(Hutbe)
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Vëllezër besimtarë!
“Mjete për shfrytëzimin e Ramazanit” është titulli i hutbes sonë në vigjilje të këtij muaji të shenjtë. Ne të gjithë kemi dëshirë që këtë muaj ta shfrytëzojmë ashtu siç është më së miri, kemi dëshirë të dalim nga ky muaj me një bagazh të rëndë sevapesh, kemi dëshirë ta përmbyllim këtë muaj duke fituar, mbi të gjitha, kënaqësinë e Allahut. Hadithi i Pejgamberit, alejhi’s selam:
“رغم أنف عبد دخل عليه رمضان لم يغفر له فقلت آمين
…i poshtëruar qoftë njeriu që e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet”. ([1]),
…është ai që sa na frikëson për anashkalimin e këtyre të mirave po aq, tërthorazi, na nxit për vepra të mira ngase ndëshkimi i madh për braktisjen e një vepre nënkupton se kryerja e asaj vepre ka shpërblim të madh.
Vëllezër besimtarë!
Në vijim do t’ua paraqesim disa opsione, alternativa dhe mundësi për ta shfrytëzuar Ramazanin në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe atë duke filluar prej:
Shpërblimit të dyfishtë për agjërim. Si? Përgjigja e kësaj pyetjeje është në hadithin e Zejd b. Halid el-Xhehenijj se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“من فطـّر صائما كان له مثل أجره ، غير أنه لا ينقص من أجر الصائم شيء
Kush i jep iftar një agjëruesi do ta ketë shpërblimin edhe sikurse të tij pa iu pakësuar aspak shpërblimi këtij të fundit”. ([2])
E shihni vëllezër, e fton në iftar një mik, një shok, një të varfër, një fqi, një vëlla musliman, dhe ti, për mundin dhe shpenzimet që ke bërë fiton një shpërblim të veçante dhe të dyfishtë. Andaj le të mos e anashkalojmë këtë gjë sidomos në kohën kur varfëria ka shtrirë rrënjët tek populli jone dhe ua ka zërë frymën me tmerrin dhe arrogancën e saj.
Nisma e dytë që juve të nderuar musliman iu garanton shpërblime të mëdha është edhe mbledhja e lëmoshave për skamnorët. Jo rrallë na ka rënë të shohim biznesmenë të ndryshëm të marrin iniciativa të tilla, fatkeqësisht, vetëm për emër-syefaqësi, ndërsa ne muslimanët, që synojmë jo famën por kënaqësinë e Allahut, jo dynjanë por ahiretin, e kemi harruar këtë.
Meqë në Ramazan njerëzit bashkohen më shumë se kurdoherë, organizojnë iftare e tubime, është mirë që krahas këtyre gjërave të shfrytëzohet rasti që të mblidhen lëmosha dhe të holla për skamnorët. A nuk ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam se ne jemi sikurse një trup i vetëm.
“مثل المؤمنين في توادهم وتراحمهم وتعاطفهم كمثل الجسد الواحد إذا اشتكى منه عضو تداعى له سائر الجسد بالحمى والسهر
Shembulli i besimtarëve ndërmjet vete në dashuri, mëshirë dhe mirësjellje është sikurse shembulli i një trupi; nëse një gjymtyrë e tij ankon atëherë i tërë trupi ankon nga ethet dhe pagjumësia”. ([3])
Hapi i tretë që duhet ta ndërmarrim për të fituar shpërblime të mëdha është: Marrëveshje me familjen. Si? Meqë televizionet tona emitojnë çka emitojnë, do të kishte qenë mirë ta lidhnim një marrëveshje me familjen që gjatë këtij muaji ta braktisim televizorin me përjashtim të rasteve të veçanta- lajmeve apo programeve fetare, që na përkujtojnë vlerën e këtij muaji.
Ndonëse Ramazani është muaj i mirësive ai prapë nuk shfrytëzohet sa duhet. Duaja, që në këtë muaj duhet të bëhet me shumë se sa në muajt tjerë, në këtë muaj që shpresohet të pranohet më shumë se kurdoherë, ajo prapë anashkalohet, ose anashkalohen kohët kur shpresohet të pranohet ajo. Koha para thirrjes së ezanit për iftar është kohë e shtrenjtë. Duaja në të shpresohet të pranohet shumë kështu që në ato momente, në vend të ndonjë nervoze të pavend, në vend të ndonjë zënke me familje, lute Allahun për vete dhe familje se Allahu pranon lutjet në këtë kohë.
Pejgamberi, alejhi’s selam kur Ramazani ishte gati për të ardhur thoshte:
“أَتَاكُمْ رَمَضَانُ شَهْرٌ مُبَارَكٌ فَرَضَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَلَيْكُمْ صِيَامَهُ تُفْتَحُ فِيهِ أَبْوَابُ السَّمَاءِ وَتُغْلَقُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَحِيمِ وَتُغَلُّ فِيهِ مَرَدَةُ الشَّيَاطِينِ لِلَّهِ فِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ مَنْ حُرِمَ خَيْرَهَا فَقَدْ حُرِمَ
Juve iu erdhi muaji i ramazanit, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu ua obligoi; në të hapen dyert e Xhennetit, mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në të është një natë, më me vlerë se njëmijë muaj, kush privohet prej saj, vërtet është i privuar!”
Pak më parë përmendëm një pjesë të hadithit përkitazi me atë që nuk e shfrytëzon Ramazanin se si ai konsiderohet i poshtëruar. Hadithi ka edhe dy shtesa që ia vlejnë të përmendën ngase që të dyja janë të një rëndësie të veçantë. Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam u ngrit në minber dhe tha: Amim, amin, amin!
O i dërguari i Allahut, ti këtë nuk e bëje më parë andaj çfarë do të thotë kjo?- e pyetën.
Tha:
“قال لي جبريل رغم أنف عبد أدرك أبويه أو أحدهما لم يدخله الجنة قلت آمين ثم قال رغم أنف عبد دخل عليه رمضان لم يغفر له فقلت آمين ثم قال رغم أنف امرئ ذكرت عنده فلم يصل عليك فقلت آمين
Më tha Xhibrili:
I poshtëruar qoftë njeriu që e zë pleqërinë e dy apo njërit prej prindërve dhe nuk hyn në Xhennet.
Thashë: Amin (Pranoje o Zot).
I poshtëruar qoftë njeriu që e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet.
Thashë: Amin (Pranoje o Zot).
I poshtëruar qofte njeriu që ti përmendësh në prani te tij dhe nuk të dërgon salavate.
Thashë: Amin (Pranoje o Zot).” ([4])
Po, i poshtëruar qoftë ai njeri që në këtë muaj nuk respekton prindërit e vet. Shumë të rinj e kanë bërë shprehi që iftarin ta kalojnë në shoqëri derisa prindërit e tyre mbesin vetëm. Në këtë moshe ata kanë më shumë nevojë se kurdoherë për ne kështu që në Ramazan, kur shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet do të kishte qenë mirë që t’i respektojmë edhe më prindërit tanë.
بارك الله لي ولكم ونفعني وإياكم بهدي سيِّد الثقلين، أقول قولي هذا، وأستغفر الله العظيم الجليل لي ولكم ولسائر المسلمين من كلِّ ذنب، فاستغفِروه إنه كان غفّارًا، وتوبوا إليه إنّه كان توابًا.
(Hytbeja e dytë)
الحمد لله، ألَّف بين قلوبِ المؤمِنين فأصبحوا بنِعمتِه إخوانًا، والصّلاة والسّلام الأزكيان الأشرَفان على الأسوَةِ الحسنة الذي جعَلَ الوحدةَ لأهل الإيمان عُنوانًا، صلّى الله وسلَّم وبارك عليه، وعلى آلِه الأطهار وصحابته الأبرار، والتابعين ومن تبعهم بإحسان ما تعاقَب الليل والنهار.
Falënderimet i takojnë Allahut, që bëri bashkimin e zemrave të besimtarëve dhe me begati të Tij u bën vëllezër. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet më të pastra dhe më të ngrohta qofshin mbi shëmbëlltyrën tonë të mirë, Muhammedin, i cili bashkimin e bëri veti dhe tipar të monoteisteve. Paqja qoftë mbi të dërguarin e Allahut, familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndershëm dhe pasuesit e tij dhe tyre gjer në amshim!
Muslimanë të bekuar!
Derisa jemi në prag të muajit të Kur’anit, të muajit që shënoi fillimin e historisë së re njerëzore ku adhurimi i putave u flak, u zhduk, ku varrosja e vajzave për së gjalli u çrrënjos, ku dallimi shtresor ndërmjet njerëzve u anulua, ku konsumimi i alkoolit u ndalua, përse të mos braktisim mëkatet? Nëse ke qenë në varësi të mëkateve në muajt e kaluar, në këtë muaj ke një shans të rrallë për të shpëtuar prej tyre. Djajtë prangohen, përulja shpirtërore shtohet dhe shpirti pastrohet kështu që edhe mundësitë për shpëtimin nga mëkatet janë më të mëdha se herëve tjera.
Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
” إذا دخل رمضان فتحت أبواب الجنة، وغلقت أبواب جهنم، وسلسلت الشياطين
Kur të hyje Ramazani hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit dhe lidhen në zingjirë shejtanët”.
Shans tjetër për të shumëfishuar të mirat në Ramazan është edhe Umreja, e cila në Ramazan ka vlerën e një haxhi të plotë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“عمرة في رمضان تعدل حجة
Një umre ne ramazan vlen sa një haxh”,
ose ka thënë:
“حجة معي
Sa një haxh me mua”. ([5])
Vëllezër muslimanë!
Ramazani është muaj i Kur’anit, është muaj i leximit dhe përfilljes së tij andaj nëse dëshironi shpërblime më shumë lexojeni Kur’anin ngase për çdo shkronjë të tij shpërbleheni me dhjetë sevape. Thotë Allahu:
“شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدىً لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ
(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”. (el-Bekare, 185)
Transmeton Ibën Mes’udi radijall-llahu anhu se i Dërguari sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:
“Kush e lexon një shkronjë nga libri i Zotit, për atë ka një të mirë dhe ajo e mirë shumëfishohet në dhjetë të mira. Nuk po them Elif-Lam-Mim- shkronjë, por po them Elif-shkronjë, Lam- shkronjë dhe Mim-shkronjë.”
Dhe vetëm për një gjysmë ore vëlla ke mundësi të arrish mbi 50.000 sevape. Si? Gjysmë ore ka gjithsej 30-të minuta, e çdo minutë 60-të sekonda. Po qe se shumëzojmë 30-tëshin në 60-të fitojmë numrin 1800. Lexuesi i shkathët i Kur’anit për çdo sekondë lexon nga tre shkronja (harfe), andaj edhe kur e shumëzojmë 3-shin me 1800 fitojmë numrin 5400, që do të thotë 5400 shkronja (harfe) të lexuara nga lexuesi në afat prej gjysëm ore. Kur të llogarisim se çdo shkronjë premton një të mirë, ndërsa një e mirë shpërblehet me dhjetë të mira, atëherë të mirat e plota të llogaritura arrijnë në 10 x 5400 = 54000 mijë të mira. ([6])
Vëllezër besimtarë!
Nëse ne duam shpërblime të mëdha atëherë përse të mos ia kushtëzojmë vetes sonë që çdoherë ta falim namazin farz në xhami? A nuk ka vlerë të madhe falja e namazeve në xhami sidomos në këtë muaj?! Transmeton Buhariu nga Ebu Musai se Muhammedi, alejhi selam, ka thënë:
“Njeriu me shpërblim më të madh në namaz është ai, i cili ka ecur më së shumti pastaj ai që ka ecur më së shumti (e ka shtëpinë më së largu nga xhamia), ndërsa ai, i cili e prêt namazin derisa ta fal me imam ka më shumë shpërblim se sa ai, që e fal pastaj flenë“.
Ka thënë Ibni El Muniri: “Hadithi tregon se shkaku për shtimin e shpërblimit është mundi dhe lodhja e të ecurit për ta falur namazin në xhami. Nëse puna është kështu, atëherë ecja për ta falur namazin e sabahut në xhami është më e mundimshme se sa tjerat sepse, nëse jacija e shoqëron në errësirë (d.t.th: te dy namazet janë gjatë natës), megjithatë ndarja nga gjumi i lezetshëm në kohën e sabahut ia shton vlerën edhe më shumë sabahut”.
Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Ebu Burejde El Eslemiu se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Përgëzoji meshshainët (ata qe ecin shume) në errësirë për në xhami me një dritë (nur) të plotë në Ditën e Kiametit!“.
Uthman b. Affani thotë se e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë:
“Kush e fal namazin e jacisë me xhemat është sikurse ai, që gjysmën e natës e kalon në namaz. Ndërsa ai, që e fal namazin e sabahut me xhemat, është sikurse ai, që është falur vetëm tërë natën. ([7])
Nëse kjo është për namazet ditore atëherë për namazin e veçante të këtij muaji, teravitë, sigurisht se ka shpërblim të madh, e në veçanti në dhjetëshin e fundit të Ramazanit kur bie Nata e Kadrit.
Prej sunneteve të rralla, që falen në xhami me imam, xhemat, dhe burra e gra, është edhe namazi i teravihëve. Nëse më pyet se çfarë e mire më vjen prej këtij namazi të them: Kur te dalësh para Allahut, nëse nuk ke kryer te gjitha farzet, Allahu do të urdhëroj melaiket qe sunnetet t’i llogarisin si farze, andaj mos e lësho rastin që 600 rekate farz t’i humbasësh (30 ditë Ramazan me nga 20 rekate teravi për çdo ditë= 600).
Mendo: Dita e i ka pese namaze me 17 rekate farz. Nëse e shumëzojmë këtë shifër, 600, me 17, sa është numri i rekateve brenda ditës, do të na del diku rreth 35. 2 (600:17=35).
Pra, me një muaj teravi, ti ke mundësi ta kompensosh namazin farz, të lëshuar nga harresa apo mosdija, të një muaji e pesë dite e gjysmë. Vërtetë begati e madhe. Unë nuk po them se ti fal teravite e lësho farzet, jo, kjo është shumë gabim, por po të them se ato, që në të kaluarën nuk i ke falur, ke mundësi nëpërmjet Ramazanit t’i kompensosh. Ndërsa për Natën e Kadrit shiko se çka thotë i dashuri jonë, Muhammedi, alejhi’s selam:
“من قام ليلة القدر إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه
Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe vetllogari, i falen mëkatet e bëra më parë”. ([8])
Në një version të Imam Ahmedit qëndron se i falen edhe mëkatet e më pastajme:
من قامها إبتغاءها، ثم وقعت له، غفر له ما تقدم من ذنبه وما تأخر
Kush falet në të, duke e kërkuar atë natë, e pastaj bekohet për të (e gjen atë), atij i falen mëkatet e mëparshme dhe ato të më pastajme”.
Muslimanë të nderuar!
Përkujtojeni Allahun, faleni namazin dhe dërgoni salavat mbi Muhammedin, alejhi’s selam, që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë të kënaqur me ne!
اللّهمّ صلِّ وسلِّم وبارك على سيِّدنا ونبيِّنا وقدوتِنا نبيِّنا محمّد، وارضَ اللّهمّ عن الخلفاء الراشدين والأئمّة المهديِّين أبي بكر وعمر وعثمان وعلي
اللَّهُمَّ نَجِّنا من النار، وأعِذْنَا من دارِ الخزْيِ والْبَوَار، وأسكنَّا برحمتِك دارَ المتقينَ الأبرار، واغفرْ لنا ولوالِدِينا ولجميع المسلمين، برحمتك يا أرحمَ الراحمين، وصلَّى الله وسلَّم على نبينا محمداً وعلى آله وصحبه أجمعين.
و أقيموا الصلاة حق القيام!
Sedat G. ISLAMI
25-8-2007, e shtune
Vushtrri, Kosovë
[1] Buhariu ne Edebu’l mufred
[2] Tirmidhiu
[3] Transmetim unanim
[4] Buhariu ne Edebu’l mufred
[5]
[6] http://www.albislam.com/gruaja/Gruaja.asp?NrGruaja=40
[7] Muslimi
[8] Transmetim unanim