Ramazani, sipërfaqësisht, demonstron një ndryshim të detyrueshëm. Regjimi në ushqim dhe pije, respektivisht abstenimi prej tyre gjatë ditës, janë imazh i këtij ndryshimi. Por, ky ndryshim bëhet për hire të një ndryshimi tjetër. Pra, nuk është qëllim në vete. Braktisja e ushqimit dhe pijes nuk është objektivë e Ramazanit. Objektivat e tij janë më të rëndësishme se sa të kufizohen në gjëra materiale. Ato janë shpirtërore dhe edukative para se të jenë fizike dhe shëndetësore. Madje, përkufizimi i agjërimit vetëm në këto të fundit, nuk do të nënkuptonte vetëm zhveshje të tij nga qëllimet thelbësore, por për pasojë do të kishte pengimin e tij ë misionin që ka. Më konkretisht, ai nuk do të reflektonte në tiparet dhe karakterin e besimtarit. Kështu, për të mos ia bërë këtë të padrejtë agjërimit, do të mundohemi të evidentojmë fushat e ndryshimit ndërsa më parë do të përmendim motivet për të përfunduar më pas me kushtet e kërkuara të ndryshimit.
PËRSE TË NDRYSHOJMË NË RAMAZAN?
Ndryshimi për të mirë është qëllim, realizimin e të cilit e duam të gjithë. Po përse pikërisht në Ramazan të ndryshojmë? Çfarë e bën Ramazanin të përshtatshëm për të ndryshuar në të?
Ekzistojnë arsye të shumta, disa prej të cilave do t’i përshkruajmë si më poshtë:
1. Nga aspekti i jashtëm
Periudha kohore e Ramazanit. Ramazani është një muaj i plotë hënor. Pra, ka 29 ose 30 ditë. Sipas ekspertëve të edukimit, një periudhë tridhjetë ditore mjafton për të bërë ndryshime në sjellje dhe shprehi të caktuara. Kështu, ky element kohor i Ramazanit, i jep atij paraprakisht mundësinë që të bëjë ndryshime.
2. Për shkak të atmosferës
Ambienti ka një rëndësi të madhe në motivimin për një adhurim të caktuar. Numri i madh i atyre që agjërojnë, falen, shkëmbejnë vizita, ia lehtëson njeriut ndryshimin. Për këtë shkak, fetarisht urdhërohet ndërrimi i ambientit që besimtari të ketë mundësi të edukohet, jetojë dhe zhvillohet në ambient të pastër.
3. Për shkak të mundësive të shumta
Agjërimi është një vepër me shpërblimin pothuajse më të madh të veprave. Allahu ka thënë: "... ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!“ (ez-Zumer, 10)
Në koment të këtij ajeti është thënë se për qëllim janë agjëruesit.
Ky shpërblim i madh është vërtetuar edhe në hadithe profetike. Në një hadith kudsijj qëndron: “Allahu i Lartëmadhëruar thotë: Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe për të cilin Unë shpërblej...” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.) Mos përcaktimi i sasisë dhe llojit të shpërblimit lë të kuptohet se kemi të bëjmë me shpërblim që vetëm Allahu e di.
Po kështu, në Ramazan është edhe Nata e Kadrit, vlera e të cilës është mbi njëmijë muaj.
Pra, shpërblime të shumta dhe mundësi të arta për të shlyer mëkatet.
ÇFARË TË NDRYSHOJMË NË RAMAZAN?
Ndryshimi në namaz duhet të prek pikat më të rëndësishme në ejtën e besimtarit. Ai duhet të rikonstruktojë lidhjet e tij me Allahun e madhëruar, me veten, me familjen dhe me rrethin.
1. Raportet me Allahun i rregullon, duke dëshmuar:
- Besimin e kërkuar në Të
- Devotshmërinë ndaj Tij
- Sinqeritetin dhe dashurinë për Të
- Vijimësinë e adhurimeve
2. Raportet me veten e tij i rregullon duke:
- Shprehur maturi dhe pjekuri, duke u vetëpërmbajtur nga provokimet, cytjet dhe ngacmimet që vijnë nga njerëz të ligë
3. Raportet me familjen i rregullon duke:
- U kujdesur për edukimin dhe përkujdesjen për vlerat, kulturën dhe virtytet
4. Raportet me rrethin i rregullon:
- Duke braktisur zënkat ose mosmarrëveshjet e mëhershme
- Duke shfaqur interesim për kultivimin e ndjenjës fetare tek ata
- Duke u interesuar për mirëqenien e tyre
SI TË NDRYSHOJMË?
Për të realizuar një ndryshim të dëshiruar, më parë duhet përmbushur disa kushte, prej të cilave, si më të rëndësishmet, do të veçonim:
1. Vullneti për të ndryshuar
Në qoftë se nuk ka vullnet për të ndryshuar, atëherë ndryshimi nuk do të ndodhë. Kjo pasi që Allahu i Madhëruar e ka kushtëzuar këtë gjë kështu. Ka thënë Allahu: "All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre...“ (Err-Rra’d, 11)
Pra, ndryshimi ndodhë vetëm atëherë kur të ndryshojmë.
2. Ndryshimi nuk nënkupton vetëm braktisjen e të këqijave
Të ndryshosh nuk d.t.th. të braktisësh vetëm të këqijat. Të supozojmë sikur dikush dëshiron ta shndërrojë një djerrinë në tokë pjellore, atëherë për të përfituar prej saj, përveç lëvrimit, duhet edhe ta mbjell. Nëse do të mjaftonte vetëm me lëvrimin, atëherë pas një periudhe të caktuar, do të mbinin ferra vetvetiu. Pra, duhet punuar vepra të mira sepse ndryshimi do të zbehej ndërsa gjendja e mëparshme do të kthehej prapë.
3. Aplikimi i duhur i adhurimeve
Për të luajtur rolin e duhur, agjërimi kërkon të mos zhveshët nga qëllimet thelbësore. Për të forcuar lidhjet tona me Allahun, kërkon që agjërohet për devotshmëri, jo për diç tjetër. Kjo është dhe ajo që Allahu ka kërkuar prej nesh. "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.“ (el-Bekare, 18)
Nëse dëshiron të përmirësosh vetën tënde, atëherë duhet të dish se agjërimi nënkupton durim, jo vetëm për të braktisur shqimin dhe pijen, por edhe durimin ndaj provokimeve verbale e fizike. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Agjërimi është mburojë, kështu që (besimtari) le të mos flet fjalë të pista dhe të mos bëjë verime injorante. E. Nëse ndodhë të provokohet (fizikisht) apo ngacmohet (verbalisht-shahet), atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm! Unë jam agjërueshëm!” (Transmeton Buhariu.) “Ai që nuk braktisë shpifjen, veprimin sipas saj dhe injorancën, (ai le të mos agjërojë fare) ngase Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijen e tij!” (Transmetojnë Buhariu dhe Ebu Davudi)
Nëse dëshiron ta rregullosh familjen, atëherë çështjen e agjërimit mos e lë si vullnetare, alternative, por si këshillë dhe udhëzim për ta. Bindi që të agjërojnë ngase kështu e gëzojnë Zotin e tyre, përfitojnë në zhveshjen nga tiparet negative si dhe fitojnë shpërblime të mëdha.
Nëse dëshiron të rregullosh raportet me të tjerët, atëherë ndryshimi ndodhë duke u interesuar për ta. A ke ftuar dikë në iftar? Iftari është mjet për ta fituar zemrën e tjetrit. Me këtë na ka porositur Muhammedi [alejhis salatu ves selam].
Pra, nëse dëshiron të ndryshosh në Ramazan, atëherë mundësinë e ke në dispozicion ndërsa këto janë disa këshilla të dobishme.