1.
Askush nuk amnistohet nga fajësia për refugjatët nga Lindja e Mesme
Çështja e refugjatëve sirianë është bërë edhe temë propagandistike. Të frustruar me gjendjen e tyre, ca me vetëdije e shumë të tjerë pa të, akuzuan Lindjen e Mesme për mungesë solidariteti me njerëzit me të cilët ndajnë gjuhën dhe fenë. Për shkak të pozitës shpirtërore në botën islame, Arabia Saudite ishte në krye të listës së shteteve që akuzoheshin për mungesë solidariteti dhe për shpërfillje të çështjes së refugjatëve, në kohën kur Evropës i thuren lavde për humanizëm.
Personalisht, konsideroj se kjo propagandë që po bëhet për humanizmin, është të përfitosh në fatkeqësinë e njerëzve të vuajtur. Nuk di në bazë të çfarë përkatësie etnike apo gjeografike nuk është përfshirë Turqia, një vend me shumicë absolute myslimane, që tash e sa vite n; bashkërendim me vende të Lindjes së Mesme, jo vetëm që ka më shumë refugjatë nga Lindja Mesme se e tërë Evropa bashkë, porse iu ka bërë edhe trajtim më human dhe njerëzor?! Pastaj, rastet kur tregohet një humanizëm vërtet i rrallë, i paragjykojnë deri në ekstrem, aq sa i quajnë tallje. Një miliarder egjiptian kërkoi të blinte ishuj për të vendosur dhe për t’i mbajtur refugjatët ndërsa në media humanizmi i tij interpretohej si tallje dhe përqeshje me refugjatët.[1] Sikur Evropa të kishte kaq të theksuar humanizmin, do të kishte një rol më të theksuar në zgjidhjen e problemit në Siri. Do të kishin parandaluar rastet që kanë qenë edhe më të rënda se rasti i Ajlan Kurdit me familje ose që mund të na përsëriten si rasti i tij prapë. Një refugjat, si zë i të gjithë refugjatëve, tha se kërkonte ndaljen e luftës dhe kthimin në vendin e tij.[2]
Po kështu nuk do të qëndronin të heshtur edhe përballë krimeve që çifutët vazhdimisht bëjnë në Palestinë. Nëse Ajlani u mbyt në det, një bashkëmoshatar i tij, ose edhe më i vogël, u dogj për së gjalli në Palestinë. Për çudi, perëndimi, për rastin e vrasjes së një luani që rastisi të ndodhte ato ditë, derdhi më shumë lot se për fëmijën e djegur palestinez, madje rasti i tij tash as që përmendet. Po kështu edhe fati i refugjatëve myslimanë nga Burma ishte i ngjashëm. Bota perëndimore heshti në kohën kur ata digjeshin nga priftërinjtë budistë.
Qasja e Perëndimit karshi problemit të Lindjes së mesme, tash kur për të satën herë na konfirmohet se fajtorët kryesorë për krimet janë pushtetet, më kujton atë thënien ‘hanë me ujkun ndërsa qajnë me bariun.’ A nuk patën mundësi ta rrëzojnë Beshar Esadin?! Apo nuk deshën të përsëritet skenari i vendeve tjera të Lindjes, të cilave kur iu dha mundësia të flasin e të zgjedhin për vete, zgjodhën islamistët. A nuk e dëshmon këtë edhe njohja e legjitimitetit të diktatorit Sisi, i cili rrëzoi presidentin e zgjedhur me votë demokratike dhe u vendos vet në pozitën e tij?!
Me këtë, në asnjë rast, nuk përjashtoj që mund të ketë qeveritarë dhe individë humanë, siç edhe kemi vërejtur, për shkak se humanizmi është virtyt, porse nuk duam që fatkeqësia e këtij populli të përvuajtur të shfrytëzohet për poenë politikë apo të përdoret për propaganda fetare, siç po ndodhë me konvertime fetare të refugjatëve, me përzgjedhje të refugjatëve me përkatës të krishterë apo edhe me refuzim të tyre për shkak të përkatësisë fetare.
Humanë nuk janë as politikanët tanë, që po “shikojnë mundësitë” të jenë solidarë me sirianët. Njëherë u mbajt një hutbe për Shamin dhe solidaritetin me popullsinë e pafajshme ndërsa edhe sot vazhdojnë akuzat se kinse BIK paskësh nxitur shkuarjen e të rinjve në Siri dhe Irak. E diskutoja me një mik timin se po të ishim -kushtimisht- ne hoxhallarët ata që do të ndërmerrnim iniciativën për një tubim qytetar për refugjatët sirianë, sikur që bënë disa qytetarë që para Teatrit Kombëtar ndezën qirinj në shenjë solidarizimi me refugjatët sirianë, athua vallë do të kalonin 24 orë pa u arrestuar.
Me këtë nuk dua shfajësoj as neglizhencën dhe mosinteresimin e qeverive arabe, të cilat janë të zhytura në korrupsion dhe luks. Përpjekjet e tyre për zgjidhjen e problemit në Siri kanë qenë disa nisma diplomatike monotone, që nuk kanë rezultuar me asnjë sukses. Problemi vetëm sa është ndërlikuar.
Me këtë desha të dëshmoj se Evropa nuk është humane, siç po trumbetohet në media, sikur që me pjesën në vijim, do të dëshmoj se mosinteresim arab, nuk është fetar. Për këtë, do të dëshmoj me tekste fetare.
2.
Vëllazërimi ndërmjet njerëzve si meritë e Islamit
Ndër meritat e shumta që ka Islamin për njerëzimin është edhe vëllazërimi i tyre. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëmadh ka treguar se vëllazëria fetare në të cilën i bardhi dhe i ziu, i pasuri dhe i varfëri, arabi dhe joarabi, janë të barabartë ose dallojnë vetëm nga aspekti i devotshmërisë, është meritë absolutisht e Islamit, është diçka që vetëm Islami ia ka dalë ta realizoj. “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër...” (Ali Imran, 103); “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzosh gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.” (El-Enfalë, 63)
Kjo vëllazëri nuk është verbale. Ajo detyrimisht duhet të reflektojë. T’i thuash myslimanit vëlla e pastaj ta anashkalosh, ta harrosh, ta lësh të pandihmuar, nuk mund të ndodhë. Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon (në dorën e atij që i bën padrejtësi). Kush është në shërbim të (përmbushje të nevojës së) vëllait të vet, Allahu do të jetë në përmbushje të nevojës së tij, kush ia largon një brengë myslimanit, Allahu do t’ia alrgojë atij një nga brengat e ditës së kiametit, kush e mbulon myslimanin (nuk ia zbulon të metat), Allahu do ta mbulojë në ditën e kiametit.” (Buhariu dhe Muslimi.)
Pra, vëllazëria myslimane parasheh që ndërmjet vëllezërve të ketë raporte të mira, të ndihmohet, të përkrahet, të mos lihet i pakrahë besimtari, e aq më pak të dorëzohet tek ata që mund ta dëmtojnë apo shqetësojnë. Është një vëllazëri që kërkon një lloj shkrirje. Siç transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush derisa për vëllain e tij të mos dëshirojë atë që do për vete.”
Ky hadith, siç kanë shpjeguar dijetarët, nuk përfshin vetëm dashurinë, por edhe urrejtjen e të keqes për vëllain ashtu siç e urren për vete.
Nga këtu, konstatimet se nuk janë besimtarë të vërtetë ata që nuk kujdesen për vëllezërit e tyre, është konstatim i drejtë. Rasti me popullin sirian, që duke ikur nga lufta, kanë mësyrë Evropën, duke rrezikuar edhe me jetët e tyre, dhe këtë, përveç tjerash edhe për shkak se vëllezërit e tyre në fe dhe gjuhë, arabët, ua kanë mbyllur dyert, është një imazh që shpërfaq zbehjen e besimit dhe dobësimin e vëllazërisë fetare. Edhe shprehja e njërit prej këtyre viktimave të braktisjes së vendlindjes që duke shprehur revoltën e tij me arabët betohej se janë të pafe,[3] e dëshmon këtë. Myslimani nuk mund të jetë mysliman nëse nuk kujdeset për vëllain e tij se ka apo jo për të ngrënë e lëre më ta lejë rrugëve të rrezikojë dhe jetën e tij. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka besuar në mua ai që kalon natën i ngopur ndërsa e di që fqinji i tij pranë tij është i uritur.” (Albani në Sahihu-l-xhamië, 5505, e vlerëson autentik.)
Fatkeqësisht, sot gjërat kanë ndryshuar. Para fesë dhe vlerave fetare është interesi. Në këtë ka aluduar edhe sahabiu i nderuar, Ibni Omeri [radijAllahu anhuma], i cili ka thënë: “Dikur asnjëri prej nesh nuk e shihte veten e tij më meritor për dinar dhe dërhem se vëllai i tij mysliman, ndërsa sot ka ardhur koha kur dinari dhe dërhemi na janë bërë më të dashura se vëllai jonë mysliman.” [4]
3.
Solidarizim shpirtëror dhe material
Solidarizimi në Islam prefshin aspektin shpirtëror dhe material. Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] duke folur për solidaritetin shpirtëror ndërmjet besimtarëve, merr shembull trupin e njeriut[5] që reagon instinktivisht për gjymtyrët e tij. Kështu janë edhe besimtarët. Në një rast tjetër lidhjen ndërmjet tyre e krahasoi me lidhjen ndërmjet mureve të shtëpisë,[6] të cilat mund t’ia dalin pa u rrëzuar vetëm kur janë të lidhura ndërmjet vete. Për këtë shkak, besimtari ka obligime konkrete ndaj besimtarit: ta vizitojë, ta këshillojë, t’i qëndrojë pranë, t’i gjendet në ditë të vështira, etj.
4.
Solidarizim me të gjithë njerëzit
Mirësia e Islamit nuk përjashton askënd. Njerëzit janë krijuar të ndryshëm (Kur’ani: El-Huxhurat, 13; Hud, 118), dhe ky është vullneti i Zotit, kështu që në rast fatkeqësish, myslimani i gjendet të gjithëve. Shkollarë myslimanë, duke iu referuar: thirrjeve hyjnore për njerëzimin në përgjithësi (“O ju njerëz! [En-Nisa, 1]), thirrjeve për drejtësi dhe mirësi ndaj të gjithëve (El-Maide, 8; Ali Imran, 133-134), urdhëresave kur’anore dhe praktikave profetike për mirësjellje ndaj njerëzve, edhe pse nuk janë me fe të njëjtë, sikur ajeti 8 nga kaptina El-Mumtehineh, hadithi i Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit, me nënën e saj politeiste (Buhariu dhe Muslimi), dhe shumë fakteve e argumenteve tjera, kanë ardhur në përfundim se nuk i ndalohet një besimtari të jetë human dhe i mirësjellshëm edhe me të tjerët. Këtë mirësjellje e ka dëshmuar historia.
Si përfundim, do të doja të shpreh opinionin tim se nga fajësia për rastin e refugjatëve myslimanë nuk lirohemi askush, as si shtete dhe as si individë: perëndimi duhet të intervenojë për të ndalë luftën për hir të humanizmit; arabët duhet të kthjellen dhe të ndërgjegjësohen, ndërsa ne, besimtarët, të solidarizohemi shpirtërisht e materialisht: të lutemi për ta dhe të ndajmë diç nga mundësitë tona që t’iu dalim në ndihmë.
[5] Fjala është për hadithin: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe butësinë reciproke është sikurse shembulli i një trupi...” Hadithin e transmeton Muslimi.
[6] Fjala është për hadithin: “Shembulli i besimtarit për besimtarin është sikur shembulli i godinës, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.