Thotë Allahu i Madhëruar: "Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar, e hëna është çarë (në dysh).“ (El-Kamer, 1)
Ky është ajeti i parë nga kaptina El-Kamer, i cili ka qenë shkak për hyrjen e një njeriu në Islam, i cili më pas do të merr pozitën e Kryetarit të Partisë Islame në Britani.
Si ndodhi kjo?
Në një emision televiziv me gjeologun mysliman, Zaglul Nexh-xharin, prezantuesi i emisionit e pyeti rreth këtij ajeti nëse ka mrekulli shkencore në të apo jo?
Ky ajet me mua ka një rrëfim interesant- u përgjigj Nexh-xhari. Para disa kohësh –vazhdoi Dr. Nexh-xhari- ligjëroja në Cardif, në perëndim të Britanisë. Në ligjëratat e mia prezantonin muslimanë dhe jomuslimanë. Kishte debate shumë të gjalla rreth mrekullive shkencore të Kur’anit dhe në një prej këtyre debateve një i ri mysliman më pyeti:
Zotëri, a mendoni se në ajetin (që e cituam) ka imazhe të mrekullisë shkencore të Kur’anit?
Jo, -iu përgjigja për të shtuar më pas- sepse mrekullia shkencore merret ekskluzivisht me shkencën ndërsa kjo e fundit nuk mund t’i shpjegojë mrekullitë (mu’xhizatet), të cilat janë gjëra të pazakonshme dhe si të tilla janë jashtë shpjegimeve shkencore. Së këndejmi, ndarja e hënës në dysh është një mrekulli profetike, e cila dëshmon për profetësinë e Muhammedit [alejhiselam]. Mrekullitë lëndore janë dëshmi e gjallë për ata që i kanë parë e përjetuar dhe sikur të mos përmendeshin në Kur’an apo Sunnet, neve, besimtarëve të kohës sonë, nuk do të na duhej të besonim në to, por, për shkak se ato janë përmendur burimet e cituara, atëherë i besojmë, e edhe për faktin se Allahu ka mundësi të bëjë çfarë të dojë.
Pastaj Dr. Nexh-xhari filloi të shpjegonte detaje të kësaj mrekullie.
Pejgamberi [alejhiselam] pesë vite para migrimit në Medinë kishte pritur disa njerëz që kishin kërkuar prej tij një dëshmi të fortë se ai është profet. Kishin kërkuar që hëna të çahej dhe të ndahej në dysh. Pejgamberi [alejhiselam] e luti Allahun ta ndihmonte ndërsa Allahu e inspiroi që të bënte me gisht në drejtim të hënës dhe ajo u nda në dy pjesë për të qëndruar kështu për orë të tëra. Më pas, të dy pjesët u bashkuan me njëra tjetrën, por pabesimtarët, megjithëse e panë me sytë e tyre, thanë: Muhammedi na ka bërë magji. Disa thanë: Magjia ndikon te ata që kanë qenë prezentë në këtë rast. Do të presim karvanin që vjen dhe do t’i pyesim nëse edhe ata kanë parë këtë gjë. Dolën në hyrje të Mekkës dhe i pritën njerëzit që ktheheshin nga udhëtimi.
A mos iu ka rënë të shihni diç të çuditshme me hënën? – i pyetën.
Po, në një natë kemi parë se si hëna u nda në dy pjesë të cilat u larguan nga njëra tjetra dhe u bashkuan më vonë- u përgjigjën.
Disa prej atyre që dëgjuan këtë përgjigje, u bindën për vërtetësinë e misionit të Muhammedit [alejhiselam] andaj edhe i besuan, ndërsa të tjerë zgjodhën rrugën e mohimit me gjithë që vërtetuan se ndodhia nuk ishte magji. Pikërisht për këtë shkak Allahu thotë: "Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar, e hëna është çarë (në dysh). 2. Po ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument (mrekulli) zbrapsen e thonë: "Kjo është magji e vazhdueshme!" 3. Dhe përgënjeshtruan e ndoqën dëshirat e veta, por çdo çështje arrin cakun e fundit.“ (El-Kamer, 1-3)
Vazhdon Dr. Nexh-xhari rrëfimin e tij e thotë:
Pasi që e përfundova ligjëratën, u ngrit një djalosh mysliman anglez, i cili prezantoi veten e tij: Unë jam Davud Musa Pidkok (David Musa Pidcock), kryetar i Partisë Islame në Britani. Nëse do të më lejoje, do të doja të shtoj diç?
Si jo, vetëm urdhëro – iu përgjigja.
Tha: Para se ta pranoja Islamin, kërkoja – hulumtoja për një fe, e cila do të më bindte. Një student mysliman më dha një kopje të Kur’anit, gjegjësisht përkthimin e domethënieve të ajeteve kur’anore, për çka e falënderova shumë. E mora librin me vete në shtëpi. E hapa ndërsa, për habinë time, faqja ishte pikërisht tek kjo kaptinë kur’anore. Lexova: “Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar, e hëna është çarë (në dysh).” Thashë në vete: A mund të ketë kuptim kjo? Ka mundësi që hëna të ndahet në dysh dhe të ngjiten pjesët e ndara prapë me njëra tjetrën?! Cila fuqi mund ta bëjë këtë? Ky ajet më bëri që ta ndaloj leximin. Fillova të merrem me punë tjera. Por, nuk di si më ndodhi, apo Allahu dhesi ashtu që unë të ulem para televizorit -për shkak se vërtetë sinqerisht e kërkoja udhëzimin- dhe ta përcjell një emision në të cilin prezantuesi debatonte me tre astronautë amerikanë, që në të vërtetë i qortonte për shpenzimet marramendëse në këtë kohë kur varfëria, uria, sëmundjet dhe dekadenca kishin kapluar globin. Sikur kjo pasuri të shpenzohej për ndërtimin e vendeve tona do të ishte më e dobishme. Astronautët filluan ta mbronin veten duke thënë: Kjo teknologji mund të aplikohet në gusha të ndryshme të jetës: në mjekësi, industri, bujqësi. Nuk janë para të shpenzuara së koti. Duke qenë se flitej për udhëtim në hënë si një udhëtim që ka kërkuar më së shumti shpenzime, respektivisht një miliardë dollarë, njëri nga astronautët foli për këtë gjë, ndërsa gazetari anglez e ndërpreu duke i thënë: ç’budallallëk i madh që është kjo? Një miliardë dollarë amerikan që ta vendosni shkencën amerikane në hënë?!!!
Jo, nuk ka qenë qëllimi i vendosjes së shkencës amerikane në sipërfaqe të hënës. Ne dëshironim ta studiojmë përbërjen e brendshme të hënës dhe vërtetë ia vleu, madje, për rezultatet që gjetëm, edhe sikur të shpenzonim shumëfishin e kësaj shume, nuk do të na besonin.
E për çfarë të vërtete bëhet fjalë? – pyeti gazetari.
Kjo hënë dikur është ndarë në dy pjesë dhe është bashkuar prapë – iu përgjigjën.
E si e kuptuat këtë? – i pyeti gazetari.
Kemi gjetur një lloj rripi nga shkëmbinjtë e transformuar, i cili ndante hënën nga sipërfaqja e saj e deri në brendësi të saj. I pyetëm dijetarët e tokës dhe gjeologët për këtë rrip ndërsa na thanë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse hëna është ndarë dhe është bashkuar prapë.
Vazhdon rrëfimin e tij Dr. Nexh-xhari e thotë: Thotë ky besimtari i ri: Kur dëgjova këto fjalë, kërceva nga kolltuku ku isha ulur dhe thashë: Për një mrekulli e cila i ka ndodhur Muhammedit [alejhiselam] para shekujsh, Allahu bën që amerikanët të shpenzojnë miliarda dollarë vetëm e vetëm që tua vërtetojnë atë muslimanëve! Kjo fe patjetër se duhet të jetë e vërtetë. Iu ktheva këtij libri prapë, lexova kaptinën el-Kamer (hëna), e cila ishte edhe derë për mua për të hyrë në islam.
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI