimin e asaj se mbulon të gjitha kërkesat dhe nevojat e njerëzimit. Dhe, rrjedhimisht, sqaroi se çdo gjë tjetër është e refuzuar tek Ai. Fuqia e saj për të bashkëvepruar me çdo kohë, vend dhe rrethanë është dhe një argument shtesë, jo vetëm për atë se nuk pranohet fe përveç saj, por edhe për madhështinë e saj. Në vijim do të përmendim tre fakte pse duhet të mjaftojmë vetëm me Islamin.
1. Referencë e plotë
Islami përmban udhëzimet e nevojshme për çdo gjë për të cilën besimtari ka nevojë në jetën e tij. Ka Librin, ruajtjen e të cilit e ka marrë përsipër Krijuesi. Kjo e bën besimtarin që të mos hulumtojë për zgjidhje tjera. Mjafton me Librin e Allahut dhe me rregullat dhe kriteret e tij. Atë e ka arbitër në jetë. “O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (en-Nisa, 59)
Ndërsa Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kam lënë në mesin tuaj atë që po u mbajtët për tyre kurrë nuk do të devijoni pas meje: librin e Allahut dhe traditën time.” (Hadithi është hasen.)
Pranimi i këtij ligji nuk bëhet dhunshëm nga besimtari, nuk e bën as pse braktisja e tij do të ishte mëkat, por e bën për shkak të bindjes se nuk alternativë ndaj ligjit të Atij që ka krijuar njerëzimin dhe çdo gjë tjetër. “A nuk është All-llahu më i urti i gjykuesve? ” (et-Tin, 8)
2. Përsosmëri absolute
Kjo referencë nuk përshkohet nga mangësia. Asaj nuk mund t’i gjenden të meta. Përsosmëria e saj reflekton nga përsosmëria e Krijuesit, i Cili ka shpallë në Kur’an këtë përsosmëri: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (el-Maide, 3)
Përsosmëri që bën besimtarin të ndihet krenar. Punon sipas ligjit të patëmeta; ligjit që balancon dhe drejtpeshon çdo gjë në jetën e tij, ligjit që çdo gjëje ia gjen vendin e saj. “...Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.“ (en-Nahl, 89)
Ky ligj shtjellon çdo gjë në jetën e besimtarit. Ofron zgjidhje të duhur dhe të frytshme. Kjo ngase është prej Allahut ndërsa Allahu nuk harron asgjë. “... e Zoti yt nuk është që harron.“ (Merjem, 64)
E, përderisa është kështu, atëherë është shumë e drejtë që t’iu kërkohet krijesave të mos pranojnë asnjë zgjidhje tjetër. “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.“ (el-Ahzab, 36)
3. Respekti për njeriun
Kjo kushtetutë garanton sigurinë dhe dinjitetin e njeriut. Ai është qenia më e privilegjuar e Allahut. Për të është shpallur Libri ndërsa bota dhe çfarë ka në të i është dhënë në shfrytëzim. Ai është i dashur tek Allahu, kështu që, askujt nuk i është dhënë e drejta ta cenojë sigurinë e tij. Ndryshe, kjo do të ishte vepër kriminale, e gjykuar ashpër nga Krijuesi. “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.“ (en-Nisa, 93)
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Tek Allahu shkatërrimi i tërë botës nuk është më mëkat i rëndë sesa vrasja e myslimanit.” (Tirmidhiu. Albani thotë se ka sened autentik.)
Bazuar në Eth-thevabit el-muhimmeh fi hajati-l-ummeh të Dr. Ali Ibn Umer Badehdah