Aspiratat për integrim në unionin evropian dhe agjenda politike përkatëse kanë qenë të ngarkuara me një frikë të pajustifikueshme për kinse rolin negativ në këtë proces të përkatësisë fetare të shumicës absolute shqiptare. Kjo ka bërë që debati për fenë islame të merr një shtrirje të gjerë, respektivisht të degëzohet në tri kanale:
- Akademike,
- Politike, dhe
- Fetare.
Historikisht, është munduar që lidhja e shqiptarëve me Islamin të përshkruhet si e dhunshme, politikisht, si pengesë, dhe fetarisht, si dekadencë. Feja është krahasuar me regjime të Lindjes së Mesme, të cilat fare pak kanë të bëjnë me fenë. Sigurisht, kjo në përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur Islamin.
Në këtë llum zhvillimesh, faktori klerik katolik në Kosovë, është munduar të tregohet i kujdesshëm për kinse mospërfshirje në këtë debat, edhe pse, jo rrallë, në deklarata të udhëheqësve të lartë të tyre, janë vënë re elemente që i kanë shërbyer këtij debati. Por, si më të zëshëm në këtë drejtim, kanë qenë emra nga skena politike (parti me orientim kristian, deputetë dhe intelektual katolikë) dhe mediat (duke përfshirë këtu dhe televizionin kombëtar RTK). Këto të fundit, kanë shfrytëzuar festat e krishtere për të propaganduar për fenë e krishterë. Nuk kanë mjaftuar me ceremonitë festive, porse janë marrë edhe me propagandë, siç ishte konvertimi kinse në të krishterë i disa muslimanëve (2013) apo edhe tani (2014) rasti qesharak dhe komik i njëfarë Shabanit që është bërë Zef vetëm sa për t’iu mundësuar konsumimi i rakisë. Ky rasti i fundit nga propaganda iu është kthyer në boomerang, sepse Zefi krishterimin e prezanton si një fe të shthurur, e cila pranohet për epshe e qejfe, ndërsa misionin e krishterë si propagandues. Ndryshe, Zefi nuk di asgjë për fenë e re të tij.
Nejse, këto nuk ishin shqetësuese sa ishin dy sinjale, me njërin prej të cilave u përmbyll një vit viti ndërsa me tjetrin u hap viti i ri. Fjala është për dy artikuj të publikuar në portalin katolikofil, Express, autorë të të cilëve janë Anton Berisha (Atentatin në katedrale ka kohë që e kemi bërë të mundshëm!) dhe Lazër Stani (Vatikani, faktor i mbijetesës së shqiptarëve). Forma se si trajtohet problemi fetar, ai islam, si abuzues, dhe ai krishterë, si i abuzuar, është për shqetësim. Shkrimet, nuk janë vetëm ekzagjerime, por edhe gënjeshtra të qëllimshme (propagandë), që, nëse ua shton edhe krekosjen që u bë për mos ndezjen e dritave për krishtlindje në Prishtinë, dalin shumë tendencioze dhe, në raport me harmoninë fetare, me efekt eksplodues.
E thashë edhe më parë se ka patur shkrime të herëpashershme, që kanë bastarduar me komunitetin absolut në trojet shqiptare, por, si raste analizimi, do t’i referohem vetëm këtyre dy shkrimeve.
I. “Atentatin në katedrale ka kohë që e kemi bërë të mundshëm!” – Anton Berisha
1. Motivi i shkrimit
Shkrimi është një rezyme, e cila, ndonëse në fund të vitit kur është bërë traditë të bëhen përmbledhje të ngjarjeve vjetore, megjithëkëtë, tejkalon këtë diametër, për të përgjithësuar një histori të tërë. Është me shkas, por pa kuptim. Rastin e tentimit të një serbi për të sulmuar vende të caktuara, të cilat sistemi i sigurisë ende saktësisht nuk i ka identifikuar, e trajton nga një këndvështrim, që në rast se ndonjë medie do të bënte përzgjedhjen e analizës më banale të ndonjë problemi, do ‘ia propozoja për të parën. Jo vetëm që dyshon në përkatësinë e serbit, porse një problem për të cilin do të duhej drejtuar gishti organeve të rendit dhe të sigurisë, ai ia hedh një komuniteti të tërë. E vërtetë, ai fajëson rendin dhe sigurinë, por jo pse nuk janë në detyrë përkatëse, por pse kinse kanë mundësuar depërtimin e islamit radikal, i cili kinse po bombarduaka kisha e katedrale.
Çfarë lidhje ka serbi me islamin radikal?
A po, mos tash keni filluar t’i etiketoni me radikalistë islamikë edhe serbët?! Hahaha!
Fajin për tradhti, shumicës myslimane nuk ia ngarkon vetëm për të kaluarën, por edhe për të tanishmen.
2. Logjika e zgjidhjes së problemeve të Kosovës
Shkrimi, ndonëse ka shkas tentimin për sulmin e përmendur më lartë, megjithëkëtë i rreket një problemi tejet madhor për neve shqiptarët, si komb dhe shtete. Fakti se pse nuk jemi shumicë katolikë është shkaku i të gjitha të këqijave, ndërsa hipoteza se po të ishim të gjithë katolikë, do të na zgjidhte të gjitha problemet, qoftë këto të sigurisë, qoftë ato të integrimit. Sa i përket sigurisë, do të doja t’ia kujtoj Antonit se përqindja e krimeve në Vatikan, vend i cili jo vetëm që është tërësisht katolik dhe në të cilin sundon Kisha, është tejet i lartë. Mos iu ka fshehur diku shkopi magjik. Apo, mos e kanë harruar diku në Kosovë, më konkretisht tek Antoni, i cili siguron rend dhe qetësi absolute. Përveç kësaj, qëndrimet zyrtare të Vatikanit, kanë vështirësuar integrimin e Kosovës, sikur që kanë hapur plagët e vjetra. Refuzimi i pranimit të Kosovës për shkak të llogaritjes së kësaj të fundit si djep i ortodoksisë serbe.
Fatkeqësisht, politika jonë vuan nga kjo mendësi. Fakti se jemi shumicë myslimane disa i ka bërë që ta shprehin hapur mospajtimin e tyre, derisa të tjerë janë munduar ta bëjnë këtë nëpërmjet përpjekjes së mohimit të çfarëdo ndikimi të këtij komuniteti. Për këtë shkak, dhe sidomos kur është kërkuar si makijazh politik para ndërkombëtarëve, shteti servil ka qenë i gatshëm të bëjë veprime spektakulare. Jo vetëm që nuk u zgjidh problemi, ngase faktorët ndërkombëtarë akuzuan shtetin për dështim në luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit, porse, pas një periudhe fare të shkurtër, u liruan shumica e të arrestuarve si të pafajshëm. Tashmë ishte një njollë tjetër e madhe që iu vu sistemit qeverisës dhe atij të drejtësisë në Kosovë. E sikur kjo nuk mjaftoi, dhe kur shteti vazhdoi me ekzagjerim të problemit të ekstremizmit fetar, populli vendosi ta ndëshkonte rëndë. Dhjetëra mijëra qytetarë lëshuan Kosovën duke shitur çdo gjë që kishin vetëm e vetëm që të ikin. Ata nuk po iknin nga ekstremi fetar, por nga ai politik dhe mafioz.
3. Mendësia kamikaze për propagandë fetare
Kam dyshuar shumë se shkrimi ka një prapavijë të caktuar fetare. Analizimi i problemit nga ky këndvështrim më është dukur sikur është një thirrje që, nëpërmjet flijimit, do të faktorizohet dhe më shumë çështja katolike në Kosovë. Për këtë bindemi edhe më shumë nëse kemi parasysh vajin e Ipeshkvit vetëm para pak ditësh për mospërfshirje të katolikëve në qeveri, e cila nuk është e ngritur dhe ndarë mbi baza fetare. në të vërtetë, është edhe Antoni ai që derton një problem të këtillë. Vërtetë, po kam frikë mos sponsor të këtyre problemeve mund të jenë vet katolikët, në mënyrë që të sigurojnë edhe një mbulesë shtetërore më të madhe, për të vazhduar më pas me sulme të pamëshirshme ndaj muslimanëve. Gjuha se si e trajton problemin Antoni, të bën të besosh se bëhet fjalë për një helm, vrer, mëri, inat, smirë, urrejtje, të akumuluar ndër shekuj.
Jürgen Todenhöfer, po ta zbriste debatin e tij për problemin fetar në Gjermani në arenën kosovare, do të thoshte për Antonin dhe njerëzit që e përkrahin atë se janë version katolik i ISIS-it.
4. Identifikimi i islames me të keqen absolute
Se shkrimi është me prapavijë flet edhe tendenca për të ngjyrosur me të keqe çdo gjë islame. Është një verbëri e llojit të vet, e cila e shtyn Antonin të bëjë thirrje për shkëputje absolute me islamin, kulturalisht, fetarisht dhe në diplomaci. E pengojnë lidhjet me Turqinë, pjesëmarrja e politikanëve në iftare, e madje, shumë çnjerëzisht, e pengon edhe shamia. Ai bën thirrje për shkelje të të drejtave elementare.
Antoni, si radikalist katolik, akuzon për turkofil të gjithë ata që nuk shfaqin simpati për katolicizëm. Kësisoj, Antoni nuk përton ta hedh vrer mbi Shpendin vetëm pse nuk ka ndezur dritat për krishtlindje. Unë nuk di të kenë kërkuar muslimanët ndonjëherë manifestim të këtillë për bajrama dhe as që kanë akuzuar liderët për ekstremizëm të ndonjë përkatësie vetëm pse nuk kanë manifestuar publikisht. Është e qartë se Antoni ndjek vijën e atyre që laicizmin e interpretojnë njëanshëm, pra vetëm atëherë kur bëhet fjalë për muslimanët.
Antoni, shumë padrejtësisht, dobësimin e elementit katolik e llogarit dobësim të elementit shqiptar, duke dashur kështu ta shkrijë katoliken në kombëtare, derisa praninë e elementit islam e vlerëson si imazh tradhtie.
II. “Vatikani, faktor i mbijetesës së shqiptarëve” – Lazër Stani
1. Rreth shkrimit
Shkrimi është parathënia e librit të sapo botuar “Vatikani dhe shqiptarët”.
2. Ndërlidhja e faktorit katolik me atë kombëtar, prosperues dhe zhvillues
Edhe në shkrimin e Lazërit mund të hasësh në elemente shumë të ngjashme me atë të Antonit. Bile, të krijohet përshtypja se mendimet janë sikur një zë – qëndrim i një komuniteti të tërë. Edhe Lazëri nuk kursehet nga ofendimet ndaj komunitetit mysliman, ndonëse këtë e bën me një retorikë. Ai e konsideron origjinale pamjen ose imazhin krishterë të Kosovës ndërsa të tjetërsuar atë islam. Sikur edhe Antoni, i hyn edhe historisë, dhe duke ekzagjeruar gjërat, shpeshherë deri në atë mënyrë që dalin mitike, i atribuon të gjitha meritat faktorit katolik shqiptar për të gjitha arritjet. Shpalljen e Pavarësisë, çuditërisht, ia atribuon katolikëve, ndërsa dihet se roli i faktorit islam ishte shumë më i theksuar dhe padyshim edhe më vendimmarrës. Madje, sipas asaj që është vërtetuar së fundmi se qeveria ishte e ndarë në ngjyra fetare, ai që mori përsipër dhe udhëhoqi tërë procesin e shpalljes së pavarësisë, ishte mysliman.
Lazëri, jo vetëm që nuk kursehet nga akuzat ndaj faktorit islam përgjatë historisë madje duke i lidhur edhe me të tanishmen, porse, duke cituar Ismail Kadarenë, ai i futet edhe një debati për kinse fenë e parë të shqiptarëve, të cilën, prerazi e përcakton si fe të parë të shqiptarëve.
Nuk do të doja të dëgjoj thirrjet se kinse Evropa na pranon vetëm nëpërmjet kthimit në të krishterë, sepse kjo nuk mund të ndodhë kurrë, dhe se, si thirrje, është raciste.
3. Përpjekje për të përmirësuar imazhin politik të Vatikanit
Lazëri mundohet ta përmirësojë imazhin e Vatikanit tek shqiptarët, të cilët, për shkak të deklaratave zyrtare të tij, ndihen të ofenduar. Vatikani ka deklaruar se interes më i madh për të është ruajtja e marrëdhënieve me kishën serbe sesa liria e Kosovës. Lazëri mundohet ta justifikojë Vatikanin se kinse ata që e kanë shfaqur me imazh negativ janë armiqtë e tij dhe jo se ai në të vërtetë ashtu qëndron.
4. Loja me personalitete
Lazëri, duke tentuar ta konfirmojë komunitetin katolik si faktorin më të rëndësishëm, i referohet dhe personaliteteve, si Skënderbeut, Nënë Tereze-s, duke harruar se shqiptarët i respektojnë këto figura nga këndvështrimi kombëtar dhe human dhe assesi nga ai fetar. Unë do të doja t’i përkujtoj Lazërit dhe gjithë të tjerëve se ne nuk e kemi ndier veten në garë për personalitete kurrë. Ndryshe, emra të mëdhenj, qoftë nga aspekti kombëtar, qoftë nga ai human e shkencor, kemi shumë. Do të doja vetëm tua përkujtoj komandantin legjendar, Adem Jasharin, që për çudi nuk e zini në gojë kurrë, pastaj dijetarët e kalibrit botëror si Nasiruddin Albani, Abdul Kadir Arnauti, Shuajb Arnauti, e shumë e shumë të tjerë.
Për fund, si mesazh, do të kërkoja që të ndalet kjo gjuhë e egër dhe urryese ndaj komunitetit më të madh fetar të shqiptarëve. Toleranca dhe harmonia krijohen duke respektuar njëri tjetrin, jo duke shpifur e akuzuar.