TALLJA ME PROFETIN DËSHMON PROFETËSINË E TIJ
Përse tallen me Pejgamberin e nderuar [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]?
- Cila është e vërteta për përqeshjen me Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]?
- Çfarë duhet të bëjmë karshi kësaj dukurie?
- A ka paralajmëruar Kur’ani për këto përqeshje e tallje?
- Cili është rezultati i tyre?
Le të meditojmë rreth dukurisë!
Edhe përqeshja me Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] dëshmon vërtetësinë e misionit të tij.
I dashur lexues!
A mund ta paramendosh se Kur’ani ka folur për këtë para më shumë se 1400 vitesh! Madje, është ligj i Allahut se çdo profet do të tallet prej popullit tek të cilët është dërguar.
Ta meditojmë këtë ajet kur’anor: “E atyre nuk u erdhi asnjë nga të dërguarit, e të mos talleshin me të.“ (El-Hixhr, 11)
Ky është ligji i Allahut, që i Dërguari i Tij të vetëdijësojë njerëzit karshi ligjeve të Zotit që më pas të mos kenë arsyetime, por, shumica e njerëzve shfaqen mendjemëdhenj ndaj tyre, tallen me ta si dhe i mohojnë. Kështu, është normale të hasësh në njerëz që nuk dinë për moralin dhe tiparet e këtij Pejgamberi të madh, të mos dinë të vërtetën përkitazi me këtë të Dërguar të fundit për njerëzimin, të jenë të mbërthyer nga djalli i mallkuar, i cili i nxit ta ofendojnë e fyejnë. Bile, këto karikatura fyese mund të jenë dëshmi e një falimentimi shpirtëror dhe dëshpërimi përse nuk mund ta dëmtojnë në moralin e tij fisnik [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Të vetmin ngushëllim e kanë gjetur në tallje dhe fyerje, që janë mjetet e vetme me të cilat disponojnë të dëshpëruarit.
Ajo që neve si myslimanë na intereson është se çdokush që fyen Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është i dalë nga feja –kafir, dhe se njeriu nuk do të mund të arrijë në këtë nivel talljeje e përqeshjeje me të Dërguarin e Allahut [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] pa mos rënë më parë në kufër. Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar na urdhëron të largohemi nga tallësit, përqeshësit dhe fyesit, të mos qëndrojmë me ta, për shkak se vetëm të qëndruarit me ata që fyejnë Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është kufër. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Juve u është shpallur në librin (Kur'anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur'ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndyshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t'i tubojë tradhëtarët dhe jobesimtërët që të gjithë në xhehennem.“ (En-Nisa, 140)
Për këtë arsye, i këshillojmë vëllezërit tanë që polemizojnë ateistët që ta kenë parasysh këtë ajet fisnik, në të cilin vërtetohet se qëndrimi me ata që tallen me Kur’anin është tallje me vet Kur’anin.
Po kështu, për të përfituar nga rasti, do të doja të këshilloj të gjithë vëllezërit që frekuentojnë portale ateistësh, që të mos e bëjnë këtë, për shkak se ata tallen me fe dhe ndaj të tillëve vlen fjala e Allahut: “O sa dëshpërim i madh për robërit që nuk u erdhi ndonjë i dërguar, vetëm se ata u tallën me të.“ (Jasin, 30)
Në lidhje me këta fyes dhe tallës, Allahu thotë: “All-llahu i ndëshkon talljet e tyre, duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre. 16. Të tillët janë që e ndërruan të vërtetën (besimin) me të pavërtetën (mosbesimin), pra tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk qenë të vetëdijshëm (në punën e tyre). 17. Shembulli i tyre (në hipokrizi) është si shembulli i atij që ndezë një zjarr dhe, posa ta ndriçojë ai vendin për rreth tij, All-llahu ua shuan dritën e tyre dhe i lë në errësira që nuk shohin. 18. (Mbesin në errësirë) Të shurdhër, memecë dhe të verbër, andaj ata nuk kthehen (nga ajo rrugë e tyre e keqe).“ (El-Bekare, 15-18)
Kujdes vëllezër që të përfshihen nga të apostrofuarit me këto ajete, sepse çështja nuk është për tu nënvlerësuar. Ashtu sikur që i ikë zjarrit, ik edhe prej ateistit dhe ofenduesit.
Të gjithë ata që mohuan profetët, u tallën me ta, ndërsa Allahu më pas i ndëshkoi.
Edhe të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.“ (El-En’amë, 10)
Tallja që ka ndodhur dhe në të cilën po ngulet këmbë nuk është tjetër vetëm se një dëshmi dhe provë shtesë për vërtetësinë e Kur’anit. Sikur Kur’ani të ishte nga dora e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], nuk do të flitej për talljen me të, sepse çdo autor maksimalisht kujdeset që të jetë shembull dhe që libri i tij të mos jetë objekt talljeje me të. Por, Ai që e shpalli Kur’anin është Allahu, i Cili e di se çfarë do iu ndodhi dhe do t’iu ndodhë atyre deri në Kiamet. Thotë Allahu: “Edhe me të dërguarit para teje kanë bërë tallje. Porse Unë atyre që nuk besuan u pata dhënë afat, pastaj i ndëshkova (me dënim), e çfarë ishte dënimi Im!“ (Err-Rra’d, 32)
Pra, kemi tallje, afatizim, kapje (dënim) e pastaj ndëshkim në botën tjetër.
Kësisoj, fakti që ekzistojnë këto fyerje dhe sharje nga armiq dhe kundërshtarë të përbetuar, nuk është gjë tjetër vetëm se argument i prekshëm se Kur’ani është fjalë e Allahut të Madhëruar.
Si t’i qasemi talljeve ndaj fesë sonë?
- A t’i qasemi me dhunë dhe vrasje?
- A nuk do t’iu ndihmonim atyre, sikur të vepronim kësisoj, në shtrembërimin e Islamit?!
Një njeri i mençur do ta shfrytëzonte këtë rast për tua prezantuar Islamin, madhështinë dhe mirësitë e tij të tjerëve, që nuk e njohin atë.
Si u soll Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ndaj talljeve të kurejshëve me të?
I mësonte dhe i trajtonte me butësi, urtësi dhe fjala të mira, madje lutej që Allahu t’i udhëzonte ata. Rezultati ishte se ata u futën grupe-grupe në Islam.
Kjo është mëshira e Islamit, madje edhe me armiqtë e tij!
Ne, që jetojmë në kohën e tiranisë së informimit, duhet të jemi të vëmendshëm karshi çfarëdo veprimi, në mënyrë që të radhitemi në anën e atyre që shtrembërojnë Islamin ndërsa nuk e duam këtë. I drejtohem çdo vëllai dhe motre: PUNA MË E MADHE QË MUDN TA BËNI ËSHTË TË PËRHAPNI MËSIMET DHE POROSITË E MUHAMMEDIT [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] SI DHE T’IA PËRÇONI NJERËZIMIT MESAZHIN E TIJ! Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ishte i mëshirshëm dhe e donte mëshirën, butësinë, dhembshurinë. E, nëse ne veç duam që Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] të jetë i kënaqur me ne, atëherë duhet ta pasojmë atë edhe në metodën se si sillej me ateistët dhe fyesit dhe përqeshësit. Allahu i Madhëruar ka treguar se mjafton Ai kundër të gjithë këtyre blasfemuesve. “S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen, 96. të cilët All-llahut i kundërvejnë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavinë e tyre). 97. Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. 98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). 99. Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).“ (El-Hixhr, 95-99)
Madhërimi dhe adhurimi i Allahut është metoda më efektive në reagimin ndaj tallësve dhe fyesve. Po kështu edhe veprimtaria për të përhapur shkencat kur’anore dhe mrekullitë profetike.
Allahun e Madhëruar e lusim që kjo tallje të jetë shkak për udhëzimin e shumë jomyslimanëve. Një regjisore franceze veç e pranoi Islamin menjëherë pas këtij rasti, dhe këtë, gjithsesi pasi që u njoh ,e të vërtetën përkitazi me personalitetin, mëshirën dhe madhështinë e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Është përgëzim i hajrit që të shohim këtë rast të jetë shkak për këndelljen e perëndimit karshi të vërtetës së islamit. Ndoshta kjo tallje do të jetë shkak për kalimin e qindra mijëra jomyslimanëve në Islam. Allahun e lusim që ta përhap fenë e Tij atje ku rrezon dielli e shndrit hëna, ashtu siç na ka përgëzuar i dashuri ynë [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem].
Abdudaim El-Kehil
www.kaheel7.com/ar
Përshtati në shqip: Sedat Islami
Shënim: Ky përgjithësim i autorit është i nxituar, ngase kjo normë do të aplikohej vetëm mbi ata që pajtojnë me përqeshjen, ndryshe, për atë që e ndalon përqeshjen ose nuk pajton me të por vazhdon të qëndrojë me përqeshësit, atëherë ai ka bërë mëkat të madh, për shkak të të cilit duhet të pendohet detyrimisht. Përkthyesi.