Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
QASJA POZITIVE E BESIMTARIT NË TË MENDUAR DHE SJELLJE

QASJA POZITIVE E BESIMTARIT NË TË MENDUAR DHE SJELLJE  

Imam Ahmedi transmeton nga Enes Ibn Malik, i cili thotë: Ishim ulur në prani të Pejgamberit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] kur ai na tha: “Tash do të vijë një njeri, që është nga banorët e Xhennetit.” Kur ja njeriu që erdhi ishte nga Ensarët. Kështu –vazhdon transmetimin Enesi- ndodhi edhe për dy ditë tjera dhe gjithnjë ishte ky sahabi që vinte. Ditën e tretë, pasi që Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] tha të njëjtat fjalë dhe erdhi i njëjti person, Abdullah ibn Amri e përcolli njeriun dhe i tha: Jam grindur me babanë tim dhe jam betuar se nuk do të hyjë në shtëpinë e tij tre ditë me radhë, a do të më bësh konak derisa të kalon ajo që kam bërë.

Njeriu e pranoi në konak. Abdullahu qëndroi për tre net duke u munduar të zbulonte veprën që ia kishte garantuar atij Xhennetin, por, nuk arriti të evidentonte ndonjë vepër të rëndësishme. Njeriu ishte tërësisht normal. Bënte adhurim modest. Pas tre ditëve, Abdullahu ia rrëfeu të vërtetën. Nuk ishte shkaku pse ishte prishur me babanë që kishte qëndruar tek ky, por ishin fjalët e Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] për të, që e kishin përshkruar si banor të Xhennetit. Abdullahu i tha se nuk kishte mundur të vërente diç që vërtetë do ta bënte të veçantë aq sa Xhenneti të garantohej për të. atëherë njeriu tha: Unë nuk bëj diç jashtë asaj që ti ke parë, me përjashtim se unë asnjëherë nuk ndiej në shpirt diç të keqe për myslimanët. As që kam zili ndonjërin, të cilit iu është dhënë ndonjë e mirë nga Allahu. Abdullahu tha: Po kjo qenka ajo, me të cilën ti ke arritur atë që tha i Dërguari i Allahut [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem].

Të nderuar vëllezër!

Shkaku pse ky sahabi i nderuar fitoi Xhenentin është qasja e tij ndaj të tjerëve. Çiltërsia shpirtërore dhe mendimi i mirë për të tjerët ia siguruan Xhennetin. Kjo qasje e këtij sahabiu sot, në këtë kohë kur shoqëria bashkëkohore vuan nga sëmundje të shumta shpirtërore, po del të jetë shpëtim për njerëzimin. Jemi dëshmitarë se si me gjithë avancimin e shoqërisë bashkëkohore në shkencë dhe teknologji, problemet shoqërore vetëm sa janë shtuar. Asnjëherë shoqëria njerëzore nuk ka kaluar ndonjë periudhë më të vështirë në kuptim të vlerave humane. Njeriu ka ngelë njeri vetëm në emërtim. Individualizmi dhe materializmi, që për kohë të gjatë promovohen si vlera, e kanë shkatërruar atë. Për pasojë, shoqëritë janë ngulfatur nga dukuri negative, si: depresioni, pesimizmi, mashtrimet, korrupsioni, vjedhja, keqdashja, mungesa e solidarizimit me të tjerët, etj.

Për fat të keq, edhe tek ne, ndonëse jemi një shoqëri kryesisht myslimane, këto dukuri po dalin të jenë evidente. Madje, sikur edhe në vendet tjera, ato po shkaktojnë viktima. Sipas statistikave, që nga paslufta, në Kosovë ka mbi 900 të vetëvrarë dhe me mijëra tjerë që kanë dashur të vetëvriten. Akoma më shqetësues se kjo është se viktimat kryesisht janë të moshave 18-40 vjeç.[1] Dhe, siç dihet, vetëvrasja, në të shumtën e rasteve, është si pasojë e depresionit, mosbesimit, anashkalimit shoqëror.

Së këndejmi, thirrjet për një qasje më humane dhe më optimiste karshi vetes, në radhë të parë, dhe më pas ndaj të tjerëve, janë duke u parë gjithnjë e më shumë si zgjidhje për problemet në fjalë. Ky punim, mëton të hedh dritë mbi konceptin islam për qasjen pozitive ndaj jetës dhe problemeve të saja.

Çfarë synohet me ‘qasje pozitive’ dhe cila është rëndësia e saj?

Qasja pozitive nënkupton çdo veprim të individit, mendor apo fizik, i cili thërret dhe përgëzon për shpresë, optimizëm, dashuri, mirësi, vetëbesim, guxim, gjëra këto me të cilat luftohen pesimizmi, urrejtja e njerëzve, frika nga e ardhmja, mërzia, depresioni, etj.

Të qenit pozitiv ka ndikim të madh në jetën e individit dhe shoqërisë. Studime shkencore kanë vërtetuar dobi të shumta individuale dhe shoqërore të qasjes pozitive në jetë. Universitetet e Torontos dhe Kalifornisë, në një studim të publikuar në këtë vit (2015) kanë vërtetuar se të menduarit pozitiv forcon imunitetin e individit karshi sëmundjeve. Vetëm të menduarit e mirë rreth të tjerëve –shtojnë shkencëtarët-, si: të menduarit për t’iu ndihmuar, falja e gabimeve të tyre si dhe dëshirimi i të mirës për ta ndikon në sistemimin e punës së hormoneve dhe proteinave të veçanta të cilat aktivizojnë qelizat e sistemit imunitar të njeriut duke e bërë atë më të rezistueshëm ndaj sëmundjeve, e rrjedhimisht, edhe të disponojë me shëndet më të mirë. 

Qasja pozitive në jetën e individit bën një lidhje ndërmjet shpirtërores dhe fizikes ose reflektimin e të parës në të dytën. Nëse kjo qasje pozitive ndikon për të mirë në shëndetin fizik të njeriut, atëherë edhe qasja negative ndikon për të keq. Vetitë si: smira, urrejtja, xhelozia, inati, mashtrimi, dëshirimi i të keqes për të tjerët, rrënojnë sistemin imunitar të njeriut dhe për pasojë njeriu disponon me shëndet të keq fizik. [2] Madje, në një studim amerikan, është vërtetuar se njerëzit që shquhen për optimizëm jetojnë më gjatë se të tjerët. [3] Sipas një artikulli të publikuar nga BBC, hulumtuesit në Universitetin e Teksasit kanë gjetur se sjellja pozitive ndikon në shtyrjen e periudhës së pleqërisë. Shëndeti i mirë mental ndikon në shëndetin fizik. [4]

Hulumtuesi AbduDaim El-Kehil, në një përmbledhje të dobive të optimizmit në jetën individuale dhe shoqërore, veçon dobitë në vijim:

1)      Forcon sistemin imunitar karshi të gjitha sëmundjeve.

2)      I mundëson njeriut rezistimin ndaj situatave të rënda dhe marrjen e vendimit të duhur.

3)      Bën që njerëzit ta duan sepse nga vet natyra njerëzit anojnë kah njeriu optimist ndërsa e braktisin atë pesimist.

4)      Njeriun e bën më ambientalist në kuptim të shoqërimit me të tjerët dhe bashkëveprim me ta.

5)      Njeriut ia dhuron lumturin familjare dhe kolektive.

6)      Optimizmi është qetësues për trurin e njeriut. Energjia e derdhur për dhjetë orë mendim pozitiv është baras me energjinë e shpenzuar për pesë minuta për mendim negativ. [5]

Qasja optimiste nga këndvështrimi fetar

Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe pastrimit të brendshëm të individit. Thirrjet për tu zhveshur nga vetitë e urryera, në njërën anë, dhe fisnikërimin me veti të pëlqyera, në anën tjetër, kanë bërë që personaliteti i besimtarit të jetë i veçantë. Në vazhdim do të mundohem të shkoqisë disa elemente të konceptit fetar për qasjen pozitive dhe optimiste në jetë.

Esenca e fesë si përgëzim dhe lehtësim

Islami, si fe, në thelb, ka përgëzimin dhe lehtësimin. Pra, ka një qasje pozitive për jetën. Allahu i Madhëruar, duke përshkruar misionin e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] jep këto detaje: “...e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta...“ (El-A’rafë, 157)

Pra, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]:

-        Po urdhëruaka për të mirën dhe po ndaluaka nga e keqja,

-        Po lejuaka të këndshmen – dobishmen dhe po ndaluaka të keqen – dëmshmen

-        Po lehtësuaka dhe nuk po vështirësuaka.

Me pak fjalë, ky është misioni islam. Pikërisht për këtë shkak, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka bërë thirrje që këto elemente të jenë kryefjalë e veprimtarisë sonë fetar. “...lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos irritoni (largoni njerëzit)...” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Pra, aplikoni një qasje pozitive, siç është në të vërtetë, sepse Zoti kërkon prej nesh që të jemi pozitiv, të lehtë, transparent, të dashur, motivues, lehtësues. Nga këtu, çdo veprim që çon në rrënimin e këtyre vlerave, Islami e dënon. Islami është i gjerë për të gjithë dhe i gatshëm për të pranuar njerëzit çdoherë dhe me çfarëdo të kaluare qofshin. Është parim në Islam se për mëshirën e Allahut ndaj nesh duhet të gëzohemi. Thuaj: "Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata".“ (Junus, 58)

Pra, besimtari gëzohet me faljen e Allahut, gjë kjo që reflekton një optimizëm të llojit të vet dhe një sjellje dhe qasje shumë pozitive në jetë. Mëshira e Allahut është drita që ndriçon çdoherë rrugëdaljen nga problemet e jetës. Thotë Allahu: “Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!".“ (Ez-Zumer, 53)

Siç kanë përmendur dijetarët, thirrja në ajet i drejtohet kryemëkatarëve, atyre që kanë bërë mëkatet më të mëdha, dhe, nëse as këta nuk janë të përjashtuar nga mëshira e Allahut, atëherë si mund të mos e gjejnë veten në këtë mëshirë të tjerët?! Në një hadith të Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] dera e pendimit është përshkruar aq e madhe saqë për shtatëdhjetë vite udhëtim nuk mund të përshkohet (Sahihul-xhamii, 5181), dhe, të të mos zë kjo derë, nuk ka kuptim. Nga këtu, Islami qasjen negative ose pesimizmin e ka llogaritur mëkat të madh. Në Kur’an, duke folur për pesimizmin, Allahu tërheq vërejtjen që të mos përshkruhemi me të sepse është veti e atyre që janë të përdalë dhe nuk besojnë.  Tha: "Askush nuk e humbë shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur".“ (El-Hixhr, 56); “...pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun".“ (Jusuf, 87)

Përgëzimi për të ardhmen

Pozitivizmi nuk është vetëm në kuptim të qasjes individuale ndaj detyrimeve dhe obligimeve fetare, por edhe në qasjet konceptuale dhe strategjike. Feja ballafaqohet me sfida dhe pengesa të ndryshme, por, fakti që disponon me të vërtetën, e të ardhmen e bën të jetë premtuese për besimtarët. Për këtë shkak, megjithëse sprovoheshin shumë besimtarët, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] i përgëzonte për të ardhmen. ““Pasha Allahun! Allahu ka për ta plotësuar këtë çështje (fenë, do ta shtrijë pushtetin e saj) aq sa udhëtari (me mjetin e tij) do të udhëtojë nga San’aja e deri në Hadrameut, ndërsa nuk do të ketë frikë nga askush tjetër përveç nga Allahu (devotshmëria) apo nga ujku për kopenë e tij. Por, ju po nguteni!” (Buhariu)

Në një hadith tjetër, të shënuar nga Muslimi, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Vërtetë, Allahu ma ofroi botën afër kështu që pashë lindjen dhe perëndimin e saj. Vërtetë, pushteti i Ummetit tim do të arrijë krejt ato vende që pashë!

Pra, është shpresë dhe optimizëm për të ardhmen. Dhe, këto përgëzime, nuk janë tjetër vetëm se reflektim i ajeteve kur’anore. Allahu ka caktuar që besimtarët do të ngadhënjejnë. “All-llahu ka përcaktuar (shkruar në Levhi Mahfudh): "Unë dhe të dërguarit e Mi patjetër do të ngadhënjejmë!" All-llahu është i fortë, ngadhënjyes.“ (El-Muxhadele, 21)

Kjo e bën besimtarin që të mos pësojë disfatë shpirtërore kurrë, për shkak se, herët apo vonë, premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij do të realizohet. Këtu qëndron sekreti pse Allahu kërkon prej nesh që të mos dëshpërohemi. Pavarësisht se çfarë na ndodhë, ne do të mundohemi ta sfidojmë atë. E dimë se problemet janë si shkak i gabimeve tona, andaj, mundohemi të merremi me veten, me përmirësimin e gabimeve, por shpresën kurrë nuk e shuajmë. Ja si na mëson Allahu: “E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.“ (Ali Imran, 139)

Pavarësisht se çfarë iu ndodhë, përderisa ju jeni në të vërtetën, mos u dëshpëroni, sepse, pavarësisht rrethanave, fundi i mirë është ekskluziv për ju.

Dimensioni i pozitivizmit dhe optimizmit në traditën profetike

Pozitivizmi nuk është iluzion. Nuk është një ndjesi e rreme. Nuk është veprim që nuk reflekton. Nga këtu, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], duke folur për pozitivizmin ose atë që në gjuhën fetare e quajmë fe’l (optimizëm, shenjë e mirë) ka thënë: “...dhe më pëlqen optimizmi i mirë.” (Buhariu)

Arabët në periudhën paraislame kishin disa shenja për optimizmin dhe pesimizmin, të cilat u klasifikuan nga Islami si besëtytni. Shkak ishte qasja e gabuar ndaj tyre. Lidhja me shenja të caktuara dhe jo me parime dhe kritere, sikur në rastin e konceptit islam, kanë bërë që pasojat të jenë vetëm negative. Islami, në konceptin e vet, ka aprovuar vetëm atë që është optimizëm i mirë, që reflekton pozitivisht në jetë. Ja një rast se si Islami e trajton këtë çështje. Buhariu transmeton se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ëndrrat janë tre (lloje): përgëzim nga Allahu, paramendime (ajo që i sillet ndërmend – hadith en-nefs) dhe frikësim nga djalli. Nëse dikush prej jush sheh ndonjë ëndërr që i pëlqen, atëherë, po deshi, le tua rrëfen të tjerëve. E nëse sheh diç që e urren, le të mos ia rrëfejë askujt, por le të ngrihet dhe le të falet.”

Në Islam urrehet optimizmi i cili nuk prodhon efekte pozitive. Ta zëmë, optimizmi se më falë Zoti ndërsa vazhdon me mëkate nuk është me vend. Dijetarët e kanë klasifikuar si dukuri shqetësuese, pasi që mund të vdesë njeriu ndërsa mbetet pa u penduar nga mëkatet. Për këtë, pendimi kërkohet urgjent. Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve All-llahu ju pranon pendimin, se All-llahu është më i dijshmi, më i urti.“ (En-Nisa, 17)

Imazhe të pozitivizmit nga perspektiva profetike

1. Në raport me vetveten

Islami ka konceptin më të bukur dhe më të ekuilibruar për sa i përket pozitivizmit në jetë. Në përmbajtjen e këtij koncepti, edhe e keqja dhe e liga që i ndodhin dhe godasin njeriun, janë të mira nga një këndvështrim. Njeriu mund të mos e di, por, përderisa beson në Allahun dhe se në caktimet e Tij fshihet patjetër e mira për të, atëherë edhe nuk ngutet të bëjë veprime të gabuara. Allahu ka thënë: “...Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.“ (El-Bekare, 216)

Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] na jep detaje të bukura të këtij koncepti. Në një hadith thotë: “E çuditshme kjo puna e besimtarit, ngado që ta kthesh, është në të mirë të tij, dhe kjo për askënd tjetër vetëm se për të. Nëse begatohet me diç, falënderon, e kjo është mirë për të, e nëse sprovohet diç, bën durim, e (edhe) kjo është mirë për të!” (Muslimi)

Kështu, për të mirat që i llogarit si mirësi, falënderon, për të ligat që i llogarit si sprova, duron, e për të dyja këto veprime (falënderimin dhe durimin) shpërblehet.

2. Në raport me të tjerët

Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka besuar ndokush prej jush derisa për vëllanë të mos e do atë që e do për vete!” (Buhariu)

Kur njeriu e do për tjetrin atë që e do për vete, atëherë ai fiton besimin e të tjerëve dhe kështu arrin lumturinë dhe, shpirtërisht, bëhet më i fortë. Ky hadith, siç kanë thënë dijetarët, nuk përfshin vetëm dëshirimin e të mirës për tjetrin, por edhe urrejtjen e të keqes për të ashtu siç e urren për vete. Pra, është një qasje që shkrin individin në individ. Për këtë, në një hadith tjetër raportet ndërmjet besimtarëve përshkruhen si raportet ndërmjet gjymtyrëve të trupit. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe butësinë e ndërsjellë është sikur shembulli i trupit, që nëse një gjymtyrë e tij rënkon, atëherë i tërë trupi ngel pa gjumë dhe përfshihet nga ethet.” (Transmeton Muslimi)

Për këtë shkak, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] përgëzoi me jetë të lumtur dhe të gjatë atë që është i mirë me të tjerët. Në një hadith qëndron: “ Kush ka dëshirë që t’i shtohet furnizimi (pasuria) dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet familjare!” (Hadith autentik. Sahihu-l-xhami, nr. 5956.)

Në kuptim të ‘zgjatjes së jetës’, dijetarët myslimanë kanë ndarë mendime, por të cilat nuk dalin jashtë përfitimit shpirtëror dhe fizik të individit. Disa kanë thënë se me zgjatje të jetës nuk synohet zgjatja konkrete por begatimi i jetës me të mira (shëndet, pasuri, harmoni),[6] ndërsa të tjerë zgjatjen e jetës e shohin konkrete, me detaje të cilat nuk janë për tu përmendur këtu. Ajo që na intereson neve është se, sipas të dyja mendimeve, individi që mban lidhjet familjare, përfiton. 

Për fund,

Mesazhi dhe porosia e kësaj janë që të mbahemi për fenë, sepse në të është shpëtimi në të dyja botët. Koha dhe zbulimet shkencore do të dëshmojnë vazhdimisht madhështinë e kësaj feje, andaj të jemi krenar që i përkasim asaj!

 

 

 

 


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013