Dituria është çelësi i fesë sonë. Me të arrijmë ta njohim Allahun. Me të i shërbejmë dhe njerëzimit. Me këto dhe bindje e parime tjera të dijen, myslimanët kanë dhënë shembuj të paparë për njerëzimin për sa i përket përkushtimit për dije. Dhe, nuk do të doja të përmend shembuj nga e kaluara, jo për të nënvlerësuar rolin e tyre –Allahu mos e dhëntë!- por për të dëshmuar se si tradita e tyre nuk është shkëputur.
Legjenda të rralla të memorizimit të teksteve dhe shkencave
Sejjidi Muhammed Ibn El-Al-lameh Sejjidi Abdullah Ibn El-Haxh-xh Ibrahim El-Alevijj, i cili ka vdekur në vitin 1250 h./1835 g., ka thënë: “Sikur të gjitha shkencat e të katër medh’hebeve, me të gjithë literaturën e tyre, të hidheshin në det, unë dhe studenti im Elfegga Ed-Dejmani, do të kishim patur mundësi t’i rishkruanim pa bërë asnjë shtesë dhe pa hequr asgjë. Ai i bartë (ka mësuar përmendësh) tekstet ndërsa unë komentimet.”
Muhammed Mahmud Et-Terkuzi, i cili ka vdekur në vitin 1322 h./1905g., kishte sfiduar ez’heristët (shkollarët e universitet El-Az’har) se kishte më shumë dije se ata për gjuhën arabe, sepse ai e dinte përmendësh komplet fjalorin El-Kamus el-muhit ashtu siç e dinte përmendësh kaptinën el-Fatiha. Ata ia morën për të madhe dhe organizuan një takim në universitet për ta testuar në e thoshte të vërtetën apo jo. Mbetën të mahnitur kur pan se as edhe në një vend të vetëm nuk gaboi. Ata, jo vetëm që ia shtrinë dorën por filluan që kopjet e tyre të shkruara të fjalorit në fjalë t’i përmirësojnë nga kopja e memorizuar e Terkuziut.
Dituria për ta kishte kuptim të memorizimit, nxënies së saj, dhe jo detyrimisht shkuarjes në vende dhe qendra të ndryshme arsimore.
Abdullah Ibn Atik El-Ja’kubi, i cili ka vdekur në vitin 1339 h./1921g., kishte mësuar përmendësh fjalorin disa vëllimsh Lisanu-l-arab të Ibni Mendhurit.
Shejhu Sejjid El-Muhtar Ibn Esh-Shejh Muhammed Ibn Esh-Shejh Ahmed Ibn Selman kishte memorizuar shumë libra bazë të shkencave islame, si: komentimin e Buhariut ‘Fet’hu-l-Bari’ nga Ibni Haxheri, librin El-Itkan të Sujutit, si dhe shumë libra tjerë.
Nuk kanë qenë vetëm burrat ata që janë shquar për mbamendje të shkencave fetare dhe librave të rëndësishëm të tyre. Dijetari i madh Muhammed Salim Ibn Abdul Vedud, duke folur për nënën e tij, Merjemen, thotë se ajo kishte mësuar përmendësh tërë Kamusin. Forma se si e kishte mësuar atë është tejet interesante. Duke qenë e vogël, babai i saj shpesh e dërgonte tek tenda e një dijetari të lagjes, i cili dispononte me një kopje të Kamusit, dhe duke qenë se e kishte vetëm një kopje dhe nuk kishte kopje tjera, ai nuk ia huazonte atë askujt, kështu, Merjemja duhej ta mbante përmendësh kuptimin e fjalës për të cilën e dërgonte babai, duke arritur që pas një kohe ta memorizonte tërë librin në fjalë.
Merjemja, për të cilën po flasim, kur mungonte i biri, e zëvendësonte në ligjërata para studentëve dhe ua shpjegonte atyre Elfijjen e Ibni Malikut.