Fillimisht, duhet thënë se me vënien e çdo ligji që lufton një dukuri të caktuar, synohet stopimi i asaj dukurie dhe minimizimi i pasojave të saj ndaj individit dhe shoqërisë. Ndërsa që ligji i vënë për luftimin e një dukurie të caktuar të shërbejë për ta përhapur edhe më shumë atë dhe për të shtuar pasojat e saj ndaj individit dhe shoqërisë, kjo nuk tregon për tjetër vetëm se për defektin që qëndron brenda vet ligjit apo për gabimin në atë që është parë si nevojë (shkaqet) e miratimit të këtij ligji.
Kjo është ajo që pikërisht mund të thuhet për ligjet perëndimore që merren me luftimin e terrorizmit. Me gjithë që nuk ka shtet perëndimor, e edhe arab, që nuk ka miratuar një ligj anti-terror, veçanërisht pas 11 shtatorit, prapë ajo që ata e quajnë “terrorizëm” vazhdon të ekzistojë, bile me paraqitjen e këtyre ligjeve që pretendohet se luftojnë terrorizmin, vetëm sa është shtuar e rritur.
Ndoshta arsyeja e kësaj shprehet më qartë kur të mësojmë se janë shtetet perëndimore atyre që iu faturohet njëri nga shkaqet kryesore të lindjes dhe zhvillimit të terrorizmit, respektivisht ushtrimi i “terrorizmit” ndaj komunitetit mysliman në vendet e tyre, apo edhe ndërhyrja në shtetet islame, gjë që natyrshëm shkakton reagimin “rezistencën”, e cila mbase mund të devijon ndonjëherë nga rruga e drejt, gjë të cilën perëndimi e quan “terrorizëm.”
Është fakt i pranuar tek njerëzit e mençur se dhuna prodhon dhunë dhe se “terrorizmi i ushtruar ndaj një grupi, populli, bashkësie popujsh, për pasojë do të ketë një rezistencë, e cila sipas botëkuptimit perëndimor quhet terrorizëm. ” Siç është e njohur në Psikologji dhe Sociologji, për çdo veprim të njeriut ka një shkak, kështu, imazhet agresive që shfaqen në sjelljet e disa njerëzve janë pasojë e disa shkaqeve, të cilat janë rezultat i sjelljeve dhe praktikave të njerëzve tjerë.
Këtë që perëndimi po e quan “terrorizëm”, e ka prodhuar me duart e veta, gjegjësisht dhuna ndaj vendeve arabe islame, pushtimi fizik i disave prej tyre, vjedhja e pasurive të tyre, fuqizimi i çifutëve okupues dhe mbështetja e tyre diplomatike dhe ushtarake në Palestinë, mbizotërimi në vazhdimësi ndaj vendeve islame, e pastaj, pas tërë këtij terrorizmi, pretendon se po e lufton terrorizmin me ligje, të cilat në esencë dhe përmbajtje janë vet thelbi i terrorizmit.
Kushdo që i hedh një sy ligjeve perëndimore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit do të gjejë se ato vuajnë nga racizmi dhe standardet e dyfishta përkitazi me shkaqet dhe kohën e vënies së tyre, në njërën anë, dhe ushtrimin dhe praktikimin e tyre, në anën tjetër. Ato nuk mund të japin një arsye pse janë të rëndësishme për tu vënë si ligje të reja në luftimin e terrorizmit ose për tu ndryshuar disa pika dhe nene të tyre përveç në rastet e ndodhjes së ndonjë ngjarje, e për të cilën gishti i fajit i drejtohet myslimanëve. Ndërsa në rastet kur autorë të krimeve janë të krishterë, çifutë, budistë apo ateistë, atëherë nuk flitet fare për nevojë të vënies së ligjeve të reja për terrorizëm ose ndryshim të tyre, përkundrazi, mediet e heshtin atë thuajse nuk ka ndodhur asgjë.
Ndërsa nëse flasim për aplikimin dhe funksionalizimin e ligjeve, atëherë nëse kemi të bëjmë me një mysliman të dyshuar, vetëm për shkak të dyshimit dhe pa asnjë provë, i aplikojnë ato ndaj tyre, kurse në rastet tjera kur kriminelët janë ithtarë të feve tjera, ato nuk hyjnë në përdorim fare. Ndoshta ajo çka shohim sot që ndodhë në vendet arabe - islame është dëshmia më e mirë për këtë. Ne nuk e kemi parë perëndimin t’i aplikojë këto ligje ndaj regjimit sirian, i cili që prej katër vitesh vret, therë, internon, arreston dhe ndëshkon pamëshirshëm popullin e vet. Po kështu as ndaj Nuri Malikit (tashmë të dorëhequr), shiit, i cili prej tetë vitesh ka ushtruar dhunë dhe agresion të madh ndaj sunnitëve. Ndërsa kur është në pyetje i ashtuquajturi ISIS, atëherë jo vetëm që ka veprime, por edhe nisma për organizime aleancash për ta rezistuar atë dhe luftuar terrorizmin e tij. David Kamerun, kryeministër i Britanisë, i mbërthyer nga emocionet, shkoi aq larg saqë lajmëroi për një sërë ligjesh për luftimin e terrorizmit, duke shtrënguar procedurat e udhëtimit ajror, kufizimet për lëvizjen e atyre që supozohet se mund t’iu bashkohen grupeve luftuese si dhe lehtësimin e procedurës së konfiskimit të dokumentacionit të udhëtimit të atyre që nga policia shihen si të dyshimtë.
Në anën tjetër, Australia, është në vënie e sipër të një ligji që lufton të ashtuquajturin “terrorizëm”, për të cilin qeveria ka shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë, ligj ky që ka mbjellë frikë dhe ankth tek arabët myslimanë, për shkak të anshmërisë së tij, pra të qenit ligj vetëm për myslimanët dhe, rrjedhimisht i padrejtë siç është përshkruar në reagimet e myslimanëve në Australi. Me gjithë që kanë reaguar 65 shoqata islame që gjenden në Australi se refuzojnë këtë ligj të propozuar nga qeveria për shkak se nuk ka asnjë provë dhe dëshmi për ekzistimin e kërcënimeve dhe rrezikut të mundshëm nga myslimanët (që banojnë në Australi por) të cilët marrin pjesë në Siri dhe Irak, prapë qeveria duket të jetë e vendosur për nxjerrjen e këtij ligji.
Ligjet perëndimore që merren me trajtimin e terrorizmit, respektivisht parandalimin dhe luftimin e tij, janë pikërisht ato që spërkasin me racizëm dhe terrorizëm. Sikur perëndimi të ishte i sinqertë në luftimin e kësaj dukurie, më parë do të përmbushte kërkesat e shumë organizatave islame dhe joislame, lokale dhe ndërkombëtare, për të vënë një shpjegim se çfarë në esencë synohet me terrorizmin, për ta dalluar rrjedhimisht nga ajo që shihet si rezistencë e ligjshme dhe mbrojtje e jetës dhe vendit. Po kështu do të interesohej dhe ndërmerrte hapa konkret për çështjen e të drejtave të njeriut në vendet e perëndimore dhe ato islame, ngase kështu do të çrrënjoste shkaqet që çojnë në këtë që po quhet “terrorizëm.”
Përshtati në shqip:
Sedat ISLAMI