TË THIRRURIT NË ISLAM DHE ISLAMI JO DETYRIMISHT TË NJËJTË
1.
Thirrja në Islam sipas dijetarëve muslimanë
Të thirrurit në Islam dhe Islami, do të duhej të ishin të njëjtë, sepse kështu kërkon feja. Myslimanit i kërkohet të jetë version i gjallë i fesë dhe të reflektojë madhështinë e saj në sjelljet, gjestet dhe veprimet e tij. Aisheja [radijAllahu anha] kur qe pyetur për moralin e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], pati thënë: “Morali i tij ka qenë Kur’ani!” (Transmeton Muslimi) Pra, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka qenë reprezentuesi më i denjë i Kur’anit, për shkak se ka përfillur çdo porosi, këshillë dhe mësim që del prej tij.
Por, a mund të jenë kështu të gjithë ithtarët?
Natyrisht se jo. Tashmë kur ka më shumë se dy miliardë muslimanë në botë, të kërkohet që të gjithë të jenë në një vijë të lartë të edukatës fetare, është absurditet. Nuk do të doja të keqinterpretohem. Ne të gjithë duam dhe synojmë që besimtarët të jenë të mirë, për këtë edhe angazhohemi, por kjo në realitet është e pamundur. Jo të gjithë njerëzit do të bëhen besimtarë dhe jo të gjithë besimtarët do të jenë në një shkallë të njëjtë të besimit dhe moralit. Për këtë shkak, Islami ka aprovuar ligje dhe norma, madje, për ta ruajtur imazhin, ka kërkuar nga besimtarët që për veprimet e tyre të cilat janë përpjekje individuale për të kuptuar fenë ose manifestuar atë, e nga të cilat në raste të caktuara mund të dëmtohet edhe imazhi i fesë, të mos thirren fare në Islam. Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] me rastin e një ekspedite, i qe drejtuar komandantit ushtarak: “...E kur ta rrethosh ndonjë kala ndërsa banorët e saj kërkojnë prej teje besën e Allahut dhe besën e profetit të Tij, atëherë mos ua jep besën e Allahut dhe as besën e profetit të Tij, por epua besën tënde dhe besën e shokëve tu sepse, që ju t’i prishni besët tuaja dhe të besët e shokëve tuaj është më lehtë se sa ta prishni besën e Allahut dhe besën e të Dërguarit të Tij...” (Transmeton Muslimi)
Dijetarët, duke shpjeguar këtë hadith, kanë thënë se ndalesa ka ardhur për shkak se dikush nga muslimanët, në këtë rast ushtarët, mund ta thyejë marrëveshjen ose prish atë nga injoranca, e përderisa këto gjëra janë me peshë dhe rëndësi tek njerëzit, atëherë, që të mos njolloset Islami, i cili nuk urdhëron këtë gjë, ka ndërmarrë këtë veprim që të mos i atribuohen atij këto gjëra.
Hadithi në fjalë nuk paraqet as bazën më të vogël për prishjen e marrëveshjes. Pra, përderisa po kërkohet që veprimet e komandantëve të mos i përshkruhen Islamit, kjo nuk nënkupton se ata janë të lejuar të bëjnë çfarë të duan, përkundrazi. Hadithi vetëm tregon se një gjë e këtillë nuk lejohet ngase në rast gabimi më mirë është të dëmtohet imazhi i një individi se sa imazhi i tërë fesë.
Ajo që duam të themi me këtë është se atë që ne e shohim si mendim ose veprim të duhur, madje duke u bazuar gjithnjë në tekstet fetare e jo hamendësisht, megjithëkëtë, nuk guxojmë t’ia mbështetim fesë, për shkak se mund të jetë mendim/gjykim/veprim i gabuar, dhe në këtë rast, të thuhet se ka gabuar filani është më me pak pasoja se të thuhet ka gabuar Islami. Kur e pyetën Shejh Uthejminin nëse lejohej t’i parashtrohej pyetja myftiut: “Cila është norma e Islamit për këtë?”, tha: “Nuk duhet bërë pyetjen kësisoj: “Cila është norma e Islamit” ose “Cili është mendimi i Islamit” sepse ndodhë që Myftiu të gabojë dhe kështu ajo që ka thënë nuk është norma dhe as mendimi i Islamit. Këtë mund ta bëj vetëm në rastet kur problematika ka tekst të qartë fetar. P.sh.: nëse pyetet: “Cila është norma e Islamit për ngordhësirën?”, atëherë nuk ka gjë të keqe të thotë: Norma e Islamit për ngordhësirën është se ajo ndalohet.”
Pra, duhet të kemi kujdesin maksimal. Disa komentues të haditheve në hadithin që përmendëm sipër kanë parë një argument tjetër, atë të përfaqësimit dinjitoz të fesë. Kur thuhet “mos ua jepni besën...por besën tuaj”, sikur, me kuptim tjetër, kërkohet prej nesh që jemi të kujdesshëm, vigjilent, që të bëjmë të duhurën, që të praktikojmë mesazhin në formën korrekte, ndryshe do ta dëmtonim imazhin e fesë.
Si do që të jetë, në të dyja rastet, veprimet tona individuale nuk lejohet t’ia përshkruajmë Islamit.
2.
Të thirrurit në Islam sipas perëndimorëve dhe laikëve
Rasti i Francës pati alarmuar tërë botën. U ndërmorën veprime të ndryshme dhe të shumta në të cilat u përfshinë edhe debate akademike, politike dhe shoqërore. Nga kancelaria gjermane, A. Merkel, u ngrit si çështje për diskutim edhe thirrja në emër të Islamit që u bë nga kryesit e vrasjeve. Siç duket, distancimi i institucioneve fetare nga dhuna në emër të fesë është parë me mëdyshje nga ana e tyre për aq kohë sa vrasësit po thirren në Islam. Kjo ka shërbyer si argument për disa e për të tjerë si justifikim për akuzimin e Islamit, si fe, për dhunë.
Edhe mediat tona i kontribuuan kësaj klime armiqësie ndaj Islamit. Pak ditë më parë, portali Express, publikoi një shkrim, i cili siç duket kishte marrë përsipër t’i përgjigjej kancelares gjermane ose thënë më mirë ta bindte atë se faji është tek Islami. Autori, që në fillim, shpalos mendimin e tij se Islami është fajtori ndërsa pse është fajtor si shkak evidenton mungesën e reformimit. Islami nuk i është përshtatur kohës -sipas tij- dhe kjo ka bërë që ai të ngel ende antik. Krahasimet e tij janë shumë banale, dhe, nëse e analizon në detaje, asgjë përveç një armiqësie të egër ndaj Islamit nuk do të vëresh. Ai dëshiron ta denoncojë Islamin nga çdo sferë e jetës. Dëshiron ta burgos, sepse ai ka qenë burgu që kinse paskësh lënë mbrapa muslimanët. Ai, ndonëse nuk kursehet nga kritikat ndaj Saudisë, të cilën e sheh fajtore për këtë që ndodhë në botë, në anën tjetër, është i shfrenuar sa i përket lëvdatave për kriminelin, presidentin e dhunshëm të Egjiptit, i cili së fundmi ka paralajmëruar se do t’i rrasë hundët edhe në fe. Kjo më bënë të bindem se demokratizimin e Islamit, që e hedhë si alternativë për shpëtimin e Islamit, dëshiron ta realizojë me dhunë, ngjashëm sikur Al-Sisi. Tjetër referencë ka Selman Rushdie-n, i cili më shumë për hesape personale se për arsye tjera flet kundër Islamit.
Për të mos u thelluar në detaje, ideja që ofron ky autor kontrovers është se të thirrurit në Islam dhe vrasjet janë të ngjashme. Për këtë, ai fajin ia hedh vet fesë dhe kërkon reformim të thellë, duke e zhveshur tërësisht nga ajo që është.
Personalisht, tezën dhe idenë e tij i shoh qesharake, nga një anë, por edhe tendencioze, nga ana e tjetër. Broçkullat për reformimin e Islamit më nuk i hanë pazari. Më duket se autori luan rolin e atij që dëshiron të jetë më katolik se papa. Për këtë mbase të preferuar ka edhe Selman Rushdien, me të cilin nuk ndajnë vetëm origjinën e njëjtë, por edhe bindjet. Të akuzosh tekstet fetare, për shkak të thirrjes së disa pjesëtarëve në to për veprime të caktuara, është absurditet. Kjo i ngjan akuzave që mund t’i bëhen një ilaçi për shkak të përdorimit të gabuar nga individi. Logjikisht, faji duhet t’i ngarkohet individit, i cili nuk ka bërë përdorimin e duhur, jo ilaçit.
Do ta marrë një shembull për ta portretizuar edhe më detajisht idenë dhe mendimin tim. Dua të përshkruaj nga pikëpamja ime sunnite keqinterpretimin që i bëhet parimeve fetare nga individë të caktuar. Islami ka rregullat dhe parimet e veta. Kjo më shtyri që pjesën e parë të këtij shkrimi ta rezervoj për mendimet e dijetarëve myslimanë për përfaqësimin e Islamit nga individët. Pra, nuk kemi të bëjmë me çështje që janë reformë e trysnive dhe presioneve të kohëve, por qëndrime dhe rregulla themelore. Për këtë iu referova dijetarëve të hershëm ndërsa nga bashkëkohorët zgjodha Bin Bazin dhe Uthejminin nga Saudia për të demantuar idenë e autorit se dhuna burim ideologjik ka Saudinë. Ne besojmë se keqpërdorimi i parimeve fetare, në këtë rast Xhihadit, që në Islam ka qëllime shumë fisnik dhe humane, i ngjan një individi, i cili para vete ka një pacient, të cilit duhet t’ia jep një gjilpërë për ta shëruar. Ky individi, që nuk po mund ta quaj mjek (përfaqësues të mjekësisë), nuk është se sjellë diç të re për pacientin, pra nuk zëvendëson gjilpërën, porse në vend se t’ia jep pacientit në pjesën e kërkuar, ai ia vendos në sy.
Tashmë më lejoni të pyes: për këtë veprim duhet ta akuzojmë gjilpërën apo individin?
Do të ishte marrëzi dhe idiotësi e llojit të vet të akuzohet gjilpëra pse është keqpërdorur kur ajo është përcaktuar se vetëm nëpërmjet përdorimit të duhur jep efekte shëruese. Fajin duhet ta bart ai që e ka keqpërdorur atë.
Ata, që akuzojnë Islamin për shkak të veprimeve të disa individëve, besojnë se fajin e ka gjilpëra, jo individi.
Shih: Shih: El-Mazri, Muhammed ibn Ali ibn Umer. (1988,1991) El-Mu’lim bi-fevaid Muslim. Tunizi: Ed-dar et-tunisijjeh li-n-neshr. 3/8.; Kadi Ijjad, Ijjad ibn Musa. (1998) Ikmalu El-Mu’lim bi-fevaidi Muslim. Egjipt: Dar el-Vefa. 6/4.; Et-Tajjibi, Sherefuddin El-Husejn ibn Abdullah. (1997) El-kashif an hakaik es-sunen. Mekke-Rijad: Mektebetu Nezzar Mustafa el-Baz. 8/2697.; En-Nevevijj, Jahja ibn Sheref. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn el-Haxh-xhaxh. Bejrut: Dar Ihjai-t-turathi-l-arabijj. 12/39.; Ibn Baz, Abdul Aziz ibn Abdullah. (2001) Sherhu kitabi-t-Teuhid. Tanta: Dar ed-Dija. F. 277.