Akide
Islam
Tefsir
Hadith
Dave
Histori islame
Orientalizem
Kulture dhe civilizim
Avancim personal
Hutbe
Tregime
PËR “VERSIONET” E KUR’ANIT
I njohur gjerësisht për frymën antiislame, portali Express vazhdimisht ka patur në shënjestër Islamin dhe myslimanët, herë në kontekst të zhvillimeve politike, e herë në kontekst të koncepteve dhe botëkuptimeve fetare. Jo vetëm nga kuptimi i shthurur i të drejtës për kritikë dhe vlerësim, por edhe nga inati dhe mëria, në njërën anë, dhe shpërfillja e kodit etik dhe profesional të gazetarisë, në anën tjetër, Expressi nuk është kursyer nga shpifjet, akuzat dhe shtrembërimet, qoftë ndaj institucioneve dhe personaliteteve fetare, qoftë ndaj dogmave dhe doktrinave fetare.
Nuk ka qenë vetëm guximi prej të çmenduri, por edhe dinakëria dhe tinëzia prej dhelpre, që e kanë bërë Expressin të merr dhe një rol të predikuesit, që vuan injorancën dhe dezorientimin konceptual. Është dëshmia më e mirë dhe më e qartë e degradimit të vlerave gazetareske në Kosovë. Është, siç themi ne në zhargonin popullor, “i pa kibël.” Për këtë shkak, nuk ia vlen të merret me të, por, ndonjëherë, nga hutia që krijon në opinion për çështje të caktuara, detyrohesh të zbardhësh të vërtetat dhe të reagosh. Në këtë gjendje e gjeta veten kur pashë në rrjetet sociale një lajm të publikuar nga ky portal për kinse 20 versionet e Kur’anit, i cili, me formën dhe përmbajtjen, është provë e hipokrizisë dhe tendencës për futjen e dyshimeve në fe si dhe për shkeljen e rëndë të kodit etik dhe profesional në gazetari. Lajmi është marrë nga një portal monstruoz, Explore Universe.
Së këndejmi, lajmi, para çdo gjëje tjetër, flet për frymën expressiane në lansimin e të pavërtetave.
E vërteta rreth “20 versioneve” të Kur’anit
I.
Portali, të cilit i janë referuar për këtë “zbulim”, www.islamweb.net, është ndër portalet islame më të besueshme, që ruan dhe kultivon frymën tradicionale të Islamit. Kësisoj, lakimi i emrit të këtij portali si referencë në materialin e publikuar, është keqpërdorim dhe njollosje e tij.
II.
Çështja nuk ka të bëjë me versione të Kur’anit, por të leximit të Kur’anit, gjëra që, përmbajtësisht, dallojnë shumë. Si dilemë (sipas logjikës ekspresiane lexo: zbulim) është ngritur që moti dhe dijetarët myslimanë me kohë e kanë demantuar. Ata kanë përfunduar me një sërë konkluzash, për mbledhjen e të cilave, për hire të ruajtjes së reputacionit të portalit islam në fjalë,[1] iu kam drejtuar pikërisht atij. Ja rezymeja e këtyre konkluzave:
Kur’ani është i ruajtur nga ndryshimet dhe shtrembërimet, dhe këtë me garancë prej Allahut. (Kur’ani: El-Hixhr, 9.)
Është ligj i Allahut që Profeti i dërguar të flet gjuhën e popullit përkatës, dhe, duke qenë se arabët flisnin disa dialekte, atëherë shpallja e Kur’anit është bërë në këto dialekte, në mënyrë që të gjithëve t’iu vijë lehtë leximi dhe kuptimi i tij.
Versionet e pranuara të leximeve nuk paraqesin shtrembërim të Kur’anit, pasi ato janë marrë drejtpërdrejtë nga Pejgamberi Muhammed [alejhis salatu ves selam]. Po kështu, as domethëniet dhe botëkuptimet që reflektojnë prej tyre, nuk paraqesin kundërthënie ndërmjet vete. Të gjitha janë në përputhje me njëra tjetrën.
Referimi leximeve sipas emrave të caktuar “Hafs”, “Versh”, është bërë vetëm për shkak të afirmimit të tyre sipas emrave të dijetarëve të leximeve ose transmetuesve të tyre dhe jo se ata kanë shpikur atë lloj leximi.
Janë gjithsej 10 lexime të pranuara unanimisht për të vërteta dhe tradicionale, të vërtetuara sipas mënyrës më të saktë në shkencat fetare –mutevatir, ndërsa leximet që nuk përmbushin kriteret e vërtetimit të saktësisë së tyre, janë të refuzuara. Kështu, t’i mvishen ato lexime Kur’anit, është shpifje dhe padrejtësi ndaj tij.
Dallimi ndërmjet leximeve dhe versionit shiit është i madh, pasi që, siç shpjeguam, leximet nuk paraqesin kundërthënie, nuk janë shtesa apo pakësime të vet përmbajtjes së Kur’anit, derisa në rastin e versionit shiit të Kur’anit, kemi shtesa, të cilat nga sunnitët janë të mohuara unanimisht. Kështu qëndron puna edhe me versionin amerikan të Kur’anit, “Furkanin”, i cili është i mohuar dhe refuzuar nga sunnitët.
III.
Emrat e dhjetë leximeve unanime sipas dijetarëve ose transmetuesve të tyre:
Nafiu, lexuesi i Medinës, leximin e të cilit e kanë transmetuar Kaluni dhe Vershi.
Ibni Kethiri, lexuesi i Mekkës, leximin e të cilit e kanë transmetuar Bezzijji dhe Kunbuli, që të dy mekkas.
Ebu Amri, leximin e të cilit e kanë transmetuar Deurijji dhe Susi.
Ibni Airi, leximin e të cilit e kanë transmetuar Hishami dhe Ibni Dhekvani.
Asimi, leximin e të cilit e kanë transmetuar Shu’beja dhe Hafsi.
Hamza, leximin e të cilit e kanë transmetuar Halefi dhe Hal-ladi.
Kesaiu, leximin e të cilit e kanë transmetuar Ebu Harithi dhe Hafs Deuriu.
Ebu Xha’feri, leximin e të cilit e kanë transmetuar Ibni Verdani dhe Ibni Xhemazi.
Ja’kubi, leximin e të cilit e kanë transmetuar Ruvejsi dhe Ruhi.
Halefi, leximin e të cilit e kanë transmetuar Is’haku dhe Idrisi.