Dashuria dhe urrejtja, në përgjithësi, janë pjesë e fesë. Një besimtar, për ta patur besimin komplet, duhet që edhe ndjenjën e dashurisë dhe urrejtjes ta ketë të koordinuar në relacion me parimet fetare. Në këtë kontekst, feja na ka mësuar edhe si të duam, duke filluar me Krijuesin, dashuria për të Cilin nuk duhet të na shtyjë sikur të tjerët që t’i përshkruajmë gjëra të paqena; pastaj me të Dërguarin, i cili tekstualisht na ndaloi ta glorifikojmë; pastaj me të tjerët, dashuria për të cilët duhet të jetë në varësi me dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Një karakteristikë e dashurisë në Islam, si koncept, është edhe reflektimi i saj. Nuk është dashuri e thatë. Këtë do të doja ta zbërthej në kontekst me dashurinë për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Ta duash Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], ndërsa të veprosh në kundërshtim me mësimet dhe porositë e tij, nuk është gjë tjetër vetëm se pretendim. Dashuria për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] shprehet duke përfillur në përpikëri mësimet, fjalët, këshillat dhe porositë e tij. Ka qenë vet ai [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] që ka kërcënuar se nuk do të kenë nderin e përkatësisë së denjë ata që veprojnë në kundërshtim me traditën e tij. Thoshte: “Kush vepron diç, që është në shpërputhje me traditën tonë, vepra e tij do të jetë e refuzuar.” [Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Sahihu Suneni Ebi Davudu, 4606, e ka cilësuar të vërtetë.]
Kjo nënkupton se neve na duhet të ndjekim udhëzimin e tij edhe atëherë kur duam ta shprehim e manifestojmë dashurinë për të. Kjo çështje, si temë diskutimi, hapet zakonisht edhe me rastin e muajit rebiul evvel, në të cilin ka lindur Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Është një debat ndërmjet ithtarëve të traditës dhe atyre të konceptit se lejohet të manifestohet apo jo ditëlindja e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Që të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën për gabim. Të parët akuzojnë të mbramët për mungesë të shprehjes së dashurisë, derisa këta të fundit akuzojnë të parët për devijim nga koncepti i dashurisë. Debati është për keqardhje, jo si debat shkencor e akademik, por si një mënyrë e vetme, rreth manifestimit të të cilit janë pajtuar palët. Fakti se debati mbaron me mbarimin e kësaj dite (12 rebiul evvel), të krijon këtë përshtypje, e besa edhe atë se palët janë të pajtuara që debatin ta ngrijnë deri në vitin vijues, për datëlindjen tjetër të Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Personalisht, konsideroj se të dyja qasjet janë të gabuara, për shkak se tradita nuk guxon të dominoj mbi konceptin, sikur që koncepti nuk nënkupton detyrimisht mohimin e manifestimeve (ose të çdo lloji të manifestimeve). Qasja e parë karakterizohet shumë nga formaliteti. Nga mënyra se si diskutojnë, të jepet përshtypja se reflektimi i vetëm i dashurisë ndaj Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është mevludi. Madje, atë e kanë bërë edhe kriter për matjen e dashurisë për Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Gabim konsideroj se është edhe togfjalëshi ‘muaji i mevludit’, e që shpesh karakterizon disa veprime që bëhen në këtë muaj për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Kjo ngase rebiul evvel-i në historinë islame shënon edhe vdekjen e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], andaj do të duhej që të kihet në hatër kjo. Pastaj, duke patur parasysh rrethanat aktuale të fesë dhe propagandës kundër saj, t’i kushtohet Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] një ditë, javë ose edhe një muaj, është fare pak. Koha po dëshmon se Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], misioni dhe personaliteti i tij, duhet të jenë agjendë ditore e jona.
Kjo mendësi (e edhe ky debat) nuk është pjellë e ditëve tona. Ekzistonte edhe më parë. Mustafa Sibain, një hoxhë e thirrës të njohur, e mundonte shumë. Ai shprehte haptas mospajtimin e tij me këtë formë. Bile, e shihte si imazh të mungesës së dashurisë së vërtetë, reflektim i të cilës është të jetuarit me Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], respektivisht këshillat dhe mësimet e tij. thoshte: “Në kohën kur Islami ishte kredo (besim), ligj dhe sjellje (edukatë), nuk ndihej nevoja për këto manifestime, ngase muslimanët jetonin me Resulullahin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] çdo ditë. Fjalët dhe tradita e tij ishte program jete për ta...”[1]
E në anën tjetër, duke cilësuar mevludin për risi, të mohohen manifestimet në përgjithësi dhe t’iu iket atyre, është gabim i llojit të vet. Një nga ithtarët ekstrem të konceptit të dashurisë, nuk di se duke u bazuar në çfarë, thoshte se edhe ‘njohja me Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]’, si terminologji, është e gabuar, pasi që ai fizikisht nuk është prezent më. Ishte, vërtetë, mendim që të bënte të ndihesh keq. Unë jam kundër manifestimeve përkujtimore, sepse, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] edhe pse ka vdekur, pra mungon fizikisht, ai, me mësimet, këshillat dhe porositë e tij, është i pranishëm në jetët, veprimet, sjelljet dhe praktikat tona. Së këndejmi, të shfrytëzohet dita e lindjes së tij për të nisur ndonjë kampanjë për njohjen me Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], për afirmimin e kontributit të tij, pra që të merret shkas kjo ditë, nuk ka gjë të keqe.
Ngurtësia na ka shkaktuar probleme të llojeve tjera. Këtë vit rastisi që ditëlindja e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] të jetë menjëherë pas të ashtuquajturave festat e fundvitit. Një këshillë rasti më 11 rebiul evvel, që rastisi të jetë dhe ditë e xhuma, e hapa qëllimshëm me pyetjen drejtuar xhematit (në kontakt me të cilin rregullisht jam tash e dy muaj) nëse ishin në dijeni për ditën e sotme. Përgjigjet e vetme që mora ishin: e premte, 2 janar. Vërtetë jam ndier keq. Të jetë kaq shumë i papranishëm në jetët tona Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], aq sa nuk dihet as dita dhe data kur ka lindur?! Fajin për këtë ia hedh këtyre debateve shterpe, prapa të cilave fshihen dashuria e zbehur (formaliteti) dhe vullneti i dobët. Këta të fundit sikur kanë mjaftuar me faktin se janë ithtarë të konceptit të drejtë dhe se tash duhet të flenë. Koncepti parasheh vullnetin e fortë, angazhimin, sakrificën, vetëmohimin që të tjerëve tua prezantojmë Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Dashuria për Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] demonstrohet duke zhveshur manifestimet nga formalitetet dhe duke funksionalizuar konceptet.
[1] Shih: Sibai, Mustafa. (2000) Mukaddimatu Hadareti-l-Islam. Bejrut: Daru-l-Verr-rrak. F. 118-122.