QË TA DUAM MUHAMMEDIN [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]
Koncepti për dashurinë për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] nuk parasheh vetëm që të jetë pjesë e besimit, por edhe kriter matës i tij. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ” Nuk ka besuar askush prej jush derisa te jem më i dashur tek ai sesa fëmija, prindi dhe tërë njerëzit.” [ Buhariu dhe Muslimi]
Pra, që të kesh besimin e kompletuar, përveç tjerash, dashuria jote për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], duhet të jetë mbi dashurinë për të gjithë njerëzit tjerë, duke përfshirë këtu prindërit, fëmijët e madje edhe veten tënde.
Sigurisht, një dashuri e këtillë, duhet të reflektojë. Më thjesht, duhet ta pasosh Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] fjalë, vepra, sjellje dhe etikë. E sa është e rëndësishme kjo, mësojmë nga Kur’ani, i cili, jo vetëm dashurinë ndaj Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], por edhe ndaj Allahut të Madhëruar, e kushtëzon me këtë formë të pasimit. Thotë Allahu: “Thuaj: "Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.“ (Ali Imran, 31)
Kjo, edhe për shkak se nuk ka model i cili meriton të pasohet më shumë se Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] në asgjë. Allahu U duke na e përshkruar shëmbëlltyrën e tij si absolutisht më të përkryerën, thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.“ (El-Ahzab, 21)
Së këndejmi, nëse dashurisë i mungon ky element, atëherë ajo mbetet vetëm një frazë boshe, një formalitet, imazhet e të cilit më së shpeshti vërehen në gjëra që janë në kundërshtim me udhëzimin profetik. Të ndodhë, mbase edhe shpesh, që të shohësh në manifestime të ndryshme për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] gjëra që ndeshen me udhëzimin e tij.
Që dashuria jonë për Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] të ketë botëkuptimin e duhur fetar, por edhe të reflektojë në jetën dhe veprimtarinë tonë, na duhet që, përveç tjerash, duhet të motivohemi, dhe për ta bërë këtë, do t’i referohem një aspekti të veçantë nga jeta e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: dashurisë së tij për ne dhe mundit që ka dhënë për udhëzimin tonë.
I. BRENGA E UDHËZIMIT TË BESIMTARËVE
Misioni i Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka dy karakteristika që nuk i kanë misionet e mëhershme të profetëve:
- Është përmbyllës, dhe
- I dedikohet tërë njerëzimit.
Ajo që reflekton nga këto dy karakteristika është se të gjithë njerëzit, për të shpëtuar, duhet të pranojnë këtë fe. Kështu na ka mësuar Allahu i Madhëruar (Ali Imran: 19; 85; 91.).
E, nisur nga ky fakt, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e kishte marrë kumtimin e mesazhit me seriozitetin më të madh. Kur’ani na ofron imazhe tejet interesante të këtij përkushtimi të Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] për ne. “A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kur'anit)?“ (El Kehf, 6); “Këto janë ajete të librit (të Kur'anit) të qartë! 3. A mos do ta mbysësh ti veten (Muhammed) pse ata nuk bëhen besimtarë?!“ (Esh Shuara, 2-3)
Aq rëndë e përjetonte refuzimin saqë gati ishte ta mbyste veten, dhe, kjo jo pse thjesht njerëzit nuk e pasonin, pra nuk ishte çështje propagande, militantizmi, por për shkak se me këtë ata rrezikonin të futeshin përgjithmonë në Xhehennem. Kështu e komenton Ibni Kethiri ajetin nga kaptina El-Kehf dhe aludon se kuptim të ngjashëm ka edhe ajeti 3 nga kaptina Esh-Shuara.
Këtë e hasim edhe në një hadith, ku Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] flet për veten e tij. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shembulli im është sikurse shembulli i një njeriu që ka ndezë një zjarr, i cili kur ka ndriçuar vendin përreth, fluturat dhe insektet që bien në zjarr binin në të. Ai i pengonte por ato ia mundnin dhe hidheshin në të. Pikërisht ky është shembulli im dhe shembulli juaj, unë iu pengoj nga zjarri: largohuni nga zjarri, largohuni nga zjarri, ndërsa ju ma mundni dhe hidheni në të.” [Albani në Sahihul xhamii e vlerëson autentik.]
Interesimi për lehtësim të adhurimeve
Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ishte kureshtar i madh që të na e lehtësonte fenë aq sa të mundte ose aq sa Allahu i jepte leje. Këtë e bënte që të mos i vinte rëndë zbatimi i detyrave fetare ummetit e pastaj t’i braktisnin e kështu të shkatërroheshin. Në hadithin e Israsë dhe Miraxhit, kur përmendet namazi, citohet se në fillim ka qenë e obliguar të falen 50 namaze gjatë 24 orëve, dorësa me sugjerimin e Musait [alejhiselam] dhe me kërkesën e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] tek Alalhu, numri ra në 5 ndërsa vlera mbeti për 50. [Hadithin e transmeton Buhariu]
Shpeshherë, gjatë mësimeve, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] tregonte këtë dhembshuri për ujemtin dhe thoshte se sikur të mos kisha frik se rëndoheni, do t’ua bëjë këtë e atë obligim.
II. FRIKA PËR NDËSHKIMIN
Gjendja e ummetit e preokuponte tejmase Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Ai ishte në pozitën e prindit, i cili nëse e sheh fëmijën e tij duke ecur rrugëve të këqija, duke bërë vepra të shëmtuara, ndihet keq, ndërsa Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], që kuptonte se me lëshimin e rrugës së tij humbja ishte Xhenneti, ndihej edhe shumë më keq. Në të vërtetë, frikësohej shumë për ne. Frikësohej madje edhe atëherë kur ndodhin çrregullime në natyrë, si zënia e diellit ose hënës, frikësohej mos Allahu ka vendosur t’i ndëshkojë njerëzit shkaku i mëkateve të tyre. Abdullah ibn Amri transmeton se në kohën e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] u zu dielli ndërsa Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] u ngrit të falte namaz. Qëndroi gjatë duke lexuar sikur nuk e bënte rukunë. Pastaj e bëri rukunë, ku qëndroi gjatë, thuajse sikur nuk ngrihej prej saj. Pastaj bëri sexhden ku qëndroi gjatë, thuajse nuk donte të ngrihej prej saj. Kështu bëri edhe në rekatën e dytë, ndërsa krejt në fund të sexhde së tij klithi: of! of! e tha: “Zoti im, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i ndëshkosh ndërsa unë jam në mesin e tyre?! A nuk më ke premtuar se nuk do t’i ndëshkosh ndërsa ata të kërkojnë falje?!” Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e kreu namazin ndërsa nxënia e diellit tashmë kishte kaluar.
Kjo ndjenjë frike e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] për ummetin e tij shpesh është konkretizuar edhe me lot. Një ditë Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] lexoi këto dy ajete: “Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është i imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron.“ (Ibrahim, 36); “Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.“ (El-Maide, 118)
...ndërsa qau aq sa Allahu e dërgoi Xhibrilin [alejhiselam] dhe i tha: O Xhibril, pyete Muhammedin se çfarë po e bën të qajë? – ndërsa Allahu e di pse qanë. Zbriti Xhibrili dhe tha: O i Dërguari i Allahut, çfarë të ka bërë të qashë? Tha: Ummeti im! Ummeti im, o Xhibril! Xhibrili u ngrit tek Allahu dhe i tha: Po qanë për ummetin e vet, ndërsa Allahu e di. Atëherë Allahu i tha Xhibrilit: Zbrit tek Muhammedi dhe thuaji: “Ne do të të bëjmë të kënaqur me ummetin tënd!” [Muslimi]
Për këtë shkak, e ka veçuar edhe lutjen e tij për ne. Ja çfarë thotë vet ai [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]: “Çdo profet ka (patur në dispozicion) një lutje të pranuar dhe çdo profeti i është bërë – (dhënë, plotësuar) lutja e tij ndërsa unë e kam fshehur – ruajtur atë si ndërmjetësim për ummetin tim në Ditën e Kiametit. Ajo do ta përfshijë –nëse do Allahu- secilin pjesëtar të ummetit tim që ka vdekur ndërsa nuk i ka bërë Allahut shok.” [Albani në Sahihul xhamii, e vlerëson autentik.]
Kjo lutje ka qenë si të thuash një lloj mundësie, të cilin në raste të caktuara e ka përdorur çdo profet. Ajo ka patur mundësi të jetë mrekulli e madhe. Do të doja t’iu sjell vetëm një shembull të efektit që mund të ketë një dua e tillë. Kur Kurejshët i kërkuar që tua shndërronte një kodër në dukat – ari vetëm e vetëm që ata t’i besonin, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e luti Allahun ndërsa Xhibrili erdhi dhe i tha se Allahu po të dërgon selam, nëse do, po ua bëj këtë kodër dukat, por nëse mohojnë, do tia ndëshkoj si askënd më parë. e nëse do, po ua hapi derën e mëshirës dhe pendimit. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] tha: Preferoj derën e pendimit. [Albani në Sahihu-t-Tergib e vlerëson autentik.]
Pra, po të donte, mund ta shfrytëzonte lutjen e tij edhe për gjëra të këtilla. Por jo, nuk e bëri, madje as atëherë kur u lëndua dhe persekutua. Duroi të gjitha, vetëm e vetëm që ta ruante lutjen e tij për ne në ditën kur do të kemi më së shumti nevojë.
III. IMAZHE TË DASHURISË SË TIJ NDAJ NESH
Ajo që na bën ta duam Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është dhe dashuria e tij për ne. Dashuria e tij ka qenë e sinqertë, reflektuese. Jo vetëm që lutej, por shprehte dëshirën ë të na kishte parë. në hadith qëndron: “Sa do të doja t’i takoja vëllezërit e mi! Sahabet thanë: Po ne, a nuk jemi vëllezërit tu? Jo, ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë ata që më kanë besua ndërsa nuk më kanë parë.” [Albani thotë se është autentik.]
Por ti, a je prej atyre që vërtetë do të doje ta shihje dhe takoje Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Në hadith qëndron: “Prej ummetit tim që më duan më së shumti janë njerëz që vijnë pas meje ndërsa ndonjëri prej tyre vetëm për të më parë do të jepte familjen dhe pasurinë.” [Transmeton Imam ndërsa Arnauti thotë se ka sened sahih.]
A është dashuria jote në këtë nivel për Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]?