Një nga karakteristikat e muajit të Ramazanit është dhe prangosja e djajve në të, madje që nga nata e parë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Kur të vjen Ramazani, hapen dyert e mëshirës ndërsa mbyllen ato të Xhennemit kurse djajtë lidhen në zinxhirë.”[1]
Shtjellimin e kësaj karakteristike ramazaneske nuk po e bëj për kureshtje dhe as për kuriozitet, por për shkak të rëndësisë dhe efekteve që ka në jetën fetare të besimtarit. Nëse prangosja e djajve nënkupton pamundësinë e tyre për të shtyrë njerëzit për të bërë keq, atëherë përse ne vërejmë njerëz në Ramazan që bëjnë gjynahe, si nga ata që nuk agjërojnë, por edhe nga agjëruesit. Shohim njerëz të shëndoshë që nuk kanë asnjë arsye për të mos agjëruar ndërsa nuk agjërojnë, sikur që sheh nga agjëruesit që nuk kanë braktisur asgjë tjetër me përjashtim të ushqimit dhe pijes.
Atëherë, cila është domethënia e synuar e prangosjes së djajve në këtë hadith?
Përse njerëzit vazhdojnë të bëjnë mëkate edhe në Ramazan kur djajtë janë të prangosur?
Nëse jo djalli, atëherë kush qëndron prapa shtyrjes së njeriut në mëkate?
Kështu, kjo temë nuk vjen thjesht për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve por edhe për të përkujtuar mirësitë e Allahut ndaj nesh, në njërën anë, dhe për të identifikuar disa shkaqe të fshehta që besimtarit ia pamundësojnë përfitimin nga kjo mirësi e Ramazanit, në anën tjetër.
Mirësitë e Allahut
Gjëja e parë që duhet të kemi në hatër kur meditojmë rreth kësaj çështje ka të bëjë me mirësitë e Allahut ndaj nesh. Vet hadithi në të cilin diskutohet kjo çështje ka ardhur në kontekst të mirësive të muajit Ramazan. Në këtë dhe versionet tjera të tij përmenden:
- Hapja e dyerve të Xhenentit
- Mbyllja e dyerve të Xhehennemit
- Thirrja e melekut për të shtuar intensitetin e veprave të mira dhe për të hequr dorë nga mëkatet
- Amnistia e përnatshme e besimtarëve nga zjarri i Xhehennemit
Kështu, nuk ka si të mos interpretohet ndryshe vetëm se si mirësi e Allahut ndaj nesh. Të prangosen ata që janë shkaktarë kryesorë në devijimin dhe lajthitjen e njeriut, përveç mirësisë, nënkupton dhe një shans më shumë për të shtuar fuqinë adhuruese tek besimtari. Krijohet një klimë e atillë adhurimi që besimtarin e gëzon shumë, veçanërisht në Natën e Kadrit ku paaftësimi i djajve për të dëmtuar besimtarët shënon pikën më të lartë. Allahu i Madhëruar duke e përshkruar këtë natë thotë: "Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.“ (el-Kadr, 5)
Dijetarët në koment të këtij ajeti kanë thënë se, përveç tjerash, ajeti nënkupton edhe atë se si djajtë nuk kanë mundësi të ndikojnë tek besimtarët gjatë kësaj nate.
Për çfarë prangosje bëhet fjalë?
Prangosja e përmendur në hadith, sipas shumë shpjegimeve të dijetarëve, ka të bëjë me prangosje të vërtetë, prangosje në zinxhir.[2] Ka dhe shpjegime tjera që thonë se për qëllim me prangosjen është paaftësimi i djajve për të emetuar besimtarët ose ndikuar për të keq tek ata. Pra, jo detyrimisht interpretohet sipërfaqësisht. Pra, ka dhe interpretime alegorike.[3]
Këto mendime nuk janë kundërthënëse. Që të dyja mendimet pajtojnë sa i përket qëllimit pavarësisht nëse përputhen apo jo me tekstin sipërfaqësor: pamundësinë e djajve për të dëmtuar besimtarët.
Jo të gjithë djajtë prangosen
Se kush prangoset në Ramazan nga djajtë ka qenë temë diskutimi e kamotshme. Shkak i këtij diskutimi janë versionet e hadithit, të cilat ndonjëherë kanë përmendur “djajtë”, në përgjithësi, e ndonjëherë tjetër kanë veçuar “të tërbuarit.” Ka nga dijetarët që mendon se prangosja i përfshin të gjithë,[4] sikur që ka që mendojnë se prangosja përfshin vetëm ata të tërbuarit. Kësisoj, e keqja zvogëlohet në masë të madhe por nuk zhduket tërësisht.[5] Por, ka dhe të atillë, p.sh. Halimiu siç e citon Sujuti, që mendojnë se prangosen vetëm djajtë që mundohen të vjedhin lajmet qiellore.[6]
Ka dhe një mendim tejet interesant. Një pjesë e komentuesve të haditheve në fjalë kanë aluduar se në kuadër të atyre që nuk prangosen hyn edhe djalli kryesor, iblisi i mallkuar.[7] Mbështetje kanë faktin se ai kërkoi nga Allahu që ta afatizon deri në kiamet, duke kuptuar kështu se afatizimi nuk është vetëm në kuptim të jetës, por edhe mundësive të përhershme për të bërë keq.
Atëherë, kush është shkaktar i nxitjes së njeriut në mëkate?
1) Një pjesë e paprangosur e djajve
Një grup dijetarësh, siç aluduam, mbajnë mendimin se jo të gjithë djajtë prangosën, dhe, rrjedhimisht, janë këta të paprangosurit që vazhdojnë të devijojnë njerëzit. Në mesin e tyre mbetet gjithsesi iblisi, pastë mallkimin prej Allahut.
2) Vesveset e djallit
Nëse do të ndanim mendim me ata që thonë se prangosen të gjithë djajtë, atëherë si shkak i vazhdimit të njeriut me mëkate është ndikimi nga vesveset e djallit. Ibn el-Arabi ka shpjeguar se dëmtimi i njeriut nga djalli mund të jetë fizik, por edhe psikik.[8] Në Ramazan ky i fundit është më shumë i theksuar.
3) Nefsi që urdhëron për të keq
4) Djajtë nga radhët e njerëzve – shoqëria e keqe
Refleksionet edukative të hadithit
1) Parapërgatitja e duhur për Ramazan
Shkaku pse njeriu bën mëkat gjatë Ramazanit edhe pse djajtë janë të prangosur ose të dobët për të shtrirë ndikimin e tyre qëndron tek fuqia e tyre për ta bërë këtë para Ramazanit. Ata ndikojnë aq shumë para Ramazanit saqë edhe atëherë kur të jenë në zinxhirë ose të jenë të dobët për ta bërë këtë, ndikimi i tyre do të vazhdojë tek viktimat e tyre. Ndoshta këtu qëndron edhe thelbi i shpjegimit pse gjeneratat e para – selefi përgatiteshin për Ramazan gjashtë muaj para se të vinte.
Kjo është një thirrje për ne që nëse duam të shfrytëzojmë mundësitë e Ramazanit pa qenë të penguar nga ndikimi i djallit duhet ta pastrojmë vetn para se të vjen Ramazani.
2) Përkushtimi ndaj adhurimit si ndihmë kryesore për rezistimin ndaj cytjeve
Shkaku pse besimtarët e sinqertë nuk janë nën ndikimin e djallit ose këtyre gjërave tjera që devijojnë atë është përkushtimi i tij ndaj adhurimit. Ruajtja nga ndikimi negativ i këtyre gjërave është kushtëzuar me adhurim. Agjërimi, si adhurim ekskluziv i Ramazanit, në vete fsheh edhe fuqinë e dominimit ndaj epsheve, respektivisht e bën besimtarin të përmbajtur dhe të matur. Kështu e ka shpjeguar Tajjibiu sekretin e kësaj ruajtje nga ndikimi i keq i këtyre gjërave.[10]
Kjo, në një formë është thirrje për më shumë adhurim.
3) Agjërimi me trup dhe shpirt
Bedruddin el-Ajni konsideron se të priveligjuarit me ruajtjen nga ndikimet e djallit janë vetëm ata që janë përkujdesur për agjërimin e tyre, respektivisht për rregullat dhe etikën e tij.[11] nga tradita profetike kemi mësuar se zhveshja e agjërimit nga etika nënkupton zhveshje të tij nga shpërblimi, e rrjedhimisht edhe nga ndikimi i tij tek ne. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] thënë: “ Kush nuk braktis shpifjen (fjalën e keqe) dhe veprimin sipas saj, (ai nuk ka nevojë të agjërojë ngase) Allahu nuk ka nevojë që askush ta braktis ushqimin dhe pijen e tij.”
[12]
4) Kujdes nga gjërat që nxisin epshin
Djalli mund të të mos ketë ndikim por gjërat tjera po. Një nga këto gjëra është edhe media me të gjitha format e saja. Ajo mund të jetë një djall, madje edhe i tërbuar. Kështu, besimtari duhet ta ruajë veten duke mos frekuentuar këto media, veçanërisht ato që përmbajtje materiale provokuese.
5) Kujdes shoqërinë
Njeriu vlerësohet sipas moralit të shoqërisë. Nëse ke shoqëri të pushtuar nga ndikimi i djallit, mos mendo se do t’ia dalësh mbanë me ata për ta agjëruar ramazanin. Andaj, largohu me kohë prej tyre.
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Shih: Ibni Haxher el-Askalani, Ahmed ibni Ali. (1379 h.) Fet’hu-l-Bari sherh Sahihi-l-Buhari. Bejrut: Dar el-Ma’rifeh. 1/144.; Ibn el-Arabi, Muhammed ibn Abdullah. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. Bejrut: Dar el-Garb el-Islamijj. 4/244.; Ibn Karkul, Ibrahim ibn Jusuf ibn Ed}hem. (2012) Metaliu-l-envar ala sihahi-l-athar. Katar: Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame. 4/301.
[3] Shih: Ibni Abdul Berr, Jusufibn Abdullah. (2000) El-Istidhkar. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. 3/377.; Ibn el-Arabi, Muhammed ibn Abdullah. (1992) El-Kabes fi sherhi Muvettai Malik ibni Enes. Bejrut: Dar el-Garb el-Islamijj. 1/280-281.
[4] Shih: Ibn el-Arabi. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. 2/245.
[5] Ibn el-Arabi. (1992) El-Kabes fi sherhi Muvettai Malik ibni Enes. 1/280-281.
[6] Es-Sujuti, AbduRrahman ibni Ebi Bekir. (1969) Tenvir el-havalik sherhu Muvettai Malik. Egjipt: El-mektebetu et-tixharijjetu el-kubra. 1/228.
[7] Shih: El-Mubarekfuri, Muhammed AbduRrahman. Tuhfetu-l-ahvedhi bi sherhi Xhamii-t-Tirmidhijj. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. 3/291.
[8] Ibn el-Arabi. (1992) El-Kabes fi sherhi Muvettai Malik ibni Enes. 1/280-281.
[9] Shih: Bedruddin el-Ajni, Mahmud ibni Ahmed. Umdetul kari sherhu Sahihi-l-Buhari. Bejrut: Dar ihjai-t-turathi-l-arabijj. 10/270.
[10] Shih: Et-Tajjibijj, Sherefuddin el-Husejn ibn Abdullah. (1997) El-Kashif an hakaik es-sunen. 5/1575-1576.
[11] Shih: Bedruddin el-Ajni. Umdetul kari sherhu Sahihi-l-Buhari. 10/270.