NJË ARTIKULL ME TITULL ENIGMATIK
ERYT E ESEJP ETHSE KUN ,EVENAMILSUM E TENUP REP TEHOSERETNI KUN HSUK
Para se të më pyesni për titullin, më lejoni t'iu pyes diçka:
Cila është ngjarja më interesante që karakterizoi këtë javë (ose më saktë datën 21 prill 2015)?
Nuk po kushtëzoj të jetë ngjarje lokale. Kushtëzoj të jetë vetëm e rëndësishme.
Cila?
Nuk po pyes për ngjarje sportive, sepse ndoshta dëshironi të më bëni pyetje se me çfarë ka të bëjë ngjarja?
Nuk ka të bëjë as me kinematografinë. Madje, as me shkencën nuk ka të bëjë. Ka të bëjë me diç më të rëndësishme se këto. Lidhet për emra të caktuar individësh por nuk ka të bëjë me ta. Ka të bëjë me kauzën e tyre, që në fakt është kauzë e ummetit mbarë.
Nëse nuk e di ende, më lejo të të tregoj.
Gjykata në Egjipt ka dënuar me 20 vite burgim Muhammedin Mursin, presidentin e parë të zgjedhur nga populli në ndërkohë që shumë bashkëmendimtarë të tij i ka dënuar me dënime edhe më të rënda, në mesin e të cilave edhe dënimi me vdekje.
Të thashë se Mursi dhe të tjerët nuk e përfaqësojnë veten e tyre. Nuk janë të burgosur për vepra penale. Ata janë të burgosur për shkak se kanë ngritur zërin për muslimanët. E përmenda Mursin, si bartës i kësaj kauze, ndryshe, bashkëmendimtarë të tij e kanë pësuar edhe më keq: iu është konfirmuar dënimi me vdekje.
Nëse përgjatë javës nuk të kanë ikur dhjetëra lajme për sportin e kinematografinë ndërsa të ka ikur ky lajm që flet vdekjen e drejtësisë dhe demokracisë, atëherë dije se nuk i ke punët mirë. Nëse ende nuk e keni gjetur enigmën e këtij titulli dhe jeni kurioz ta dini, po ua tregoj.
KUSH NUK INTERESOHET PËR PUNËT E MUSLIMANËVE, NUK ËSHTË PJESË E TYRE!
Është më shumë se një titull. Ndonëse, tesktualisht, nuk është vërtetuar si hadith, domethënia e tij qëndron në fe.
Nëse myslimanit i kërkohet të interesohet për myslimanin edhe për gjëra të rëndomta (ushqim, veshmbathje), atëherë mendoni se nuk i kërkohet të interesohet për kauzën, që në fakt e prek edhe atë si pjesë e tërësisë së quajtur Ummet?!