Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ME RASTIN E FUNDIT TË VITIT HIXHRIJJ 1435

(Hutbe)

Sot është 30 dhul-hixh-xhe ose dita e fundit e vitit hixhrijj 1435, dhe, për dallim nga traditat e ndryshme të njerëzve në festimin e ndërrimit të motmoteve, besimtarët e shfrytëzojnë këtë kohë si një rast të mirë për të llogaritur veten e tyre. Koha është një lloj sinonim i vet njeriut, siç ka thënë Hasan Basriu, dhe kalimi i një pjese të saj, nënkupton çdoherë e më shumë afrimin e njeriut kah vdekja. Neglizhimi i këtij trajtimi që besimtari duhet t’i bëjë vetes, dhe këtë jo vetëm në fund të vitit, por çdoherë, ka pasojat e veta. Është një keqardhje e madhe që ndien për pamundësinë e përmirësimit të veprimeve. Për këtë Kur’ani thërret për pendim, për rishikim të gjendjes, për kthim nga mëkatet, në mënyrë që: Dhe të mos thotë ndokush: "O i mjeri unë që kam lënë mangu respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!“ (ez-Zumer, 56)

Për shkak të rëndësisë që vetllogaria ka në kuptimin edukativ, jo vetëm që janë interesuar hoxhallarët dhe thirrësit, porse në kohët e hershme, interesim ka shfaqur edhe vet shteti. Omeri [radijAllahu anhu], si kryetar i shtetit, iu shkruante nëpunësve të tij: “Llogarite veten në mirësi (shëndet, jetë), para llogarisë së vështirë, për shkak se kush e llogarit veten në mirësi para se të vijë llogaria e vështirë, ai do të jetë i kënaqur dhe fatbardhë, ndërsa ai që mashtrohet nga jeta dhe preokupohet nga epshet, do të përfundojë me keqardhje dhe humbje.”

Përse ta llogarisim veten tonë?
Cila është arsyeja?

Ndonëse njeriut harron, megjithëkëtë, të ngarkuarit me të -melekët, nuk harrojnë. Nuk ka vepër, fjalë apo punë konkrete qoftë, e që nuk shënohet, dhe ajo që është me rëndësi këtu se ky shënim llogaritet si një depozitim vullnetar i veprave. Pra, atë që e ke bërë, në të vërtetë e ke depozituar për në botën tjetër. Ibni Kethiri duke komentuar ajetin: O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s'ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! 19. E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.“ (el-Hashr, 18-19)., thotë: “Llogariteni veten para se të llogariteni, dhe shikojeni atë që keni deponuar për ditën e kthimit dhe prezantimit para Zotit tuaj, sepse Ai e di në hollësi atë që keni vepruar.”

E vërtetë, Allahu është i njoftuar hollësisht me veprat tona, madje libri që mban regjistrin e veprave tona, ka shënuar edhe atë që nuk e mendojmë. Në kaptinën el-Kehf, Allahu duke përshkruar gjendjen dëshpëruese të mëkatarëve në Ditën e Kiametit, e që vjen si shkak i këtij fakti – shënimit të veprave, të cilin mbase e kanë neglizhuar, thotë: Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: "Të mjerët ne, ç'është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?", dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt.“ (el-Kehf, 49)

Cili është karakteri i besimtarit të vërtetë?

Besimtari i devotshëm shquhet për një pjekuri të madhe. Ai me gjithë që vazhdimisht angazhohet për vepra të mira, asnjëherë nuk mashtrohet. Nuk e merr këtë garancë se duhet ta ndiejë veten komod. Përkundrazi ai frikësohet, madje ashtu siç edhe dikush mund ta merr se ka bërë mëkate. Kur Aisheja [radijAllahu anha] e dëgjoi këtë ajet kur’anor: dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.“ (el-Mu’minune, 60), ...i tha Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: A janë këta që pinë alkoolin, bëjnë prostitucion dhe vjedhin? Tha: Jo, oj vajza e Siddikut (Ebu Bekrit), (përkundrazi) janë ata që agjërojnë, falen, japin sadaka dhe kanë frikë që Allahu të mos ua pranoj veprat. Ata janë njerëz që nxitojnë në vepra të mira.” (Transmetojnë Tirmidhiu, Ibni Maxheh dhe Ahmedi.)

Kështu kanë qenë të parët tanë, janë frikësuar për mëkatet sikur të kenë qenë mëkatarët më të mëdhenj. Ebu Bekri [radijAllahu anhu] kur e kujtonte dhënien e llogarisë, dëshironte të mos ishte fare njeri, të ishte sikur një shpend, që e mbaron jetën e tij dhe nuk ka llogari para Allahut. Ose, sikur një pemë, e cila iu bën dobi njerëzve me frutat dhe drurin e saj, dhe me kaq merr fund puna e saj. Omeri [radijAllahu anhu] qante nga frika e llogarisë dhe ndonjëherë kur lexonte ndonjë ajet kur’anor aq shumë e përjetonte atë saqë nga dhimbja që ndiente shtrihej në shtrat dhe njerëzit e vizitonin për të sëmurë. Në fytyrë kishte dy vija të zeza nga lotët. Kur iu afrua vdekja, Ibni Abbasi [radijAllahu anhum] kishte shkuar ta ngushëllonte ndërsa ia përmendte të arriturat: “Allahu e ka përkrahur këtë fe me ty dhe ka bërë që shumë vende të çlirohen nëpërmjet teje”, ndërsa ai ia kthente: Do të doja vetëm të shpëtoj: as shpërblim dhe as barrë. Hasan Basriu, një dijetar dhe asket i madh, e portretizon figurën e besimtarit me pak fjalë e thotë: “Nuk mund ta takosh besimtarin vetëm se duke e llogaritur veten e tij: Çfarë ke dashur të bësh? Çfarë ke dashur të hash? Çfarë ke dashur të pish? Ndërsa mëkatari bën mëkate ndërsa nuk e llogarit veten.” Mejmun ibn Mehrani thoshte: “Myslimani nuk do të jetë i devotshëm derisa në raport me llogarinë e shpirtit të tij të mos jetë sikur ortaku në tregti. Për këtë edhe është thënë: Nefsi është sikur ortaku tradhtar, nëse nuk e llogarit, të merr pasurinë.”

Rëndësia e vetllogarisë

Llogaria e vetvetes reflekton tek besimtari me dobi të shumta, si:
  1. Evidentimi i të metave personale. Pra, në vend që të merresh me të tjerët dhe të metat e tyre, merresh me vetveten.
  2. Përshpejtimin e pendimit para se të të befasojë vdekja.
  3. Njohja e të drejtës së Allahut dhe se ajo është më prioritare për tu kryer. E drejta e Allahut është ta adhurojmë dhe të mos i bëjmë mëkate.
  4. Njohja e bujarisë dhe fisnikërisë së Allahut, i Cili të fal nëse i lutesh dhe kërkon falje.
  5. Kthimi i të drejtave tek njerëzit, ngase kur ta llogarisësh veten sheh se iu ke bërë padrejtësi të tjerëve andaj edhe pendohesh ndërsa kusht i pendimit është që të drejtat t’iu kthehen njerëzve.
Si dhe për çfarë ta llogarisim veten?

Llogaritja bëhet në dy faza:
  1. Para veprës, për të parë se vepra të cilën po dua ta bëj, është me vend apo jo, është e mirë apo jo, është ashtu siç kërkon Allahu apo jo.
  2. Pas veprës, ndërsa shtrihet në tri fusha:
  • Llogaritja për një adhurim, në të cilin janë evidentuar mangësi tona përkitazi me përmbushjen e të drejtës së Allahut të Madhëruar. Pra, shikojmë se sa kemi qenë të sinqertë, sa kemi përfillur kriteret e kryerjes së një vepre fetare, sa e kemi pasuar Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], etj.
  • Llogaritja për veprat braktisja e të cilave ka qenë më mirë se kryerja e tyre.
  • Llogaritja e vetes për një vepër të lejuar se a e ka bërë për hire të Allahut, që të ketë përfituar, apo e ka bërë thjesht, si rutinë, traditë, e kështu nuk ka përfituar prej saj.
Të hapim një regjistër të ri

Ta aplikojmë rregullin e parë të llogarisë që tani. Ta llogarisim veten për veprat që duam të bëjmë. Të mos harrojmë ta aplikojmë rregullin tjetër pas çdo pune. Do të ishte gabim i madh nëse mendojmë se llogarinë duhet ta lëmë vetëm në fund të vitit. Ku ta dimë, mbase vdekja na befason para përfundimit të vitit, andaj, të kërkojmë falje për atë që kemi bërë, të vendosim se nuk do t’iu kthehemi mëkateve dhe të angazhohemi me vepra të mira. Të mbajmë një shënim të veprave, veçanërisht atyre që mendojmë se kanë nevojë për rishikim, dhe të bëjmë të pamundurën që përfundimisht në regjistrin tonë të jenë të mira.
Po kështu, nuk do të ishte keq nëse do të bënim një planveprimi për adhurimet vullnetare që do t’i kryejmë:
  1. Të vendosim sa rekate namaz vullnetar gjatë ditës do të falim
  2. Të vendosim sa ditë vullnetare do t’i agjërojmë
  3. Sa para do të ndajmë nga pasuria jonë për lëmoshë
  4. Sa shpesh do t’i vizitojmë të afërmit
  5. Sa do t’i vizitojmë të sëmurët
Përmbyllje
Bëjë çfarë të duash, se për të do të shpërblehesh

Ashtu sikur që vdekja është e pashmangshme, po kështu edhe llogaria është e pashmangshme. Atë ditë, siç na mëson Allahu, do të gjejmë vetëm atë që kemi bërë, e mirë apo e keqe qoftë, andaj, secili dot ë shpërblehet për atë që ka bërë, madje, Allahu me drejtësinë e Tij do të bëjë që secili njeri të lexojë librin e vet dhe të vendosë: Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes.“ (el-Isra, 14)
Që të mos dëshpërohemi dhe të mos vijmë deri në atë gjendje që për veten tonë të vendosim të jemi nga xhehnemlinjtë, të punojmë sot, të llogarisim veten, të pendohemi sepse pendimi shlyen gabimet. Llogaria e sodit, lehtëson llogarinë e së nesërmes.
 
 
Shkarkoje në pdf:
https://www.academia.edu/8942359/ME_RASTIN_E_FUNDIT_T%C3%8B_VITIT_HIXHRIJJ_1435


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013