Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
NGA MEMOARET E NJË JETIMI

U zgjova, por jo si zakonisht.
Më zgjuan disa zëra disi të çuditshëm. Zëra të qarash. Përjetova një ankth. Kuptova se diç e keqe paska ndodhur.

U ngrita shpejt e shpejt ndërsa pashë se shtëpia ishte mbushur përplot me njerëz. O Zot, çfarë mund të ketë ndodhur. Nuk më shkroi ndërmend se tim ati mund t’i ketë ndodhur ndonjë e keqe. Madje nuk besoja se ishte në shtëpi, ngase ishim mësuar me të që çdo ditë të dilte nga shtëpia për ta falur namazin e sabahut dhe të mos kthehej deri vonë. Punonte shumë për të na mbajtur. Pashë nënën në një qoshe, e strukur dhe vetëm po qante. Për një çast, sytë më shkuan kah dhoma e pritjes, dera e së cilës ishte hapur. U afrova të shihja se kush ishte. Pashë babain tek qëndronte i shtrirë. Nuk lëvizte. U habita. Përse sot nuk kishte shkuar në punë?!

Eja biri im, eja, duhet të bëhesh i fortë! – më tha nëna ndërsa unë ende nuk dija asgjë. Nuk dija se babai më kurrë nuk do të më fliste, nuk do të më këshillonte, nuk dot më ledhatonte, përkundrazi, u nisa në drejtim të nënës ndërsa në kokë më silleshin pyetjet: “Po çfarë ka ndodhur, pse duhet të bëhem i fortë, çfarë është forca?!”

Nënë, përse qanë? Përse kanë ardhur këta njerëz? Çfarë ka ndodhur?- e pyesja ndërsa i shikoja i frikësuar sikur ata të donin të më largonin nga shtëpia. Na pati lodhur qiraja e shtëpisë. Ishte dert që sikur një shushunjë gjakpirëse nuk i ndahej kurrë babait. Iu afrova bashkë me nënën. Nuk mund ta kuptoja pse nuk lëvizte dot, pse nuk më fliste, pse bile të paktën nuk më shikonte.

Djali im! Babai yt ka vdekur!- më tha nëna.

Mu duk sikur shtëpia u rrënua sipër meje. U shtanga. Qava shumë. Nuk dija për vdekjen shumë, nuk e kuptoja se çfarë ishte ajo, por nga ambienti që ishte krijuar në familje, nuk kishe si të mos qaje. 

Ngrihu biri im! Duhet ta bëjmë gati xhenazen e babait tënd. Pas pak do të vjen hoxha. Tani shko në odë tek burrat – më tha nëna.

Hapa derën ndërsa ata kur më panë, nga dhimbja që ndienin, më përqafuan. Tua them të drejtën, më shumë kisha emocion nga ajo që shihja se sa që kuptoja se çfarë ishte të të vdiste babai. Qëndruam aty për një kohë ndërsa vështroja shikimet e mysafirëve që nuk më ndaheshin. Qanin dhe e lusnin Allahun për mua. Monotoninë e heshtjes e theu ardhja e hoxhës, i cili duke mos më vënë re, iu drejtua gjyshit tim: Bëhu i fortë or burrë, e Zotit është ajo që na e ka dhënë dhe atë që na e merr. Zoti e mëshiroftë të vdekurin tuaj ndërsa juve iu dhëntë sabër dhe gajret!

Amin! Amin! – i përgjigjeshin që të gjithë ndërsa unë, si një fëmijë që për një çast gjeta veten në vëmendjen e tjerëve, shikoja i habitur.
A ka qenë i martuar rahmetliu, a ka lënë ndonjë fëmijë? – pyeti Hoxha.

Po, - iu përgjigj gjyshi ndërsa me gisht bëri kah unë.

Mu afro- më tha Hoxha, ndërsa më ledhatoi fort. Lotët e tij më ranë në fytyrë. Qante shumë. U çudita. Nuk e njihja më parë. Përse qante edhe ky. Por, ende pa përfunduar këtë bisedë me vetveten, ishin fjalët e Hoxhës ato që më dhanë përgjigjen.

Eh jetimi! – tha ndërsa nxori një ofshamë të thellë.

Edhe unë kam një djalë sikur ty. Edhe atij i ka vdekur babai. Në fakt, babanë ia kanë vrarë në luftë.

Ndërsa Hoxha më thoshte këto fjalë dëgjoja shushurimat në odë të atyre që pyesnin njëri tjetrin se a paskësh Hoxha ndonjë djalë të vrarë në luftë?

Të kujtohet Ahmed, mua ma kanë vrarë Abdullahun në luftë - iu drejtua gjyshit tim Hoxha.

Po, si jo, e mbajë mend mirë, u pate mbajt si burrat- ia ktheu gjyshi.

Pikërisht këtë po kërkoj prej teje sot, për hatër të Zotit e pastaj edhe të këtij sabije! – tha Hoxha.

Bisedën e Hoxhës seç e ndali zëri i një mashkulli të familjes: Hoxhë, ne jemi gati, mund të fillojmë me pastrimin e kufomës kur të duash!

Bismilah! – bëri Hoxha dhe u ngrit duke mi lëmuar flokët.

Dëshiron të vish me mua – më tha ndërsa nga shprehjet e fytyrës dukej që më ngushëllonte.

Është i vogël, Hoxhëefendi - i tha gjyshi.

Mirë, mirë, nuk po e marr, por as ty që je i madh nuk po të marr – ia ktheu hoxha me një shaka që ishte përplot ngushëllim.

Doli Hoxha ndërsa unë u nisa pas tij.

Ku shkon biri im? Ti rri këtu me mua. E sheh, kemi mysafir. Dikush duhet t’iu bëjë hyzmet! - mu drejtua gjyshi.

Po shkoj tek nëna – i thashë. Dola ndërsa isha kureshtar ta shihja nënën se a qante ende. E pashë në mesin e grave që i flisnin. U afrova dhe e ledhatova fort. Nuk i ndahesha ndërsa sillja kokën herë andej e herë ëndej duke i shikuar rend me rend gratë që kishin ardhur tek ne.

Qëndrova për një kohë deri kur gjyshi erdhi dhe më thirri: Omer, do të vish me mua? Ku, gjysh?- e pyeta. Eja, të tregoj gjatë rrugës së ku shkojmë. Me mua deri tek dera erdhi edhe nëna ime. Qante shumë. Do të vdes ndërsa nuk do të harroj kurrë ato momente kur babanë e nxirrnin nga shtëpia. Ma bë hallall! – ishin fjalët e nënës.

U nisëm. Pashë se erdhën të gjithë burrat me ne. Isha i befasuar. Nuk më kishte rënë më parë të marrë pjesë më parë në ndonjë ceremoni varrimi. E varrosëm babanë. Tani kuptova se më nuk do të ishte kurrë me mua. Fillova ta ndiej mungesën e tij. Gjysh, a do ta shohim prapë babin? – e pyeta. Po, biri im, po, në Xhennet, inshaAllah do të takohemi!- mu përgjigj.

U kthyem në shtëpi. Njerëzit na vinin për ngushëllime ndërsa unë bashkë me të tjerë i prisja. Të gjithëve iu dhimbsesha. Më përkëdhelnin flokët dhe e lutnin Allahun për mua. Të moshuarit nuk harronin të më porosisnin që të bëhesha i mirë sikur babai.

Ditët kalonin ndërsa mungesa e babait sa vinte e shtohej. Sëmundja e gjyshit në njërën anë, problemet financiare në anën tjetër, na kishin ngulfatur. Vetëm tani fillova ta ndiejë mungesën e vërtetë të tij. Njerëzit që dikur na ngushëllonin, tanimë pothuajse na kishin harruar fare. U bëmë sikur të huaj. Mjaftonim me një të përshëndetur dhe asgjë më shumë. Askujt nuk i interesonte për gjendjen time. I vetmuar në rrugë, i strukur në shkollë, i privuar në shoqëri...O Zot, ç’vrazhdësi kanë këto zemra! E ndieja veten tamam sikur një i huaj të cilin askush nuk e njeh. Nënës çdoherë i tregoja për vetminë që përjetoja ndërsa ajo më jepte kurajë dhe më nxiste duke më thënë se kemi Allahun e Madhëruar. Ende e kam të freskët rrëfimin e bukur për jetimërinë e Muhammedit alejhiselam. forma se si e përshkruante, fjalët që zgjidhte, vetëm më ushqenin. “Biri im, edhe njeriu më i mirë i kësaj toke ka qenë jetim si ti. Madje, ai ka thënë se kush kujdeset për jetimin, do të jetë me të në Xhennet!” – më thoshte shpesh.

Ah, e dashura nënë! Sa shumë më ke ndihmuar, sa personalitet të fortë më kanë gdhendur fjalët tua, sa shumë më ke frymëzuar për jetë!
Vitet kalonin ndërsa neve sprovat dhe fatkeqësitë nuk na ndaheshin. E kujtoj se kur vdiq gjyshi morëm borxh për ta varrosur. Nuk kishim para as për ceremoninë e varrimit. Isha rritur paksa por jo ende për ta mbajtur familjen. Kujtoj se nga hidhërimi që kisha bërtisja në shtëpi: Askush nga këta njerëz nuk do të jetë në Xhennet me Muhammedin alejhiselam. Unë jam jetim, jam në hall dhe ata nuk më ndihmojnë! Tanimë edhe për ngushëllime kishte më pak njerëz. Sikur nuk donin të na largoheshin sprovat kurrë. Na kujtonin vetëm festave ndërsa ditëve tjera sikur nuk ekzistonim për ta. Injorim i rëndë. Më dukej vetja sikur jam njeri i klasit të dytë. Sikur unë nuk jam i njëjtë me ata. Nuk mund ta kuptoja dot si nuk e duan Muhammedin, alejhiselam, njeriun më të mirë?!

Tashmë, kur po shkruaj këto kujtime, jam rritur dhe kam filluar të kujdesem për nënën time të dashur, por plagët i kam ende në shpirt. E rëndë qenka të jesh jetim, por edhe më e rëndë të jesh në mesin e atyre që nuk çajnë kokën për jetimin. Ende nuk po mund të gjej shpjegime pse disa thonë se e duan Muhammedin alejhiselam ndërsa nuk ndihmojnë jetimët?!!!
 


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013