Dr. Mulham Zuhejr Harr-rraki
بسم الله الرØمن الرØيم
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Fillimisht dhe para se të jepja përgjigjen, do të doja të parashtroj një pyetje: Shkencërisht, si mund ta definojmë nefsin?
Nefsi është një sistem idesh dhe bindjesh, rezultat i të cilave janë ndjenjat që jetës i japin ngjyrë lumturie ose dëshpërimi, e që rrjedhimisht reflektojnë në sjellje, gjeste dhe veprime, që përcaktohen nga vullneti dhe vendimi i çdo njeriu. Janë pikërisht këto sjellje dhe veprime ato që portretizojnë personalitetin e secilit prej nesh, duke na bërë kështu të dallojmë nga njëri tjetri.
Pra, nefsi i njeriut na qenka një sistem idesh, ndjenjash dhe veprimesh, sistem ky që ushtron ndikim të madh në sistemin nervor (trurin dhe nervat).
T’i kthehemi përgjigjes së pyetjes: A agjëron nefsi?
Përgjigjen, sigurisht se do ta jap nga këndvështrimi psikik, por, përderisa agjërimi është çështje adhurimi, patjetër se më duhet t’i referohem Kur’anit, gjegjësisht ajeteve të agjërimit në kaptinën el-Bekare.
183. O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.
184. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.
185. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.
186. E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (el-Bekare, 183-186)
Siç shprehet qartë në ajete, qëllimi i agjërimit është devotshmëria, e cila nënkupton të jesh në vendet, kohët dhe me njerëzit që i do Allahu. Devotshmëria është emërues i të gjitha të mirave.
Për t’i njohur këto vende, kohë dhe njerëz, ke nevojë për një udhëzues dhe strategji, e cila është trupëzuar në Kur’anin Famëlartë. Kur’ani është program ideor, i cili ndryshon idetë negative, të devijuara dhe shkaktare të jetës së vështirë psikike dhe shpirtëror. Ai është edhe program praktik i sjelljeve të njeriut. Jo vetëm kaq, Kur’ani pajis njeriun me të kuptuarit e shëndosh dhe gjithëpërfshirës për jetën, duke u kujdesur njëkohësisht për ruajtjen e përhershme të tyre. Pikërisht me këtë program dituror-vepror (përfshin njohuritë dhe sjelljet), arrihet ‘lehtësimi’,[1] me të cilin më pas realizon të gjitha qëllimet tua, sepse ai gjithmonë të udhëzon në rrugën e drejtë, në ‘udhëzim’ (ar. hidaje). Është e ditur se rruga më e shkurtër ndërmjet dy pikave është vija e drejtë, andaj me lehtësim dhe udhëzim të bart në këtë që je tani dhe në atë që dëshiron ta realizosh në të ardhmen. Kur’ani dhe agjërimi të shpijnë tek qëllimet tua, andaj falëndero! Falëndero edhe për atë se arrin tek përsosmëria e madhe, afërsia tek Allahu, kështu që realizon më të mirën e të mirave, ‘rrugën e drejtë’ (ar. rushd). Kjo pikë shënon majën e lartë të pjekurisë në mendime dhe ide, të marrjes së vendimeve të (qëlluara), të ndërmarrjes së veprimeve të qëlluara, të kontrollit mbi ndjenjat dhe emocionet. Rezultat i këtyre veprimeve është qetësia shpirtërore, të cilën e dëshiron çdokush prej nesh.
Pra, me agjërim arrihet ndryshimi i përgjithshëm; me Kur’an ndryshojnë mendimet dhe idetë ndërsa me programin ditor të ndërtuar mbi devotshmëri bëhet ndryshimi në vepra dhe sjellje. Kurse lehtësimi, udhëzimi dhe rruga e drejtë janë fryte të mira për ty, i dashur agjërues!
Si rezyme të përgjigjes do të thosha se është trupi ai që agjëron dhe me agjërimin e të cilit nefsi ngritet dhe lartësohet duke u pastruar nga idetë e këqija, duke arritur një pushim ndjenjash dhe emocionesh si dhe duke bërë veprat dhe sjelljet e duhura. Trupi është vëlla i nefsit dhe shërbëtor i tij.
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
[1] Autori me ‘lehtësim’ dhe ‘udhëzim’ i referohet lehtësimit për të mos agjëruar gjatë udhëtimit dhe kur besimtari është i sëmurë ndërsa me udhëzim i referohet mësimit të këtyre normave. Po kështu vepron edhe me ‘rrugën e drejtë.’ Përkthyesi.