Analizat dhe verifikimi i një dorëshkrimi të Kur’anit që daton nga koha e Uthmanit [radijAllahu anhu] kanë vërtetuar përputhjen 100% ndërmjet tij dhe mus’hafit që kemi ne. Fjala është për një dorëshkrim, i cili është në pronësi të universitetit të Tübingen-it. Hulumtuesit dhe analistët kanë përfunduar se dorëshkrimi i përket periudhës pas vdekjes së Pejgamberit Muhammed [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], gjegjësisht viteve 20-40 hixhrijj, që përket me periudhën e sundimit të halifes Uthman [radijAllahu anhu].
Në të vërtetë, dorëshkrimi nuk përmban të gjitha pjesët e Kur’anit.
Hulumtimi të cilin e ka realizuar universiteti në fjalë vërteton se kopja dorëshkrimit i përket shek. VII, pra pak vite pas vdekjes së Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], për ç’shkak konsiderohet dhe kopja më e vjetër e zbuluar deri më tani e Kur’anit Famëlartë. Kjo nënkupton se dorëshkrimi i përket dorëshkrimeve të para të Kur’anit. Kjo dëshmohet edhe nga puna e hulumtuesve Wilfried Lagler, Kerstin Strotmann dhe Karl Guido Rijkhoek nga universiteti në fjalë, të cilët, për të krahasuar dorëshkrimin morën tre mostra, duke vërtetuar se 95% ato i përkasin periudhës ndërmjet viteve 20-45 pas vdekjes së Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], përkatësisht viteve 649-675.
Hulumtuesi kanë nënvizuar se dorëshkrimi është shumë i rrallë, për çka, për shkak se e vlerësojnë pasuri të çmuar, vendosën ta digjitalizojnë dhe ta publikojnë në faqen e universitetit të tyre.[1] Dorëshkrimi i zbuluar është vetëm një pjesë e Kur’anit, ose më saktësisht është mesi i Kur’anit.
Një faqe e Kur’anit e shkruar rreth 20 vite pas vdekjes së Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], në të cilën janë disa ajete (96-106) nga kaptina El Kehf:
انفُخُوا ۖ حَتَّىٰ إِذَا جَعَلَهُ نَارًا قَالَ آتُونِي أُفْرِغْ عَلَيْهِ قِطْرًا ﴿٩٦﴾ فَمَا اسْطَاعُوا أَن يَظْهَرُوهُ وَمَا اسْتَطَاعُوا لَهُ نَقْبًا ﴿٩٧﴾قَالَ هَـٰذَا رَحْمَةٌ مِّن رَّبِّي ۖ فَإِذَا جَاءَ وَعْدُ رَبِّي جَعَلَهُ دَكَّاءَ ۖ وَكَانَ وَعْدُ رَبِّي حَقًّا ﴿٩٨﴾ وَتَرَكْنَا بَعْضَهُمْ يَوْمَئِذٍ يَمُوجُ فِي بَعْضٍ ۖ وَنُفِخَ فِي الصُّورِ فَجَمَعْنَاهُمْ جَمْعًا ﴿٩٩﴾ وَعَرَضْنَا جَهَنَّمَ يَوْمَئِذٍ لِّلْكَافِرِينَ عَرْضًا ﴿١٠٠﴾ الَّذِينَ كَانَتْ أَعْيُنُهُمْ فِي غِطَاءٍ عَن ذِكْرِي وَكَانُوا لَا يَسْتَطِيعُونَ سَمْعًا ﴿١٠١﴾ أَفَحَسِبَ الَّذِينَ كَفَرُوا أَن يَتَّخِذُوا عِبَادِي مِن دُونِي أَوْلِيَاءَ ۚ إِنَّا أَعْتَدْنَا جَهَنَّمَ لِلْكَافِرِينَ نُزُلًا ﴿١٠٢﴾قُلْ هَلْ نُنَبِّئُكُم بِالْأَخْسَرِينَ أَعْمَالًا ﴿١٠٣﴾ الَّذِينَ ضَلَّ سَعْيُهُمْ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَهُمْ يَحْسَبُونَ أَنَّهُمْ يُحْسِنُونَ صُنْعًا ﴿١٠٤﴾أُولَـٰئِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا بِآيَاتِ رَبِّهِمْ وَلِقَائِهِ فَحَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ فَلَا نُقِيمُ لَهُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَزْنًا ﴿١٠٥﴾ ذَٰلِكَ جَزَاؤُهُمْ جَهَنَّمُ بِمَا كَفَرُوا وَاتَّخَذُوا آيَاتِي وَرُسُلِي هُزُوًا ﴿١٠٦﴾
... "Ndizni!", e kur e bëri atë (hekurin) zjarr (si zjarr nga të ndezurit) tha: "Më sillni bakër të shkrirë t'ia hedhë atij!" 97. E ata as nuk arritën ta kapërcenin atë e as ta shponin. 98. Ai (Dhulkarnejni) tha: "Kjo është një e mirë nga Zoti im, e kur të vjen caktimi i Zotit tim, Ai e bën atë rrafsh, e caktimi i Zotit tim është i sigurt". 99. (Kur të vijë caktimi i Zotit, ose kur të dalin Jexhuxh Mexhuxhët) Ne bëjmë atë ditë që ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. Dhe i fryhet Surit (për herën e dytë) e të gjithë ata i tubojmë. 100. Atë ditë ua prezentojmë xhehennemin jobesimtarëve me një prezentim të hapët (trishtues). 101. Atyre që sytë i kishin të mbuluara ndaj argumenteve të Mia dhe që nuk mund të dëgjonin (fjalët e All-llahut). 102. A mos menduan ata që nuk besuan se përkundër Meje mund të marrin zota (mbrojtës) robtë e Mi? Ne e kemi përgatitur për jobesimtarët xhehennemin vendpritje. 103. Thuaj: "A t'ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?" 104. Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë. 105. Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e gjykimit atyre nuk do t'u japim kurrfarë vlere. 106. Këtë, ngase shpërblimi i tyre është xhehennemi, për shkak se nuk besuan dhe argumentet e Mia e të dërguarit e Mi i morën për tallje.”
Pas analizimit të faqeve të dorëshkrimit është vërtetuar se ato përputhen 100% me mus’hafin që e kemi sot, duke mos patur as shtim dhe as pakësim madje as të një shkronje të vetme. Paramendojeni këtë përputhje të mahnitshme: një libër që është shkruar para 1400 viteve ngel i pandryshuar, dhe këtë nuk kemi si ta quajmë ndryshe vetëm se ruajtje madhështore të Kur’anit. Kjo është vërtetim i fjalës – premtimit të Allahut të Madhëruar:
"إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ
Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur'anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.“ (El-Hixhr, 9)
Kush mund të parashikojë se libri i tij do t’i mbijetojë shekujve?
Sikur Kur’ani të ishte libër nga Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], do të kishte patur fatin e humbjes sikur të qindra e mijëra librave tjerë, madje, edh epo të shpëtonte, do të ishte shtrembëruar e devijuar, sikur që ka ndodhur me librat tjerë, gjegjësisht Teuratin dhe Inxhilin. Por, jo, Kur’ani është Libër i Allahut dhe është Allahu Ai që ka garantuar ruajtjen e tij, kështu, gjetja dhe vërtetimi i këtij dorëshkrimi është fakt i prekshëm i vërtetësisë së mesazhit islam.
Abdudaim El-Kehil
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
Referenca:
Koran manuscript from early period of Islam,
http://www.uni-tuebingen.de/en/news/press-releases/newsfullview-pressemitteilungen/article/raritaet-entdeckt-koranhandschrift-stammt-aus-der-fruehzeit-des-islam.html, 10-11-2014 .