Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
RËNDËSIA E PËRGATITJES PSIKIKE DHE FIZIKE PËR ADHURIMET SEZONALE – AGJËRIMI I RAMAZANIT SI SHEMBULL

Sa herë vjen Ramazani, vërejmë një dukuri në xhematin tonë, e cila, ndonëse diskutohet, megjithëkëtë, ngel ende pa trajtim të duhur. Fjala është për dukurinë e zbehjes së vullnetit për adhurim gjatë tërë muajit. Në fillim shohim se si shumë njerëz i qasen me vullnet agjërimit dhe namazit por që gjatë muajit ky vullnet, kjo energji dhe ky elan vijnë gjithnjë duke u dobësuar.

Përse ndodhë kjo? 

Konsideroj se si shkak kryesor është mospërgatitja psikike dhe fizike për adhurimet (agjërimin dhe namazin). Mungojnë motivi i fortë shpirtëror dhe përgatitja paraprake fizike.

Duke qenë se jemi fare pranë muajit të madhërishëm të Ramazanit, si hap konkret për trajtimin e dukurisë në fjalë, do t’i referohem rëndësisë së përgatitjes psikike dhe fizike për Ramazanin, në mënyrë që të ruajmë energjinë dhe vullnetin për adhurim gjatë tërë muajit, e ndoshta kështu arrijmë dhe faljen e Allahut të Madhëruar.

Përgatitja psikike për adhurim gjatë Ramazanit

Ramazani është muaj i dalluar, jo vetëm për shkak të karakteristikave që ka, si p.sh.: fillimi i shpalljes së Kur’anit, por edhe për mundësitë e faljes së mëkateve për besimtarin. Ka, p.sh.:

  • Natën e Kadrit, e cila është për nga vlera më e rëndësishme se njëmijë muaj
  • Ka shpërblimin e ndërmjetësimit në Ditën e Llogarisë
  • Ka një derë të caktuar të Xhennetit, nëpër të cilën kalojnë në Xhennet vetëm agjëruesit

Pastaj, krahas këtyre, agjërimi ka një rol edukativ, është një lloj terapie për nefsin, që të nënshtrohet dhe të veprojë në përputhje me fenë. Agjërimi:

  • Kultivon ndjesinë e të qenit i vëzhguar nga Allahut përherë
  • Kultivon sinqeritetin e shkallës më të lartë
  • Ndalon nga sjelljet dhe fjalët e pista
  • Ndalon nga humbja e kontrollit dhe konfliktet fizike me provokuesit
  • Ngjall shpirtin solidar në shoqëri
  • Ndihmon në menaxhimin më efektiv të kohës

Këto dhe mirësi tjera bëjnë që besimtari të jetë i lidhur shumë me agjërimin dhe të harrojë lodhjet dhe mundimet fizike që vijnë nga abstenimi prej ushqimit dhe pijes. As edhe një herë të vetme nuk do të mund të gjesh një besimtar të devotshëm i cili ankohet për lodhjet fizike. Preokupimi dhe brenga e besimtarëve është se si dhe sa do ta shfrytëzojnë Ramazanin për të fituar dhe dalë triumfues tek Allahu. Ata e dinë se dështimi është që të kesh para vete këtë thesar mundësish ndërsa të mos i shfrytëzosh. Muhammedi [Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!] ka thënë: “I përbuzur dhe nënçmuar është ai që e ka arritur Ramazanin pastaj ka kaluar ai ndërsa atij nuk i janë falur mëkatet!...” (Transmeton Tirmidhiu nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!]) 

Pra, ka nevojë të madhe që tashmë kur kanë mbetur edhe ca javë, të ndalemi dhe të përkujtojmë mirësitë e Ramazanit, rëndësinë e tij, reflektimet e tij edukative, në mënyrë që ta kemi sa më të lehtë agjërimin. Muhammedi [Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!] e kishte zakon që këto mirësi ua përkujtonte edhe me rastin e afrimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit. “Iu erdhi Ramazani, (i cili është) muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu i Madhëruar ua obligoi. Në të hapen dyert e qiellit (Xhennetit), mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Zoti ka përzgjedhë një natë më të mirë se njëmijë muaj, ndërsa ai që privohet prej mirësisë së saj, ai vërtetë është i privuar!” (Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.)

Kështu, nëse në Ramazan duam dhe synojmë faljen e mëkateve dhe shpëtimi nga zjarri i Xhehennemit, atëherë ia vlen barra qiranë. Allahu i Madhëruar në Kur’an na tregon se shpëtim i njëmendtë është vetëm shpëtimi nga Xhehennemi:...e kush shmanget zjarrit e futet në Xhennet, ai ka arritur shpëtim...“ (Ali Imran, 185)

Tek njerëzit që e kanë kuptuar kështu Ramazanin dhe që e kanë pritur me këto synime, tërë viti ka qenë i lidhur vetëm me të. Mual-la Ibn el-Fadili duke folur për të parët thotë: “E lusnin Allahun e Madhëruar gjashtë muaj përpara që tua mundësonte arritjen e Ramazanit, ndërsa e lusnin gjashtë muaj pas tij që tua pranonte atë!” Madje, si dëshirë që iu mbetej nga kjo botë ishte pikërisht agjërimi i vështirë. Ibni Omeri [radijAllahu anhuma!] kur u sëmur për vdekje tha se ndër gjërat që i mbesnin merak nga kjo botë ishte edhe agjërimi në ditë me vapë të madhe.

Përgatitja fizike për Ramazanin

Abstenimi nga ushqimi dhe pija nuk është i lehtë. Është një provë e rëndë për fizikun e njeriut, veçmas në kohë vere kur dita është e gjatë dhe me vapë. Kjo i ngjan sikur një atlet t’i hyj një shtegu të gjatë pa bërë përgatitje fare. Për këtë shkak, një nga hapat konkret është edhe agjërimi në muajin Sha’ban. Nuk ka muaj në të cilin vullnetarisht ka agjëruar Pejgamberi [Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!] më shumë se sa në këtë muaj. Njëri nga dijetarët e shquar, Ibni Rexhebi, duke e shpjeguar urtësinë e këtij veprimi të Pejgamberit [Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!] thotë: Është thënë për agjërimin e Sha’banit: “Agjërimi i tij është sikur një ushtrim – parapërgatitje për agjërimin e Ramazanit, në mënyrë që besimtari të mos i hyj agjërimit të Ramazanit me vështirësi e ngarkesë. Përkundrazi, ai (që ka agjëruar në Sha’ban) do të jetë i përgatitur dhe do ta ketë agjërimin shprehi. Ai do të gjejë në agjërimin e Sha’banit ëmbëlsinë e agjërimit dhe lezetin e tij, kështu që do t’i qaset agjërimit të Ramazanit me forcë dhe vullnet.”

Për këtë shkak, ka qenë traditë e të parëve që në muajin Sha’ban të fillojnë me adhurimet të cilat do t’i kryejnë në Ramazan: agjërim, namaz nate, lexim Kur’ani, etj. Seleme ibn Kehejl ka thënë: Thuhej se muaji Sha’ban është muaji i lexuesve (të Kur’anit). Amr ibn Kajsi kur vinte muaji i Sha’banit, e mbyllte dyqanin dhe vetmohej të lexonte Kur’an. Ebu Bekr Belhi thoshte: Muaji Rexhep është muaji i mbjelljes, muaji Sha’ban është muaji i ujitjes ndërsa muaji Ramazan është muaji i fshirjes së të mbjellave. Ebu Bekr Belhi merrte dhe një shembull tjetër. Thoshte se muaji Rexhep është era, muaji Sha’ban është reja ndërsa muaji Ramazan është shiu. Pra, sikur që ka lidhje ndërmjet erës, resë dhe shiut, po kështu ka lidhje ndërmjet këtyre tre muajve. Me një fjalë, nëse nuk je përgatit për Ramazan, nuk do të mund të kesh sukses në të.

Të dashur vëllezër!

Tash kur jemi ende në muajin Rexheb, le të fillojmë me përgatitje për muajin e Ramazanit, le të fillojmë me agjërim, me namaz nate, me lexim Kur’ani, që ta gjejmë kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e adhurimeve në Ramazan!

Allahu na bëftë prej atyre që e arrijnë Ramazanin dhe kanë sukses në të!

 

 


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013