Në rrëfimet e moçme kineze flitet për një perandor i cili kishte dashur ta shpërblente një qytetar të tij, andaj i kishte ofruar pronësinë e gjithë asaj hapësire tokësore që do të mund ta përshkonte me këmbë. Njeriu u gëzua shumë, kështu që filloi të ecte, e madje edhe të vraponte sikur të ishte i çmendur, në mënyrë që të zë sa më shumë hapësirë. Eci e vrapoi gjatë, dhe dikur, edhe pse u lodh dhe mendoi të kthehej tek perandori e ta informonte për vendin e fundit ku ka shkelur me këmbët e tij, pra ta informonte për kufirin e pronësisë së tij, megjithëkëtë, ndryshoi mendje dhe vendosi të vazhdonte. Eci edhe shumë më gjatë dhe sa herë që i vinte ndërmend të kthehej tek perandori, lakmia për tokën e shtynte që të vazhdon udhëtimin edhe më tej. Në të vërtetë, ai e vazhdoi udhëtimin ndërsa nuk u kthye më kurrë. Thuhet se për shkak të vrapimit të shumtë dhe rraskapitjes së madhe, kishte përfunduar i shtirë në tokë për vdekje.
Kështu është puna, kush kërkon të posedojë gjithçka, humb gjithçka.
Lumturia fshihet në kënaqësinë me atë që të është dhënë.
Vëre një limit të mjaftueshmërisë në çdo gjë, në grumbullimin e pasurisë, në kërkimin e sukseseve, në famë, në mënyrë që të mos biesh në kurthen e lakmisë dhe sëmundjes së pamjaftueshmërisë!