Teravitë, veçori e Ramazanit
Nuk është veçori e Ramazanit vetëm agjërimi. Janë dhe teravitë, të cilat, ndonëse janë fakultative, falen në xhemat. Nëse do të ndaleshim të meditojmë rreth këtij fakti, atëherë lehtë do të vinim në përfundim për vlerën madhështore të këtij namazi. E vërteta është se lejohet të kryhen namazet vullnetare në xhemat, por nuk ka qenë dhe nuk është praktikë që ato të kryhen në xhami. Ta zëmë, namazi i duhasë (paraditës), është fakultativ dhe lejohet të falet në xhemat, por në ummet nuk ka qenë kurrë traditë që të mblidhemi në xhami për ta falur atë. Ndërsa teravitë, duke filluar nga koha e të Dërguarit të Allahut [alejhis salatu ves selam] dhe Sahabëve [radijAllahu anhum] e deri më sot falen në xhami me xhemat.
Po kështu, të qenit të teravive në njërin nga muajt me vlerën më të madhe, sigurisht se ua shton vlerën, sepse, siç e dimë, adhurimet nuk janë koincidencë, nuk vijnë rastësisht; ato janë të caktuara nga Allahu i Madhëruar me urtësi të përsosur.
Nga këtu, vlera e faljes së teravive është e madhe.
Falja e teravive mundësi e shlyerjes së mëkateve
Ka thënë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)
Falja me xhemat si të falesh tërë natën
Ka thënë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]: “Vërtetë, kush falet me Imamin derisa ta mbarojë (namazin), i shkruhet sikur të jetë falur tërë natën.”(Tirmidhiu, Ibni Maxheh dhe Ahmedi.)
Ka thënë hadithologu i mirënjohur, Muhammed Nasiruddin Albani: “Në këtë hadith ka udhëzim të qartë sa i përket vlerës së faljes së teravive me Imam.” (Salatu-t-teravih: 16.)
Falja e teravive manifestim i besimit të fortë
Në koment të hadithit: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)
...Ibni Haxheri ka thënë: “Kush falet me besim” d.t.th. duke vërtetuar premtimin e Allahut të Madhëruar për shpërblim, dhe “llogaritje në shpërblimin e Allahut” d.t.th. duke kërkuar shpërblimin prej Allahut të Madhëruar, pra duke qenë i sinqertë e jo për syefaqësi apo gjë tjetër.”
Pra, në faljen e teravive manifestohen dy elemente të besimit:
- Besim në premtimet e Allahut,
- Sinqeriteti dhe ruajtja nga syefaqësi.
Falja e teravive dhe epiteti i robit të sinqertë
Falja e namazit të teravive, që llogaritet namaz nate, është prej tipareve të besimtarëve të shquar, të cilët kanë marrë lëvdata nga Allahu dhe janë vlerësuar. Ja si i përshkruan të këtillët Allahu në Kur’an: “Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen). “ (el-Furkan, 64); “Ata qenë të cilët pak flinin natën.“ (edh-Dharijat, 17)
Falja e teravive dhe shprehje praktike e dashurisë ndaj Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]
Namazi i teravive është Sunnet dhe kjo, përveç tjerash, nënkupton se ai që kryen rregullisht këtë namaz ka një dashuri të veçantë për Pejgamberin [alejhis salatu ves selam]. Në një hadith (të dobët) qëndron: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar ua ka obliguar agjërimin e ramazanit ndërsa unë ua kam bërë traditë faljen e tij.”
Mundësi e takimit me melekë të veçantë
Teravitë janë një rast i shkëlqyer për të qenë në kontakt edhe me mysafirët special nga qielli. Në disa transmetime qëndron: “Kur të vijë Ramazani, një grup melekësh, numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Madhëruar, kërkojnë leje për të prezantuar në namazin e teravive me ummetin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], kështu, kush i prek melekët apo k e prekin melekët arrin një lumturi pas së cilës nuk ka më kurrë dëshpërim.”
Garë për triumf në ahiret
Njerëzit nga natyra e tyre janë të dhënë pas punëve të dynjasë. Ndonjëherë dhënia është paksa e tepërt saqë harrojnë ahiretin. Ndërsa tek besimtari është e kundërta. Ahireti është prioritet. Ai garon të dhënit pas dynjasë me dhënien e tij pas ahiretit. Sigurisht, këtë e bën me vepra të mria, në mesin e të cilave, gjithsesi edhe teravitë. Ka thënë Hasani: “Nëse e sheh dikë që të garon në dynja, atëherë garoje në ahiret.”
Mos diskuto për rekatet
Për këtë shkak, nuk ia vlen të diskutohet për numrin e rekateve të teravive. Për një gjë, në të cilën shumimi të shton dhe të mirat, respektivisht ta forcon besimin dhe sinqeritetin, nuk ia vlen të diskutohet për më shumë apo më pak. Sa bukur e ka rrumbullakësuar Ibni Tejmije [rahimehullah] këtë çështje. Nëse ke dëshirë të këndosh Kur’an më shumë, atëherë më pak regate, e nëse ke dëshirë të bësh sexhde më shumë, atëherë më shumë rekate. (22/272-272; 23/112; 113; 120) Pra, nëse je nga ata që ndien kënaqësinë shpirtërore duke lexuar Kur’an, fal rekate më pak, e nëse përjeton kënaqësinë e adhurimit në sexhde, atëherë lexo më pak Kur}an dhe ndaj kohë më shumë për sexhde.
Falja e teravive mundësi jetike
I nderuari vëlla!
E nderuara motër!
Faleni namazin e teravive dhe mos u dobësoni përgjatë kalimit të ditëve. Mundohuni që këtë me përkushtim edhe më të madh ta bëni në dhjetëshin e fundit, ku është Nata e Kadrit. Ka thënë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe llogaritje, i falen mëkatet e mëparshme.”(Buhariu dhe Muslimi)