Në rrafshin e mendimit dhe atë shoqëror na mungojnë tre lloje të edukatës:
- Edukata e polemizimit
- Edukata e këshillës, dhe
- Edukata e dialogut.
Mendimi ndryshe është rezultat i natyrshëm i dallimit në të kuptuar dhe të menduar. Por, nuk është e natyrshme që ky dallim të jetë shkak për armiqësi, intolerancë dhe shkëputje marrëdhëniesh. Të mençurit dallojnë në mendime, por gjithnjë brenda suazave të së lejuarës dhe duke mos lejuar kurrë që ai dallim të reflektojë në sjelljet dhe marrëdhëniet e tyre. Ata janë të vëmendshëm se njerëzit patjetër se do të polemizojnë. Besojnë bindshëm se: "Sikur të dëshironte Zoti yt, do t'i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete).” (Hud, 118)
Dallimi në mendime ndërmjet meje dhe teje nuk nënkupton se unë të urrej, nuk të dua, nënçmoj mendimin tënd, përbuzi opinionin tënd. Edhe sikur kurrë të mos pajtonim, nuk do të duhej t’i lejonim mendimeve tona të jenë shkak për përdhosje të nderit, përgojim dhe shkëputje marrëdhëniesh.
Tre qëndrimet e njerëzve ndaj mendimit ndryshe:
- “Nëse nuk je me mua, nuk je kundër meje.” Ky është qëndrimi i njerëzve të mençur.
- “nëse nuk je me mua, je kundër meje.” Ky është qëndrimi i mendjelehtëve.
- “Nëse nuk je me mua, ti je kundër Allahut të Madhëruar.” Ky është qëndrimi i ekstremistëve.
Mendimet, të dashurit e mi, janë për prezantim, jo për imponim, për informim, jo për detyrim, për plotësim, jo për kundërthënie.
Përfundimisht,
Kur të mësojmë se si të polemizojmë, do të mësojmë se si të avancojmë. Disa e kanë përsosur edukatën e polemizimit, ndërsa të tjerë e dëshirojnë polemizimin e edukatës.