Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
BASHKËJETESA, DUKURI DEGJENERUESE

Ndonëse në shikim të parë ky term disi të mashtron, megjithatë esenca e tij paraqet një sëmundje të madhe shoqërore, e sidomos kur kihet parasysh niveli i vetëdijes dhe kulturës së mirëfilltë të shqiptarëve.

Me “bashkëjetesë” nuk është për qellim bashkëjetesa dhe përmirësimi i marrëdhënieve në mes vete, apo bashkëjetesa me minoritetet, jo, por për qëllim është bashkëjetesa e çifteve të kundërta, mashkull dhe femër, pa kurorëzim dhe akt të ligjshëm martese.

Meqë Kosova e para dhe pas luftës, po lirisht thuaj edhe e para shumë shekujve, përherë ka qenë imituese e verbër e kulturave të ndryshme, e tani edhe të kësaj sterile evropiane, ku çdo gjë evropiane dhe perëndimore cilësohet si e mire dhe qytetëruese([1]), ndërsa çdo gjë lindore si ikonë e prapambeturisë, e shoh të arsyeshme, që si një qytetar kosovar, të them dy tri fjalë për këtë dukuri të shëmtuar.

Unë, nga pikëpamja ime islame, konsideroj se kultura nuk është e lidhur me një komb, shtet, bashkësi kombesh, porse është e lidhur ngushtë me shpirtin e njeriut, i cili edhe nëse ka ngjyre të zezë të lëkurës, dhe nëse vie nga çfarëdo vendi, mund të jetë i ndritur dhe i respektuar. Këtë Allahu e tha edhe në Kur’an, në kaptinën Huxhurat, verseti 13, :

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوباً وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.

Edhe profeti i mbarë botës, Muhammedi, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, kishte deklaruar:

“Nuk ka vlerë arabi ndaj jo arabit, as i bardhi ndaj të ziut, përveç në devotshmëri”. Në një rast tjetër kishte thënë: “Allahu nuk shikon fytyrat dhe fizionomitë tuaja porse shikon zemrat dhe veprat tuaja”.

Bashkëjetesa sipas Islamit

Islami martesën e ka konsideruar si akt shumë me rëndësi andaj si i tillë, ai nuk mund të kryhet përveçse me kurore (niqah) dhe ceremoni zyrtare. Thotë Allahu:

وَكَيْفَ تَأْخُذُونَهُ وَقَدْ أَفْضَى بَعْضُكُمْ إِلَى بَعْضٍ وَأَخَذْنَ مِنْكُمْ مِيثَاقاً غَلِيظاً

Dhe si mund të merrni atë kur njëri-tjetri iu keni bashkuar (në një shtrat) dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?([2])”. (Nisa, 21)

Ia vlen te përmendim këtu se prej të gjitha akteve, akti i martesës veçohet me disa rregulla dhe dispozita shtesë, si: përhershmëria e aktit, mbikëqyrja (nga kujdestari i faktorit femër), dëshmitarët dhe publikimi në masë.([3])

Bashkëjetesa, sipas Islamit, konsiderohet prostitucion, sepse derisa njeriu nuk ka akt (niqah), martesa e tij konsiderohet e paligjshme dhe ai dhe ajo, para Allahut, konsiderohen lavirë.

Fëmijët e lindur nga kjo bashkëjetesë konsiderohen të paligjshëm. Ndoshta edhe kjo formë jetese është një prej faktorëve, që ka ndikuar që sot, Evropa, të ketë 1/3 e foshnjave të lindura të paligjshme. Në gazetën Express, data 16 maj 2006, e martë, f:18, në mes tjerash qëndronte:

“Statistikat më të reja tregojnë se aktualisht familja në shtetet e BE duket shumë më tepër jo tradicionale krahasuar me të kaluarën, ku pothuaj çdo e dyta martesë përfundon me ndarje ndërkohë që çdo e treta foshnje lind nga marrëdhëniet jashtë martesore”.

Pra, bashkëjetesa, bie ndesh me parimet e mirëfillta islame, të cilat si të drejtë të fëmiut në konventën e tyre kanë paraparë edhe të drejtën e tij para lindjes, e cila është: “Që prindërit e tij të kenë lidhje të ligjshme martesore, në mënyrë që ky fëmijë të mos llogaritet fëmijë prostitucioni”. ([4])

Bashkëjetesa është prej mjeteve, të cilat ulin vlerën e femrës, ngase Allahu, nëpërmjet aktit martesor dhe nëpërmjet dhuratës së obliguar martesore, ka dashur që ta ngrijë femrën, të mos mbetet objekt dhe ikonë seksi, por të ketë rol të madh në edukimin e gjeneratave të reja. Ndërsa bashkëjetesa është kryekëput shkelje flagrante e së drejtës së gruas, ngase ajo zhvillon jetë të shthurur; jetë të pakuptimtë, edhe e ka burrë edhe nuk e ka.

Kjo lloj bashkëjetese sikur është e nxitur nga kultura perëndimore, ku shpeshherë shohim këngëtarët dhe artistët me famë të kalojnë jetë të tillë por para se ta kurorëzojnë bashkëjetesën e tyre ndahen dhe sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Ndoshta ndonjë femër do të arsyetohej me faktin se këtë e bën ngase dëshiron të mos jetë në “kontrollin” (mbikëqyrjen) e askujt, por, edhe kjo është gabim, ngase në idhullin e tyre, Amerikë, për shkak se gruaja edhe pas martesës vazhdon të punojë dhe të jetë e varur materialisht prej vetvetes, ka ndikuar që përqindja e ndarjeve në mes bashkëshortëve të rritet. Në librin “Shqyrtim rreth shkurorëzimit në Amerike”, në mes tjerash qëndron:

“Përqindja e shkurorëzimit është rritur dukshëm ne vendet e Uncle Sam (dajës Sam-Amerikës) për shkak se gruaja, edhe pas martesës, ruan punën e saj jashtë shtëpie dhe për shkak të pavarësisë së saj materiale”. ([5])

Pastaj, në këto bashkëjetesa, sikur motiv kryesor është dredhia, ngase për të mos rënë “n’goj t’hallkut” se kinse filania është martuar me t’huaj (jomusliman), ato zgjedhin këtë formë më të lehtë, e cila nuk është martesë por bashkëjetesë. Thotë Allahu:

وَلا تُنْكِحُوا الْمُشْرِكِينَ حَتَّى يُؤْمِنُوا وَلَعَبْدٌ مُؤْمِنٌ خَيْرٌ مِنْ مُشْرِكٍ وَلَوْ أَعْجَبَكُمْ أُولَئِكَ يَدْعُونَ إِلَى النَّارِ وَاللَّهُ يَدْعُو إِلَى الْجَنَّةِ وَالْمَغْفِرَةِ بِإِذْنِهِ وَيُبَيِّنُ آيَاتِهِ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ

Mos u martoni as me idhujtarë deri që ata të besojnë (Zotin). Një rob besimtar është më i vlefshëm se idhujtari edhe nëse ai ju mahnit. Ata ju ftojnë për në zjarr, e All-llahu me mëshirën e vet ju fton për në xhennet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë”. (El Bekare, 221)

Bashkëjetesa nuk realizon lumturinë e femrës dhe as të mashkullit, ngase partneri apo partnerja, në rast të ndodhjes së ndonjë fatkeqësie apo sëmundjeje, do të silleshin ndaj njeri tjetrit me rezervë, sepse tek e fundit “”veç shokë jemi” do të thoshin. Pastaj, as që do të mundoheshin ta ruanin nderin e njeri tjetrit, derisa nderi paraqet bazën më të shëndoshë të krijimit të një jete dhe familjeje të lumtur. Shikoni se çfarë thotë Allahu për këto gjera:

وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجاً لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآياتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ

Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. (Rrum, 21)

Po ashtu thotë:

هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ

ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato”. (El Bekare, 187)

Pra bashkëjetesa çifteve po ua humbë: qetësinë dhe prehjen shpirtërore, dashurinë në mes tyre, dhembshurinë reciproke dhe ruajtjen e nderit të tyre. Mu për këtë, Pejgamberi, alejhi selam, një dite iu kishte drejtuar rinisë me këto fjalë:

“O ju të rinj, kush ka mundësi prej juve për t’u martuar, le të martohet, pasi martesa ndihmon në ruajtjen e shikimit dhe mbron nga amoraliteti, e ai i cili nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, ngase agjërimi është mburojë për të (nderin e tij)”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Fëmiu është dhurata më e madhe ndërsa bashkëjetesa, përveç fëmiut të paligjshëm ose të befasishëm (pa dëshirën e tyre), nuk të sjelle fëmijë të mirë. Si rezultat i kësaj, në Amerike, në çdo katër minuta lind një fëmijë ilegal. Dr. Schauffer këtë gjë të hidhur e përshkruan kështu:

“Nga dita në ditë shtohen gratë e gënjyera, shkatërrohen vajza që ende nuk e kanë njohur botën. Më parë gjuheshin ato pa kulturë. Sot, për fat të keq, janë vajza të familjeve të mira dhe shumica nxënëse të kolegjeve dhe universiteteve”.

Psikologu amerikan Greonwold thotë:

“Shkaku më i madh i rënies së vajzave në prostitucion është pashkuarja burrë-grua dhe mosinteresimi për fëmijët”. ([6])

Me bashkëjetesë pengohet edhe zhvillimi i gjinisë njerëzore, ngase protagonistet e këtij krimi nuk duan që të kenë fëmijë porse duan të jetojnë të lire dhe pa brenga familjare. Thotë Allahu:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيراً وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيباً

O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra. Dhe kini frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin(akraballëkun), se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju”. (Nisa, 1)

Studiuesi mysliman bashkëkohor Dr. Bekir Topaloglu, përkitazi me këtë problem thotë:

“Shmangia nga martesa mbështetet nga ndjenja për të shtuar pasurinë, për t’iu shmangur shërbimit, për t’iu shmangur ngritjes së çerdhes familjare që siguron lumturinë dhe kënaqësinë e shoqërisë. Kurse t’u kthesh shpinën përparësive shpirtërore duke vlerësuar gjerat materiale, kjo të hedh në teprime të skajshme që do ta rrezikonin lirinë dhe pavarësinë e shoqërisë, të bën rob të dëfrimeve dhe epsheve”. ([7])

Martesa e ligjshme konsiderohet si mjet i ruajtjes së besimit dhe fesë. Muhammedi, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, kishte thënë:

“Me martesën personat kanë plotësuar gjysmën e besimit, ndërsa gjysma tjetër është respekt ndaj Allahut”. (Transmeton Bejhekiu ne Shuabul Iman)

Gruaja e martuar konsiderohet e ruajtur dhe e mbrojtur. Thotë Allahu:

وَالْمُحْصَنَاتُ مِنَ النِّسَاءِ إِلَّا مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ كِتَابَ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَأُحِلَّ لَكُمْ مَا وَرَاءَ ذَلِكُمْ أَنْ تَبْتَغُوا بِأَمْوَالِكُمْ مُحْصِنِينَ غَيْرَ مُسَافِحِينَ فَمَا اسْتَمْتَعْتُمْ بِهِ مِنْهُنَّ فَآَتُوهُنَّ أُجُورَهُنَّ فَرِيضَةً وَلَا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ فِيمَا تَرَاضَيْتُمْ بِهِ مِنْ بَعْدِ الْفَرِيضَةِ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلِيمًا حَكِيمًا

(Nuk u lejohet të martoheni) Edhe me gra të martuara (që kanë burrat e nuk janë të lëshuara), përveç atyre që i keni futur në pushtetin tuaj (robëreshat e luftës). (Ky është) obligim mbi ju nga All-llahu. U janë lejuar, pos këtyre (që u përmendën), të tjerat që t'i merrni me pasurinë tuaj (me niqah) duke pasur për qëllim bashkëshortësi e jo prostitucion. E për atë që përjetuat ju nga ato (gratë me të cilat patët kurorë), jepuani shpërblimin e tyre të caktuar se është obligim. E nuk ka pengesë për ju, pas përcaktimit (të niqahut), në atë që ju pëlqeni mes vete. All-llahu është i gjithëdijshmi, i urti“. (Nisa, 24).

Dijetari, Sejjid Kutb, në koment të këtij verseti ka thënë:

“Këto gra (të martuara) konsiderohen si të ndaluara (për të tjerët) ngase ato janë në mbrojtjen e burrave të tyre në bazë të martesës me ta…Kutbi tërheq vëmendjen se martesa ruan edhe nga përzirja e prejardhjes familjare, që si shkak i saj është përhapja e lidhjeve seksuale (të paligjshme), prostitucionit, dhe përlyerjes së shoqërisë me këtë njollë”. ([8])

Me bashkëjetesë femrës nuk i garantohet jeta e saj materiale, ngase ajo vet duhet të shpenzojë për vete, derisa Islami me martesë në mënyrë të prerë rregullon këtë çështje. Muhammedi, alejhi selam ka thënë duke përmendur obligimet e burrit ndaj gruas:

“Kur të ushqehesh ti, ushqeje edhe atë, kur të vishesh, ta veshësh edhe atë. Kurrë të mos i biesh (rrahesh) në sy (të tjerëve). Të mos i thuash “e shëmtuar” asaj ose punëve të saj. Te mos e lesh vetëm në shtëpi pas zemërimit”. (Transmeton Ibni Maxhe në Sunen)

Në një rast tjetër kishte thënë:

“Shumë gra po parashtrojnë ankesat e tyre te familja e Muhammedit. Dijeni se ata që rrahin gratë kurrë nuk janë të bekuarit ndër ju”. (Transmeton Daremiu në Sunen)

Bashkëjetesa konsiderohet ikje nga tradita e profetit Muhammed dhe e të gjithë profetëve tjerë. Ejjub El Ensariu transmeton se Muhammedi, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, kishte thënë:

“Katër gjera janë prej traditës së pejgambereve: Këna, parfumosja, larja e dhëmbëve me misvak dhe martesa”. (Transmeton Tirmidhiu)

Ndërsa në një rast tjetër, kur disa shokë të tij, të prirë nga dëshira për adhurim më të shumtë, kishin vendosur që ta braktisnin jetën bashkëshortore, Pejgamberi Muhammed, alejhi selam, iu kishte drejtuar:

“Për Zotin, unë i frikësohem Zotit dhe jam më i devotshëm ndaj Tij sesa ju, mirëpo unë agjëroj dhe ha, falem, flejë dhe martohem, andaj ai, i cili largohet nga sunneti (tradita) im, nuk është prej meje”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Sedat Gani Islami

30 qershor 2006, e premte

Vushtrri, Kosovë


([1]) Nuk mund te kaloj tutje për pa u ndalur pak çaste tek kjo pike, ne mënyre qe askush te mos bie pre dhe viktime e motove “Drejt Evropës” ndërsa de fakto nuk di se çka është duke kërkuar prej saj dhe çka i nevojitet. Nuk di nëse përparim do t’i thuhej edhe prapambeturisë, amoralitetit, muzikave me tekste dhe ritme te çoroditura, veshjeve dhe shprehjeve te pahijshme dhe te pasjellshme, ngecjes ne arsim, përparimit dhe lulëzimit ne korrupsion, varfëri të skajshme, pasuri të pa mund, etj?! A thua valle kjo është kulture? Ky është përparim? Kështu shkohet ne Evrope? A duhet ne, qe për t’u identifikuar si evropiane, t’i marrim vetëm aspektet e shthurura te një bashkësie kombesh dhe t’i lëmë anash te arritura e tyre ne shkence dhe teknologji? Cila mendoni se do te ishte me e arsyeshme: Kjo tezë apo ajo, e thënë pak me lartë, dhe e cila është realiteti ynë i hidhur?! A thua valle në Evropë nuk mund te hysh si i moralshëm, si njeri, me dinjitet dhe kulture autoktone, si njeri me virtyte dhe tipare te larta, i cili do te mund te ishte mostër dhe shëmbëlltyre për edukate?!

([2]Këtu, Kur’ani ndalon qe ne rast ndarjeje nga gruaja ta marrësh dhuratën, te cilën ia pate dhënë me rastin e kurorëzimit, te cilin e quan besë të fortë.

([3]) Dr. Feride Sadik Zuzu, Kadaja mustexheddeh fi’z zevaxhi ve’l inxhab, f:41

([4]) Hukuku’t tifli fi’l islam, Xhevde Muhammed Avvad, f:18

([5]) Atijje Sekar, Mevsuatu’l usreti tahte riajeti’l islam, f: 403

[6] Dr. Bekir Topaloglu, Gruaja në islam, f: 183

[7] Dr. Bekir Topaloglu, Gruaja ne islam, f: 40

[8] Fi Dhilali’l Kur’an


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013