A ke mëkate që ende nuk të janë falur?
A di për dhjetë lumenjtë e pastrimit të njollave të mëkateve?
Ibni Ebi el-Izz Hanefiu numëron njëmbëdhjetë shkaqe, që ndikojnë në pastrimin e besimtarit nga mëkatet dhe rrjedhimisht edhe në shpëtimin e tij nga Xhehennemi.
Kur besimtari të bëjë ndonjë të keqe – mëkat, atëherë ndëshkimin e asaj të keqeje mund ta largojë me njërën nga njëmbëdhjetë shkaqet (në vijim):
- Që të pendohet dhe Allahu t’ia pranojë pendimin ngase i penduari nga mëkati është sikur ai që nuk ka bërë mëkat fare.
- Që të kërkojë falje – bëjë istigfar e t’i falen mëkatet.
- Që të bëjë vepër të mirë e t’i fshihet mëkati ngase veprat e mira shlyejnë ato të këqijat.
- Që të luten për të vëllezërit myslimanë dhe të kërkojnë falje, pavarësisht se është i gjallë apo i vdekur.
- Që t’ia dhurojnë shpërblimin e veprave prej të cilave ai përfiton.
- Që të ndërmjetësojë për të Muhammedi, [alejhis salatu ves selam].
- Që ta sprovojë Allahu i Madhëruar në dynja me sprova, të cilat ia shlyejnë mëkatet.
- Apo ta sprovojë Allahu në Berzah, në jetën e varrit.
- Apo ta sprovojë Allahu i Madhëruar në arasatin (sheshin) e Kiametit me vështirësi, të cilat ia shlyejnë mëkatet.
- Që të ndalet në Kantare, vendi ku shpaguhen padrejtësitë ndërmjet besimtarëve. Pra, ia kërkojnë njëri tjetrit hallallin, për të hyrë më pas në Xhennet së bashku.
- Apo ta mëshirojë më i Mëshirshmi i mëshiruesve.
Nëse nuk je bekuar për njërën nga këto dhjetë mënyra të të falurit të mëkateve, atëherë mos e qorto askënd përveç vetes sate, siç ka thënë Allahu i Madhëruar në hadithin kudsijj:
“يا عِبادِي إنَّما هِيَ أَعْمالُكُمْ أُحْصِيها لكُمْ ثُمَّ أُوفِيكُمْ إيَّاهَا فمَنْ وَجَدَ خَيْرًا فَليَحْمَدِ اللَّهَ وَمَنْ وَجَدَ غَيْرَ ذَلِكَ فَلا يَلُومَنَّ إلاَّ نَفْسَهُ
O robërit e Mi! Në të vërtetë, ato janë veprat tuaja, të cilat ua regjistroj për t’iu shpërblyer më pas. Kështu, kush gjen mire, le ta falënderojë Allahun, e kush nuk e gjen këtë, le të mos e qortojë askënd tjetër përveç vetes së tij.”
Përshtati: Sedat ISLAMI