Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
REBIUL EVVELI NUK ËSHTË VETËM MUAJI I MEVLUDIT

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Praktikisht, Rebiul Evvelin, e kemi parë në jetën e muslimanëve të ketë shënuar vetëm Mevludin, ditëlindjen e Pejgamberit, alejhi’s selam, në formë të ca ritualeve dhe ceremonive shumë të thjeshta dhe tepër formale, edhe pse ai, realisht, nuk kufizohet kështu. Rebiul Evveli ka edhe anën tjetër, ani pse të dhimbshme por assesi të errët, e cila shënon edhe vdekjen e Pejgamberit, alejhi’s selam.

Pra, Rebiul Evveli, është edhe muaji i vdekjes së njeriut më të madh të dalë ndonjëherë mbi sipërfaqen e dheut, dhe si i tillë gjithsesi se paraqet një përzierje ndjenjash; gëzim për lindjen e tij për pikëllim dhe mërzi shumë të madhe për mungesën fizike të tij.

Vëllezër të dashur!
Sprovat që godasin njerëzimin nuk janë të njëjta. Ato ndonjëherë mund të jenë shumë të mëdha e të dhimbshme në kuptimin individual por kur të krahasohen me sprovat tjera që do të mund ta godisnin atë apo kanë goditur të tjerët, gjithsesi se ato lehtësohen. Nga këtu, vdekja e Pejgamberit, alejhi’s selam është konsideruar fatkeqësi mbi fatkeqësi, sprovë mbi sprovë, sprovë e cila sfidon çdo sprovë tjetër. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:

„إِذَا أَصَابَ أَحَدَكُمْ مُصِيبَةٌ فَلْيَذْكُرْ مُصَابَهُ بِى ، فَإِنَّهَا مِنْ أَعْظَمِ الْمَصَائِبِ
Kur dikë ta godet ndonjë fatkeqësi le ta përkujtojë fatkeqësinë që e ka goditur nga vdekja ime ngase ajo është fatkeqësia më e madhe“( ).

Sahabet nuk mund ta merrnin me mend vdekjen e Pejgamberit, alejhi’s selam. Ata sikur e dinin se pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam punët nuk do të jenë më siç kanë qenë. Rregulli nuk do të shkojë më siç ishte; do të ndodhin të papritura, për të cilat vet ai, alejhi’s selam, i kishte lajmëruar.

Pasojat e vdekjes së atij, që nga injoranti kishte formuar njeri të ditur, nga idhujtari besimtar të denjë, nga krimineli pendimtar të sinqertë, nga “viktima” e alkoolit në personalitet të dalluar, atij që gruan e nxori nga kthetra shqyese e traditës barbare të arabëve paraislamik, atij që femrën e konsideroi motër të mashkullit, duhet, gjithsesi, të jenë të mëdha.

“Teoria e shpalljes renegat e heretik të njerëzve (tekfiri), “Hyjnizimi i njerëzve”, “Akuzimi i Muhammedit, alejhi’s selam”, “Sharja e sahabeve”, “Imameti”, “Sufizmi i devijuar”, “Komplotet”, “Varrezat në xhami (teqetë)”, “Thirrja në fanatizëm medh’hebor a kombëtar”, e shumë e shumë moto e nisma djallëzore ndodhën pikërisht pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam!

Këtij ummeti që dikur i printe karvanit të diturisë, mungesa fizike e Muhammedit, alejhi’s selam i shkaktoi atë që sot e identifikon me “botën e tretë” ose “vende të pazhvilluara”. Çfarë mendoni, po të ishte gjallë Muhammedi, alejhi’s selam, a nuk do të ndalej para muslimanëve dhe t’iu thotë: Urdhri i parë që më ka zbritur prej Allahut ka qenë dituria. A keni harruar ajetin?

“اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ
Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)” .

Turpi qe moto e këtij ummeti nën udhëheqjen e Muhammedit, alejhi’s selam por mungesa e tij shkaktoi atë që sot na bën të njihemi si më të çoroditur edhe se vet pabesimtarët.

Familja, një institucion që aq shumë e ruajti dhe kultivoi Muhammedi, alejhi’s selam, sot është rrënuar me themel. Bijtë konsumojnë alkool, birra, kanë dashnore e partnere, japin e marrin kamatë…Bijat vishen ngushtë, rrobat i kanë të tejdukshme, namaz nuk falin, hixhabin nuk e veshin, bisedojnë e shkojnë me djem të huaj, ndërsa kjo aspak nuk e shqetëson këtë musliman të mjerë.

Problemet psikike, që të paktën një herë në ditë dëgjojmë se kanë shkaktuar një viktimë, qoftë në vend apo rajon, janë pasojë e vdekjes së tij. Alternativat e shpëtimit nga mëkatet dhe problemet shpirtërore që ofronte ai, ndonëse ende janë gjallë, megjithatë me mungesën fizike të tij disi kanë mbetur në prapaskenë.

Vëllezër muslimanë!
Islami ndonëse i kumtuar prej Muhammedit, alejhi’s selam, megjithatë burimin nuk e ka prej tij. Ajo me vdekjen e Muhammedit, alejhi’s selam nuk merr fund. Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur vdiq Pejgamberi, alejhi’s selam, ua përkujtoi këtë parim muslimanëve e iu tha: „Vëni re! Kush  e ka adhuruar Muhammedin, le ta dijë se Muhammedi ka vdekur ndërsa kush e ka adhuruar Allahun, le ta dijë se Allahu është gjallë dhe nuk vdes…“.

Nëse sot Muhammedi, alejhi’s selam nuk është fizikisht në mesin tonë, atëherë duhet ta dimë se ai me fjalët, porositë dhe mësimet është gjithmonë prezent në mesin tonë. Nga këtu, respektimi i Sunnetit nënkupton respektimin e Pejgamberit, alejhi’s selam, derisa largimi nga Sunneti, nënkupton largimin nga ai, alejhi’s selam. Ata që shpresojnë në ndërmjetësimin e tij, le ta trasojnë rrugën e tij, Sunnetin!

Allahu na bëftë prej atyre që pasojnë të dërguarin e Tij, pijnë ujë nga kroi i tij dhe dëfrehen bashkërisht me të në Xhennetet e Tij!


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013