Të predikosh se Islami është fe e vetme për njerëzimin nuk është ekstremitet. Kjo për faktin se të jetë kështu ka gjykuar Krijuesi. Kështu, qartë dhe thuktë, është shpjeguar në Kur’an, gjegjësisht në kaptinën Ali Imran, ajetet 19 dhe 85. Por kjo nuk do të duhej të kuptohej në asnjë mënyrë si një luks dhe komoditet se përderisa ne disponojmë me të vërtetën nuk duhet të çajmë kokën se çfarë mjetesh duhet të përzgjedhim për ta kumtuar atë. Kësisoj, në do ta gjymtonim fenë, do ta shtrembëronim atë, dhe do t’i irritonim njerëzit prej saj. Nga këtu, feja, jo vetëm që ka ndaluar që çdokush të flet në emër të saj, porse ka urdhëruar që të aplikohen edhe një sërë metodash në kumtimin e saj. Ka thënë Allahu i Madhëruar: Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.“ (En-Nahl, 125)
Pra, jo vetëm dije, por edhe shkathtësi dhe përvojë; jo vetëm dije për fenë, por edhe mënyrë se si ta plasosh atë, si t’ua transmetosh njerëzve, si ta predikosh atë. Kumtimi i fesë duhet bërë jo kuturu e shkel e shko, por me program dhe metodologji. Nga këtu, nuk është me rëndësi formulimi se çfarë fjale e thua përderisa metoda është e mirë. Allahu kur dërgoi Musanëd he Harunin [alejhimaselam] tek Faraoni (Kur’an: Taha, 44) iu tha që të zgjidhnin metodë të butë ndërsa nuk iu tha çfarë të flisnin, sepse fjalët e buta, që të gjitha, kanë ndikim.
Këtij kriteri duhet kushtuar vëmendjen në kohët sikur fjala vjen koha jonë kur feja luftohet për shkak të koncepteve të saja. Krahas kujdesit për edukimin shpirtëror dhe moral, do të duhej të edukoheshim edhe për metodologjitë dhe mënyrat e kumtimit të fesë. Kjo, assesi nuk do të duhej të kuptohej si një nënvlerësim i sfidave të jashtme. Përkundrazi. Është një përgatitje për tu ballafaquar në mënyrë stoike me to. Kjo për shkak laicizmi çdo ditë e më shumë po na tregon qëllimet e veta se nuk e ka veç me këta me mjekra dhe ato me shamja, por edhe me krejt fenë dhe me të gjithë besimtarët. Thirrjet e tyre për islam minimal, islam tradicional, e tash së fundmi edhe për islam sekular, i cili nënkupton të kesh një fe të pafe, janë dëshmitë më të mira për këtë. Ata duan transformim të fesë. Duan një fe që më shumë ngjet me një filozofi moraliste, e cila slogan duhet të ketë “nuk është mirë të bësh keq” dhe kurrë në formën urdhërore “mos bë keq!” Pra, nuk duan që feja të ketë as ndikimin më të vogël në shoqëri. Fundja, sipas tyre, edhe ky elementi moralist i fesë mund të zëvendësohet dhe ndërrohet.
Fatkeqësisht, ky presion që feja të mos ketë ndikim, laikëve iu ka dhënë guximin që ta bombardojnë atë me akuza dhe shpifje nga më të marrat dhe më banalet. Kjo ka bërë që Islami t’i shfaqet opinionit me imazh të shtrembëruar. E, e keqja nuk merr fund këtu. Kur kumtimi ynë i fesë bëhet në mënyrë të gabuar, atëherë këta armiq të fesë përfitojnë nga rasti për të bindur njerëzit se njëmendë Islami është i atillë siç e kanë pasqyruar ata.
Në të vërtetë, këto dy gjëra, indoktrinimi i njerëzve në njërën anë, dhe shfajësimi i tyre për veprimet e tyre që kanë peshën e krimeve të mëdha, në anën tjetër, janë edhe arsyet kryesore pse ne duhet të bëjmë vetëdijesimin e besimtarëve karshi mënyrës së kumtimit të fesë. Pra, të mos iu lëmë hapësirë laikëve të realizojnë qëllimet e tyre., respektivisht:
1) Që të mos indoktrinohen njerëzit dhe të mos manipulohet me ta
Si shkak i këtyre shpifjeve dhe akuzave, e fatkeqësisht edhe dështimit tonë në përzgjedhjen e metodave të duhura të kumtimit të fesë, të huajt ndiejnë një fobi-frikë të madhe nga Islami. Kalimin në Islam e shohin si kalim në një çetë terroristësh. Kjo është frika e shumë prindërve për fëmijët e tyre. Në momentet që fëmija i kthehet fesë, gjëja e parë që i shqetëson është se ai do të bëhet kamikaz. Një nënë amerikane, në një shou televiziv, qante për vajzën e saj të kthyer në Islam, për shkak se ajo do të bëhej terroriste. Për të zhdukur këtë botëkuptim të gabuar, pse të mos ua paraqesim Islamin me petkun e vërtetë. Kur Kurejshët tentuan ta paraqisnin fenë e muslimanëve që kishin migruar në Abisini si fe problematike, atëherë Xhafer ibn Abdulmuttalibi doli para mbretit dhe shpalli konceptin islam e tha:
“Shkëlqesia juaj!
Kemi qenë popull injorant (të pafe); adhuronim idhujt, hanim ngordhësirën, bënim amoralitet, shkëpusnim lidhjet familjare, ishin të pasjellshëm me fqinjët, i forti e shtypte të dobëtin...Ishim në këtë gjendje derisa Allahu na e dërgoi një të Dërguar (profet), familjen, sinqeritetin, besnikërinë dhe nderin e të cilit i njohim të gjithë, kështu, na ftoi ta njëjësojmë Zotin dhe ta adhurojmë vetëm Atë, duke braktisur kështu gurët dhe idhujt që adhuronim ne dhe baballarët tanë. Na urdhëroi të flisnim të vërtetën, ta çonim në vend amanetin, të mbanim lidhjet familjare, të kultivonim raporte të mira me fqinjët, të distancoheshim nga ndalesat, të mos derdhnim gjaqe, na ndaloi nga amoraliteti, shpifja, ngrënia e pasurisë së jetimit, shpifja ndaj grave të ndershme, na urdhëroi që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe të mos i bëjmë shok, ta falim namazin, ta japim zekatin, të agjërojmë...”(Ahmedi)
Pra, qëllimi i kësaj feje është:
- Adhurimi monoteist
- Ndalimi i mbytjeve dhe vrasjeve
- Respektimi i tjerëve
- Ndalimi i dukurive negative
Tua paraqesim fenë me këto objektiva dhe qëllime. T’iu tregojmë se ajo që synojmë me thirrjen tonë është që e mira të mbizotëron në jetët tuaja në këtë botë dhe që të shpëtoni në botën tjetër. T’iu themi se Allahu i thërret për në Xhennet, jo në Xhehennem. Ja thirrja e Allahut në Kur’an: All-llahu thërret për në xhennet...“ (Junus, 25)
2) Që mashtruesit të mos hiqen si të drejtë
Jo rrallë, kur ne nuk kemi përzgjedhë metodat, mashtruesit kanë përfituar nga rasti dhe kanë arsyetuar qëndrimet e tyre si dhe kanë marrë guxim shtesë për të vazhduar me akuza e shpifje ndaj fesë. Duhet të kuptojmë se nëse duam të thërrasim e urtësi në fe, siç na ka urdhëruar Allahu, atëherë urtësia nuk nënkupton vetëm ta thuash të vërtetën por edhe ta gjesh kohën dhe vendin e saj. Ndonjëherë, për shkak të rrethanave, urtësi është të mos thuhet e vërteta ose të mos veprohet ajo. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] refuzonte ekzekutimin e hipokritëve që shtireshin si besimtarëve, vetëm e vetëm që njerëzit të mos mendonin se është duke i mbytur shokët e vet. Pra, nuk lejonte hapësira për keqkuptime ose keqinterpretime.