Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El Ahzab:70:71)
Vëllezër besimtarë!
Bukuria e njeriut nuk qëndron në fizikun dhe rrobat e tij, por në moralin dhe sjelljet e tij. Me këto të fundit ai, para së gjithash, përfiton kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, dhe pastaj edhe simpatinë e njerëzve. Për këtë shkak, këtij modeli të bukurisë dhe zbukurimit në Islam i është kushtuar rëndësi e madhe. Allahu i Madhëruar na ka bërë të qartë se tek Ai nuk arrihet e mira ndryshe vetëm se duke disponuar me këto të mira –virtyte. Sa njeriun e kanë marrë dhe konsideruar për të pavlerë por tek Allahu ai ka qenë shumë i madh. Për këtë shkak, Pejgamberi [alejhiselam] ka qenë shumë kureshtar që t’i nxisë besimtarët të garojnë në këtë fushë, ngase të pasuruarit me virtyte dhe tipare nënkupton fitimin e vërtetë.
Por jo vetëm kaq. Rëndësia e virtyteve nuk kanë limit të fundit individin. Ajo është e rëndësishme për shkak se paraqet imazhin e vërtetë islam, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë shkak pse njerëzit e pranojnë atë si fe. Andaj, duke filluar nga sot e për disa hutbe me radhë, do të trajtojmë tipare që na bëjnë të shquar, të dalluar dhe të mirë tek Allahu. Do të trajtojmë tipare që janë përshkruar vetëm në hadithe.
1. NJERIU ME MORALIN MË TË MIRË
Ibni Amri [r.a.], siç shënojnë Buhariu dhe Muslimi, transmeton se Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “Vërtetë, të përzgjedhurit tuaj janë ata që kanë moralin më të mirë!”
POZITA E MORALIT NË ISLAM
Morali ka një pozitë të rëndësishme në Islam. Nëse do të donim të bënim një përshkrim në gjeneral për moralin në Islam, atëherë do të thoshim se morali është një nga tri boshtet kryesore të fesë. Në hadithin e Xhibrilit [alejhiselam] në të cilin përshkruhen tri boshtet kryesore të fesë, morali është njëra nga këto boshte (ihsani).[1] Ndërsa, nëse do të donim të shkoqisim dhe zbërthejmë domethëniet e tij, do të vërenim se morali është jo vetëm zbukurues i veprave, por edhe faktor vendimtar në pranimin e tyre. Kjo pasi që morali llogaritet si një lloj rezultati i efekteve të koncepteve dhe detyrave kryesore të fesë. P.sh. si efekt i rëndësishëm i namazit në jetën e individit është edhe largimi i tij nga veprimet e këqija. Allahu thotë: “... fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç'punoni ju.“ (El Ankebut, 45)
Sejjid Kutbi duke e komentuar këtë ajet, nënvizon se nuk ka mundësi të falësh namazin dhe të bësh mëkate, ndryshe namazi nuk është kryer siç është urdhëruar.[2] “Islami ka lidhur të dukshëm (jashtmen) me të padukshmen (brendshmen), për të mos na urdhëruar me rituale të paqarta, me adhurime të pakuptimta, me detyra të mistershme që nuk kanë kuptim, përkundrazi, ato janë detyra dhe obligime të atilla që njeriut të jetuarit me moral t’ia bëjnë traditë, ta ambientojnë me moralin e mirë, ta bëjnë të mbahet për moralit të mirë pavarësisht rrethanave dhe kohës...”[3]
Dhe vetëm duke patur parasysh këtë arrijmë të kuptojmë përse Pejgamberi [alejhiselam] gjykoi me xhehennem gruan e cila falte namaz, agjëronte e madje jepte edhe lëmoshë por që me gjuhën e saj shqetësonte të tjerët.[4] Pikërisht për këtë gjë, portreti i besimtarit nuk mund të jetë origjinal dhe aq më pak i përsosur nëse mungon morali. Kjo ngase lidhja ndërmjet fesë (besimit dhe obligimeve) dhe moralit nuk mund të shkëputet. Përkundrazi. Morali i mirë është imazhi më reflektues i besimit të vërtetë. Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “Besimi me besimin më të plotë – përsosur është ai që ka moralin më të mirë.”
Në të vërtetë, është edhe porosi profetike që njerëzit të trajtohen me moral të mirë[5] sepse ndryshe harmonia dhe respekti në shoqëri do të mungojnë. E nëse arrihet kjo, pra morali i mirë, atëherë mos pyet për mirësitë me të cilat begatohet besimtari. Ai arrin me moral shpërblimin e atyre që falen dhe agjërojnë vullnetarisht,[6] arrin një pozitë afër Allahut ose është prej më të dashurve të Tij,[7] prej më të afërmve me Pejgamberin [alejhiselam] në Ditën e Llogarisë,[8] etj.
Nga këtu, nuk ka asfare çudie kur të shohim Pejgamberin [alejhiselam] tek lutej që Allahu ta udhëzonte për në moralin e mirë: ““...O Allahu im! Më udhëzo në moralin më të mirë ngase nuk udhëzon në më të mirin (moral) askush përveç Teje!...”[9]
PËRKUFIZIMI I MORALIT TË MIRË
Togfjalëshi ‘Morali i mirë’, siç edhe mund të kuptohet nga formulimi, aludon në virtyte të larta të moralit. Ai është larg çdo formaliteti. Një imazh i qartë i tij mund të përfitohet vetëm atëherë kur të përkthehet në vepër. Me pak fjalë, ai është përkthim i mirësisë, mirëbërësisë, i çdo virtyti të lartë. Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “Birr-rri (mirësia, mirëbërësia, dashuria, virtyti) është morali i mirë...”[10]
Imam Neveviu duk shpjeguar këtë hadith, gjegjësisht fjalën “birr-rr”, tregon se ajo është përmbledhëse e gjërave që përbëjnë ajkën e moralit të mirë. Thotë: “Kanë thënë dijetarët: Birr-rri mund të jetë me kuptim të: (1) mbajtjes së lidhjeve familjare, (2) butësisë, (3) humanizëm (vepër humane, mirëbërësi, lëmoshë), (4) shoqëri e mirësjellshme, (5) miqësi e sinqertë, (6) respekt dhe nënshtrim...”[11]
Siç po shihet, morali i mirë nuk përkufizohet vetëm në aspektin verbal, respektivisht në ato shprehjet elegante që shpesh dinë të jenë edhe fraza të thata dhe boshe. Morali i mirë nënkupton të nderosh tjetrin me çdo gjë që ke mundësi dhe e kërkon rasti ose nevoja.
Ibn Kajjim el-Xheuzijje, në Medarixh es-salikin, definon moralin e mirë me disa kuptime:
“Morali i mirë është të jesh zemërgjerë e bujar, të mos dëmtosh të tjerët (as verbalisht dhe as fizikisht), dhe të përballosh dëmtimet-padrejtësitë e tyre.”
“Bërja e të bukurës dhe heqja dorë – shmangia nga e keqja.”
“Zhveshja nga vetitë e këqija dhe stolisja me virtyte.”
Më tutje, Ibn Kajjim el-Xheuzijje, shpjegon se morali i mirë ka katër shtylla kryesore:
Durimin, që e bën njeriun të përballojë të këqijat, të vetëpërmbahet, të heq dorë nga e keqja, të jetë i butë, i sjellshëm, i matur dhe jo i ngutshëm.
Nderin, që e bën të braktisë të këqijat dhe të ndyrat, fjalë apo vepra qofshin, që të jetë i turpshëm. Është koka e çdo të mire. Nderi e pengon nga çdo e keqe: koprracia, gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, etj.
Guximin, që e bën njeriun të jetë krenar, të favorizojë tiparet më të larta të moralit, të dhënies dhe bujarisë, pra është guxim për të dhënë – shpenzuar (për Allahun) atë që është më e dashur. Guximi e bën besimtarin të vetëpërmbajtur dhe frenues, siç thotë Pejgamberi [alejhiselam]: “Nuk është i forti në mundje, por ai që përmban veten gjatë hidhërimit.”[12]
Drejtësinë, që të ketë moral të drejtë, që të balancojë moralin ndërmjet dy ekstremeve. Drejtësia e nxit për bujari, që është ndërmjet dhënies së tepërt dhe koprracisë, për guximin që është ndërmjet frikës dhe arrogancës, për butësinë që është ndërmjet hidhërimit dhe nënçmimit.[13]
Pra, siç mund të shihet, morali i mirë nuk është dobësi, nuk është shthurje në asnjë kuptim, përkundrazi, është virtyt, maturi, mençuri.
KONCEPTI ISLAM PËR NDRYSHIMIN E MORALIT Për dallim nga ata që moralin e shohin si një rregull ose normës e sjelljes e paravendosur nga një shoqëri dhe e pranuar nga njerëzit për kod të tyre të sjelljes, në Islam ai nuk është thjesht një rregull apo normë e rregullimit të sjelljes së njeriut, jo, përveç kësaj, ai ka dhe karakteristika, tek të cilat fshihen dhe shumë urtësi. Një nga këto karakteristikat dhe gjithsesi më madhështorja është ajo se ka për burim shpalljen, e cila moralin e vë në funksion të organizimit të jetës sipas ose në përputhje me qëllimin për të cilin është krijuar njeriu – adhurimi i Allahut.[14] Nga këtu, dijetarët muslimanë jo që i kanë kushtuar rëndësi, por edhe e kanë ruajtur me fanatizëm. Siç rrëfen Dr. Iman Abdul Mu’min Sa’duddin, një dijetari mysliman i kishin thënë: A e ke lexuar filan veprën të filan autorit për moral, ndërsa ai u përgjigj: Jo, e kam lexuar atë të Muhammedit [alejhiselam].[15]
Ajo që duam të shkoqisim këtu nga koncepti i moralit në islam ka të bëjë me diskutimin e kahershëm rreth natyrës së moralit, se a është i lindur bashkë me njeriun apo se mund të përfitohet? Morali në Islam është relativ; as nuk është krejtësisht i lindur, por as krejtësisht i përfituar. Prania e elementeve që nxisin të mirën dhe të keqen tek njeriu nuk mohohet, por feja ka ardhur për të vënë nën kontrolle këto elemente si dhe për t’i vënë në shërbim të së mirës.[16]
Do të marrë dy shembuj për të parë këtë intervenim të fesë në rregullimin e moralit:
Turpi, si tipar është shumë i pëlqyer, madje ai është në një farë forme simboli i moralit në Islam. Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “Çdo fe ka moralin e vet ndërsa morali i Islamit është turpi.”[17] Por, nëse turpi bëhet shkaktar të të privojë nga gjërat e mira, pra shfaq një imazh dobësie tek ti, atëherë ai më nuk është virtyt. Për këtë gjejmë shumë raste kur sahabet [radijAllahu anhum] e pyesnin për diç Pejgamberin [alejhiselam], i thoshin: “Allahu nuk turpërohet nga e vërteta....”,[18] duke aluduar në at se po duan ta mësojnë fenë dhe se veprimi i tyre nuk është guxim shpërfillës por as turp dobësie që i pengon nga përfitimi i të mirës.
Hidhërimi dhe xhelozia, të cilat në esencë nuk janë të pëlqyera. Pejgamberi [alejhiselam] njeriun që kërkoi tri herë këshillë prej tij e porositi që të mos hidhërohej: “Mos u hidhëro!”[19] Megjithëkëtë, nëse është në pyetjet hidhërimi për fenë e Allahut, ose hidhërimi për moralin, atëherë hidhërimi bëhet virtyt. Njeriun që nuk e ka këtë virtyt në raste të tilla, veçanërisht kur është në pyetje morali familjar, Pejgamberi [alejhiselam] e kërcënoi se do të jetë i privuar nga mëshira e Allahut në Ditën e Kiametit. “Tre veta nuk dot ë hyjnë në Xhennet kurrë: dejjuth (ai që e pranon të keqen në shtëpi), gruaja që burrëzohet (merr veti burri) dhe ai që konsumon alkoolin...”[20]
Nga këtu, konstatimi i Imam Gazaliut [rahimehullah] se “sikur morali të mos pranonte ndryshim, atëherë këshillat, porositë dhe edukimet do të ishin të pavlera dhe të parëndësishme”,[21] del me vend. Ajo që nënvizon Gazaliu, e që është për tu admiruar si këshillë, është se disa karaktere dhe natyra të njerëzve pranojnë ndryshimin më lehtë, e të tjera më me vështirësi. [22]
[2] Shih: Kutb, Sejjid. (1412 h.) Fi dhilali-l-Kur’an. Kajro-Bejrut: Dar esh-shuruk. 5/2738.
[3] Sa’duddin, Iman Abdul Mu’min. (2002) El-ahlak fil Islam – en-nedharijjetu ve-t-tabik. Rijad: Mektebetu-rr-rrushd. F.14-15.
[4] Hadithin e transmeton Imam Ahmedi ndërsa, siç thotë Shuajb Arnauti, ai ka varg transmetuesish të mirë –hasen. Shih: Ahmed, Ahmed ibn Hanbel. (2001) Musned el Imam Ahmed ibni Hanbel. Tahkik: Shuajb el-Arnaut – Adil Murshid. Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale.15/421.
[5] “…dhe shoqëroji njerëzit me moral të mirë” – Albani në Sahihul xhamii, nr. 97, e përmend si hadith hasen.
[6] “Njeriu me moral të mirë do të arrijë gradën e atij që agjëron dhe falet (vullnetarisht).” Hadithin e transmeton Ebu Davudi (4798) ndërsa Albani thotë se është autentik.
[7] “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai me moralin më të mirë.” Shih: Sahihul xhamii, 179.
[8] “Më së afërmi me mua në Ditën e Kiametit do të jetë ai që ka moralin më të mirë.” Hadithin e transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka vlerësuar hasen.
[13] Shih: Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed ibn Ebu Bekr ibn Ejjub. (1999) Medarixhu-s-salikine bejne menazili ijjake na’udu ve ijjake nestein. Bejrut: Darul kutub el-ilmijjeh. 2/32-331.
[14] Shih: Azzam, Mahfudh Ali. (1986) El-ahlak fil Islam bejne-n-nedharijjeti ve-t-tatbik. Darul hidaje. F. 14.
[15] Sa’duddin. (2002) El-ahlak fil Islam – en-nedharijjetu ve-t-tabik. F.14-15.
[16] Për më shumë shih: Ibn el-Mulekkin Siraxhuddin, Ebu Hafs Omer ibn Alijj ibn Ahmed. (2008) Et-teudih li sherhi-l-xhamii-s-sahih. Tahkik: Darul fellah lil bahthil ilmijji ve tahkikit turath. Damask: Dar en-nevadir. 28/355-357.
[17] Hadithin e transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e vlerëson hasen.